E shtune, 20.04.2024, 05:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: Urim me vargje për 8 Mars

E enjte, 07.03.2013, 09:22 PM


DRITA LUSHI

 

-Sime gjysheje, sime mëje dhe sime bije- për 8 mars

 

PËR GJYSHEN TIME

 

Gjyshja ime

në kokë mbante një shami të bardhë;

nen to,

flokët e thinjur dhe vitet  e saj.

 

Gjyshja ime fliste rrallë,

por fjalët ia desha,

si rrudhat në ballë.

 

Ia desha vitet dhe më shumë:

nëpër ta shkruar e kaluara e saj

dhe prejardhja ime e thjeshtë.

 

Gjyshja ime

nën rroba të zeza

fshihte një zemër të bardhë.

 

Kur engjëjt e morën,

në dekadën e nëntë,

asgjë nuk mori me vete:

Na i la

fjalën,

zemrën

dhe shaminë e bardhë.

 

NËNA IME

 

Kurrë s’e ngrite zërin,

nëna ime,

e kurrë s’të dëgjova të flisje,

as at’herë kur mund të bërtisje.

 

Kurrë s’dite të qortoje

e as u ankove, e urta ime,

edhe at’herë

kur jeta për ty qé dhimbje.

 

Të pakta fjalët

e zemrën të madhe,

përherë punëtore,

Ti,e paepuara ime.

 

Vitet shpejt ikin, vrapojnë,

po mua më dukesh si atëherë

kur, unë, studente,

e  ti edhe shpirtin doje

me vete të më jepje.

 

Kokën nga dritarja,

prisje

kthimin tim,

e ankthi mëmësor të përfshinte.

 

At’herë unë e ndieja,

që zemra jote  paqë

gjente,

veç kur më shihte.

 

Kushedi ç’dhimbje të patreguara

të fshehin sytë tek na sheh

te rritur, burrëruar,

kushedi ç’gëzim e brenga

psherëtin shpirti yt me vete,

fjalëpaka ime!

Jeta e vitet s’t’i kursyen

thinjat në kokë

e rrudhat në ball,

po fjalët po ato mbajte,

e forta ime.

 

Silutë e brishtë mëmësore,

me halle e vite mbi supe,

trishtimit kurre s’iu dhe,

ikonë shembullore

ti,

gjithmonë për ne.

 

Tek të shoh, ashtu të qetë,

e zhytur në mendimet e tua

të fshehta

e ndiej që dashuria jote,

veç rritet e rritet

ashtu në heshtje, në heshtje ….

 

PËR TIME BIJË

 

E bukura ime!

Je bardhësia

e ditës,

ndriçimi yjor je

në netët e errëta;

hëna e plotë,

që fton  nimfat

të dalin,

je fjalët e mia të argjendta

qendisur në zërin tënd.

 

Ari i shpirtit tim je!

 

Syri yt,

magjishëm,

më fton të përqafoj

botën;

krahët e tu yjorë,

me çojnë drejt kontinentesh

të reja;

vëshrimi yt,

më sjell vetë Afërditën pranë,

ëmbëlsia  e zërit tënd,

mbledhur  në petale

lulesh të rralla,

më ëmbëlson jetën.

 

Kur ti qesh,

flladi më sjell

gurgullimën

e zërit tënd,

që rrjedh vrullshëm

e  mbush dete jete.

Zemra ime

vlon nga dëshira

për të parë

fytyrën tënde diellore

pasqyruar në

oqeanin  blu.

 

Unë lundroj

në lumenj buzëqeshjesh,

gëzimi,

bardhësie,

shprese,

ëndrrash,

lumenj diejsh,

hëne,

yjesh...

bashkë me ty,

pafundësisht me ty...



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora