Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Lamtumirë Landi!

| E diele, 10.03.2013, 07:01 PM |


Përcillet mes duartrokitjesh të pambarimta për në banesën e fundit Roland Trebicka

Lamtumirë Landi!

Nga Albert ZHOLI

Dje Tirana ishte gri. Një gri e thellë. Nuk ishte ajo Tiranë e përditshme mbushur me gjallëri. Para Teatrit Kombëtar grumbuj njerëzish që bisedonin nën zë. Në shumë prej tyre shikoje lot. Lot dhe një vranësirë shpirtërore. Gjitha aktorët shqiptarë, por dhe politikanë, akademikë, mësues, njerëz të thjeshtë, gazetarë, shkrimtarë, poetë ishin aty. Po, të gjithë aty para sheshit të Teatrit Kombëtar. Kishin ardhur që në mëngjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit Roland Trebickës. Kishin ardhur për t’i thënë fjalën e fundit të zemrës, shokut, mikut, njeriut më të shquar të humorit shqiptar. Atij që kishte hyrë natyrshëm në çdo vatër shqiptare dhe ishte bërë pjesë e jetës së tyre. Komentet ishin nga më të ndryshmet. Bisedat bëheshin me thithje lotësh. Nuk donin ta shqetësonin Landin. Nuk donin ta zgjonin nga një gjumë i thellë. Donin të merreshin vesh në heshtje. Donin të bisedonin ndryshe sot me ‘të. Donin të bisedonin për plane, për komedi, për role, për shoqëri, për...për..për shumë gjëra. Ndaj po e prisnin. Por sot në ndërtesën e Teatrit ai erdhi ndryshe. S’erdhi në këmbë me atë buzëqeshjen që i jepte forcë të gjithëve. Në orën 11:00 arkivoli me trupin e tij vjen në hollin e Teatrit Kombëtar. Homazhet i pari i fillon kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe më pas Kryeministri Sali Berisha, duke vazhduar me të tjerë politikanë dhe homazhet nuk kanë të sosur. Janë me mijëra njerëz, qytetarë të thjeshtë, por dhe intelektualë të shquar, që flasin sot me heshtjen e tyre, me nderimin me dorën  në zemër para arkivolit.  Tufa me lule, kurora, si asnjëherë tjetër. Po. Ishin lulet për njeriun që u kishte dhënë gëzim dhe hare në ditë të vështira. Po, sepse jeta e shqiptarit është mbushur me halle dhe atë pak gëzim ata e merrnin me rolet e Landit në Teatër apo televizion. Në orën 13:00, arkivoli me trupin e pajetë të të madhit Trebicka, i mbajtur nga shokët e tij, del në oborrin e Teatrit Kombëtar. Një stuhi duartrokitjesh. Çudi. Ç’ishte vallë kjo atmosferë?! Për kë duartrokisnin këta njerëz?! Duket sikur Landi ishte në rolin e Jovan Bregut. Dukej sikur Landi ishte në skenë dhe publiku duartrokiste. Askush s’e besonte se ai po u linte lamtumirën, por dukej sikur duartrokisnin rolin e tij të radhës. Arkivoli me trupin e tij i mbajtur nga dhjetëra duar artistësh bëri një rreth rrotullim rreth godinës së Teatrit Kombëtar. Rreth asaj godine që ai ka luajtur sa e sa role. Rreth asaj godine, ku ai u rrit dhe mori famë. Rreth asaj godine që ai filloi ta kundrojë kur ishte me pantallona të shkurtra dhe që s’ju nda deri në këto çaste. Duartrokitjet vazhdonin ende më me furi. Ato dukeshin sikur thoshin: Landi a na dëgjon? Çohu vëlla po të presim. Çohu se ke rolin, ke radhën.  A e kupton se na mungon? A e kupton se na le një vragë në zemër? A e kupton se mes nesh është një radhë bosh, një radhë me peshë që s’ka kush ta zëvendësojë? Por për çudi, ai si dëgjon miqtë sot. As duartrokitjet e tyre të pambarimta. Ky është artisti. Përcillet si në skenë. Përcillet me duartrokitje, se me to rreh dhe zemra e artistit. Nuk mund të konceptohet jeta e artistit pa duartrokitje. Ato janë vlerësimi, janë nota, janë entuziazmi, janë kurora e artë. Po Landi s’po i dëgjon sot ato? Çudi, ai s’rri kurrë pa shokë. Por jeta ka ligjet e saj, normat dhe rregullat e saj. Ai ikën pa i përshëndetur, ndërsa ne të tërë i dhuruam mijëra duartrokitje. Ai iku duke thënë mos më qani, por lotët ishin vetiu dhe lehtësimi i të gjithëve në atë ceremoni. Orkestra  po luante marshin funebër. Disa pika shiu ranë nga qielli. Lotët e qiellit u bashkuan me lotët e të pranishmëve. Landi po ikte në heshtje, ne e përcollëm me duartrokitje. Ai humbi mes kurorave me lule, pasi kurorën  më të bukur të jetës ai na e la neve me rolet e tij të pavdekshëm. Lamtumirë Landi! Ne të kemi në zemër, këtë mos e harro kurrë...!

Robert Ndrenika “Nderi i Kombit”

Të flas për Landin? E ç’të them unë më shumë se këto duartrokitje. Kush nuk e njeh Landin?! Sado të them unë disa fjalë, ai nuk do lartësohet para veprës së tij të pa shoqe. Po. Do them dy fjalë. E di ç’do të thotë mik? Jo? Që të të gjendet në momente kur s’të gjendet dot as vëllai, pasi vëllain e ke në emigracion. Landi të gjendej për çdo gjë. Ndërsa Landi artist. Eh, notën ja ka vënë populli dhe kur ta vendos këtë notë populli, s’ka perëndi që ta lot. Mos më pyet më...(dhe nga sytë e të madhit Robert Ndrenika dalin lot).

Roza Anagnosti

(I afrohem dhe e shoh mbytur në lot). Albert, mos më pyet sot. S’kam mundësi. Ka fjalë që mund t’i thuhet këtij njeriu? Ja shikoje dhe shkruaj. Rolin e fundit me të e kam luajtur në pjesën “Valsi i Titanikut”. Ai në skenë ishte ai. Nuk linte moment t’i shkonte bosh. E përpinte skenën. E zotëronte atë. Të linte hapësirë dhe të mobilizonte. Në atë pjesë jam ndjerë shumë komode. Jam ndjerë me krahë. Një bashkëpunim i shkëlqyer. Por me ‘të kam pasur dhe pjesë të tjera. Improvizues. Një njeri shumë familjar. Na goditi.

Andon Qesari (regjisor i komedisë “Pallati 176”, aktor, “Mjeshtër i Madh”)

Eh, sa kam për të thënë. Shumë, shumë...Artisti e ka të vështirë të flasë ndonjëherë se e mbërthejnë emocionet. Puna ime me të ka qenë e shkëlqyer. Shumë herë ai improvizonte ndryshe nga sa thoshim ne regjisorët. Por improvizimi i tij ngjiste sepse ishte shumë organik. Nuk kishte thyerje pasi vinte nga ai natyrshëm. Por mbi të gjitha ai ngjiti me Jovan Bregun. Është e rrallë në botën artistike që një aktor të identifikohet me një rol komedie. Ndonjëherë kur për punë sekondash dikush harronte emrin thoshte ai pra “Jovan Bregu”. Pra, me këtë rol ku janë dhënë rreth 500 shfaqje, ku komedia është parë direkt nga afërsisht 1 milion spektatorë, përcaktimi i emrit të tij mori një notë tjetër të veçantë. P.sh, ai ka shtuar atë nofkën “Sandër Mafishja”. Një fjalë është, por që ngjiti dhe vetëm me këtë fjalë të qeshurat në sallë s’kishin të sosur. Landi mbetet unik.

Lazër Filipi “Artist i Popullit”

Landi ka hyrë në teatër që fëmijë. Nëna e tij ishte punonjëse e Teatrit Kombëtar. Ai vinte me nënën dhe zinte një qoshe dhe shikonte provat në Teatër. Ai ka parë ndoshta më shumë se të gjithë prova dhe premiera, madje shpesh herë interpretonte sa e sa role përmendësh, vetëm duke dëgjuar provat. E shikoja dhe e admiroja për vullnetin. Ishte shumë këmbëngulës, por dhe shumë serioz në punë. Filloi karrierën në role dramatikë dhe më pas vazhdoi me ato komikë, pra në komedi. Si duket ishte prerë për komedi. Rolet e tij në këtë gjini mbeten në përjetësi. Ai mbetet një artist komik i një lloji të veçantë. Skena shqiptare humbi shumë me vdekjen e tij.

Bashkim Alibali (këngëtar)

Humbëm të gjithë një mik të mirë. Sa herë e takoja ai ma hiqte mërzinë si me magnet. Një aktor special, një njeri i kompletuar. Njerëz si ai janë të rrallë.

Këtë nuk e them sot, por e kam thënë dhe më parë. Në skenë ai ishte i pakonceptueshëm.

Kozma Dushi (këngëtar)

Eh, unë e kam pjesë të shtëpisë. Unë s’di të flas bukur, por di të flas me zemër. Njeri shpirtbukur, aktor plot rrezatim.

08/03/201