E premte, 19.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Ajgeraj: Komuniteti shqiptar, pjesërisht i integruar në shoqërinë zvicerane

E hene, 05.05.2008, 06:01 PM


Gëzim Ajgeraj
Komuniteti shqiptar, pjesërisht i integruar në shoqërinë zvicerane

Dritat dhe hijet e komunitetit shqiptar në Zvicër

“Aty ku e bën hapin e parë, fillojnë rrugët e jetës”. Është kjo fjalë e Kadri Rushitit (tani pensionist). Fjalë e cila na kthen mbrapa në vitin 1964 për ta kujtuar zbritjen e parë në tokën e Zvicrës, nga treni i cili vinte nga Ballkani. Ndërsa Fatmir Shabanaj, student në Universitetin e St. Gallenit, thotë: “sot në Zvicër nuk ka universitet ku nuk gjen student shqiptar, kjo flet më së miri për orientimet e një pjese bukur të mirë të komunitetit shqiptar në rrugët e zgjedhura të integrimit”

Nga Gëzim Ajgeraj

“Kanë ikur shumë vite nga koha kur kam shkelur për herë të parë në tokën e Zvicrës, por unë e kujtoj me nostalgji atë kohë. Isha shumë i ri dhe ishte gjithçka e re për mua”, evokon Kadri Rushiti, i ardhur në Zvicër si punëtor krahu në vitin 1964. Ai i takon grupit të parë të shqiptarëve që në atë kohë kishin filluar të vinin në regjionin e Werdenbergut. “Kisha ardhur nga një mes me kulturë tjetër, me tradita dhe zakone krejt tjera, në mesin e një kulture dhe populli për të cilin deri atëherë nuk kisha njohuri fare për kulturën, gjuhën, traditën etj. Falë kulturës tolerancës, mikpritjes, afërsisë së njerëzve dhe interesimit të tyre për të huajt, si i ri që isha, arrita shumë shpejtë të adaptohem me rrethin, njerëzit, kulturën dhe traditën. Këtu ka ndikuar shumë edhe një element shumë i veçantë i popullit zviceran; gatishmëria e tyre për tu ndihmuar të tjerëve, në veçanti neve të posaardhurve që kishim shumë nevojë për ndihmë. Unë u jam mirënjohës njerëzve të asaj kohe dhe të gjitha kohërave për këto 40 vite që jam këtu dhe kurrë nuk i harroj. Ishte ajo kohë kur kisha nevojë më së tepërmi për ndihmën e tyre dhe këtë e gjeta këtu në Zvicër. Kanë kaluar shumë vite dhe tani më jam plotësisht i integruar në zhvillimet dhe jetën e përgjithshme të popullit dhe shtetit zviceran”. Këso shembujsh si i Kadri Rushitit kemi shumë, sepse vitet që pasuan sollën mijëra e mijëra shqiptarë nga Ballkani.

- Koha kalonte e numri i shqiptarëve në Zvicër rritej

Duke udhëtuar bashkë me vitet, në vitin 1969 në regjionin e Werdebergut e gjejmë Sait Qerkezin. “Ishim pak shqiptarë në atë kohë. Kishte një gjeneratë që kishte ardhur disa vite më parë. Në rrethin e Buchsit i njihja nja tridhjetë shqiptarë, por kohën më të madhe e kalonim me vendës. Nga vendësit jemi pritur shumë mirë dhe na kanë respektuar shumë. Shumicën e kohës e investonim në punë, pastaj kohën e lirë në restorante etj. Pra në këtë kohë kishim krijuar më shumë shokë zviceranë dhe thuajse nuk e ndjenim fare se jemi në mesin e një populli tjetër, përkundrazi dallime nuk ke mundur të hetosh kurrë. Me një fjalë, ne ishim të integruar që në fillim në shoqërinë vendëse. Gjithmonë duke udhëtuar nëpër vite, përkatësisht dhjetë vite më vonë, në vitin 1979 e gjejmë Sali Aliaj-n. Edhe pse numri i shqiptarëve vazhdimisht rritej, prapë se prapë, nuk ishte ndonjë numër i madh i të ardhurve. Ne na intereson të dimë më shumë se çfarë ishte pritja që ua bënin atëbotë vendësit të huajve dhe raportet mes komuniteteve. “Jemi pritur shumë mirë nga popullata vendëse, shton bashkëbiseduesi ynë. Tani më kanë ikur shumë vite nga ajo kohë dhe dy nga katër fëmijët e mi, janë të lindur në Zvicër, ndërsa të katër kanë filluar qysh në kopshtin e fëmijëve, shkollimin këtu. Njëra nga vajzat është duke e bërë praktikën profesionale në bankën kantonale. Çfarë tu them për integrimin, mendoj se këto fakte që i thashë, flasin më së miri për integrimin tonë në Zvicër”.

Engjëll Domgjoni i ardhur në vitin 1987, baba i tre fëmijëve, thotë; Më herët ka qenë më mirë dhe ka pasur më tepër interesim për ne, tashti fuqi punëtore ka mjaft dhe konkurrenca e tregut e bën të vetën. Por dua të shtoj se me punë arrihen të gjitha, duke shtuar kësaj edhe sjelljet e mira në shoqëri, rreth e gjetiu. Fëmijët e mi janë të integruar thuaj se plotësisht, duke e pasur parasysh komunikimin e tyre ë shkollë, në lagjen ku jetoj etj, sepse ata gjatë gjithë kohës luajnë dhe mësojnë së bashku me fëmijët e familjeve vendëse. Mendoj që fëmijët t`i shkolloj këtu, sepse e ardhmja e tyre dhe e gjeneratës së re varet shumë nga kualiteti, përgatitja dhe shkollimi i tyre”.

- Në fillim: pritja ishte e mirë por shqiptarët bënin vetëm punë të rënda

Hulumtimit tonë për ta argumentuar ardhjen e shqiptarëve në Zvicër dhe rrugët e integrimit në shoqërinë vendëse, për mes rrëfimeve në vetën e parë të shqiptarëve, i shtojmë rrëfimin e zonjës Sadete Krasniqi. Për herë të parë këtu në Buchs kam ardhur në vitin 1979 së bashku me burrin tim i cili kishte ardhur shtatë vite më herët, si punëtor sezonal. Ardhja jonë në këtë vend dhe pranimi i popullatës vendore për ne të huajt ishte mjaft i ngrohtë, të paktën e kishim më lehtë ato fillime për tu adaptuar me rrethin ku kishim vendosur të vazhdonim jetën e re. Fillimisht punoja punë shtëpie, sepse fëmijët i kisha ende të vegjël dhe kërkonin përkujdesje. Në vitin 1988 kamë mbaruar kursin për përkthyese dhe kam punuar rreth dhjetë vite në këtë profesion. Gjatë kësaj kohe pune dhe aktiviteti, edhe sukseset tona për tu integruar në shoqërinë e re, nuk kanë munguar dhe njëkohësisht i kam rritur dhe shkolluar edhe dy djemtë e mi; Blerimin dhe Burimin. Gjatë kësaj kohe Blerimi ka mbaruar shkollën e lartë, drejtimin e kimisë dhe tani ai është shef i repartit në firmën Bioforce, deri sa Burimi merret me përkthime për institucionet zvicerane, njëkohësisht është edhe mediator interkulturor në Mintegra. Me këtë dua të them se dy djemtë e mi, janë të integruar plotësisht në shoqërinë vendëse dhe ata sot janë edhe shtetas të Zvicrës. Përderisa ne, gjenerata e parë është dashur shumë më tepër të punojmë për tu integruar në shoqërinë zvicerane, brezi i dytë mund të them me plotë gojën, është integruar plotësisht dhe pa kurrfarë vështirësie. Pra, përveç sukseseve në këtë rast personal, konstatojmë se hapat dhe sukseset e këtilla të të huajve këtu, janë shumë me levërdi edhe për shoqërinë vendëse, sepse ky potencial njerëzor e intelektual, pa tjetër do ti sjellë levërdi edhe shtetit zviceran.

- Tash: nuk ka universitet zviceran ku nuk gjen shqiptarë

Kur jemi tek gjenerata e re, duhet të citojmë fjalët e Fatmir Shabanaj-t, student në Universitetin e St. Gallenit, i cili thotë: “me dëshirë, vullnet dhe punë, arrihen të gjitha. Kur jemi këtu, duhet të shtojmë dhe këtë, se sot në Zvicër nuk ka universitet ku nuk gjen student shqiptar, kjo flet më së miri për orientimet e një pjese bukur të mirë të komunitetit shqiptar në rrugët e zgjedhura të integrimit”.
Duhet të kthehemi edhe njëherë mbrapa për ta rezymuar më qartë ardhjen e komunitetit shqiptarë dhe qëndrimin e tyre me dekada në Zvicër. Për derisa gjenerata e parë, në veçanti ajo para viteve të 80-ta, kishte migruar më tepër për arsye ekonomike, pas këtyre viteve kemi edhe të migruar politik, kjo statistikë e kësaj përqindje rritet në veçanti pas viteve të 90-99, për shkak të konflikteve që ndodhën në Ballkan. Një pjesë shumë e madhe e këtyre të migruarve, tani më është kthyer në atdheun e tyre sepse edhe atje, situata politike ka hyrë në rrugët e stabilitetit. Duhet ta themi dhe këtë, përderisa gjenerata e parë ishte kryesisht klasë punëtore, gjenerata dytë e tretë e kështu me radhë, me përgatitjet dhe njohuritë që po i marrin nëpër shkollat dhe firmat zvicerane, kanë filluar të integrohen në sferat më të gjera të shoqërisë vendore. Rrjedhat e përgjithshme të integrimeve evropiane që po vijnë, komunitetin shqiptar do ta gjejnë shumë më të integruar dhe më të avancuar në shoqërinë vendore. Edhe sot ky komunitet paraqet një potencial të fuqishëm për tregun vendor të punës nga i cili pa tjetër se do të ketë levërdi edhe vetë shteti i Zvicrës.

Një pasqyrë e vogël për njohjen e komunitetit shqiptar në Zvicër

Mundësia e prezantimit të komuniteteve të ndryshme, në gazetën e Werdenberg-ut, përbën një rreze drite prej nga popullata vendëse, ka mundësi më të zgjeruar të njohë komunitetet e huaja që bashkëjetojnë këtu në Werdenberg. Falë projektit të Mintegra-s dhe financimit nga institucionet vendore, ky projekt shënon një hap shumë pozitiv që duhet mbështetur, në mënyrë që mundësitë për njohje mes komuniteteve të të huajve dhe atij vendës të zgjerohen, ky zgjerim kjo hapje e mundësive ndërkomunikuese, pa tjetër sjellë edhe rezultate pozitive.
(Artikulli, në gjuhën gjermane, është botuar në gazetën e përditshme zvicerane “Werdenberg”)
Legj.1. Në fillim, shqiptarët në Zvicër çmoheshin si punëtorë të zellshëm në ndërtimtari
Legj. 2. Studentë shqiptarë në Zvicër sot
Legj. Aktivitet i përbashkët zvicerano-shqiptar



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora