E premte, 19.04.2024, 06:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Patricia Lidia: Atdhetarizmi i Rashit Gashit

E hene, 04.03.2013, 07:15 PM


Të tjerët për ne

ATDHETARIZMI I ZJARRTË I RASHIT GASHIT

(Patriotismul înfl?c?rat al poetului Rashit Gashi)

Kosova vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve.

Nga Patricia Lidia

Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull atdhetarizmi të zjarrtë e të pakufishëm. Kjo ndjenjë sublime shpërthen sidomos në momente pengesash, kur atdheu dhe populli i një vendi përjetojnë padrejtësitë dhe skllavërinë e huaj. Sentimenti don të thotë dashuri ndaj atdheut, ndaj vendlindjes, ndaj prindërve, heronjve, gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave të një kombi. Vargjet e poetit janë një kushtrim vetëdijësimi dhe klithje revolte kundër pushtuesit. Ato përbëjnë polemika të ashpra kundër okupatorit, por edhe shprehje të ëmbla lirike ku shpërthen entuziazmi dhe solidariteti shqiptar e ndërkombëtar ndaj intervenimit të NATO-s kundër terrorizmit serb në kohën e ish Jugosllavisë.

Poezi tjera u dedikohen fëmijërisë, brigjeve të vendlindjes, dashurive të shkuara, prindërve. Stili i poetit është direkt dhe i thjeshtë, nga zemra në zemër, herë-herë i ashpër. Sintagmat e krijuara duken të skulptuara në bazalt. Figurat stilistike janë të rralla dhe u paraprijnë mesazhit të poezive patriotike dhe humaniste. Diskursi rrëfimtar sjell dëshmi për kalvarin nëpër të cilin ka kaluar vendi i tij. Poezia e Rashit Gashit konstituon një shembull dashurie të pakufsihme për Kosovën natale. Jo për natalitet e kemi fjalën, por për vendlindjen si burim frymëzimi.

Poetika patriotike është art i kompromisit dhe mirëkuptimit. Rashit Gashi nuk është poet i parë shqiptar për të cilin kam shkruar me admirim. Pa marrë parasysh prezencën apo mungesën e metaforave, e çmoj tejmase lirikën e tij sepse shkruan me zërin e zemrës për subjekte përvëlimtare, siç janë lufta, dëshmorët e kombit, mashtrimi, tradhëtia, vëllau i vrarë etj. Në shumicën e poezive dhe vargjeve defilon bota shqiptare. Poeti shfaq shpirtin e ndjenjës së bukur dhe të brishtë të jetës njerëzore. Kështu shprehet Halil Haxhosaj nga Kosova për Ali Berishën, dhe një konsideratë  e këtillë kritike, vlen edhe për autorin e dashurisë së pakufishme ndaj vendlindjes, familjes dhe atdheut. Përmes vargjeve të tij, poeti demaskon krimet e luftës dhe shpreh respekt ndaj patriotizmit të popullit shqiptar. Është një poezi okazionale (e rastit), dedikuar disa momenteve kruciale dhe konkrete të kësaj lufte.

Një shembull përfytyrimesh të qarta na e jep edhe në poezinë Kanë mugulluar rezet e Lirisë, dedikuar Deklaratës Konstitucionale të 2 korrikut për çlirimin e Kosovës dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990. Në vargjet e saj defilon Kosova me shpirtin e saj, durimi e mençuria, aspiratat për paqë e demokraci, guri themeltar i historisë, rezet e diellit që dëbojnë retë, besën e lidhur të burrave, grave dhe fëmijëve të cilët përfaqësojnë stërnipat e Skënderbeut që militojnë për çlirimin e Atdheut. Rashit Gashin ndoshta nuk e njohin sa duhet sivëllezërit e tij, sepse nuk ka patur kohë për të botuar dhjetra vëllime vlerash reale, por neve na duket si një zë i veçantë i lirikës patriotike në Kosovë. Kosova e tij vjen në gjuhën rumune me kristale të çmuara që sjellin më shumë dritë në shpirtin dhe jetën e njerëzve.

Rashit Gashi u lind më 11 korrik 1933 në Arllat të Drenicës (Republika e Kosovës). Pas liceut kreu Fakultetin e Shkencave Natyrore (Katedra e Gjeografisë). Veproi si professor në disa lokalitete, ndërkohë duke ushtruar edhe funksionin e zëvendës/drejtorit, kurse më vonë edhe të drejtorit në Han të Elezit dhe Drenas. Vëllimet e vargjeve Rrugët e shtegtimit dhe Mall i pashuar e kanë parë dritën e botimit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012), ndërsa vëllimi i tij Shtigjet e mërgimit, e pa dritën e botimit edhe në gjuhën rumune (Drumurile exilului, Amanda Edit, Bukuresht, 2013). I vetëdijshëm për faktin se shqiptarët dhe rumunët kanë stërgjyshër të përbashkët, poeti e zgjodhi për rikëndim Baki Ymerin, që tashmë, në sajë të kontributeve të panumërta në këtë fushë, e kosniderojmë si ambassador i kulturës kosovare në veri të Danubit.

 

Rashit Gashi me nipin e tij - Armori
Rashit Gashi me nipin e tij - Armori


(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora