E diele, 15.09.2019, 01:48 PM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Krijuesi Ramazan Sherja

E diele, 10.03.2013, 10:25 PM


NJË  KRIJUES    E  DO  DHE  I  SHËRBEN  ME  PËRKUSHTIM  JETËS

NGA PËLLUMB   GORICA

Si mik, kam lexuar të gjithë  librat e krijuesit, studiuesit, gazetarit dhe mësuesit pasionant Ramazan Sherja, dhe më kanë befasuar me specifikën e trajtimit të problemeve që nxjerr jeta dhe realiteti ynë i përditshëm. Në gjithë krijimtarinë e larmishme e plot vlera, të bie në sy një gjë, modestia që e karakterizon autorin Ramazan Sherja. Në opusin e tij krijues përmblidhen librat: “Trokas me vargje”, “ Punët krijuese në shkollë”, “Njohuri dhe komente letrare”, “Gjuha shqipe për nxënësin” , “Funari në historinë e tij”, “Sa bukur të jesh femër”, Shtigjeve të dijes”, “Nostalgji poetike”, dhe deri tek libri që sapo doli nga shtypi, “Jetoje jetën”, të mbetet në mendje një ndjesi e këndshme, dhe mbushesh me një frymarrje të pastër e  lehtësohesh shpirtërisht. “Nëse  çdo njeri i planetit do të dintë të  pranonte dhe të dhuronte dashuri , bota jonë do të ishte një vend krejtësisht ndryshe” – thotë  Joyce Meyer. Kjo është  edhe ajo, që e karakterizon gjithë krijimtarinë e autorit Ramazan Sherja. Duke patur si nxitje  motivin se dashuria është themeli i çdo suksesi dhe përsosmërie, ai e shtrin këtë ndjenjë të madhe tek të gjithë, nëna dhe babai, veterani dhe studenti, shtetari i ndershëm dhe bisnesmeni korrekt, lulja e sapoçelur dhe pema që lidh plot kokrra, vajza ëndërrimtare dhe hëna që ndriçon skutat e natës, deti që ngre dallgë dhe djali që rri mendueshëm në dritare, nxënësit e tij të dikurshëm që me rritjen e tyre kanë shkruar biografinë e tij”  dhe plaku me bastun që nuk do të largohet kollaj nga jeta.

Mërmëris shpesh me vete një strofë nga poezia e tij “Pleqtë e fshatit tim” e vëllimit poetik “Trokas me vargje “: “ Mblidheni o fisnikë tek rrapi shekullor /Mjekërmbështetur në bastun, siç e do zakoni /Dhe secili prej jush është shumë e më shumë/se një subjekt drame apo romani.” Nga poezitë e tij të bukura,dua të përmend  edhe dy strofa të tjera, sa për ilustrim, të atyre ndjenjave dhe të asaj bote të madhe shpirtërore që karakterizon poetin, se si ai është lidhur ngushtë e ndjenjësisht me gjithçka që e rrethon: “ Qielli si s’ka të lodhur /gjithçka  ngjyhet në të bardhë /ecën ti e se ndjen ftohtin /pse se ndjen ti ftohtin vallë ” , “Dimërore”, Nostalgji poetike. Apo poezia “Fllad studentesk”, ku ndjenja e përmallshme dashurore është e papërballueshme: “Edhe natën nëpër ëndrra /më djeg malli më djeg kënga /më deh zëri yt i largët /porsi fllad që fryn mbi plagët.”

Duhen veçuar librat e tij me tematikë shkollore, metodike e gjuhësore, që janë një ndihmë e konsiderueshme për nxënësit e mësuesit. Ato tregojnë punën e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete me informacionin e gjerë. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar me mjaft korrektesë profesionale në vitin 2009, është me karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoatistik i disa temave të lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Në librin tjetër “Gjuha Shqipe për nxënësin” autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore, por  qartëson pjesët e ligjëratës dhe funksionin e fjalës në sintaks. Shpjegon edhe përdorimin e madh, që po marrin sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Me shembuj konkretë e të goditur, që të mbeten në mendje, autori bën dallimin e qartë të funksionit morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm, por edhe analizon funksionet e këtyre dy veçorive, si forma kryesore për rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse. Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin si një dritare për çdo nxënës e lexues drejt dijes, duke vjelë mjaft fjalë të panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, me shpjegim korrekt shkencor, të bazuara në fjalorin e gjuhës shqipe.

Nuk do të rrija pa shkruar dy fjalë për librat “Funari në historinë e tij” dhe “Sa bukur të jeshë femër”. I pari është një dashuri dhe dhembshuri e shkruar me ndjenjë dhe fakte për vendlindjen e tij të dashur, Funarin e Elbasanit, duke krijuar kështu një dëshmi për autoktoninë dhe zhvillimin etnografik dhe kulturor të kësaj zone në vite. I dyti është një himn i sinqertë e plot pasion për  personalitetin e femrës në përgjithësi dhe dhe madhështinë e nënës në veçanti.  “ Zemra e nënës është oqean me ndjenja, zjarr me dashuri,vatër me ngrohtësi, horizont me dritë. Ndaj kushdo duhet të përulet para nënës, para femrës në përgjithësi, se gruaja është themeli i jetës që pulson. “- shkruan me një sintetizim të rrallë autori.

Por libri  “Jetoje jetën”, një titull mjaft i gjetur, por edhe ngacmues për lexuesin, të cilin e lexova në dorëshkrim, më shtoi befasinë për larminë dhe elasticitetin e trajtimit të problemeve konkrete dhe jetësore, me grimca më intime të saj, të problemeve e shqetsimeve, që hasen në udhët e vështira të jetës. Libri “Jetoje jetën” është ndarë në dhjetë  kapituj me tituj  lakonik e shumë domethënës. “Jeta dhe lumturia”, “ Triptiku i jetës”, “ Respkekto veten pa rënë në narcizëm”, “Mos jeto me kujtime”, “Përballo vështirësitë”, “ Jeta si besim si kulturë”, “Jetë e sinqertë në një shoqëri të sinqertë”, “Këshilla për jetën, “Thumba dhe kundërthumba”,dhe “Për kuriozët” , për tu mbyllur me një epilog të shkurtër në formë konkluzionesh, të konceptuara sintetikisht nga vetë autori. Më tërheqës, dhe më meditiativ e bën çdo kapitull të këtij libri shoqërimi nën të me thënie konçize të filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Autori tregon qartë në  këtë libër, se jo vetëm është njeri shpirtmadh e intelektual i pjekur, por edhe që di ta jetojë jetën intensivisht, dhe t’i përkushtojë asaj gjithçka, talentin, shpirtin, forcën morale dhe fizike, e mbi të gjitha temparamentin dhe impulsivitetin e tij. Ramazan Sherja, siç del në këtë libër e do dhe e vlerëson maksimalisht jetën, deri në çdo qelizë të saj, sepse ai do njeriun e punës, të këngës, njeriun e ndershëm dhe intelektualin, besimtarin dhe ateistin, shkenctarin dhe administratorin, të thjeshtin dhe eprorin, dhe vazhdimisht kërkon prej tyre që ta njohin e ta duan vazhdimisht edhe ata  jetën, edhe kur ajo  bëhet e vështirë. Ai e koncepton jetën e njeriut si diçka unike që lidhet ngushtësisht në tre nyje, lindja, martesa, vdekja, të cilat ai i quan nyje të jetës. Brenda këtyre tri nyjeve që janë lidhur pazgjidhshmërisht me njëra- tjetrën, lëvrin lëngu jetësor, lindja e bebes, kujdesi për të cilin siç shkruan autori fillon që në barkun e nënës, përpjekja për t’i gjetur emër të bukur, (dhe atutori  për këtë jep një larmi emrash, ku mund të zgjedhë prindi), fëmijëria, e cila si do të jetë, le gjurmë në jetë, rinia mosha më e bukur, romantika dhe dinamika e jetës, që ka brenda zgjedhjen e të dashurit të zemrës, fejesën, martesën e konsolidimin e familjes, si dhe vdekjen, që edhe pse është e dhëmbshme e hap plagë,  ajo është e pashmangshme. Për autorin vdekja është proçes fizik, ashtu si lindja, si martesa, por, që duhet përballuar me dinjitet.

Nëpër faqet e këtij libri, shprehet dashuria për jetën, për beben që lind e fëmijërinë me “kujtime të grisura”, për djalin që lufton të zgjedhë të dashurën e zemrës, për çiftin që jetojnë në harmoni, por që edhte grinden, për gjëra të parëndësishme, për  plakun me bastun e kollare, por edhe për atë me qeleshe që e jeton jetën sipas mënyrës së tij. Në libër ndjehet jehona e të qarës së fëmijës që sapo bie në tokë, por edhe  fëmijëria që  “i bën gishtat gjak duke luajtur me top prej lecke”, ndihen tingujt e daulles së dasmës, por  shijohet edhe loti i hidhur i vdekjes.” “Dhembja për njeriun që largohet nga kjo botë - thekson autori - nuk tregohet duke qarë e bërtitur, por me heshtje, me respekt, me lot të thellë zemre, organizimin modest të cermonisë mortore dhe rregullimi simbolik  i varrit.” Librin e bën tërheqës dhe befasues, jo vetëm mënyra e trajtimit të problemeve e ndodhive të jetës me thjeshtësi e argument, por edhe vetë struktura e librit, ku ai përfshin edhe tre kapituj të tjerë si “Këshilla për jetën”, “Thumba dhe kundërthumba” si  dhe” Për kuriozët”, të cilat autori i sheh si pjesë të të njejtit trup dhe i vë në funksion të zbërthimit dhe konceptimit të emrit jetë. Kapitulli “Këshilla për jetën “, përmbledh këshilla, porosi, udhëzime, të provuara nga jeta dhe që njeriut i duhen për të ptur të sigurtë jetën nga duhet të ecë dhe të mos jetë i papëgatitur për vështërsitë e jetës.  Kapitulli  “Thumba dhe kundërthumba”, është një humor i hollë, që jo vetëm të bën të çlodhesh e të buzëqeshësh natyrshëm tek i lexon në faqet e librit, por janë shumica edhe të padëgjuara dhe të mbledhura si grimca të natyrshme  në realitetin e përditshëm, të dëgjuara nga mosha të ndryshme. Si kapitull më vete janë hedhur kuriozitete dhe informacione të reja, të cilat jo vetëm të tërheqin por edhe hapin horizont për lexuesin. Sikur të donte t’i argumentonte dhe theksonte vlerën morale dhe filozofike të çdo kapitulli, autori i shoqëron në fund ato me thënie e citate të bukura nga filozofë e mendimtarë, shkenctarë e shkrimtarë të njohur, që bëjnë të mundur se trajtimi i fakteve nga autori të mbetet në mendje.

Teksa shfleton gjithë faqet e librit “Jetoje jetën”, bindesh për shumë gjëra. Jeta është e shkurtër ndaj duhet jetuar në çdo qelizë e  në çdo sekond të  saj. Jeta i ka të gjitha të thjeshtin dhe mendjemadhin, të mençurin dhe budallain, shkenctarin dhe sharlatanin, të ndershmin dhe hajdutin, politikanin dhe filozofin, këngëtarin dhe varrmihësin, dhe pikërisht prandaj është e bukur dhe e larnmishme se i ngërthen të gjitha, nën këtë diell e nën këtë hënë në gjirin e saj. Por në fund të fundit duhet t’i pranojmë të gjitha, se një jetë kemi e ajo duhet jetuar. Jeta ikën e nuk vjen më. Ndaj dua ta mbyll këto mendime për librin “Jetoje jetën” të Ramazan Sherjes, me atë që ka thënë aq bukur Fenelon, e që autori e përmend në veprën e tij :”Jeta është një ëndërr e gjatë, dhe vdekja një zgjim i papritur”.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT