Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: ''Pasaporta'' e Pirros ...

| E premte, 15.03.2013, 08:43 PM |


“PASAPORTA”  E  PIRROS

Nga Fritz RADOVANI

Edhe Pirro kishte “pasaportë” në Shqipni…me të cilën mund të qarkullohej nga një qytet në tjetrin, sigurisht tue u njoftue “policia” porsa njeriu vinte kambën aty. Ka shumë nga “ata” që e “mohojnë” vleren e atij “dokumenti” e për ma tepër, nuk e vlersojnë as sot!  Asnjë fjalë që do të shkruej nuk ka karakter tjetër përveçse një së vërtetës që e kemi jetue ata vite…

Në vitin 1957 ishe me punë dizenjator në Kabineti Pedagogjik në Shkoder. Drejtoreshë aty ishte z. Thomaidha Rako. Puntor sherbimi ishte z. Fadil Kaja…Pra, ishim vetëm tre vetë…

Fadili kohën e lirë e kalonte në dhomen time të punës ku me shumë kujdes erdhi një kohë që bisedohej gjithshka haptas…deri tek paret me të cilat do të shtynte deri në ditën e rrogës. Në rini kishte ba jetën e një marinari nga Saranda për Korfuz e nga Tunizia por kur kishte ardhë në Shkoder, edhe kushrinjtë e vet e kishin konsiderue “tregtar”…Ishte besimtar dhe një njeri me horizont në biseda, aqsa edhe ata që kanë pasë fatin me e njohë, menjëherë janë joshë nga një dashamirsi e veçante e Tij, që të bante për vete, ndonse ndryshimi i moshës sonë me Té ishte i madh, atëherë Ai ishte mbi 60 vjeç…e me shumë telashe familjare, se kishte pesë fëmijë.

Një ditë, z. Thomaidha, porsa erdhi në punë hyni tek dhoma ime bashkë me një burrë shumë të pambajtun, i shkurtë, po që me përzemersi na përshëndeti si mue dhe Fadilin tue na tregue edhe emnin e vet, Pirro Floqi. Porsa filloi me folë kuptueme se ishte nga Toskënia. Drejtoresha e kishte sjellë me punue disa ditë daktilografist për disa nevoja të punës. Ma shumë ishte shty me ndihmue Pirron se vetën, mbasi kur Pirro filloi me tregue se kush ishte, kuptohej edhe qellimi pse kishte ardhë aty. Pirro tue mendue se na si shkodranë kemi pasë rasë me njohë përsonalitetet e Korçës së para 1944, filloi me folë për babën e vet Kristo Floqin, dr. avokat i njohun dhe shumë i ndigjuem emni i Tij, por që as unë as Fadili nuk e kishim ndigjue kurrë … Kjo gja e habiti Pirron, mbasi kudo që kishte shkue Pirro para se të vinte tek na, të gjithë i kishin folë për babën dhe kishte pasë raste që edhe e kishin ndihmue nga njohja me Babën e Tij.

Pirro na pyeti nëse dimë apo jo gjermanisht, mbasi kur ishte kenë i vogël, i ati e kishte dergue në Austri dhe kujtonte mjaft gjana nga Viena…Atje Pirro kishte ndejë pak vite, mbasi siç më pat tregue ma vonë Baba e kishte dergue për mjekim, po mjekët austriakë ishin mundue ma shumë me e ambjentue me jetën sesa me mjeksinë e atjeshme…se pasojat shëndetsore ishin lé me té dhe jo të ardhuna nga sëmundje fëminije apo epidemi të asaj kohë. Filloi me shkrue me dhjetë gishta…kishte rasë që mbyllte sytë me shami dhe shkruente pa asnjë gabim..! Njihte mirë “Lahutën e Malësisë” dhe shumë shkrimtarë të Veriut, fliste për Konicën, që unë kishe pasë rasë me ndigjue nga njerzit e mij por gjithmonë i porositun mos me folë për ta, se janë të “ndaluem” me u zanë në gojë edhe emnat e tyne, jo ma veprat letrare që as nuk diskutoheshin…Até e kishin porositë me ardhë në Shkoder mbasi në Tiranë ishte ba “i bezdisëshëm” dhe nuk duhej të qendronte ma atje. Arësyeja e largimit nga Tirana ishte “korrispondenca” e dendun e Pirros…E këte “korrispondencë” Ai e vazhdonte dhe në Shkoder. Mbasi kryente punët tona, Ai shkruente prap po asnjëherë nuk më ishte dhanë me ditë se shka shkruente edhe pse kur e përfundonte atë faqe të fundit, Ai e paloste dhe e shtinte në xhep… Një ditë, i nevrikosun nga një “përgjegje” që kishte marrë më tregoi se në Korçë Pirros i kishte lanë i Ati një apo dy shtëpi, të cilat ia kishin shtetizue dhe ky tue mos pasë ku me jetue, kishte marrë rrugat…po njëkohësisht Pirro, nuk kishte as burime jetese, kështu, “pronari i ligjshëm” jetonte i mbajtun për sevap, ose mëshirë nga të njohunit e vet dhe shpesh edhe tue lypë 5 ose 10 lekë (të vjetra) me ble bukën thatë… Për këte “padrejtësi” të pushtetit “popullor” të Korçës, Pirro i shkruente përditë Enver Hoxhës… dhe nuk i kërkonte “shtëpijat”, se “ato janë pronë e imja dhe nuk m’i falë njeri, por dua të dijë çfarë të keqje të ka bërë Babai im Kristo Floqi, kur ti ishe në Korçë...që më more mua pasurinë dhe shtëpijat?!” Përgjegja e fundit që e kishte “nevrikosur” Pirron, po dhe Enverin, mbasi si duket ndonjë  nga sekretarët nga frika ma në fund ia kishin dhanë “letrën e përditëshme” të Pirros, dhe këtij i kishin përgjegjë: “…shoku Enver është i zënë dhe nuk merret me shtëpijat tua!”, ndërsa Pirro vazhdonte me i shkrue “mëse merret ay, juve a keni thënë shkruani atij për hallet tuaja..?”

E kështu për ma shumë se 10 vjet Pirro vazhdonte me i shkrue Enverit, tue mos kursye kurrë të hollat për pullën e postës, të cilen e lypte tek sporteli nga ndonjë klient që postonte edhe ai letër. Po ajo që më bani përshtypje nga “korrispondenca” e Pirros ishte matunia e Tij në letër.

Gjithnjë letrat ishin të shkurta dhe shumë të kujdesëshme…por pa asnjë përgjegje!

Mbas disa muejsh Pirro shkoi diku tjetër, kështu shiheshim ma rrallë, po shiheshim…

Një shef policie nga Dibra, i quejtun Ahmet Kaçorri, për me ndihmue Pirron, e kishte thirrë dhe mbasi e kishte paisë me rroba i kishte sigurue edhe drekën në mensën e policisë. Mbas pak ditësh Pirro nuk shkonte ma mbasi siç më pat shpjegue vetë Pirro, disa të njohun, kur e kishin pa tue dalë vazhdimisht nga policia pak me humor, por Pirro më tha se “ju shkodranët kini një fjalë “se ku është zë, nuk është pa gjë’…dhe nuk shkova më se filluan me menduar disa mos jam bërë spijun i tyre..!”. Unë bana buzën në gaz po Pirro, kishte fillue prap jetën si përpara.

Mbas disa kohe Pirro më pat tregue se po e ndihmonte Imz. Ernesto Çoba dhe se aty ky shkonte si në shtëpi të vet…Ditë diele e festa kishte rasë që Ai e merrte dhe hanin bashkë me Té.

Një ditë tue bisedue Pirro i kishte shpjegue njohjen tonë dhe kur Imzot Çoba i ka folë për dajen tim Don Kolec Prennushin, Ky i kishte tregue se librat e Tij i ka pasë i ati të rujtun në bibliotekën e vet dhe se Pirro i kishte lexue të gjitha…madje Pirro, më tregoi sesi ishte përgjegjë: “Shtëpijat i mori dreqi…po të paktën të kisha mundësi të shpetoi bibliothekën me mijra libra do kisha sot një kapital më me vlerë se edhe shtëpijat…mbasi librat e Babait të Ndjerë ishin me shumë vlerë nga të gjitha anët…sepse, kur isha i rinj më imponoi të lexoja shumë..!”

Sadoqë Pirro ishte larg të Ndjerit Babës vet Kristo, kur më tha kështu mendova me vete:

“Çka lindë prej micet gjuen mijë…!” thotë Populli…prandej, edhe Enver Hoxha shpiku atë të famëshmen “luftë kllasash”, që hodhi ndër rruga, burgje, interrnime, ferma, kooperativa e vorfni të tejskajshme pa pikë mëshire të gjithë Shqiptarët…e kryesisht të dijtunit.

Mbas disa vitësh unë e rekomandova tek daja i em Mikeli, që punonte si sportelist në një hotel privat “Evropa” në Parrucë, i rekomanduem nga z. Qazim Serhati, banakjer karrshi atij hoteli, ku ma vonë u pat ba qendra e “reaksionarëve” për barceleta…kryesisht nga Qazimi…Aty me ta u bashkue edhe Pirro. Një ditë Pirro kishte pyet Qazimin se tue i shkrue vazhdimisht letra Enverit, a ka mundësi që të më fusin në burg për këto letra..? Qazimi i kishte përgjegjë se jo..! Për me i largue frikën Qazimi i kishte shpjegue: “Ndigjo, o Pirro, nuk janë të marrë këta me të futë në burg, se aty makare një lekë (të vjetër) a duhet me ta dhanë përditë me e hangër, me atë çorbën që ka edhe tri pika voj sipër e një gjysëm domate, që nuk e kanë hangër as derrat ndër kooperativa e ferma të Myzeqesë…ndërsa kështu, Enveri i ka ra lapsit se asht ma me leverdi me t’i marrë ty dy lekë e gjysëm (të vjetra) përditë, me pullat e postës që t’i shet ty pa dalë drita..!”

Me fjetë shkonte tek Mikeli ku kishte edhe skutën e vet Pirro me pushue…

Një natë, Mikeli nga frika e kontrollit të policisë, kishte shkrue në listën e klientave edhe emnin e Pirros. Aty nga mesnata kishte ardhë policia me verifikue “kush është ky Pirro Floqi?” Mikeli i ka shpjegue atyne se kush asht po ata donin me e pa me sy…Mikeli i ka çue tek vendi ku flinte Pirro. Polici i ka trokitë në derë…Pirro ka njohë “doren” e policit dhe asht zgjue, por ashtu gjysë i përgjumun mbasi i ka pyet kush jeni dhe asht sigurue se asht policia, i ka thanë:

“Ja, prisni një minut, merreni këte dreq pasaporte ndryshojeni atë dreq New Yorku, se jeni duke më çmendur dhe veni çfarë të doni në te se ku kam lindur, se nuk po më lipset asgjë, po deshët dhe mos ma sillni më fare…veç më lini të fle rehat, se po t’ isha diversant nuk vi për të fjetur në hotel mu në qender të Shkodres, por do shkoja ndër male, o budallenjë…!” dhe i çveshun nga shtrati e në brekë me “pasaportë” në dorë…tregonte Mikeli, u thonte policëve: “Na merreni…më lini rehat…se të gjitha m’i keni marrur e, po deshët po u jap dhe brekët, që më ka dhenë shefi juaj…!” I nevrikosun, Pirro i kishte hjekë edhe ata…e ua kishte hjedhë në korridor…

Ja pra vlera e “pasaportës” që kishim na..  shqiptarët…!

Ja pra, a besoni, se nga “lufta e kllasave”…kishte njerëz që prej asaj “pasaportë” arritën dhe… mbetën edhe pa… brekë..!

Kjo asht një faqe e librit K.Prennushit, “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”, botue në Shkoder, në vitin 1931.

Libri asht ble në Korçë dhe ishte në bibliotekën e familjes “Kristo Floqi”…

Mbas shtetzimit të shtëpisë komunistët i morën edhe bibliotekën e Tij… ashtu si Lef Nosit etj.

Sot ashtu si gjithshka e shtetzueme nga pushteti i komunistëve edhe librat e bibliotekës së Familjes së Nderueme të dr. avokat Kristo Floqit, janë prap në pronsi të shtetit “demokratik” shqiptar…

Kjo fletë dëshmon shpjegimin e të Ndjerit Pirro, djalit të Kristos, ba në Shkoder rreth vitëve 1960.

Vëllazën Shqiptarë!

Për Pirron…këta libra kushtonin “ma shumë” se shtëpijat…ndërsa për shumë “institucione” që u janë plaçkitë e shtetizue këta thesare…SOT këta vazhdojnë mos me pasë “asnjë vlerë” derisa nuk u jepën pronarit apo institucionit të ligjshëm…që i përkasin, edhe pse thohet se ka “institucione të drejtësisë…” në Shqipni.

Fotokopja e librit asht ba nga autori i artikullit në vitin 1998 në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

Melbourne, 2013.