E premte, 29.03.2024, 08:49 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Turqia interesohet për trajtimin e Perandorisë në Kosovë

E marte, 12.03.2013, 07:02 PM


Turqia interesohet për trajtimin e Perandorisë Osmane në Kosovë

Prishtinë, 11 mars – Një delegacion nga Turqia pritet ta vizitojë Kosovën në fund të këtij muaji për të biseduar me autoritetet arsimore kosovare për trajtimin që i bëhet Perandorisë Osmane në librat e historisë merr vesh “Koha Ditore”.

Teksa në Ministrinë e Arsimit një vizitë të tillë e shohin në kuadër të shkëmbimit të përvojave, historianët e cilësojnë si formë presioni.

Autori i një libri shkollor të historisë në arsimin parauniversitar dhe bashkautori i shumicës së teksteve të këtij niveli, Frashër Demaj, konsideron se delegacioni ka për qëllim mbikëqyrjen e komisionit të caktuar nga MASHT-i. “Delegacioni nga Turqia vjen për presion dhe për asgjë tjetër. Si të tillë nuk e njoh edhe as që kisha dashur të takohesha me ta”, ka thënë Demaj. Ky s’e njeh as komisionin vendës, të themeluar për këtë çështje nga MASHT-i.

“Punën time e bëj të pavarur, prandaj nuk njoh asnjë komision që provon të prekë çështjet shkencore”, ka thënë Demaj. Ky thekson se MASHT-i nuk i ka konsultuar autorët e librave kur e ka themeluar atë komision, ndërsa ka zënë ngoje kryetarin e komisionit, Shkëlzen Raça. Për të ka thënë se është historian, por jo tekstshkrues i librave të historisë në arsimin parauniversitar.

“Ai që nuk ka përvojë në tekstshkruarje të librave të arsimit fillor nuk mund të japë vërejtje të qëndrueshme, mund të bëjë vetëm vërejtje kozmetike”, ka theksuar Demaj. Ky i fundit ka shtuar se me tekstshkruarje të librave parashkollorë të historisë merret që nga viti 2002 dhe se librat në të cilët ka punuar janë të përshtatshëm dhe pa gjuhë të urrejtjes.  Megjithëkëtë, Demaj thekson se edhe vetë është për ndonjë shikim të këtyre teksteve, por jo me presion.

Burimet e gazetës thonë se delegacioni nga Turqia ka planifikuar të vijë në Kosovë për rishikimin e librave të historisë, porse vizita është shtyrë për në fund të muajit mars. Në Ministrinë e Arsimit ndërkaq theksojnë se komisioni vendës e ka përfunduar fazën e parë të punës.

“Ai e ka përgatitur një raport në të cilin janë të përfshirë disa rekomandime, i cili gjendet në Divizionin e Sigurimit të Cilësisë dhe i cili në të ardhmen jo shumë të largët do të organizojë debat të hapur me ekspertë të teksteve shkollore”, ka thënë këshilltari i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Arbër Morina. Sipas tij, pas këtyre debateve do të organizohen takime me autorët e teksteve përkatëse, në mënyrë që bashkërisht të debatohen rekomandimet e komisionit dhe ato nga debatet e hapura.

“Vetëm me pëlqimin e autorëve mund të bëhen ndryshimet”, është shprehur ai, teksa ka mohuar që komisioni që do të vijë nga Turqia do të ndërhyjë në punët kosovare.

“Ardhja e ekspertëve nga Republika e Turqisë nuk e nënkupton ndërhyrjen në punët tona, por ky do të jetë një shkëmbim përvojash, ashtu siç ka ndodhur e do të ndodhë në  takimet e tjera që kemi pasur me ekspertë të vendeve të tjera evropiane”, ka përfunduar ai.

Vitin e kaluar MASHT-i kishte themeluar një komision për rishikimin e prezantimit të historisë, gjeografisë dhe kulturës osmane e turke në tekstet shkollore parauniversitare në Republikën e  Kosovës. Komisioni përbëhet nga gjuhëtarë, letrarë, historianë, muzikologë etj. Puna e komisionit është përfunduar në fund të vitit të kaluar dhe janë dhënë të gjitha rekomandimet se ku do të duhej të ndryshoheshin tekstet shkollore parauniversitare, kudo që flitet për Perandorinë Osmane.

Nga lënda e historisë janë prekur tekstet Historia 5 e autorëve, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj, botuar nga “Libri Shkollor” më 2007; Historia 6 e po të njëjtëve autorë dhe po të njëjtit botues (2004), , Historia 7 e autorëve  Isa Bicaj, Arber Salihu (2004); Historia 8 e autorëve Izber Hoti, Jetullah Krasniqi (2005): Historia  10 (Gjimnazi Gjuhësor) e  autorëve,  Isa Bicaj e Arber Salihu  (2004); Historia 10 (Gjimnazi Informatikë – Matematikë ) i autorëve, Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj (2003), Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) -Isa Bicaj e Arbër Salihu (2003) Historia 11 (Gjimnazi Përgjithshëm) –Jusuf Bajraktari, Isa Bicaj (2004); Historia 11 (Gjimnazi Gjuhësor) – Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj (2004), Historia 11 (Gjimnazi Shoqëror), Ramiz Abdyli, Emine Bakalli (2004) dhe Historia 12  (Gjimnazi i Përgjithshëm) dhe Jusuf Bajraktari e Arbër Salihu (2005), që të gjithë të botuar nga “Libri shkollor” 2005.

Mirëpo autori dhe bashkautori i disa librave të historisë në sistemin parauniversitar, Demaj, ka thënë se ai zyrtarisht nuk ka marrë raport të komisionit të MASHT-it për të parë se ku është ndërhyrë. “Krejt çka kam mësuar në propozimet për ndryshime janë ato që i kam parë në medie”, ka thënë Demaj. Nga ana tjetër, kryetari i komisionit të themeluar nga MASHT-i, Shkëlzen Raça, ka mohuar që komisioni nga Turqia vjen për të bërë ndonjë presion. Ai po ashtu ka theksuar se edhe raporti që e ka nxjerrë komisioni nuk është përfundimtar, pasi që edhe ai duhet të rishikohet.

Ndërkaq autori i studimit te teksteve mësimore të historisë Kosovë-Shqipëri-Serbi, me titull: Kosova 1912-2000 në tekstet mësimore të historisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë”, Shkëlzen Gashi, mendon se tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë duhet të ndryshohen rrënjësisht dhe urgjentisht.

“Madje këto ndryshime duhet bërë jo vetëm sa i takon prezantimit të periudhës kur Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë qenë nën Perandorinë Osmane, dhe jo siç kërkojnë palët e përfshira, por duke u bazuar në dokumente, dëshmi, fakte, argumente etj.”, ka thënë Gashi. Pra, sipas tij, duhet të eliminohet gjuha e urrejtjes, shpifjet, etiketimet, hiperbolizimet. Ndryshe, ka thënë ai, duhet ruajtur nga çdo trysni politike.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora