E marte, 19.03.2024, 09:16 AM (GMT)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Çdokush i takon atij populli për të cilin punon

E marte, 06.05.2008, 06:28 PM


Kadri Mani
Vështrim

ÇDOKUSH I TAKON ATIJ POPULLI PËR TË CILIN PUNON

Gjokë Vata: VËSHTRIM mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit- Shkodër, 2006, f. 331

Shkruan: Kadri Mani

Vështrime me mprehtësi shigjete thënë në mënyrë figurative, sepse kritiku ynë letrar-gjuhësor, Gjokë Vata, është i verbër, por sheh me sytë e mendjes së tij të ndritur ca më tepër sesa do apologjetë me dy sytë në ballë! Gjoka ynë i zellshëm e fisnik, sheh edhe me sytë e gruas së vet, zonjës Bardha, simbol i bashkëshortes të devotshme zemërbardhë: e cila i lexon burrit të vet dhe i ndihmon në punët e tija shkencore zenitore.
E haja veten pse unë nuk i kam vërejtur ato mori gabimesh e skandalesh në veprat e Kadaresë!? Dhe vrik fillova të vetëarsyetohem se disa vepra të tija i paskam pas lexuar në burg, derisa e pandehnim Kadarenë “të madh”, në serbishte apo në sllovenishte. Më pastaj kur filloi me gafa e me skandale logjike-politike, e kemi injoruar deri në fund, sikur edhe sivëllain e ti, Qosjen.
Ende nuk e kemi të qartë dhe na dhimbset –Migjeni!?
Të marrim për sa shembuj: “GJAKFTOHTËSIA”- Ismail Kadare
Faqe 5, rreshti 16: “Ai mërmëriti një si përshëndetje”.
Nuk mund të jetë një si përshëndetje, përshëndetja âsht ose nuk âsht.
* * *
F. 7, r. 21: “Telefoni ra disa herë por shefi asnjëherë nuk e shqiptoi fjalën po vi”.
Përderisa telefoni ra do të thotë se nuk e ngriti kush receptorin e kujt t’i thonte shefi po vi pa e ngritur receptorin? Pastaj kur ngrihet receptori thuhet Alo, jo po vi.
* * *
F. 8, r. 12: “Për fat të mirë u hap dera e hyri një protokolliste e shëndoshë duke thënë Bërrrrrrrrrr, sa ftohtë”.
Përse për fat të mirë “hyri një protokolliste” a do të ishte fat i keq po të hynte një prokolliste e dobët? Nuk thuhet “duke thënë Bërrrr” por duke bërë bërrr sepse bërrrrë nuk është fjalë.
* * *
F. 9, r. 34: “Syrtarët u hapën pa asnjë kriter”.
Këtu fjala kriter âsht pa vend mbasi kjo fjalë âsht e përafërt në mënyrë.
* * *
F. 11, r. 14: “Asaj i vinte gati çudi”.
Ajo që i duket njeriut çudi, nuk âsht gati çudi por plotësisht çudi.
* * *
“KUSH E SOLLI DORUNTINËN” – Ismail Kadare
F. 53, r. 31: “Më tepër se një enigmë”.
Enigma nuk pranon shkallë krahasore.
* * *
F. 56, r. 12: “Nuk ishte Dorëntina mendonte nëna ajo që trokiste tek porta. Të njëjtën shpresë pati edhe Dorëntina përjashta”.
Çfarë do të thotë “të njëjtën shpresë pati ndoshta” kur fjala ndoshta âsht gjithmonë ndërmjet pohit e johit. Ato i përsëriten njana-tjetrës po ato fjalë, ç’kuptim kishte t’i përsërisnin njana-tjetrës po ato fjalë?
* * *
F. 56, r. 21: “Shtëpia rrezatonte braktisje”.
Rrezatimi i përket gëzimit jo mjerimit, mund të thuhej shtëpia jepte shenja braktisje.
“PRILLI I THYER” – Ismail Kadare
F. 188, rreshti 5: “pshërtiu një zë i ngjirur”.
Psherëtima âsht frymë, jo zâ.
* * *
F. 189, r. 34: “Do t’i vinin lugë e pirunj e ai do të hante”.
Në dekadën e trtetë të shekullit të kaluem, shtëpijat e malsorve verjor nuk i kanë pasë shtëpijat ende në përdorim pirujt, as pjatat, atëherë kanë pasë hangër në nji sahan e në sofër.
* * *
F. 192, r. 2: “Pleqnarët”.
Përpjekja e shkrimtarit për me formue fjalë të reja mbete e parealizueshme, sepse në vend të “pleqnar”, do të ishte ma me kuptim fjala pleqnues.
“LËKURA E DAULLES” – Ismail Kadare
F. 366, r. 1: “Ai u bë shkak që treni i pasagjerëve të vononte 6 minuta”.
Vonesa e trenave në Shqipni âsht ma normale se arritja me kohë.
* * *
F. 366, r. 4: “Aty pranë nuk kishte asnjë fshat, asnjë lumë apo breg por ishte vetëm një fushë edhe ajo pa emër. Është e vërtetë se rreth e rrotull kishte fshatra, por fshatrat që qenë pranë stacionit ishin me largësi të barabartë prej tij kështu që asnjë nuk mund të pretendonte që t’i jepte stacionit emrin e vet”.
Kur nuk ka lumë, si mund të ketë breg? A ekziston ndonjë fushë pa emën? Si mund të jenë me largësi të barabartë të gjitha fshatrat prej nji stacionit trenit?
* * *
F. 368, r. 16: “Plaku eci me kujdes sepse i dukej se në çdo hap po pengohej në shina. Shinat ishin të shumta e ai nuk dinte mbi të cilat kishte ecur treni që e solli. Ato ishin të njëllojta, të barabarta e po aq të pakuptueshme e të padallueshme, nga njëri kufi i errësirës tek tjetri përderisa ecte nëpër trase e frikësohej se po pengohet nga trase”.
A shinat mbi të cilat s’kishte përse të ecte. Si të mos e dinte se shinat ishin të shumta përderisa mbi to udhtonte treni. Nuk thuhet “mbi të cilat kishte ecë treni”, por kishte udhtuar treni mbasi me fjalën ecë nënkuptojmë ecjen me këmbë. Nëse plaku nuk kishte pa ma parë shina tremni si mund is mund ta dine se ishin të njëllojta e të barabarta kur nuk e lën errsira me i pa. Nji gja që âsht e pakuptueshme, dihet se âsht e padallueshme.
“NËPUNËSI I PALLATIT TË ËNDRRAVE” – Ismail Kadare
F. 493, r. 6: “Dera pushoi së krisuri”.
Dera nuk kërcet, kërkëllit sepse krizma përfshinë një gamë të gjatë zhurmash.
* * *
F. 493, r. 35: “Në vestibulin e gjatë”.
Detyra e shkrimtarit âsht të paksoj sa ma shumë të jetë e mundun fjalët e huaja, pra mund të thuhej mësore, në vend të “Vestibula”.
* * *
F. 496, r. 9: “Shtati i tij për habinë e Ebuçerinit ishte mesatar”.
Pse të habitemi nga një shtat mesatar?
“KOHË DASHURIE” – Ismail Kadare
F. 9, r. 30: “Vasa tha: kur t’ia fusësh duar vajzës ajo të vjen vetë prapa si manari”.
Përgjithësimi i vajzave a nuk âsht fyemje për to? Së paku të thuhej disa vajza.
“Vaska – thotë autori – gogësiu nga që ishte i detyruar të na shpjegonte gjëra që i di edhe bufi”.
Përse ishte i detyruem? Ai i tha pa e detyrue askush. Vallë a janë njerëzit të detyruem të gogësin kur tregojnë ngjarje që i din edhe bufi?
* * *
F. 15, r. 28: Ndërsa Viola po largohej, hapat sa i vinin e bëheshin më të dëgjueshëm, me një ritëm të huaj, të prerë e të panjohur. Ritmi parë i gruas më kishte thënë më vonë Mama Belgjika. Shpinda i jepte krejt dënesën e saj. Trokitja e hapave të saj ishte sunduese e shtypëse dhe e tillë e pamëshirshme e pafalshme qe trokitja e dorezës së portës së saj”.
Përderisa Viola ishte në ikje e sipër hapat e saj natyrisht bahen ma të padëgjueshëm. ‘farë do të thotë “ritëm i huaj, i prerë i panjohur”? E ritmi i parl i gruas çfarë âsht? Autori thotë se çasti i dhunimit u krye në errësinë. At’herë si iu pa Vilës efekti i dihatjes në shpindë ndërsa ajo po largohej? Si mund të konsiderohet sunduese e shtypse trokitja e hapave? A mund të quhet trokitja e pamëshirshme dhe e pafalshme? Asaj që troket i thonë trokiste ose rrasë e derës, jo dorezë.
* * *
F. 18, r. 25: “Megjitëse hapat e saj ishin energjik, dihej se ajo vetë ishte e molisur”.
Si mund të dihet se ishte e molisur kur hapat e tregonin energjike?
“PASDITESË CILËS I SHKONIN FJALË TË VJETRA PLEQSH” – Ismail Kadare
Ky tregim nuk e justifikon titullin aq sa na ban të mendojmë se autori i ka thanë frymëzimit baj edhe pa ty.
F. 30, r. 6: “Ishte një pasdite që kërkonte fjalë të vjetra pleqsh”.
Cila mund të jetë ajo pasdite që kërkon “fjalë të vjetra pleqsh”.
Fjala e vjetër ka moshën e kohës e jo të njeriut që e ka thanë. Thaniet e bame proverbiale mund të jenë thanë edhe prej të rinjve shumë kohë ma parë.
* * *
F. 30, rreshti i fundit: “Muzgu i pasditës së cilës i shkonin fjalë të vjetra pleqsh”.
Thuhet muzgu i mbramjes. Lindë pyetja: Çfarë lloj pasditeje qenka ajo që i shkokan “fjalë të vjetra pleqsh”?
“ËNDRRA MASHTRUESE” – Ismail Kadare
F. 32, r. 7: “Ata flinin aq shumë të pleksur me njëri-tjetrin sa që ishte vërtetë vështirë të mos i ngatërroje gjymtyrët e njërit me ato të tjetrit dhe nëpër currilat e gjumit të derdhje ëndrrën çoroditëse”.
Kur themi të pleksur âsht kulmi i njësimit, prandaj nuk ka arsye të thuhet “aq shumë të pleksur”. Folja me derdhë nuk âsht sinonim me zbrazë, as me hedhë. Me derdhë ka kuptimin mos me hedhë në enë, por jashtë saj, zakonisht në tokë. Gjumit mund t’i shkonte fjala rrjedhë por kurrsesi “currilat e gjumit”.
* * *
F. 33, r. 5: “Tom Xhekson, Jezu Krishti, Gorbaçov, Ismail Kadare”.
Mendoj se Jezu Krishti nuk do të duhej vu pjestar i këtij kuarteti. Nga ana tjetër autori nuk do të duhej renditur emrin e tij në këtë katërshe, së paku për modesti. Veten e vet njeriu e vendos ku t’i shkrepet, por sa i përgjigjet realitetit ajo vendosje?
* * *
F. 33, r. 28: Ngatërrova tubetin e një farë Dante Aligerit me një Dedaliu, ose Deda Lushi ëndrrën e kishin që të dy me një farë ndërtimi misterioz, në një labirint njëri e tjetri në njëfarë metroje primitive ku udhëtonin veç të vdekurit”.
Do të më dikej e paimagjinueshme futja në lojë e këtij gjeniu të poezisë botënore. Çfarë duan emnat qesharak Dedaliu e Dedalushi përbri emnit të Dante Aligerit? Adrra nuk ndërtohet por thuret. Çfarë do të thotë “njëra u ndërtua në një labirint e tjetra në një metro primitive”? Si mund të thuhet “metro primitive” kur metroja u përket vetëm kohëve moderne?
“KUJTIMET E NJË GJIMNAZISTI” – Ismail Kadare
F. 118, r. 12:”Perdet u vareshin dritareve si rrobe-deshambra, e dritaret si gra të mëdha të përgjumura”.
Asnjani nga këto dy krahasime nuk âsht i gjetun. Çfarë ngjasimi mund të ketë perdja rrobe-deshambren? Po dritarja me gruan e madhe e të përgjumur?
* * *
F. 121, rreshti i parafundit: “Era pasi rrëzoi gjethet i zhubraviti ujërat pellgjeve”.
Lindë pyetja: a zhubraviten gjethet e ujërat? Uji nuk zhubravitet, as ajri…
* * *
F. 122, r. 8: “Kujtimet fluturuan për mos t’u kthyer më”.
Kujtimi që fluturon për mos me u kthye ma nuk ka si të quhej kujtim, kujtimi pikërisht nga se mbetet në kujtesë quhet kujtim.
“DITË KAFENESH” – Ismail Kadare
Sipas mendimit tim Pitamida e Keopsit me Ditë Kafenesh për kah cilësia janë si Piramida e Keopsit me gurin më të vogël të asaj piramide. Kjo tregon se kur talenti i Kadares bi në ujdi me frymëzimin me krijue çka meriton me u quejtë vepër letrare i japin letërsisë shqipe vepra që mund të krenohet me to, por kur ky autor mendon se talenti i tij mund të bajnë sasinë, cilësi, nxjerr shkrime të nivelit të këtij të ashtuquajtur tregim “Ditë kafenesh”.
F. 133, r. 20: “Ishim filozofikisht të mërzitur”.
Shprehje e pakuptimtë.
* * *
F. 134, r. 17: “Ditët tona kalonin si fletë romanesh moderne”:
Çfarë ndryshimi ka kalimi i ditëve nga fletët e romaneve klasike me fletët e romaneve moderne?
F. 134, r. 20: “Megjithëse ishte ditë e mërzitur dhetori”.
Ditë e mërzitun ka kuptimin se ishte dita e mërzitun, jo njeriu. Pra do të duhej thënë: ditë e mërzitshme.
“KALIMET E NËNDETSHME” – Ismail Kadare
F. 176, r. 6: “Ishte pothuaj misterioze për të përdorur një fjalë disi jashtë kohe”.
Fjalët nuk janë kurrë jashta kohe, mandej pse fjala misterioze qenka jashta kohe?
* * *
F. 176, r. 16: “Një fëshfërimë që hapet në formë ciklike po të përdorim një term të sotëm?”.
Fjala ciklike ka shumë e shumë kohë që përdoret e fëshfërima nuk ka si me qenë ciklike. Për fëshfërimën nuk thuhet hapet, por përhapet.
* * *
F. 178, r. 16: “Lëvizja e tyre e çmendur dhe pa kurrfarë logjike”.
Lëvizja e çmendur dihet se nuk ka logjikë.
“NATA ME HËNË” – Ismail Kadare
Në tregimin “Nata me hënë” frymëzimi âsht tregue tepër dorë shtrënguem ose i papërfillun prej autorit e ku mungon frymëzimi jo vetëm mungon cilësia por edhe hija e saj.
F. 254, r. 15: “Marina kishte një gjendje shpirtërore të sfungjert, ngopur me lagështirë hëne”.
Ndjesitë janë abstrakte e sfungjeri konkret, prandaj krahasim i thënshin “Drita e hënës” nuk ka si të jetë e lagshtitun. Mbase ky zbulim do t’u shërbente shkenctarve, që thonë se në hënë nuk ka ujë.
* * *
F. 255, rreshti i parë: “Për dashurinë o Zot që shemb një burrë që s’e pat ndjerë dot gruaja kurrë”.
Fjala “shembë” e vulgarizon vargun së tepërmi. Gruaja i referohet së shoqes apo gruas në kuptimin e gjanë të fjalës. Ndjesitë nuk varen tek gjinia e njeriut sasia sensitive apo ma mirë ndjesore mund të ndodhet si tek femra âshtu edhe tek mashkulli ma e shumtë e ma e fuqishme.
* * *
F. 258, r. 6: “Sa do ta luftojë me logjikë apo arsyetim”.
Logjika e arsyeja janë aq të përafërta sa edhe mund të quhen sinonime, prandaj do të kishte mfajfue njana prej tyne.
“GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR” – Ismail Kadare
Së pari duhet ta baj me dije lexuesin e këtij shkrimi se unë nuik kritikoj emna por krijime, pavarësisht autorësisë së tyne. Unë se shumë ma e randsishme âsht cilësia e krijimit se autori i tij, me fjalë të tjera kritiku âsht apo duhet të jetë shqyrtues i frymëzimit të krijimit prandaj, cili do qoftë autori dhe fama e tij po e saj nuk duhet të shkaktoj kurrfarë ngurrimi për nji kritikë serioze e të sinqertë, elementa këta që ndërtojnë kritikën e autorin e saj, mbasi qëllimi i një shqyrtimi kritik nuk âsht në asnjë mënyrë mahnia për me gjetë halën në përpeq, por me i tërheqë vëmendjen krijuese ta kontrollojë sa ma me realizëm frymëzimin që në disa raste i besojmë ma shumë se duhet.Peshorma ma shumë se çdo kujt i nevojitet krijuesit e këtë mendim populli e shpreh me thënien proverbiale “Nuk i bjen fjalë në tokë”, unë me këtë shkrim do të mundohem me shqyrtue sa ma ndershmënisht e profesionalisht njanen nga veprat e bujshme të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare pra, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur.
F. 9, r. 4: “Ajo shkëlqente mbi asfaltin”.
Shqota nuk shkëlqen.
* * *
F. 9, r. 14: “Sikur mos të ishte fillimi i vjeshtës çdo kujt përveç gjeneralit të porsa ardhur do t’i dukej disi monoton, një koincidencë e trishtuese”.
Përse nji njeriu tjetër do t’i dukej “koincidencë e trishtuar fillimi i vjeshtës” e gjeneralit përse nuk i duket si të tjerëve?

* * *
F. 9, r. 18: “Në Luftën e Fundit Botërore”.
Urojmë të jetë e fundit por atë luftë bota e quan Lufta e Dytë Botërore.
* * *
F. 9, r. 10-11: “Në fund të gushtit kur filluar vranësirat e para, pra ishte vjeshtë”.
Dihet se vjeshta kalendarike fillon më 21 shtator jo në fund të gushtit.
Po i kalojmë disa libra të vështruara nga kritiku i mirëfilltë, Gjokë Vata, mbi krijimet e Kadaresë, sepse nuk duam që ta manipulojmë kërshërinë e lexuesve që vetë ata t’i shfletojnë e t’i krahasojnë dhe t’i vlerësojnë.
“SHKËLQIMI DHE RËNIA E SHKUT ZYLO” – Dritëro Agolli
Parathënie

Romani ashtuquajtur satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit, satirizon vetëm mënyrën e të shkruarit të tij. Këtë libër mund ta lexojnë vetëm nostalgjikët e realizmit socialist e numri i tyre po zbret me shpejtësi të madhe.
F. 1, rreshti 16: “Puna ime gërvisht në letër dhe dora lëviz me ritmin e tik-takut të orës së tavolinës”.
Dora e ka të pamundur nëse ajo lëviz me ritmin e orës.
* * *
F. 15, r. 6: “Jemi mbyllur brenda e nuk dalim”.
Përderisa jemi mbyllur brenda kuptohet se nuk dalim ose nuk dalim kuptohet se jemi mbyllur brenda.
* * *
F. 18, r. 22: “Ne me gruan e shokut Zylo dolëm nga salla”.
Do të duhej thënë: unë me gruan e shokut Zylo 0se unë e gruaja e shokut Zylo. “Ne me gruan e shokut Zylo” do të thotë: ne, shumë njerëz me gruan e shokut Zylo, âsht e lejueshme që veta e parë e shumësit të zëvendësojë veten e parë të njëjësit.
“ZHURMA E TRUMPETËS E GOJA E SË VËRTETËS” – Migjeni
Tek Migjeni na kujtohet proverbi latin “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Tek Migjeni shohim një trup të sëmurë me mendje të sëmurë. Smundjet kryesore të trunit të Migjenit janë pesimizmi, ateizmi e komunizmi… Nuk ka varg të tijin ku të mos e shohim së paku njanën prej diagnozave të këtyre smundjeve, e vargjeve të smura ka si u dihet edhe jetgjatësia. (…) Meqenëse komunizmin e kishte pëqafue vendi i origjinës së tij, Jugosllavia fqinje e se ndikimi i saj në Shqipni do të fitonte davan, e dinte se edhe ai vetë do të fitonte davan e famës së pameritueshme. (…) Jepni kritikës së ndershme vendin që e meriton sepse ky laborator i nevojitet artit, aq sa i nevojiten mjekësisë laboratorët e saj. (f. 310-312).
Në përfundim të kësaj paraqitjeje, nuk na lejohet të mos ndërhyjmë edhe ne nga ana jonë, qoftë edhe me vetë grishjen e kritikut tonë, Gjokë Vata, që na bën me fjalinë e tij të fundit-zenitore në faqet e lartshënuara.
Derisa ia aprovojmë krejt çfarë ka thënë për proçkat e Kadaresë e të Agollit, nuk mund t’ia aprovojmë kundërshtimet e asaj shkalle për Migjenin, ose Poetin e Mjerimit.
Duke i falënderuar mikpritësit tanë të nderuar zotni Gjokë Vatën dhe bashkëshorten e tij të devotshme, zonjën Bardha Vata, që na pritën e na gostitën më 30.3.2007, në shtpinë e tyre dykatëshe në lagjen “Skenderbeg”, Rr. “Çerçiz Topulli” 35 në Shkodër; ku debatuam dhe nuk u pajtuam për gegërishten e tyre ( dhe të migjen klemendëve) dhe për letrarishten tonë, apo toskërishten që pati mbizotëruar në Kongres, por që Këshilli Ndërakademikë po përpiqet që diç të balancojë;- nuk mund të pajtohemi as me kritikën e ashpër e të pa vend kundër Migjenit: ne së pari vendosmërish po e hedhim poshtë proverbin latin (të cilin si shpesh e përmendte Enveri duke u paraqitur si autor!): “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, sepse shumica e sportistëve kanë më shumë muskuj sesa mend! Sikur edhe shumë dijetarë (në mesin e tyre edhe unë Kadri Mani dhe vetë Gjokë Vata) që janë me shëndet të dobët apo me të meta fizike, por që mendjen shyqyr e kemi top!
Më janë shlyer në kompjuter vjershat që ia kam kushtuar Migjenit, por më kujtohen dy vargje: me mushkëri të prekura/ por qa të shëndosha!
Kemi mësuar se komunizmin në Shqipëri e kanë selitur politikanët: Tito, Ali Kelmendi, Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, Velimir Stojniq… dhe nuk dimë se paraprakisht ata e paskëshin pasur pararojë shpirtërore- Migjenin!?
Unë nuk ua fal Migjenin fqinjëve tanë shovinistë, sepse ata mezi që presin të na i rrëmbejnë edhe të tjerët: Skënderbeun, Nënën Terezë!! Sikur që nuk duhet t’ua marrim me dhunë Branisllav Nushiqin (Branisllav Nushin), i cili ka krijuar në serbishte dhe e ka ndier veten serb.
Migjeni ishte aq i dashur me nxënësit e vet dhe ata nuk e urrenin: anasjelltas, personin që e urrejnë fëmijët patjetër që është i keq dhe i poshtër.
Migjeni paraprijës i komunizmit!?!
Kritiku ynë i frytshëm, Gjokë Vata, ka shumë fjalë të reja, dhe me këtë rast po ia shënojmë disa sosh.

PAGËLLTITSH/ËM, ~ME ( i, e ) mb. 1. Gjellë (bukë) e mbetur, bajate. 2. fig. Justifikime ma të pagëlltitsh/ëm, ~me.
PAÇELSH/ËM, ~ME ( i, e ) mb. 1. Dry (bravë) ( i, e ) ndryshkur, paçesh/ëm, ~me. 2. fig. Fakti (faktet) i vërtetë âsht dry i paçesh/ëm, ~me, në gojën e kujt don me kundërshtue të vërtetën.
MBUSHAMENDËS, ~I m sh. ~, ~IT. Personi që tenton të ta mbush mendjen me forcën e një potereje marramendëse.
MBUSHAMENDËSE kal. Retorikë mbushamendëse.

_______________

1. GJOKË VATA: VËSHTRIM mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit, Shkodër-2006, f. 3;

2. GJOKË VATA: VËSHTRIM mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit, Shkodër-2006, f. .3;

3. GJOKË VATA: VËSHTRIM mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit, Shkodër-2006, f. 5;

4. GJOKË VATA: VËSHTRIM mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit, Shkodër-2006, f. 5;



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora