E premte, 19.04.2024, 03:14 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Nje ceremoni dinjitoze

E shtune, 09.03.2013, 06:54 PM


Nje ceremoni dinjitoze?

Nga Reshat Kripa

Miku im, Shyqyri Toska, më njoftoi se bashkia Roskovec kishte shpallur “Qytetar Nderi” një figurë të shquar të kombit tonë, që karrierën e tij patriotike e kish filluar qysh në vitin 1909 kur së bashku me Bajo Topullin kishte ngritur çetën e parë nacionaliste në krahinën e Mallakastrës, që luftonte për pavarësinë e vendit nga pushtimi otoman. Kjo figurë ishte i paharruari Hysni Toska. Hysniu ishte kushëriri i parë i babait të Shyqyriut. Miku im për vlerësimin e figurës së Hysni Toskës kishte kërkuar ndihmën e drejtorit të Muzeut Historik te Fierit, historianit Nuri Plaku, i cili kishte marrë persipër zbulimin, me kënaqësi të arkivave të ndryshme. Pas një pune të kujdesshme, historiani kishte përgatitur për botim një libër mbi jetën dhe veprën e Hysni Toskës, të cilën do ta botonte së shpejti. Por ai nuk ishte mjaftuar me kaq. Në emër të Muzeut Historik i kishte propozuar bashkisë Roskovec shpalljen “Qytetar Nderi” të këtij heroi. Bashkia e kishte miratuar propozimin e historianit.

Kështu u nisëm së bashku me Shyqyriun dhe Faik Toshkëzin, një nip tjetër i Hysniut. Në Fier u takuam edhe me historianin. U ulëm dhe pimë një kafe. Natyrisht nuk mungonin edhe bisedat për ngjarjen në fjalë. Nuriu na njoftoi se, së bashku me Hysniun, bashkia Roskovec kishte shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi’ edhe katër figura të tjera të shquara të së kaluarës dhe të së tashmes, ish deputetin e Partisë Demokratike, Fadil Çepele, Ish mësuesin dhe kryetarin e degës së Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Fierit, Selami Morina, të internuarin në Roskovec nga regjimi komunist, studiuesin nga Shkodra, Gjovalin Luka dhe luftëtarin e çetës së Hysni Toskës, Ibrahim Bufi. Të drejtën u befasova. Pothuajse të gjitha figurat i përkisnin asaj shtrese që për vite me rradhë, në kohën e diktaturës madje, në një farë mase, edhe pas saj, as që ishin përmendur ndonjë herë. Në të kundërt Hysniu cilësohej si kushëri i të ashtuquajturit Isa Toska, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë, pasi ai e kishte marrë atë mbiemër qëllimisht për t’u paraqitur si pjesëtar i këtij fisi të shquar. Për të vërtetuar këtë Nuriu na tregoi një dokument të vitit 1943 ku Hysni Toska u drejtohej autoriteteve italiane për të larguar nga detyra me të cilën kishin ngarkuar Isanë.

Së fundi mbërritëm në Roskovec. Atje takuam edhe kushëririn tjetër të Shyqyriut, Fatbardhin që kishte ardhur nga Berati ku banonte. Prisja të takohesha edhe me nipër të tjerë të tij, por ata, për fat të keq, nuk kishin ardhur në këtë ceremoni dinjitoze të gjyshit të tyre. Nuk e di cili ishte shkaku por, sidoqoftë nuk më erdhi mirë. Një kafe tjetër me miq, midis tyre me nipin e Ibrahimit, biznesmenin Arben Bufi dhe vëllanë e Fadilit, pensionistin Rapush Çepele. Bisedat nuk kishin fund. Së fundi erdhi edhe ora e caktuar për ceremoninë. Të gjithë u mblodhën në sallën e qendrës së kulturës së qytetit.

Ceremoninë e çeli Kryetari i Komunës Roskovec, demokrati Gëzim Çaushi. Ai foli mbi motivet që e kishin shtyrë Këshillin e Bashkisë të miratonte këto vendime. Mbi të gjitha theksoi rivlerësimin e atyre figurave që deri më sot u ishte mohuar kjo e drejtë. Ai fliste dhe mua më vinin rrotull në mendje disa pyetje. Pyetja se a nuk do të ishte e natyrshme që këtë shembull ta ndiqnin gjithë bashkitë dhe komunat e vendit? A nuk ka ardhur koha që të shkëputemi nga mentaliteti komunist dhe të vlerësojmë gjithë figurat e shquara të këtij kombi? Për fat të keq, janë fare pak ato bashki  dhe komuna që e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe kjo më shkakton shumë dhimbje. Më duket si një meskinitet i pakuptimtë i drejtuesve të tyre.

Pas tij e mori fjalën Kryetari i Këshillit të Bashkisë, edhe ky demokrat, Proletar Rama, i cili, pas një fjale të shkurtër, filloi të lexonte vendimet. I pari, sipas rendit alfabetik, ishte Fadil Çepele, inxhinier ndërtimi, pjestar i një familje të madhe nacionaliste që kishte dhënë shumë për atdheun, një luftëtar i vendosur qysh në ditët e para të përmbysjes së sistemit totalitar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1992-1996 dhe 1996-1997. Fati e kishte sjellë që unë të njihesha dhe të vuaja tmerret së bashku  me dy anëtarët e tjerë të këtij fisi, nëpër shkrepat dhe gërxhet ku na hodhi diktatura, me dy miqtë e mi të vuajtjeve, Refik dhe Tefik Çepelen. Para syve më dilnin figurat e tyre të ndritura por edhe ajo e atit të tyre të nderuar, Ali Çepele, një figurë e njohur në të gjithë krahinën për kontributin e dhënë në luftën për pavarësi dhe ngritjen e një shteti demokratik. Fadili sot ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe titullin e tij e mori i vëllai, Rapushi që, pasi falënderoi Kryetarin dhe Këshillin e Bashkisë për nderin që u kishin bërë,  lexoi edhe një mesazh të dërguar prej tij me këtë rast.

I dyti ishte Gjovalin Luka, studiues i njohur, sidomos i poetit Migjeni, për të cilin kishte botuar edhe një libër me përmbledhje të poezive të tij. Gjovalini ishte nga ata tipa që nuk mund të pranonte të bëhej vegël e një regjimi totalitar. Këtë e pagoi me internimin, për vite të tëra, në Roskovec ku dha shembullin e një qytetari të ndershëm. Ishte ky motivi pse Këshilli i Bashkisë i dha titullin e lartë. Këtë titull e mori në dorëzim i biri i tij, tashmë i plakur edhe ai.

Radha i erdhi atij që, po të bëhej një klasifikim midis të pestëve, do të zinte, pa dyshim, vendin e parë për nga meritat e pamohueshme, Hysni Toskës. Kryetari i Këshillit të Bashkisë lexonte motivacionin dhe mua më dilte para syve figura e këtij heroi. Më dilnin ditët e shpalljes së pavarësisë ku ai ishte një nga pjesëtarët e saj. Më dilnin ditët e Luftës Patriotike të Vlorës më 1920, ku ai ishte në krye të çetës së Mallakastrës, ardhur në ndihmë të vëllezërve vlonjatë për të hedhur në det pushtuesin italian. Më dilte deputeti i periudhës së mbretërisë dhe luftëtari që e priti përsëri me pushkë pushtuesin italian në vitet 1939-1943. Por më tepër më dilte figura e këtij kollosi që dha jetën në një përpjekje jo të barabartë më 25 shtator 1943 me forcat komuniste të komanduara nga Gjin Marku, betejë në të cilën u  plagos e bija, Erveheja, dhe mundi të largohej biri i vetëm, Skënderi, që u kap pas pesë ditësh dhe u pushkatua edhe ai më 30 shtator 1943. Titullin e mori në dorëzim Shyqyriu që, me zërin që i dridhej nga emocioni, falënderoi gjithë të pranishmit për nderin që u bëhej.

Ibrahim Bufi ishte i katërti i nderuar me titullin e lartë. Dëgjoja motivacionin e dhënies së titullit më dilte ky luftëtar i kohëve të vështira të këtij kombi. Më dilnin betejat e çetës ku ai bënte pjesë, ajo e Hysni Toskës, kundër pushtueve turq, por më dilnin dhe ato të zhvilluara kundër rebelëve të Haxhi Qamilit që kërkonin të kthenin prapa rrotën e historisë. Titullin pati nderin ta marrë Arbeni, nipi i luftëtarit të madh.

Së fundi i erdhi rradha edhe mikut tim, Selamiut. Kishte qenë mësues në atë krahinë. Edukonte brezin e ri që rrittej nën frymën e “nënës parti”. Por, siç dukej, ai nuk i ngjante mercenarëve të regjimit, ndaj e pushuan nga puna si arsimtar, e internuan po në këtë zonë në një kohë kur  banonte në Fier, ku jetoi deri në ditët e ndryshimeve të mëdha. U aktivizua pa më të voglin dyshim në Partinë Demokratike duke dhënë kontributin e tij të çmuar në fitoren e 22 marsit 1992. U aktivizua edhe me lëvizjen e madhe të të përndjekurve politikë të Shqipërisë nëpërmjet shoqatës së tyre deri sa arriti të zgjidhej kryetar i tyre. Para syve të mi më dilte Selamiu, i mençur, fjalëpak por me urtësi që kam njohur në kaq vite që punojmë së bashku në shoqatën tonë. Titullin e merr nën efektin e emocioneve që e mbulojnë. Falënderon, me zë të dridhur, autoritetet që i dhanë këtë titull nderi dhe premton se do të vazhdojë edhe në të ardhmen rrugën e nisur në drejtim te ndërtimit të një shteti demokratik dhe të së drejtës. Unë jam i bindur se Selamiu do të vazhdojë me vetmohim rrugën e nisur.

Pastaj ceremonia vazhdoi me një bisedë të lirë mbi problemet që shqetësonin më shumë pjesëmarrësit. Ishin mendime të lira, pa mllefe  dhe  ambicie.  Nuk  ishin    gjithë      njejtës

bindje. Disa ishin të djathtë. Të tjerë të majtë. Kishte edhe nga ata që nuk ishin  trazuar    asnjë

krah. Por kjo nuk i pengonte të bisedonin lirisht.

Me këto përshtypje u ndamë. U përqafuam me njeri-tjetrin sikur të ishim njohur prej kohësh, Unë me Shyqyriun dhe Faikun morëm rrugën për në Tiranë. Në makinë unë mendoja:

- Kur do të bëhet e gjithë Shqipëria si kjo ceremonia e sotme, ku nuk kishte miq dhe armiq,  ku shqiptari nderonte shqiptarin, ku shqiptari e bënte baltën njeri dhe jo njeriun baltë? A do të arrihet kjo?



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora