E enjte, 25.04.2024, 05:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Al Bano: “Im atë më rriti me rrëfime mbi Shqipërinë”

E hene, 05.05.2008, 06:34 PM


Albano Carrisi
Nga Enrik Mehmeti

Pas një varg aktivitetesh dhe takimesh, buzëmbrëmjen ia rezervoi një rrëfimi të gjatë në "News 24", në studion e Vlorës. Këngëtari Albano Carrizi rrëfeu të gjithë fijet që e lidhin me këtë vend, që kur ai nuk kishte lindur ende dhe emri tashmë ishte zgjedhur për të, një emër në nder të Shqipërisë, më tej rrëfimet e të atit, kujtimet dhe imazhi që Al Bano kishte krijuar për këtë vend ku babai i tij kishte ardhur të luftonte në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Al Bano ka rrëfyer për vizitën e tij të parë në Shqipëri, në kohën kur ende sundonte sistemi diktatorial, koncerti i parë në Shqipëri pak vite më vonë, dhe kjo vizitë tani për promovimin e librit "Albano dhe Albania" të autores Zenepe Luka…

Cila ishte arsyeja e kësaj vizite në Shqipëri?

Arsyeja ishte promovimi i librit "Albano dhe Albania", shkruar nga mikesha ime Zenepe Luka. Ia dedikova Ditën e Punëtorëve për të prezantuar librin e saj. Por ka dhe një arsye tjetër që më shtyn gjithmonë. Unë e dua shumë këtë tokë.

Çfarë do të thotë Shqipëria për ju?

Ma kanë bërë shumë herë këtë pyetje dhe do të mund të jepja edhe 200 argumente për ta shpjeguar. Mund të flasim për orë të tëra mbi këtë çështje. Shqipëria për mua do të thotë fëmijëri. E gjithë fëmijëria ime është e mbushur me rrëfimet e tim eti për këtë vend. Argumenti ishte gjithnjë Shqipëria. Ai ka bërë një luftë në Shqipëri. Por pa vrarë askënd. Është dashuruar aq shumë me këtë tokë, sa kur ime më ngeli shtatzënë me mua, i tha nëse lind djalë, ai do të jetë fati ynë dhe do t'i vendosësh emrin Albano për nder të Shqipërisë.

E kujtoni koncertin tuaj të parë në Shqipëri?

Nuk mund ta harroj kurrë atë datë historike të 1989, ku këndova për herë të parë në Pallatin e Kongreseve dhe një ditë më pas në stadiumin e Tiranës. Ishte një portë e hapur e demokracisë, ka qenë një moment i madh.

Ju jeni i vetmi këngëtar i huaj që erdhi në Shqipëri ende po u rrëzuar sistemi i komunizmit. Si ju duk Shqipëria e asaj kohe?

Ka qenë një Shqipëri me një drejtim, ku duhej të ndiqje me forcë atë ideologji, një Shqipëri e varfër, mbaj mend disa dhi që shihja nëpër male, gomerët që shikoja në rrugë, mbaj mend kamionët të markës kineze, plot me njerëz, shtëpitë prej guri, vera e mirë... të gjitha këto më kujtonin një vend në jug të Italisë shumë vite më parë. Sot Shqipëria ka ndryshuar, shikon drejt Perëndimit. Më kujtohet një takim në Boston, ku të gjithë ata që ishin atje më thoshin; "ju jeni Al Bano", dhe na thanë se ishin shqiptarë. Atëherë e kuptova që Shqipëria u projektua atje ku duhej. Shikoj sot një Shqipëri që rritet. Kjo më gëzon.

Më flisni pak për vizitën tuaj të parë në Shqipëri. Ka qenë disa vite para koncertit tuaj të parë këtu...

Ka qenë në vitin 1985, im atë më kërkoi ta sillja në Shqipëri. Në atë periudhë Shqipëria ishte e mbyllur dhe bëheshin vetëm vizita me grupe 25-30 veta. Atëherë Romina Power ishte shtatzënë dhe ishte i vetmi moment i lirë që gjeta. I kërkova ambasadorit italian dhe më dha mundësinë që të vinim. Ajo ka qenë vizita ime e parë. Erdha me mamanë dhe babanë.
 
Sigurisht, babai juaj mbante mend Shqipërinë e viteve '40. Si e përshkruante ai atë?

Ai më ka treguar shumë për Shqipërinë, si kishte jetuar këtu, si ishte populli shqiptar. Edhe pse kishte ardhur i dërguar në luftë, la pushkën mënjanë dhe u bë aktor, recitoi pjesë nga "I sëmuri imagjinar". Ai nuk kishte ardhur në Shqipëri për të bërë luftë. Ai u dashurua me këtë vend dhe më ka folur gjithnjë pozitivisht. Kohët e atëhershme ishin vite të errëta dhe për Italinë. Sapo kishte përfunduar lufta dhe ai u kthye pas katër vjet luftë, i internuar në Itali. Kishte jetuar një periudhë të errët, me uri dhe shumë vuajtje, por fliste me optimizëm dhe kishte nostalgji të madhe për Shqipërinë. Kur e solla në '85 ai sapo kishte marrë një infarkt. Më kërkoi që para se të vdiste të vizitonte sërish Shqipërinë. Nga ajo vizitë përjetoi emocione pozitive dhe jetoi ditët që i kishin mbetur më mirë. Çdo vend që vizitonte i kujtonte ndonjë detaj nga ato që kishte fiksuar në kohën e luftës. Tregonte për urat që kishte parë, për luftën që zhvillohej në Përmet...

Kthehemi tek vizita e sotme. Si ju duk Shqipëria?

Kisha plot 5 vjet pa ardhur. Më duket sikur nuk e njoh më. Shoh pallate në vende të gjelbëruara. Tirana ishte një qytet i vogël, tani lindin gradaçelat si kërpudhat. Është një kantier 24 orë në 24. Progresi ka ardhur këtu dhe progresi përkthehet me mirëqenie.

Ç'mund të thoni për fansat në Shqipëri?
 
Unë këndoj prej 42 vjetësh dhe një fakt është evident. Shoh të rinj që i pëlqejnë këngët e mia. Kjo do të thotë se kënga ime nuk ka humbur në rrugën e kujtimeve.

"Felicita" është një prej këngëve tuaja më të njohura në Shqipëri. Na rrëfeni ndonjë kuriozitet për të...

Është një këngë që lindi pas viteve '70, një periudhë e vështirë në Itali, ku lindën grupe politike terroriste si të djathtës dhe të majtës ekstremiste. Nuk ka pasur paqe. Ishte një periudhë shumë e errët, e përgjakshme. Shumë këngëtarë, për të rezistuar kënduan për këta grupe politike duke mbyllur një sy. Ndërsa unë ndoqa rrugën e jashtme. Punova në të gjitha vendet e botës dhe kur qetësia erdhi në Itali, u ktheva dhe këndova "Felicita", ishte një mënyrë për të thënë se edhe kënga ka sensin e të ekzistuarit dhe bashkon njerëzit, ishte një sukses botëror.

Në takimin e sotëm grupi polifonik "Cipini" këndoi një këngë për ju. Çfarë përjetuat?

Ishte një element i bukur. I pari që më erdhi ndër mend ishte im atë. Ai i kishte parë kështu shqiptarët në 1940.

Si do të vijojë ky tur në Shqipëri?

Do të vijojë me aktivitetet e organizuara nga mikesha ime, Zenepe Luka. Është një rast më shumë për të prekur me dorë një realitet të kënaqshëm. Dhe nesër (sot në mbrëmje), do të nisem me traget.

Do të ktheheshit sërish në Shqipëri për një koncert të mundshëm?

Po të varej nga unë, do të vija që nesër.

GSh - 02/05/2008

Vlora “mbulon” me dhurata këngëtarin Al Bano Carizi

Enrik Mehmeti

VLORE - Këngëtari i talentuar italian, Al Bano Carizi është befasuar nga mikpritja vlonjate dhe bukuritë e Llogarasë e të bregdetit jonian. Ai është “mbuluar” nga dhuratat e shumta të biznesmenëve vendas, ndërsa dhjetëra vajza të një ndërmarrjeje rrobaqepësie kanë ndërprerë punën dhe e kanë “bllokuar” atë për minuta e orë të tëra për t’i rrëmbyer autografe. I ngazëllyer nga pritja e ngrohtë, Carizi ka premtuar: “Do të rikthehem përsëri në Shqipëri, ndoshta me një koncert!”. Dy ditët e vizitës së tij në vendin tonë ndërtuan një urë komunikimi artistik e shpirtëror mes këngëtarit e mikpritësve, njerëz të artit, drejtues të pushtetit lokal, qytetarëve të thjeshtë, duke krijuar një atmosferë tepër mbresë-lënëse.

MIKPRITJA

Rreth orës 9.00 të mëngjesit Al Bano është nisur nga Parku i Llogarasë, ku dhe kaloi natën me mbresat e një dite të paharruar takimesh, me të njohur e qytetarë të thjeshtë dhe me aktivitete të shumta për nder të tij. Gjatë rrugës për në Vlorë, është ndalur për të pirë një kafe në Rivierën vlonjate, në një prej lokaleve në anë të detit. “Natyrë dhe njerëz të mrekullueshëm”, - është shprehur mes të tjerave këngëtari. Ka vazhduar më pas në qytetin e Vlorës. Mikpritësit janë përkujdesur për ta njohur këngëtarin me vende e objekte të kulturës e lashtësisë, me biznesin vendas, por shpesh janë vënë në siklet. Përballë mirënjohjes e admirimit të fansave, Al Banos i është dashur ta thyejë “protokollin” e të bisedojë shpesh dhe me njerëz të thjeshtë. Në Qendrën Tregtare “Riviera” është pritur nga pronari i saj, Dritan Çela, një prej biznesmenëve të njohur në Vlorë e në gjithë Shqipërinë. Nën sfondin e këngëve të tij, të cilat ishin vendosur në Qendrën Tregtare që prej orëve të para të mëngjesit, së bashku me miqtë e tij ka pirë një kafe si dhe kanë vizituar aktivitetet tregtare që ishin në këtë Qendër. Është ndalur në njësinë “Aulona Pol” e më pas në shumë të tjera. Nuk kanë munguar dhe dhuratat nga ana e bizneseve për klientin special. Madje dhuratat e marra në Shqipëri kanë qenë aq të shumta, saqë është detyruar të blejë valixhe të mëdha për t’i transportuar. Ishte një ndalesë e këndshme dhe një befasi e papritur për këngëtarin. Çela, që është dhe një nga sponsorët kryesor të ardhjes së tij në qytetin e Vlorës, e ka shoqëruar më tej Al Banon në një prej bizneseve italiane të profilit rrobaqepësi, i cili ka më shumë se 300 punonjëse. Së bashku me pronarët bashkëkombës të biznesit, Al Bano ka vizituar pavijonet e ndryshme të rrobaqepësisë, ku papritur është rrethuar nga numri i madh i vajzave. Puna është ndërprerë gjatë, e mes bisedave këngëtari e ka pasur pothuaj të pamundur të plotësojë kërkesat e shumta për autografe.

PËRCJELLJA
 
Ishte menduar që këngëtari të largohej me avion, por ka preferuar të udhëtojë nëpërmjet detit. Ka dashur që të rrijë më gjatë me mikpritësit e tij dhe me simpatizantë, por dhe të kundrojë bukuritë mahnitëse të bregut nga deti, një bukuri që rrallëkush mund ta imagjinojë pa e provuar. Por mikpritjen vendase ai e ka “prekur” edhe në anijen e ankoruar e ku qëndroi jo pak me miqtë. Në hyrje të anijes ishin vendosur fotografi të Al Banos, ndërkohë që nga personeli e udhëtarët u përball me të njëjtën atmosferë si në tokë. Kuzhinieri i tragetit erdhi vetë për të marrë porosinë e të ftuarit special. Al Bano para porosisë për drekën me peshq, shprehu dëshirën të drekonte jashtë, dëshirë e cila iu plotësua. Pas kafes doli përsëri në pjesën e jashtme të tragetit duke vështruar Vlorën. Aty për aty improvizoi e nisi të këndojë vargje e një kënge të sapokrijuar për qytetin bregdetar. Ndërsa në momentin që ra sirena, ai përsëriti se do të vinte përsëri, ndoshta me një koncert.

GSh - 03/05/2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora