E enjte, 18.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Sami Gega - ''Shqiponja e Malësisë''

E hene, 11.03.2013, 09:59 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

TRAGJIKA INDIVIDUALE QË REFLEKTON GJENDJEN E NJË PERIUDHE TË CAKTUAR HISTORIKE...!

(Dr. Sami Gega: “Shqiponja e Malësisë”,monografi kushtuar jetës tragjike të mësueses atdhetare, Rukije Rama-Tiranë 2013)

Më ambientet e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë në Tiranë, e në prezencën e shumë dashamirëve të librit, krijuesve nga Shqipëria dhe Kosova, të punëtorëve të jetës kulturore dhe shoqërore, sot u promovua libri i dr. Sami Gegës, “Shqiponja e Malësisë”, kushtuar jetës tragjike të mësueses atdhetare, Rukije Rama.

__________________

Në librin-monografi, “Shqiponja e Malësisë” të autorit, dr. Sami Gega, personazhi kryesor, në këtë rast, Rukije Rama, na ofron karakterin e saj me veprimin, qëndresën, urtësinë, shkrumbin për atdhe, por edhe me fjalën e saj-shpatë, veti këto të cilat, jo rrallë, nuk kapen dhe as nuk pranohen drejtë. Mirëpo, Rukija, na del si personazh me dy karakteristika të jetës; njëra, se ishte e sfiduar nga rrjedhat e kohës, dhe e dyta, ngase, ajo ishte e përkushtuar dhe e papërkulur në synimet e saj, kuptohet, gjithnjë njerëzore dhe atdhetare. Kjo, ngase, vendi dhe krahina ku jetonte, e kërkonte transformimin dhe lulëzimin tjetërndryshe të jetës së lirë, të mendimit cilësor dhe të veprave që i shërojnë plagët, të cilat, përpara kishin pllakosur popullin, i cili, edhe ashtu ishte i përvuajtur në vatrën e vetë.

Sakrifica për ta ndryshuar jetën, ishte e vështirë e me plotë rreziqe

Edhe pse, ngjarja na ofrohet me atmosferën e frymës së rëndë të sistemit monist, i cili atëbotë, mendohej se do të sjellë dritë e lumturi, jeta e kryeprotagonistes, përmes ngjarjeve të tilla, si e tëra, ç’kapet si karakter i veçantë që e reflekton edhe të përgjithshëm, pa marrë parasysh se në ç’kohë ka jetuar e vepruar ajo, atëherë. Gjë kjo, e cila peshon rëndë në aspektin e një sakrifice për ta ndryshuar jetën, për ta sjellë të bukuren, i cili veprim, ishte edhe i vështirë, edhe me rreziqe. Vetë, biografia e saj, na bën për të kuptuar, se

Shqiponja e Malësisë (Rukije Rama), kishte një taban të shëndosh familjar dhe të traditës, të cilat virtyte, njeriun e shpijnë drejtë rebelimit shpirtëror për kauzën kombëtare, por, edhe për ta sjellë madhështinë, barazinë dhe lumturinë e jetës. Kjo mësuese, e që profesioni i tillë kudo është i shenjtë, maksimalisht kishte arritur dituri, dhe i kishte përvetësuar njohuritë, të cilat gjëra duhej dhuruar kombit.

Shpeshherë, krijimtaria, një poezi mbase edhe vepra të shkruara, lexuesin e bëjnë kureshtar, ose, ia kthejnë kujtesën për t’i shprushur, apo edhe për t’u krenuar por edhe për t’u nervozuar, qoftë në rrugëtimin individual apo edhe atë kolektiv. Krijimet, apo veprat e tilla, e kanë rëndësinë e veçantë, ngase, ngjarja që shtjellohet, sikur i krijon dy parë binarë; një, për të mësuar për temën bosht, dhe dy, për ta komentuar rrjedhën e kohës dhe ngjarjet të cilat e kanë përcjellë, që e kanë ngulfatur, por, gjithsesi edhe e kanë kalitur dhe e kanë bërë krenar edhe individin, edhe komunitetin.

Pra, veprat e tilla, janë me mesazh e me peshë shumëdimensionale, sidomos për ata popuj, që, sot e kësaj dite rrugëtojnë me synimin dhe shpresën për ta bashkuar mendjen, punën dhe veprimin, në mënyrë që historia e tyre të jetë dhe të mbetët e pastër, e ndritur dhe me të gjitha veçoritë e së madhërishmes njerëzore dhe kombëtare. Por, për ta bërë këtë, është rrugë e gjatë dhe padyshim e mundimshme, me sfida, e ndonjëherë edhe me nebuloza, për çfarë, shpesh mund të gabohet apo të reflektohen mangësi, të cilat, për kombin tonë, janë të peshës së veçantë, të cilët faktorë, si për çudi, më vështirë riparohen se sa tek popujt tjerë.

Por, të kthehemi tek libri-monografi të autorit, dr. Sami Gega, vepër kjo, që, kujtoj se i ngjanë pasqyrës me dy thjerrëza, në të cilën pasqyrë, sa je kureshtar për ta shikuar dhe për të mësuar për jetën e kryepersonazhit, po aq të intrigojnë ngjarjet trishtuese përreth saj, për të mësuar edhe për detalet e historisë. Në këtë rast, fjalën e kam për gjërat, që atëherë e kanë bërë jetën përgjithësisht të rëndë mbase edhe të zymtë. Ndoshta e tërë kjo, e bën edhe më me peshë këtë libër, të cilit i paraprijnë disa shpjegime, sigurisht, me qëllim që lexuesit t’i bëhet sa më i lehtë dhe më i pa bezdisshëm leximi, por edhe për t’iu lehtësuar kuptimi për temën që shtrohet. Ani. Edhe këto forma të të shtruarit të materies, e bëjnë interesante dhe joshëse veprën dhe ngjarjen.

Sa herë që shkruaj, apo, bëj ndonjë analizë libri, për veprat që i takojnë natyrës dhe fushës së monografisë, gjithnjë e kam parasysh frikën dhe përgjegjësinë e autorit, sepse, në vepra të tilla, mund të përvidhen “boshllëqe”, apo ndonjë gabim gjithsesi i paqëllimshëm, dhe atëherë, tek disa lexues, ato “gabime” veprën e bëjnë të “zbehtë” dhe me cilësi të mangësive të të dhënave. E them këtë, ngase, edhe unë jam autor i disa monografive me peshë, por që, dikujt, ndoshta pse nuk i është përmendur, apo i është përmendur gabimisht e pa nevojë emri i gjyshit apo i ndonjë të afërmi tjetër të tij, atëherë, vepra për te sikur nuk ka vlerë.

Megjithatë, secili krijues që i qaset shkrimit të monografive, me siguri, se ai për qëllim ka të ndriçojë e të vë në spikamë një periudhë kohore, një ngjarje, qoftë përmes personazhit kryesor apo edhe të dokumenteve e të dëshmive të tjera historike. Këtu, edhe e kanë peshën veprat e tilla.

“Shqiponja e Malësisë”, kujtoj se është synim, siç thash më lartë, për të treguar e për të vënë në shesh refleksionin e një tragjike individuale në ndriçimin e periudhave të caktuara historike, duke theksuar e spikatur edhe faktorë të tjerë, si qëndresën, atdhedashurinë, vullnetin dhe këmbëngulësinë për ta bërë një punë ose vepër, që njeriun e bën të lumtur, që atdheun e shndërron në parajsë dhe në tokë bardhësie mbase edhe shenjtërie. Por, gjithashtu, që e bën atë përgjithmonshëm të lirë, të mbëltyer me mendje të dëlirtë, me punë, me gjak e djersë, e që përbrenda tërë kësaj, pastaj, krenohet çdo gjë.

Kështu, mund të kuptohet edhe mesazhi i kësaj vepre. Dhe, duke i hedhur dritë jetës të znj. Rukije, mund të bëjmë një paralele edhe me fatin, qëndresën por me ndrydhjen shpirtërore, të cilat gjëra, shpeshherë ua kanë rrënuar e lënduar ëndrrat, aftësitë dhe gatishmëritë edhe shumë e shumë shqiponjave të tjera, të cilat, edhe në atë gjendje, kanë qëndruar vertikalisht dhe plotësisht kanë ngelur histori shqiponjash!

Gjërat që qortojnë për ta ndritur vetveten...

Andaj, nëse e respektojmë leximin me përkushtim dhe me ndijim, atëherë, “Shqiponja e Malësisë”, sikur na përfton mu si një libër i shenjtë, por edhe si një arkiv interesant, që, përbrenda vetes ka dëshmi e histori rrëqethëse, e cila, tash na nevojitet si një forcë mendjeje, që do t’i përhapë e komentojë trakullimat dhe tragjiken e njeriut dhe të kombit, në mënyrë që ato, kurrë më të mos na përsëriten as në ëndërr. E them këtë, sepse, edhe sot, atdheu dhe kombi kanë dhembje e përplasje, e që u nevojitet mbase edhe e duan dhe e kërkojnë mendimin dhe punën e përbashkët, përqafimin dhe unitetin.

Rukija, është një ekzemplar, i cili duhet të shërbejë për ta ngritur vetëdijen dhe për t’u ndërgjegjësuar njeriu e kombi ynë për atdheun, që, më të vërtetë, në këtë drejtim e kanë një histori aq të veçantë, aq të dhembshme, aq nakse, por, mbase edhe krenare. Mund të thuhet se, kjo është e çuditshme. Po, po! Sepse, ëndrrat dhe përrallat e rrugëtimit dhe të gjakut, sikur edhe sot na rëndojnë e na qortojnë për ta ngritur e për ta ndritur vetveten. Pra, për t’i vënë në vend e për t’i shtrënguar mirë e mirë dhëmbëzoret e jetës.

Duhet vepruar kështu, sepse, botës, në të gjitha kohërat, i kemi dhënë, por edhe sot i japim figura e kuadro të spikatura historike, shoqërore, politike, shkencore dhe kulturore. E, ne. Ne, jo rrallë por shpesh, e kemi në maje gjuhe nënçmimin për njëri-tjetrin, rrënimin, mosrespektimin... e të keqën, të cilat gjëra, padyshim se përherë e kanë plagosur këtë tokë dhe njeriun e saj, edhe pse, gjithherë diçka na vlon nga brenda për te, si shkrumbi dhe dashuria për ta larë borxhin ndaj tokës së shqiponjave.

Kësaj radhe, “Shqiponja e Malësisë”, na heq vellon e harresës dhe të përgjegjësisë, edhe për shumë femra tona në të kaluarën, por, nëse doni, edhe në kohën e tanishme, si për Norën, Shote Galicën, Afërditën, e shumë e shumë të tjera, të cilat duhet të na shërbejnë si shembull për t’i hedhur akoma më shumë dritë historisë, edhe sot, këtu ku jemi, në këtë tokë padyshim madhështore. Sepse,... ne, tjetër atdhe nuk kemi.

Duke lexuar këtë vepër, mu kujtua, kur para pak ditësh, në një TV-emision mësoj se në lulen e rinisë, atëherë kur ëndrrat dhe njomësia e saj shpërthenin si sythet në pranverë, një femër jona, shtatë vite kishte punuar në ara e toka pune, duke e ndrydhur vetveten me shpresën se një ditë do të bëhet e madhe, për t’i dhënë e për t’i thënë atdheut e botës atë që ëndërron, që di e që mund t’i dhurojë kombit dhe më gjerë. Sot ajo, e me siguri edhe shumë të tjera, vendit dhe njeriut tonë ia dhurojnë mendjen, mundin dhe veprën për ta udhëhequr atdheun me devotshmëri e krenari.

Edhe kjo, është ajo pesha e librit “Shqiponja e Malësisë”, e cila hapë shumë rrugë për ta ndritur rrugëtimin e historinë, rolin dhe veprën e femrës sonë, e bashkë me te, edhe historinë e vendit.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora