Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: E treta e vërteta për Schmitt-istët!

| E diele, 10.03.2013, 07:05 PM |


E treta e vërteta për Schmitt-istët!

Nga Elvi Sidheri

Më erdhi në mendje ky titull lidhur me këtë shkrim, për arsye se dy herë të tjera u mora me këtë personazh aspak fisnik e për më tepër defiçent edhe në pretendimet e tij për t’a shpallur vetveten si ndonjë akademik kushedi se çfarë!

Por sot me vetë Schmitt-in e pallavrat e tij (pasi çfarë thotë e bën ky njeri vetëm këtë cilësim meritojnë)...pak do të merrem.

Ajo që tashmë më intereson më shumë e që mbi të gjitha i jep shpjegim edhe depërtimit të kësaj figure provokuese në ambientin akademik, shkencor e shoqëror në botën shqiptare, është pikërisht pra, reagimi dhe impakti tek njerëzit e tek shqiptarët në përgjithësi i tezave dhe pohimeve të këtij njeriu.

Sepse fyerjet që këtij bariu dhish nga lëndinat e lulëzuara të Zvicrës, i cili ndërkohë është “fisnikëruar” me punën pranë një katedre të nderuar universitare në Vjenë...përçartjet që këtij i mban goja pra, ato synojnë pikërisht të godasin elementin shumicë në shoqërinë tonë, pra ndërgjegjësimin popullor për atë që domethënë” të qënit shqiptar”.

Këtë do të qëllojë me shigjetat e tij të helmatisura Schmitt-i e të gjithë ata që prej kohësh i kanë kërcyer qerres së tij gënjeshtare.

Sepse kur një populli i shkelmohet vetëdija e tij kombëtare, bindja që ai e ndjen në thellësinë e qënies së tij e cila lidhet me origjinën e paraardhësve të tij, atëherë domosdoshmërisht ky popull, kjo gjindje e humb busullën e saj dhe nis të endet drejt të paditurës, duke ngatërruar drejtim e duke u futur me të dyja këmbët në errësirën e injorancës më të thellë!

Të tillë pa origjinë, pa ndërgjegje të përbashkët kombëtare, pa ndjenjë përkatësie të mirfilltë etnike, pa një yll polar që të na shërbente si guidë në natën e mbi 2000 viteve mospavarësie kombëtare, kemi qenë ne shqiptarët për shumë e shumë kohë.

Aq sa Kohët e Errëta të cilat pas dyndjeve barbare e rënies ë Romës së madhe, pllakosën edhe Europën dikur, ato tek ne pra, zgjatën 20 shekuj gati, por siç shohim sot e kësaj dite, reminishencat e kësaj errësire ende jetojnë e frymojnë kobshëm mes nesh.

E janë pikërisht këto reminishenca errësire obskurantiste, ato që ftojnë e sjellin Schmtt-in e miqtë e tij shqiptarë-urryes e racistë mes nesh!

Të mos kini asnjë dyshim për këtë!

Por çfarë përfaqëson Schmitt-i e miqtë e tij zvicerianë, Del Ponte e Marty, unë e kam thënë më parë.

Po ashtu se kush i shtron atij tapetet në akademizmin shqiptar në të dyja anët e kufirit mes dy shteteve tona, edhe këtë e kam thënë.

Ajo që mbetet, pra e treta e vërteta e kësaj triologjie Schmitt-ase, është pikërisht të flasim për elementin e tretë të depërtimit të Schmitt-izmit mes nesh.

E ai përbëhet padyshim, nga shumë shqiptarë, të cilët nuk janë as akademikë e shkencëtarë, por të cilët  tek Schmitt-i gjejnë alibinë për të shfryrë gjithë mërinë që ndjejnë ndaj vendit e origjinës së tyre, apo që po ashtu, Schmitt-izmin e përdorin  sa herë t’u vijë zogu në dorë, për të mbuluar  vendin e tyre me hirin më të zi.

Të mos e duash vendin tënd apo gjakun e origjinës, është një e drejtë e cilitdo!

Nuk është e moralshme, por s’ka asgjë që t’a ndalojë.

Po aq ndërkohë, çdokush ka të drejtë, sa kohë që kombësia e tij nuk i pëlqen, apo ndërsa ndihet si në kurth brenda një nacionaliteti i cili s’i përshtatet apo që nuk ia plotëson pritshmëritë e tij,  kushdoqoftë pra si pasojë e kësaj gjëje, me anë të një pasaporte apo zgjedhje të tij/saj, kombësinë e ndërron (ashtu siç dimë për shëmbull se shumëkush lind me trup mashkullor duke u ndjerë i seksit tjetër e në botën e lirë askush s’e ndalon të ndërrojë qoftë edhe kirurgjikisht gjininë).

Unë jam pro nacionalizmit si parim e kundër shovinizmit si ide, qoftë edhe brenda të njëjtit gjak.

Prandaj si rrjedhojë, nuk kam asgjë edhe kundër shumë shqiptarëve që shqiptarë nuk ndihen, që kanë rendur për shkaqe të ndryshme pas ndonjë kombësie tjetër më të favorshme ekonomikisht, apo brenda të cilës kanë menduar se i shprehin më mirë aftësitë e tyre në jetë.

Me detyrim shqiptar, askush nuk ka pse të jetë!

Kjo gjë ndërkohë, me kusht që si në Shqipëri, si në Kosovë, që janë dy shtete me shumicë dërrmuese shqiptare (98% dhe 95%) këta shqiptarë të pakënaqur me kombësinë e tyre, të mos shërbejnë si ura të tjetërkujt për të ngritur përqindje inekzistente minoritetesh.

S’të pëlqen të jesh shqiptar, mbathja nga sytë-këmbët aty ku ti ore njeri ndjen se të vlon gjaku yt, qoftë kjo në Greqi, Serbi, Turqi, Bosnje, Kinë a Australi po deshe!

Njeri me detyrim shqiptar s’ka pse të jetë, po hije të panevojshme në shtetet tona këta njerëz nuk duhet të na bëjnë, aq më tepër në Shqipëri, e cila është si definim shteti amë i shqiptarëve, ku flitet me ligj vetëm gjuha shqipe!

Para ca kohësh, në bashkëpunim me miq të mitë, të cilët e mendojnë si unë dhe shohin se kombit tonë, historisë e origjinës tonë po i bëhen makinacione të çdollojshme, mora përsipër të shkruaja një tip përgjigje sado modeste të ishte ajo, ndaj këtij Schmitt-it direkt.

E që t’a dini, unë punën time them se e bëra, pasi atij “fytyrë patates së zjerë” zviceriane, përgjigjen ia dërgova drejtpërdrejtë e për këtë jam shumë i qetë e shpirti më është komplet në paqe.

Pra ndërgjegjia ime u qetësua nga kjo anë!

Me kaq mund t’a kisha mbyllur pa problem punën me të.

Jo për gjë, por edhe kaq vëmendje të sforcuar ai palo-studiues nuk e meriton!

Sepse ai e ata që atij i rrinë si bisht prapa, pikërisht këtë kërkojnë, ata duan PUBLICITET!

Duan dritën e prozhektorëve mbi tezat e tyre fantazma.

Duan të flitet për Schmitt-in e kështu të merren për të mirëqena pohimet e tij, duke reklamuar kështu falas pretendimet se ne nuk kemi origjinë, se në fakt pale se nga paskemi ardhur, se s’disponojmë fare histori, se nuk dihet saktësisht çfarë gjuhe flasim etj.

Mbështetësit e tij, pasuesit shqiptarë të Schmitt-it, janë të shumtë e aq të fuqishëm, sa atij i hapin akademitë e sallat e shkencës shqiptare, po aq sa atij i ofrohen si të përdala trotuaresh...faqet e gazetave dhe një pjesë e madhe e shtypit shqip-shkrues!

Ndaj doemos që të dalësh kundër rrymës në të tilla raste, si minimale nevojitet të dish not mirë!

Por ajo që këta njerëz (se Schmitt-in s’e fus fare në këtë mes e në këtë pikë ai më intereson po aq sa edhe djathi me vrima Emmentaler zvicerian, pra aspak)...duhet të dinë, është se si njerëz afër me detin, shqiptarët të notojnë kundër çdo rryme, kanë ditur historikisht e kjo na ka bërë që të jemi akoma në të njëjtin truall si stërgjyshërit tanë dikur e të ndiejmë të njëtën krenari për kombësinë e gjuhën tonë.

Kthehemi në temë sidoqoftë.

Çfarë vura re ndërkohë në një pjesë të atij që gjuha internetase i thotë “feed back” nga lexuesi, pas përgjigjes ndaj këtij mashturesit ordiner racist Schmitt?

Përveç uroj, të kuptuarit të mesazhit që ajo përgjigje përcillte për personazhin në fjalë...diku u pa edhe një lloj snobizmi tipik shqiptar.

Sepse ne jemi snob si ide, se edhe kushtet jo për gjë, po edhe na e lejojnë një luks të tillë!

Jemi vend i pasur, popull i konsoliduar, i përparuar, i modernizuar, jemi në ballë të zhvillimit global, s’kemi asnjë copë të vetme problemi serioz e na ka mbetur sharra tek gozhda e fortë e snobizmit nacional tani!

Ne kemi hapësirën të snobojmë veten, atdheun (mëmëdheun po ashtu siç i thonin dikur më me kulturë rilindasit) e po aq të snobojmë Schmitt-in, sadoqë ai e pasuesit e tij na hedhin përditë tonelata fekalesh përsipër historisë, gjuhës e origjinës tonë e njëkohësisht mbi të gjitha pse të mos i fusim një dorë të mirë snobimi edhe atyre që me të drejtën e tyre sovrane marrin përsipër me zgjedhje të lirë, që këto fekale antishqiptare, të mos i hanë si turpin me bukë e aq më pak t’i pranojnë!!!

Për këta njerëz, unë përgjigjen e kam të hapur e shumë të sinqertë...MIND YOUR BUSINESS-pra SHIHNI PUNËN TUAJ ose siç i thonë italianët që ne nga Shqipëria i kemi më afër...FATEVI I CAZZI VOSTRI (kjo s’përkthehet për norma edukate në një shkrim, por kushdo që nuk është nga Tirana apo Shqipëria me origjinë, mund t’a gjejë përkthimin automatikisht në Google Translate).

Ky është mendimi im kryesor për snobistët me profesion.

Unë të paktën e secili që në faqet shqiptare të internetit, nacionaliste apo lajmesh qofshin, në shtypin e përditshëm apo kudoqoftë, morëm përsipër që me dijenitë dhe dëshirën e pasionin tonë shqiptar, t’i përgjigjemi këtij koshi mbeturinash zvicerian (sepse tezat e tij brendësinë e një kazani plehërash meritojnë denjësisht e prej aty e kanë gjenezën e tyre të trishtë)...neve të gjithë këtë e kemi bërë të shtyrë nga një ndienjë pështirosje e revolte që buronte nga fyerja që ai njeri na bënte ne e popullit tonë.

Unë të paktën prandaj e bëra e s’më jep dot mend kush për këtë!

Por unë nuk jam historian e këtë e kam thënë po qe se dikush nga ekipi i gjerë i snob-people këtë do e kishte vënë re po “t’i plaste këlltoqet” (sytë siç i themi në Tiranë)...në shkrim.

As gjuhëtar me profesion s’jam.

Por shqiptar jam!

E snobizmin që e njoh mirë, tek Schmitt-ët e shumtë racistë si ai që janë kundër vendit tim, pra rrjedhshmërisht edhe kundër meje, kurrë nuk e fus!

Për përgjigje profesionale prej historiani, Schmitt-i ka të respektuarin z.Moikom Zeqo, arkeologun, historianin e shkrimtarin e madh z.Neritan Ceka si dhe të atin e tij të paharruar Hasan Ceka e shumë historianë të tjerë të medhenj shqiptarë e të huaj.

Për oponencë gjuhësore lidhur me qënien e shqipes gjuhë me prejardhje ilire, kemi të dhënat e çmuara të Eqerem Çabejit etj.

Sot ka për fat një mori analistësh me profesion, pra të cilët ndoshta për këtë gjë edhe paguhen e s’e bëjnë si unë apo ndonjë miku im, që jetën nevojitet t’a përballojmë me tjetër mund e që shkruajmë prej dëshirës e kaq...të cilët pra, me argumenta shkencore Schmitt-in për fat e nxjerrin lakuriq duke e zhveshur nga të gjitha përrallat e tij antishqiptare dhe e siguroj lexuesin se e vetmja “gjethe fiku” që këtij Vilhelm Teli zvicerian në kërkim të goditjes së “mollës shqiptare”... do i mbetet për t’u mbuluar, në fund do të jetë vetëm RACIZMI i thekur nga i cili i burojnë tezat e tij fiktive.

Pra s’kam mbetur unë, që Schmitt-it dhe Schmit-istëve shqiptarë, t’u jap fakte e të dhëna!

Por pse jo, meqë dikush me shpirtin e tij të lartë snobues m’a kërkoi këtë, unë s’po tregohem më aq përunjësisht modest e ca fakte të tjera sot edhe po i jap.

Çfarë shkruan për ne shqiptarët studiuesi italian me origjinë të largët arbëreshe Tiberio Occhionero?

Ja ç’shkruan ai, do Zoti krahu snobist këtë m’a pranon të paktën si faktim të atyre çfarë unë shkruaj.

Edhe po s’e pranuan...s’do më prishet fare gjiza, aq më pak turshitë apo qejfi!

Ai shkruan pra në një artikull të tij..

Norbert Jokl e jo unë që nuk jam kurrësesi shkencëtar, është njeriu që ka provuar me fakte përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen e madhe Indo-Europiane.

Ai citohet t’a ketë definuar kështu gjuhën moderne shqipe:”Shqipja është faza e sotme e një të folure ilire të trakizuar”.

Ju kujtoj juve lexues e po ashtu snobistëve të shumtë që Zoti e di përse kohën e tyre të “çmuar” e humbin me shkrimet e mia apo të atyre që si unë e mendojnë, në vend që të merren me punët e tyre, që të adhurojnë Schmitt-in...dreqin apo kë të duan pra, po ju bëj prezente të gjithëve që ky Jokli, nuk jeton më prej vitit 1942 dhe që në këto konkluzione të arta për shqipen, ai ka arritur para shumë kohësh.

Pra Schmitt-i meqë edhe në të njëjtin vend si Jokli punon, domethënë në Vienë, duhet të dijë që të tjerë kanë punuar e kanë faktuar me teza të vërteta tashmë të pranuara nga çdo historian e gjuhëtar i parrjedhur nga trutë, autoktoninë tonë shqiptare në trojet ku akoma sot jetojmë.

Një albanolog tjetër i madh, italiani Carlo Tagliavini, na thotë se aty diku nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit në gadishullin tonë kishte fise ilire, të ardhura me valë paleo-indoeuropianësh apo vendasish pellazgë, apo një përzjerje e tillë.

Kjo gjë sipas Tagliavinit shpjegohet, ashtu siç unë ndër të tjera kisha preçizuar në përgjigjen modeste ndaj “mikut të dhive zviceriane Schmitt”...veç të tjerash edhe me anë të fjalës së lashtë “HYLLOI” pra Yll.

Kjo lidhet edhe me emrin e një mbreti të njohur ilir BARDHYLLI (sipas historianëve më të mirë, mbret dhe personazhi më i spikatur i dinastisë së Enkelejve), të cilin burimet helene të kohës e japin me prapashtesën tipike greke “is” si pasojë e shqiptimit që ata i bënin fjalëve.

Ky emër jo sipas meje, por sipas Tagliavinit, vjen nga fjalët Bardh e Hylli, pra siç e jep italisht Tagliavini:”Astrobianco”.

Ky albanolog ndërkohë thoshte se emri Bardhylli tek shqiptarët akoma shërben për të treguar një personazh shumë të lashtë, të cilit në thesarin kulturor shqiptar i atribuohen shumë thënie e fjalë të urta.

Sidoqoftë Tagliavini na tregon se ai ishte i mendimit, sipas asaj që kishte studiuar e zbuluar, se ilirët para katërmijë vitesh së paku, kishin qenë banorë të brigjeve të Adriatikut.

Këtë tezë e kishte demonstruar edhe H.Krahe duke u mbështetur tek toponomastika dhe onomastika ilire e atyre zonave që kishte hulumtuar.

Po ashtu edhe italiani Francesco Ribezzo, gjuhëtar e arkeolog i njohur italian, autor ndër të tjera i librit me rëndësi kardinale sidomos për ne shqiptarët “Gjuha e Mesapëve të lashtë”...pra specialisti më i mirë i asaj dege të fiseve ilire të transplantuar në gadishullin italik që ishin Mesapët, edhe ai dëshmon me studimet e tij konkordancat e ngjashmëritë e dallueshme mes ilirishtes (mesapishtes) dhe gjuhës shqipe.

Sipas të lartpërmendurit Tiberio Occhionero e jo sipas pretendimeve të mia, të cilat “snobshëm” kontestohen shumë më banalisht dhe ethshëm se vetë Schmitt-i provokator... shumë studiues të nderuar pra, kanë vënë në dukje e faktuar me anë të kontributeve efikase studimore, tezën e burimit të shqipes nga ilirishtja, nga trakishtja apo nga një përzjerje mes këtyre dy rracave antike vendase në gadishullin që sot quhet Ballkan.

I pari që vendosmërisht u prononcua për origjinën ilire të shqiptarëve ishte Johann Thunmann nga Lajpcigu me anë të studimit të tij “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker”, pra që domethënë “Kërkime mbi historinë e popujve europiano-lindorë”.

Pas tij me një metodë më të thelluar, mbi këtë temë studioi shkencëtari J.G von Hahn ose i quajturi ndryshe si “Babai i Albanologjisë”.

Po aq punuan Gustav Mayer-i, Kretscher-i apo Ribezzo.

Ndërkohë të dhënë pas  tezës së autoktonisë shqiptare, por më shumë të lidhur me një origjinë trake, u shfaqën me studimet e tyre indoeuropianistët e mëdhenj Hirt, Barié dhe Gustav Weigand.

Norbert Jokli i paharruar, nga ana e tij arrinte gjithmonë e më tepër ndërsa ndriçonte këndet e pasqaruara të historisë së gjuhës e origjinës sonë...në përfundimin se shqipja ishte e lidhur sa me ilirishten aq edhe me trakishten e lashtë.

Jokli, duke u mbështetur (largqoftë të krahasohem me të e të jem në lartësinë sikur dhe të majës së thoit të këmbës së tij, por si një përkthyes e njohës i shumë gjuhëve, edhe unë këtu mbështes bindjet e mija lidhur me origjinën tonë ilire)...duke u bazuar ai pra, pastërtisht në argumenta gjuhësorë, besonte se e kishte identifikuar vendin e formimit të gjuhës shqipe në Dardani, që ai vetë dëshmonte se vinte nga fjala shqipe Dardhë.

Fjalë kjo ilire, por njëkohësisht sipas gjuhëtarëve gjermanë Vasmer e Meyer, e lidhur edhe me gjuhën trake.

Por sipas Tiberio Occhionero-s të cilin po e citoj, me rrezikun që snobizmi tipik shqiptar t’i bjerë edhe atij përsipër si ortek dëbore i ndotur nga ndonjë shi kimik...e për këtë të më fali, ndoshta më të drejtë nga të gjithë ka historiani Stadtmüller kur afirmon se “hapësira jetësore e protoshqiptarëve, nevojitet të kërkohet në një zonë afër Dalmacisë, por edhe pranë kufirit grek”.

Të mos flasim pastaj për Kulturën e Komanit, për ornamentet dhe varret ilire aty, në kapërcyellin e antikitetit të vonë drejt kohëve të errëta plot vërshime barbare të mesjetës, gjë që ka dëshmuar me forcë prezencën e vazhduar ilire në këto troje, ashtu si edhe toponomastika ilire deri në ditët e sotme e si prezenca e qyteteve të parrënuara ilire qoftë edhe gjatë sulmeve ostrogote, sllave apo avare.

Sidomos vazhdimësia e simbolikave ilire në këtë kulturë (që s’e kam zbuluar unë, por shkencëtarë e arkeologë me një barrë studimesh e publikimesh)...e shenjave të krishtërimit që ishte përhapur edhe në zonat më rurale dhe mbi të gjitha mungesa e plotë në këtë kulturë e shenjave të prezencës së ardhacakëve sllavë, kanë shërbyer për ata që duan të shohin realitetin dhe jo atë që u pjell mendja e tyre e shtrembër e perverse (Schmitt-i & Co)...për të treguar se ky realitet është që ne jemi vendas në trojet tona.

Së fundi ka pasur këto ditë një shkrim të gjatë të Neritan Cekës që fliste për krishtërimin e herët në Iliri dhe qytetet ilire në mos gabohem në antikitetin e vonë e aty mund të gjehen mjaft të dhëna interesante.

Pra siç qartësisht po duket, faktet nuk mungojnë!

Çfarë jemi neve shqiptarët, nga e kemi origjinën, çfarë është gjuha që flasim, pse jemi quajtur pellazgë ndoshta, ilirë, arbër e tani shqiptarë, po ashtu është studiuar dhe e dimë ne dhe bota e vërtetë akademike e jo sharlatane si puna e Schmitt-it dhe shokët e tij.

Kur këto të dhëna i di e i disponoj unë që nuk jam as historian e as gjuhëtar profesionist (shumë më tepër se kaq po të qe nevoja), mendoni se çfarë burimesh kanë historianët, arkeologët dhe gjuhëtarët e mirfilltë shqiptarë e të huaj.

Por ndërkohë, përveç shumë reagimeve që këto kohë bëri shumëkush ndërsa dolën sërish në pah provokimet e Schmitt-it i cili për nga formimi i tij do t’a kryente mjaft më denjësisht funksionin e kullotësit të dhive apo lopëve zviceriane, të hante nga një dorë djath nga qumështi i vendit të tij e të dëndej në çokollatën e tyre të shijshme...sërish jo të paktë janë ata që direkt ose indirekt këtë klloun të degjeneruar cirku, e mbështesin pa hezitim.

Prandaj Schmitt-i e ka për të disatën herë që na “PËRGOJON” neve dhe origjinën e historinë tonë!

Më keq do të bëjë ai në të ardhmen me këtë ritëm që e ka zënë.

Bjerini shkurt dhe shikoni jetëshkrimin modest që ka për të në internet...:”Gazeta zviceriane Tages Anzeiger publikoi një intervistë të Schmitt-it në vitin 2009-ë, ku ai fliste për biografinë e tij kritike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në të cilën ai nënvizon se e ëma e heroit tonë kombëtar Vojsava ishte serbe nga familja e madhe e Brankoviçëve dhe që mbiemri Kastrioti është GREK”!

Jetëshkrimi i tij dy rrjeshta ka se s’është se ky “studiues” ka bërë tjetërgjë në jetë përveç mashtrimeve ordinere për ne shqiptarët!

Të dal unë tani e të shkruaj se në Pollog nga ishte sipas dëshmive të asaj periudhe e ëma e Gjergj Kastriotit, ka pasur përveç arbërve vetëm bullgarë sllavë e jo serbë, siç çdo burim historik i besueshëm flet, që ata dihet që kanë luftuar krah heroit tonë në luftën me turqit etj, këto janë gjëra që i di edhe macja normalisht.

Por macja, kotelja e qenushi, siç duket për këto fakte historike janë më të informuar se Schmitt-i ynë i cili dhitë e lëndinave të tij të dashura zviceriane, i ka zëvendësuar me sallonet e kulturuara të katedrave vieneze dhe me rrënimin e historisë tonë shqiptare!

Prandaj këtë prototip mashtruesi të pandreqshëm, i veshur me petkun e një studiuesi të respektuar, unë mund t’a kundërshtoj qetësisht dhe pa asnjëlloj qesëndie.

Por me të ju siguroj se mund të debatojë me sukses edhe një shkollar i vogël shqiptar që ka lexuar historinë e klasës së pestë!

Unë këtij njeriu, në përgjigjen që i bëra pak kohë më parë, i shkruajta me përçmim fiks siç ai e meriton!

Pa respekt, pasi ai njeri respekt nuk mund të ketë nga unë.

E mbi të gjitha, atë e trajtova si ajo çfarë ai është dhe paraqet për ne shqiptarët në thelbësi, pra si një copë RACISTI e asgjë më tepër!

Do kisha dashur e do kishte qenë shumë më e udhës, që përgjigjet e reagimet ndaj tij dhe tezave raciste që ai na sjell si dhuratë pas 100 viteve të pavarësisë së shtetit tonë modern, të kishin qenë shumë më të shpeshta.

Por kush reagoi, shkencëtar, historian, shkrimtar apo njeri i thjeshtë si unë e shumë të tjerë, këtë e bëri dhe kontributin e tij e dha ashtu siç mendoi më mirë.

Të tjerë, ata që gjejnë rifuxhon (si ato që ndërtonte Enveri për t’u mbrojtur nga sulmet hipotetike të armiqve të atdheut)...tek snobizmi i tyre në doza të shtuara, para se të fusin gojën në punë kundër atyre që ndaj Schmitt-it në një mënyrë apo tjetër sidoqoftë REAGUAN...të shkojnë të reagojnë vetë njëherë e pastaj t’i dedikohen snobimit!

Sepse në këtë rast, ashtu si Schmitt-istët shqiptarë që këtë njeri e lenë të na shajë e përçmojë sa herë ia do qejfi, edhe snobistët e tillë që vetë s’bëjnë pikën e gjësë e pastaj gërr-vërr për ata që këtë njeri e kundërshtojnë me aq kapacitet sa kanë, këta pra të gjithë siç thotë populli që në këto raste s’gabohet kurrë...IA FUSIN KOT!