E enjte, 25.04.2024, 10:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

KE, 59 vjet në shërbim të demokracisë

E hene, 05.05.2008, 12:40 PM


Nga Ervin Baku  - G. Shqip

59 vjet më parë, dhe pikërisht më 5 maj 1949, guvernantët e 10 vendeve evropiane të mbledhura në Londër angazhoheshin të bashkëpunonin nga afër për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendet e tyre respektive, dhe vendosnin të krijonin Këshillin e Evropës. Nëse sot, më e vjetra dhe më e madhja organizatë evropiane nuk është më në faqet e para të gazetave perëndimore, por vetëm tek ato lindore, ndryshe nga Bashkimi Evropian, organizatë disa vite më e re, vendimi i guximshëm i marrë atëherë nga Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Anglia (Gjermania do t‘i bashkohej më vonë), do të shënonte një kthesë vendimtare në historinë evropiane.

Sot, Këshilli i Evropës me seli në Strasburg, afron në gjirin e tij Evropën Perëndimore dhe Evropën Lindore. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që prej 13 korrikut 1995. Vendet anëtare, numri i të cilave ka arritur në 47 me kalimin e viteve, janë lidhur njëri me tjetrin nëpërmjet shumë e shumë traktateve të inspiruara nga vlerat dhe principet që ato ndajnë. Më shumë se 200 konventa janë nënshkruar në këto 59 vjet. Nëse këto instrumente kontraktuale, të përpunuara bashkërisht për gjithë vendet, do t‘u linin vendin akordeve individuale mes shteteve, do të kishim me shumë se 50 mijë traktate bilaterale të nënshkruara. Kjo shifër e pabesueshme ilustron qartësisht rrjetin e dendur, në të cilin janë përfshirë shtetet anëtare. Harmonizimi juridik që rrjedh nga kjo ka çuar në vendosjen e procedurave dhe mjeteve juridike, që mund të shërbejnë në rast mosmarrëveshjesh mes dy shteteve anëtare.

Kontaktet permanente mes vendeve kanë kontribuar gjerësisht në këtë rezultat. Parlamentarë, ministra dhe funksionarë takohen rregullisht në gjirin e organeve të ndryshme të institucionit, me qëllim që të harmonizojnë politikat e tyre dhe të përpiqen të sheshojnë sa më shpejt të jetë e mundur vështirësitë që lindin (që dikur degjeneronin me shpejtësi në konflikte luftënxitëse) dhe kjo lejon forcimin e besimit dhe mirëkuptimit të dyanshëm. Kjo ëndërr e një kohabitimi paqësor ishte më shumë se shekullore, por duhej kaluar më parë nga katastrofa e Luftës së Dytë Botërore dhe kalimi i fuqive të mëdha në një rang më sekondar, për të arritur në konkluzionin që kishte ardhur koha t‘u jepej fund luftërave vëllavrasëse në Evropë.

Kur i ftohti dhe uria bënin kërdinë në qytetet e Evropës, që nuk ishin veçse gërmadha, një diskutim i Uinston Çurçillit më 1946 jepte sinjalin e një nisjeje të re dhe nuk do të mbetej një letër e vdekur. Për ish-kryeministrin britanik, Evropa nuk mund të rifillonte me shpresën e një të ardhmeje të denjë, nëse ajo nuk shfaqte së shpejti diçka si Shtetet e Bashkuara të Evropës. Kjo ide ishte në origjinë të integrimit evropian, që ka provuar, 59 vjet më vonë, që popujt janë (pavarësisht se ç‘mund të ngjasë) të zotë të nxjerrin mësimet e historisë. Një nga çelësat e këtij suksesi është konventa evropiane e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, e hyrë në fuqi më 1953. Ajo përbën një katalog të drejtash themelore të detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare dhe pranimi i saj është kushti i parë për hyrjen e shteteve të reja në Këshillin e Evropës. Falë formave të shumta të kontrollit që ajo parashikon, me qëllim që të sigurojë aplikimin e saj, kjo konventë ka fituar, në këtë fillimshekulli të ri, një status reference universale në fushën e të drejtave të njeriut. Në fakt, ajo që dallon konventën evropiane të të drejtave të njeriut nga deklarata universale e të drejtave të njeriut, adaptuar nga Kombet e Bashkuara më 1948, është se ajo është e pozuar përballë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Çdo qytetar mund të ngrejë një padi kundër shtetit të tij kur ai ndihet i cenuar në të drejtat e tij themelore. Sot janë afërsisht 800 milionë qytetarë që janë të mbrojtur nga kjo e drejtë.

Këshilli i Evropës ka vepruar gjithmonë për unitetin e Evropës. Deri në rënien e murit të Berlinit, kjo ëndërr ishte e parealizueshme. Ndryshimet e mëdha politike në Evropën Qendrore dhe Lindore në fund të viteve ‘80 ishin, në një farë mënyre, kalimi i provimit të KE-së. Ai menjëherë u përpoq të kthehej në një forum mes Lindjes dhe Perëndimit të kontinentit plak dhe të fillonte një bashkëpunim të ngushtë, me qëllim shoqërimin e vendeve të sapodala nga zgjedha komuniste, drejt rrugës së vështirë të krijimit të shtetit të së drejtës. Nga 23 në vitin 1989, 41 më 1999, numri i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës ka kaluar sot në 47. Ky proces zgjerimi nuk ishte fare i lehtë dhe integrimi i shteteve të Evropës Qendrore e Lindore nuk është veçse një nga aspektet e një misioni të dyfishtë, ana tjetër e të cilit nuk është më e lehtë, sepse ajo konsiston në shtrirjen dhe konsolidimin e normave të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të qytetarëve.

I krijuar në vitin 1949, Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër e kontinentit tonë, që llogarit sot në gjirin e saj 47 shtete anëtare, pra pothuajse gjithë shtetet e Evropës, përjashtuar Bjellorusinë. Objektivat e tij janë tre, por madhorë: respekti i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Samiti i Tretë i Këshillit të Evropës, që u mblodh në Varshavë më 16 dhe 17 maj 2005, përcaktoi qartë dhe rolin e ri që do të luajë KE në të ardhmen. Për Shqipërinë, Këshilli i Evropës do të jetë paradhomë për në Bashkimin Evropian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora