E shtune, 20.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: 7 Marsi - Dita e Mësuesit

E merkure, 06.03.2013, 08:58 PM


7 MARSI - DITA E  MËSUESIT

-RRUGA E SHKOLLËS SHQIPE  NËPËR KOHË DREJT DRITËS-

(Fragment nga romani në dorëshkrim... “Dritë dhe shpresë”, roman doracak nga jeta shkollore)

Nga Ejup Ceraja

Sapo zunë vend të gjithë të ftuarit, fjalën e mori Arta Shkabaj udhëheqëse e grupit letrar, e cila për fillim iu drejtua të pranishmëve:

- Të dashur arsimtarë dhe arsimtare, prindër të nderuar dhe ju të pranishëm të tjerë. Është kënaqësi e posaçme për mua  që, në emër të grupit letrar të shkollës sonë, që e mban emrin e poetit tonë të shquar, lirikut të mirëfilltë Lasgush Pogradecit t’ju drejtohem, në radhë të parë, juve të dashur arsimtarë e arsimtare me rastin e 7 Marsit – Ditës suaj dhe ditës sonë gjithandej trojeve tona etnike, por edhe atyre në mërgatë. T’jua uroj një gëzuar të madhe e të ligjshme  nga zemra, për punën tuaj të palodhshme në arsimimin dhe në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpër dekada e shekuj.

Më lejoni, që më këtë rast, ta jepi një historik të shkurtër të arsimit shqiptar. Fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare sollën përpjekjet më të plota e më serioze për shkollën shqipe dhe për arsimimin tonë kombëtar. Arsimim  që dalëngadalë po ngrihej mbi truallin e fortë e shumë të lashtë në tërë morfologjinë e gjeografisë së trojeve tona etnike..., siç na ka thënë arsimtari i Gjuhës shqipe dhe letërsisë në orën kushtuar kësaj date të rëndësishme. Me ngritje e rënie deri në pjesën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kështu, kërkesat e qarta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për arsimimin e popullit tonë në gjuhën e vet amtare, i paraprinë këtij qëllimi. Dhe, pikërisht, më 7 Mars të vitit 1887 u rihap në Korçë shkolla shqipe laike me tekste e mësues në gjuhën shqipe. Pse thash “u rihap”? Sepse, siç e theksova më lart, arsimimi e shkollimi në trojet shqiptare, kishte kaluar shekuj e shekuj me ngritje e rënie, me rihapje e ri mbyllje... Por, nga 7 Marsi i 1887-tës, arsimi shqip do të vazhdojë në vijimësi deri në ditët tona...

Për këtë dritë të diturisë të popullit tonë nëpër dekada e shekuj, një mori prej atyre, që u bënë pishtarët e dritës, e flijuan edhe jetën e vet dikush në të ri, dikush në pjekuri e dikush edhe në pleqëri. Ju, së bashku me ata, u bëtë flakadan të pashuar në zhdukjen e errësirës shekullore nga mendjet, shpirtrat dhe zemrat tona. Errësirë që ishte shtresuar, në qenien tonë biologjike, si fletët e drurëve gjetherënës vit pas viti e dekadë pas dekade. Nëse rrugët e mësuesve kudo në botë qenë dhe mbetën të shtruara me lule të bukura e me kurora shumëngjyrëshe, rrugët tuaja, mësues tonë të nderuar, qenë kudo e kurdoherë të shtruara me thera gjemborë, me shkurre, me pengesa e me ndërskamca  në çdo hap tuajin deri në shpalljen e pavarësisë të Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 e këndej. Ndërsa në këtë pjesë të atdheut u deshtë të pritet viti i kthesës së madhe 1999 e këndej, kur u çlirua edhe kjo hise e atdheut... "Por Ju s’u dorëzuat,/ por Ju nuk u ndalët/ në këtë rrugë të madhe/ ju prinë idealet...” – siç shprehet një shoqja jonë në një vjershë kushtuar Juve dhe kësaj date historike për arsimin dhe shkollën tonë. E cila mëton që një ditë edhe të bëhet poete. Pra, për këto ideale kaq të larta e flijoi jetën e vet edhe mësuesi i dikurshëm i nderuari Dhaskal Todri, duke i sjellë germat e derdhura në bronz nga Allamania e largët mike që me to të shkruhej gjuha jonë e bukur shqipe. Ai, atëherë, ra viktimë e intrigave dhe dredhive të fanarit e të kishës ortodokse greke. Rënia e të cilit ishte bekuar edhe nga njeriu numër një i perëndisë i shenjti Nestor... Me të vetmin qëllim që të ndalohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe dhe të pengohej me çdo kusht arsimi në gjuhën tonë të bukur. T’i përmendim, me këtë rast, edhe ca  martirë të shkollës sonë shqipe si Naum Veqilharxhi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuq, Shtjefën Gjeqovi, Avni Rrustemi, Haki Taha, Fazli Greiçevci, Shaban Jashari (veteran i arsimit i orëve të para pas Luftës së Dytë Botërore në rrethin e Skenderajt), Metush Krasniqi, Haki Pavataj, Fehmi Agani, Mustafë Shyti, Latif Berisha, Enver Haliti, Halit Geci, Qamil Ilazi, Tefik Raka, Mejdi Dalloshi e  qindra e qindra të tjerë. Ca prej tyre të helmuar, ca të tjerë të vrarë në beteja ballë për ballë e dhëmbë për dhëmbë me pushtues të ndryshëm, e ca në pusi e në pabesi. Po të gjithë të flijuar për të njëjtin qëllim dhe ideal.

Duke u përulur përpara idealeve të tyre madhore, përpara flijimit të tyre në altarin e lirisë për çlirimin e  kësaj hiseje të atdheut, në një anë dhe duke çmuar e vlerësuar punën madhore dhe flijimet tuaja sublime për arsimin kombëtar që vetëm fati dhe Krijuesi ju lanë në jetë që ta vazhdoni misionin tuaj fisnik, në anën tjetër - ju urojmë nga zemra gëzuar Festën Tuaj 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Njëherë shfrytëzojmë rastin mësuese e arsimtare të nderuara t’jua urojmë edhe 8 Marsin – Ditën e nënave, që është në prag...

Krijimet e tyre nxënësit, për këtë orë letrare, do t’i deklamojnë sipas programit që e keni marrë së bashku me ftesën. Për fillim, meqë jam përpara mikrofonit, e ftoj Mirgjinë Shkabajn, që, për Ditën Tuaj e tonën arsimtarë e arsimtare dhe për ju prindër të nderuar, ta recitojë vjershën e vet kushtuar kësaj date të shënuar.

 

RRUGA DREJT DRITËS

(Pishtarëve të arsimit shqip nëpër shekuj)

 

Rruga juaj e gjatë

Mësues tanë të nderuar

Asnjëherë me lule

Nuk qe e shtruar.

Në rrugën Tuaj të gjatë

Të tërë shtresa-shtresa

Ju vunë shumë barrikada

Ju vunë shumë pengesa.

Por Ju s’u dorëzuat

Por Ju nuk u ndalët

Në këtë rrugë të madhe

Ju prinin idealet.

Të gjithë pishtarët e arsimit

Në këtë ideal u rreshtuan

Një mori prej tyre

Jetën me e nder e flijuan.

Ata nëpër shekuj

Jetën e kishin në zgrip

Me gjokset në tyta

E kultivonin mësimin shqip.

Përpjekjet e Rilindësve  tanë

Si tallazet nëpër det

Me 7 Mars të vitit 1887

U bënë këndshëm realitet.

Kurrë për Ju mësues

Nderimi nuk ka pushuar,

Andaj Ju urojmë nga zemra:

Gëzuar! Gëzuar! Gëzuar!...

.  .  .



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora