E enjte, 25.04.2024, 01:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Shefqet Sulmina

E merkure, 06.03.2013, 08:22 PM


SHEFQET SULMINA

 

JA PSE…

 

Që të flasësh me botën që të rrethon

duhet të hash dy mëngjese,

dy dreka,

dy darka.

 

Ja pse politikanet  janë të dhjamosur

në zemër,

në bark

dhe në kokë.

 

Ja pse njerëzit shndërrohen

të gjithë në politikanë

pa pasur gjë në kokë.

 

ORËT E QUMËSHTIT

 

Ti bën librin tim,unë shpërndaj këngët e tua.

Po kush të solli në këtë klimë hyjnishë?

Ç'qumësht nëne sytë t'i ka dritësuar?

Në këtë shekull ty,cili burim?

 

O bijë e Kosoves s'të mbaj dot  në duar,

Ti je kitarë që dridhesh në vehtvete,

me tela e ke trupin a me tinguj

apo e tëra je zemër dhe dete?

 

Moj eurekë e praruar magjike e çuditshme,

Ç'më bënë të ndjehem si Mujo i ri,

Të mbledh për ty lule lëndinës dhe të them

Nuk dua më qumësht,po ti lërmë të pi!,

 

Lërmë të pi oret e qumështit tënd mbi libër,

Të ngasë trenin ndërlidhës të muzikës,

Ti bënë librin tim,unë shpërndaj këngët e tua

Po kush të solli në këtë klimë hyjnishë?

 

ASHTU SIÇ  MË THE

 

Të kërkova në raftet e librave ku më fshiheshe,

brodha gjithë vjeshtën nëpër rrugica

Titujt e tyre plot  pluhur ngrinin supet.

ngrinin supet qiparisët e vjetër.

Ndërsa në treg, shiteshin këpucë për fëmijën

nëntë vjeçare me sy bojë arre të thyer.

 

Pi cigare si ty, dhe fjollat e tymit bëjnë gjeratore,

në episkaje gishtash të zverdhur.

S'është më merkata e vjetër dhe llustraxhiu

në skaj të saj ka vdekur.Njerëzit prapë

me këpucë të llustruara dhe syze të zezë.

 

Prapë komshiu i dehur, i bërtiti gruas dhe ditës së verës!

Dhe del prapë tek Nje Maji për punë i shkreti,

dhe po rritën fëmijët e tij, që ti i le të vegjël,

dhe ata po kërkojnë si babai i tyre punë.

Po rriten,ja ashtu po rriten herë me sy, e herë me punë.

 

Kur të vijë pranvera blirët do të çelin.

Po unë do të të pyesja se të ka marrë malli për kumuritë?

Do që të puthemi prapë para univesitetit duke qeshur?

Mos e lag më fustanin në ujin e Shkumbinit,

dhe mos pi cigare,

të djegësh Krastën time, dhe Kashtën e Kumtrit.

 

Ku je ti ndërsa muzgu dhe Bukaniku,

shkundin çibukun e dimrit në ulluqe.

Nesër është e djelë dhe pranverë me ditë të gjatë

Për mimozat dhe festen e gruas.

Unë kam mimoza në duar.

 

Ti do të dalësh në krye të rrugicës?

Nuk do të të leh më si qen si dikur dhe sigurisht,

nuk do të bëhem lepur që ty s'të pelqen,

as gjel  deti që ti të ma presësh kokën për dimër.

Unë kam mimoza në duar.

 

Unë e ndërtova shtëpinë, që ti më flisje dikur

me dritare të gjëra dhe ballkone të mëdhenj.

Vura tavolinë,dy karrige,filxhanet e kafesë dhe kafenë,

ose portokalla të shtrydhur...

Njësoj sikur dhe ti, të ishe me praninë tënde të arsyshme.

 

Ja ashtu e bëra, siç më the ti ç'do ditë e nga një gurë,

dhe mbolla lule ashtu siç më the ti ç'do ditë një lule

dhe i ujis ashtu siç më the ti ç'do ditë në mbrëmje.

Bëra vresht me rrush për verë,sikurse ti e di,për ne.

dhe vura pëllumba të bardhë,siç më the,për paqe.

 

Dhe në portën e jashtme vura butonin e zilës,

ashtu siç më the ti në lartësinë që duhet,

shkrova emrin tënd dhe siç më the ti,edhe timin,

pastaj stampova numërin,po derën prapë e lë hapur,

nga padurimi se ti vërtetë mund të vish siç më the,

a ndoshta nga frika, se ti do humbësh duke ardhur.

 

PO PSE KAQ VONË?

 

Po pse kaq vonë kur e dije që të prisja!

Në pyll dhe e fundit gjethe u shkund!

Këtu në qytet trafiku shkoi në tiltë,

Dhe thonë se zmogu do të bëhet më i butë.

 

Kështu thonë gjithmonë ata që venë semaphore,

dhe ne që i thyejmë përditë,ne të gjorët.

Po ti duhej të kishe ardhur më shpejtë,

të më shpjegoje karnevalet dhe orët.

 

Prapë dhe pse shkoi vonë, bëre mirë që erdhe.

siç e pe, më gjete prapë duke të pritur

Dhe nëse shkon se prapë të bëhet vonë

Unë vonë do të të shoh se më ke ikur.

 

Kështu ndodh gjithmonë kur ka semaforë,

dhe ne që i thyejmë përditë,në të gjorët.

Po ti bën mire, që në mua vjen e shkon,

Në tiltë trafiku për karnevalet dhe orët.

 

GRUAJA, UNË

 

Gruaja nuk shkoi në punë,

i qe këputur një kopsë e fustanit,

sapo ia qepa një kopsë.

Tani po gatuan për darke.

Janë gjëra të përditshme që ndodhin,

Një djalë dhe një vajzë.

 

Unë nuk luaj me floket e tu.

Të puthesh, nuk është lojë dhe luftë.

Dhe nëse je fshehur, prapë je e bukur.

Vetem se sytë e tu kan shkuar diku më larg,

më larg nga deti ku mund të jem mbytur,

akoma më larg.

 

Më larg ngase dikush, që të ka bër kështu si flutur,

sa për të më bërë mua të marrë.

Tani dhe unë po shkoj, po s'di se ku të vete

Se ti, kështu e bukur si një flutur

ke shkuar diku më larg.

 

PUPACI, TI DHE UNË

 

Tani është vonë dhe ti kujton se tallesh me mua.

Nuk e di se ai njeri me kapotën time që rri strukur,

është thjeshtë një pupac bore, që e bëra enkas.

Dhe enkas i vura lule në duar,që ty të të vijë keq

për mua që jam jashtë, e për ty po vuaj.

 

E di që tani tallesh, dhe mendon se ma hodhe mua,

pa ditur asgjë për pupacin me xhaketën time veshur.

Unë tejet i lumtur që ti qesh ashtu kot fare,

mbarova kupën e verës duke qeshur e menduar,

që ti loz me mua dhe me zeron e hënës e gëzuar.

 

MOS BËJ TE QAJNË  DHE FËMIJËT

 

Nëse shkoj nga kjo botë

dhe nga sytë e tu të mëdhenj e të bukur,

plot me yje dhe reshje shirash,

të hapur në dritë e në erë,

ti nuk do të shndërrohesh një flutur nën hije,

një guackë e vetmuar në breg

përflakur nga deti dhe dallget e tij...

 

Lumin tënd ta uroj të gjallë,

për shumë gjëra që ti i di,

për shumë të tjera që do ti jetosh me fëmijët

për shumë të tjera që do ti duash,

e për shumë të tjera që do t'i thonë prapë fëmijët.

Do jenë sërish krahpërkrah lumenjtë tanë.

Se të vjen ta mendosh mos ma thuaj,

se jo,mos qaj e dashur,

të bësh të qajnë dhe fëmijët.

 

ZËRI I TYRE

 

-fëmijëve të mi-

 

Tani është larg zëri i tyre,

endrra e tyre,

rrugicat e tyre,

zemra e tyre,

lodrat e tyre.

Era fishkëllen e trishtë

midis palmave.

Në oborr,

janë zhdukur mëllenjat...

Qyteti duket bosh,

bosh shtepia ime,

dhoma ime,

shtretërit  e tyre ngjajnë

me një mal

vellëzuar me akull.

Kushedi

sa e sa ditë do tu duhen?

Sa e sa gjëra për tu kujtuar?

Sa e sa lule për të mbjellë?

Sa e sa ujë për të notuar?

Për të rimarrë sytë e mi

nga kjo mungesë e gjatë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora