E marte, 19.03.2024, 11:22 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Olsi Pajo: Tre ligjet e Einstein-it

E shtune, 16.03.2013, 04:18 PM


Tre ligjet e Einstein-it

Nga Olsi Pajo

Nga vetë natyra e tij, njeriu kërkon të shkojë përtej asaj që ka arritur, ta përsosë, ta bëjë më të mirë se ç’është. Punëtori më i thjeshtë, pavarësisht të gjithave, kërkon t’i shtojë diçka më shumë shtëpisë së tij modeste, ndërsa filozofi më i madh gjithnjë është në kërkim të një mendimi i cili do e çonte më tej veprën e tij. Për nga vetë mosha, ne jemi të mbushur plot me ëndrra, dëshira dhe plane, por për hir të së vërtetës shpesh na mungojnë ato që quhen projekte, skica, ide, objektiva, synime të qarta sesi mund t’i realizojmë këto ëndrra. Një vënd me rini të vakët, pa ide dhe pa dëshirë për progres, nuk mund të shpresojë për një të ardhme më të mirë. Çdo vendi i duhen të rinj të zellshëm, që kanë qëllime në jetën e tyre dhe punojnë fort për t’i arritur këto qëllime, të cilat në vetvete duhet  te jenë për të mirën e vendit dhe shoqërisë globale. Duhen të rinj që të bëjnë balancën midis asaj çka ndodh në shoqëri dhe asaj që duhet të ndodhë, pritshmërisë së tyre progresive.
 Le të flasim pak për atë që përmënda më sipër, për faktin që të rinjtë duhet të kenë qëllime. Sipas teorisë së motivimit në psikologji, ne të gjithë duam të jemi të suksesshëm, të orjentuar dhe të motivuar. Nga ana psikologjike, njeriu është i lindur për të arritur maksimumin e potencialit të tij, e shpjeguar më së miri nga piramida e famshme e Abraham Maslow. Dhe për të arritur potencialin tonë maksimal, unë mendoj se ne duhet të kemi synime të qarta. Logjikisht, mendoj se një vjedhje banke e mirëorganizuar, do ishte më produktive sesa t’i shkosh punonjëses së bankës me armë në kokë dhe t’i thuash: Më jep paratë! Morali: Kur të vidhni një bankë, bëni një plan të mirëorganizuar. Jo. Në fakt nuk është ky qëllimi i këtij krahasimi. Që të keni një të ardhme më të mirë, ndërtoni synime të qarta, mirëorganizojeni rininë tuaj. Për një moment le të supozojmë se kjo është e vërtetë, pra, një punë e mirëorganizuar do na çojë në një rrugë progresi. Si mund ta arrijmë këtë? Si mund t’i realizojmë synimet tona? Mënyra me e thjeshte: Me një shkop magjik! Por fatkeqsisht unë nuk jam një magjistar dhe nuk kam një të tillë, unë kam një zgjidhje tjetër.
 Së pari, që t’i realizojmë synimet tona, duhet të kemi synime. Shpesh ne kemi mungesë synimesh dhe që të kemi synime, ne duhet të njohim veten tonë.. Njohja e vetes është një proces kompleks, sepse njeriu dhe ambjenti që ai ka përreth ndryshon kohë pas kohe, ama nuk dua t’i futem kësaj teme, dua thjesht ta njohim veten në këndvështrimin se çfarë duam të bëjmë, çfarë na pëlqen të bëjmë, përse jemi të prirur. Ligji i parë i Einstein-it: Çdokush është gjeni! Por nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për të çukitur një pemë, ai do të jetojë gjatë gjithë jetës së tij duke besuar se është një budalla. Pra, gjejeni se për çfarë ju jeni gjeni!
 E dyta është koha, organizimi, ne duhet të veprojmë në dobi të qëllimit tonë. Nuk dua t’ju them fraza që i keni dëgjuar mijra herë, mësoni shumë, lexoni libra jashtëshkollorë, shkoni në biblioteka, gjeni informacione të reja… aspak! Rinia është mosha më e bukur e jetës, thonë të rriturit, dhe ne duhet ta shijojmë atë. Kuptimi i jetës mbase është shijimi i të tashmes. Si mund ta bëjmë këtë? Si të arrijmë qëllimet tona dhe si ta shijojmë rininë njëkohësisht? Unë mendoj se është e thjeshtë. Veçoni thelbësoren nga dytësorja! Nëse doni të jeni një atlet i mirë, duhet të stërviteni kaq orë në ditë. Jam i sigurtë se ka kohë të mjaftueshme për të bërë plot gjëra të tjera. Një nga gjërat më të rëndësishme të cilën njeriu e nënvlerëson kur e ka, është koha e lirë. Shfrytëzojeni atë!
Së fundi, pjesa më e komplikuar, teoria dhe praktika. Ligji i dytë i Einstein-it: Nëse faktet nuk përputhen me teorinë, ndrysho faktet! Është themeli i zbatimit të teorisë. Duhet të ndërtojmë një teori të logjikshme, duhet t’i ngjisim shkallët një nga një. Duhet të besojmë tek vetja jonë, duhet të shpresojmë se mund t’ia dalim. Teoria duhet të zbatohet në praktikë. Ndryshimi vjen atëherë kur fillon veprimi. Qëllimi nuk arrihet me talent, por me dëshirën e madhe për t’ia dalë.
 Njeriu duhet të provojë në jetë, por është mirë që këtë ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ligji i tretë i Einstein-it: “Kushdo që nuk ka bërë asnjë gabim, asnjëherë nuk ka provuar diçka të re.” Nuk jam i mirë në fizikë, mbase e kuptuat që në fillim kur për tre ligjet, ngatërrova Einstein-in me Newton-in, ndoshta edhe sepse për këtë të fundit aludohet shpesh se ka formuluar pesë ligje fizike.
Gjithëçka më sipër, është një sintezë shënimesh në momente të ndryshme të gjimnazit, kryesisht të inspiruara lëndët e shkencave shoqërore. E them këtë, për të thënë se kjo mënyrë arsyetimi është kryesisht e ndikuar nga perceptimet e mia personale. Gjithësesi dua të përfitoj nga rasti për t’ju lënë një porosi, miqësore: Çdo natë, përveç lutjeve para gjumit, mbyllni sytë dhe ëndërroni përpara se gjumi t’ju zërë. Për ta mbyllur, vendosa të zgjedh një citat, jo më nga Einsteini. Aristoteli thoshte: "Rinisë i pëlqen më shumë e bukura sesa e dobishmja, sepse rinia drejtohet nga ndjenjat e jo nga llogaritë". Unë po e formuloj ndryshe: Le t'i bëjmë llogaritë që ndjenjat e bukura të na drejtojnë nga e dobishmja".                                  



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora