E enjte, 28.03.2024, 10:16 PM (GMT)

Editorial

Peter R. Prifti: Libri i prof. Nasho Jorgaqit per jeten e Fan Nolit

E hene, 05.05.2008, 07:54 PM


Komentar    

 

                   LIBRI  I  PROF.  NASHO  JORGAQIT  PER

                                  JETEN  E  FAN  NOLIT

                                                         

Nga Peter R. Prifti

 

Fan Noli
Etja e shqiptarëve për tu njohur me figurën e Nolit është e jashtezakonshme, e rrallë dhe kuptimplotë. Për këtë gjë, unë mund të flas nga përvoja ime personale. Herë pas here, takoj bashkatdhetarë të cilët, duke ditur se unë u njoha nga afër me Nolin kur banoja në Boston, më luten t’u flas për kujtimet e mia për Nolin. Duan të dinë çdo gjë që mbaj mend nga takimet dhe bisedat me Nolin.

 

Por njohuritë e mia janë si dy pika uji, në krahasim me detin e njohurive që na jep Prof. Nasho Jorgaqi në librin e tij dy-vëllimesh, Jeta e Fan S. Nolit. Ne habitemi me të dhënat gati të panumërta, që ai i jep lexuesit për të gjitha fazat e jetës së gjatë të Nolit, që nga lindja në Ibrik-Tepe, afër Stambollit, e deri te dita që mbylli sytë në Florida, USA. – punë kjo që mund të bëhej vetëm nga një shkrimtar, që e shihte përpilimin e biografisë së Nolit si një detyrë të lartë kombëtare dhe personale, madje, gati si një mision të shenjtë. Ai i jep lexuesit njohuri për ngjarjet e mëdha dhe kthesat vendimtare në jetën e tij, por edhe për ato nga më të voglat, vjelur nga jeta e përditshme e Nolit, deri dhe sa gota ujë pinte në mëngjes dhe llojin e çajit pë përdorte.

            Për figurën e Nolit janë botuar studime, kujtime, libra dhe punime të çdo lloji, para dhe pas vdekjes së tij. Prandaj, është brenda logjikës që shqiptarët anembanë të dinë shumë gjëra për Nolin. E megjithatë, guxojmë të themi se dijenia e tyre është e kufizuar dhe e zbehtë, kur është fjala për njohjen e detajeve nga jeta poliedrike e Nolit. Sa nga neve, p.sh. dimë se Noli i ri punoi në një ëmbëltore në Stamboll, ndërsa në Athinë, nga nevoja për të bërë rrojtjen, iu desh të punonte si karrocier, si kopist për një dramaturg, dhe si sufler për një shoqatë teatrale? Sa nga neve dimë se Noli hartoi dramën e parë Zgjimi në greqisht, tema e së cilës ishte zgjimi i shqiptarëve, dhe se ai shkroi vjershën e tij të fundit “Vdekja e Sulltanit”, pesë muaj para se të vdiste? Sa nga neve dimë se Noli ishte i pari shqiptar në botë që fitoi diplomën “Doktor i Filozofisë” në lëmin e shkencave humane nga Universiteti i Bostonit më 1945? Biografia e Fan S. Nolit vlon me qindra fakte interesante si këta, që dëshmojnë jo vetëm për kujdesin dhe punën e madhe kërkimore të autorit, por që shërbejnë edhe si një stoli apo dekor pët ta bërë veprën më të afërt, më tërheqëse, më të bukur.

            Po të pyesnim se çfarë e tërhoqi N. Jorgaqin të shkruante librin enciklopedik për Nolin, do të mësonim se atë e tërhoqi jo vetëm aktiviteti dhe krijimtaria e shumëanshme e Nolit, por edhe vetë jeta e tij e ndërlikuar, me të përpjetat dhe tatëpjetat, me dritat dhe hijet. E tërhoqi, siç thotë vetë, jeta private e Nolit, “karakteri, temperamenti, bota e tij mendore dhe shpirtërore”.

 

Në rrugën e shqiptarizmit

           

Prof. Jorgaqi na jep të mësojmë se rruga e gjatë e shqiptarizmit të Nolit filloi që në Ibrik-Tepe (emri turqisht për Qytezë), e që andej vazhdoi në Adrianopojë të Turqisë, në Athinë, në Misir (Egjipt), në Amerikë, në Shqipëri dhe në vende të tjerë të Evropës. Ishin njerëzit e familjes dhe rrethit në Qytezë të parët qe e edukuan Nolin me ndjenjat dhe krenarinë atdhetare. Por ishte takimi me Rilindasit në Misir që ushqeu dhe ndezi flakë ndjenjat e tij për tu aktivizuar në rrugën e shqiptarizmit. Në Misir Noli i ri hyri në rrethin e shquar të pionierëve si Spiro Dine, Thanas Tashko, Jani Vruho, Filip Shiroka dhe Çajupi, dhe si pasojë u njoh mirë me gjendjen dhe problemet e lëvizjes kombëtare. Atje, nëpërmjet shtypit, ai polemizoi me grekët dhe grekomanët me armët e fuqishme të diturisë që kish përvetësuar, si dhe me armët e guximit, logjikës së mphrehtë dhe gjuhës së zjarrtë, aq sa kish rrezik të vritej nga armiqtë e tërbuar anti-shqiptarë, që s’mundën ta mposhtnin dot me fjalë. Në Misir Noli u poq si gruri në kalli, dhe mori vendimin t’i kushtonte gjithë energjitë dhe aftësitë e tij çështjes atdhetare.

            Sipas këshillës që i dhanë atdhetarët Tashko dhe Vruho në Misir, Noli erdhi në Amerikë (më 1906), për të organizuar mërgimtarët e thjeshtë e të pashkolluar shqiptarë, që të punonin për atdheun e tyre, i cili ishte ende nën sundimin e Turqisë osmane. Jorgaqi përshkruan me hollësi jetën e re të Nolit në Amerikë, një jetë e vështirë, e pasigurt dhe e mbushur me konflikte. Këtu ai ardhi në kontakt me atdhetarë si Sotir Peci, themeluesi i gazetës “Kombi”; Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Mihal Grameno, etj. Rrethi i figurave të njohura shqiptare u zgjerua edhe më shumë për Nolin, kur ai udhëtoi në Evropë më 1911 nëpër kolonitë shqiptare të Odesës, të Bukureshtit dhe Sofjes. Ai turne i dha rast Nolit të takohej me Asdrenin, Luigj Gurakuqin, Dervish Himën, Aleksandër Xhuvanin, Nikolla Naçon, etj.

             Fan Noli përfitoi nga njohja dhe bashkëpunimi që pati me shumicën e figurave të lart-përmendur. Megjithatë, Prof. Jorgaqi vë në dukje se mësuesit më të mëdhenj për Nolin ishin Napoleoni, Jesu Krishti, dhe Skënderbeu. Ishin këta ndaj të cilëve ai drejtohej për këshilla dhe udhëzime, duke pyetur vetveten: Çdo të bënin ata për të zgjidhur problemin që kish përpara? Për Heroin Kombëtar, shkruan Jorgaqi, Noli ka thënë: “Skënderbeu frymëzoi poetët tanë, frymëzoi historianët dhe skulptorët tanë….Ngandonjëherë pyes veten i habitur nëse kemi ndonjë tjetër njeri në mes nesh që është aq i gjallë sot sa edhe Skënderbeu.” Shtojmë këtu se për një kohë, në vitet e parë në Amerikë, Noli u influencua fort nga shkrimet e filozofit gjerman Fridrih Niçe, eksponenti i forcës dhe vullnetit të paepur.

 

Portret i Nolit – karakter i ndërlikuar

 

            Gjatë 83 viteve të jetës së tij, Noli jetoi 18 vjet në vendlindjen, 6 vjet në Greqi dhe Egjipt, disa vjet nëpër Evropë, 50 vjet në Amerikë dhe vetëm 5 vjet (1920-24) në Shqipëri. Në këtë rrugë të gjatë, jeta e Nolit u ndërlikua tepër. Po japim këtu më poshtë përmbledhjen e karakterit të tij, që i bën vetë N. Jorgaqi. “Noli ishte njeri i kontrasteve nga më të çuditshmet, por dhe nga më njerëzoret. I dashur dhe i lidhur me njerëzit, po dhe i vetmuar, i adhuruar dhe i nderuar, po dhe i braktisur dhe i përfolur; me shumë ndjekës dhe pak besnikë të vërtetë; i urtë dhe i matur, po ndonjëherë rebel dhe inatçi; ëndërrues dhe romantik, po dhe realist dhe pragmatik,...i sjellshëm e korrekt, po jo fort i shquar për mikpritje.”

            Diku gjetkë, lexojmë se për tu mbrojtur nga shigjetat e kundërshtarëve, Noli një herë a dy herë e gjeti të arsyeshme të mos zinte ngoje ose dhe të mohonte ndonjë të vërtetë. Ky pohim tregon sa i drejtë dhe sa i sinqertë është autori i këtij libri me portretin që i bën figurës së Nolit. Tregon se ai shkruan me përgjegjësi shkencore, se ka respekt për të vërtetën, dhe nuk e sakfrifikon atë për të fshehur ndonjë të metë apo dobësi të Nolit.

            Noli ishte i pajisur me cilësi të larta, të cilat u zhvilluan dhe u rafinuan me kalimin e kohës. Ai kishte zgjuarësi të rrallë, dijeni dhe kulturë të pasur, penë të zjarrtë, elokuencë që të rrëmbente, ishte poliglot – cilësi këto që e vendosën atë në krye të mërgatës shqiptare në Amerikë. Nga ana tjetër, thotë Jorgaqi, rrethanat e jetës; më sakt, besimi i tronditur ndaj njerëzve, e bënë Nolin njeri të mbyllur, enigmatik dhe skeptik. Ai kishte miq e shokë me qindra, por asnjë “konfidant” që t’i hapte zemrën dhe t’i besonte të fshehtat. Le të hedhim tash një vështrim panoramik mbi jetën personale, intelektuale, politike, letrare, dhe fetare të Nolit.

 

1) Jeta personale e Nolit

 

            Prof. Jorgaqi jep një pasqyrë të ndritur për jetën personale të Nolit, me të dhëna për familjen e tij, për shëndetin dhe ushqimin, për jetën e tij romantike, për Qytezën e Kolonjës, për vitet e pleqërisë dhe vdekjen. Theofani, apo Fani, siç e thërrisnin shkurt, lindi natën e Krishtlindjeve, sipas kalendarit të vjetër, kurse me kalendarin e ri më 6 janar 1882, ditën e Ujit të Bekuar. Ai ishte një nga 13 fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën foshnja. Ishte merita e Nolit që ai i ruajti lidhjet me familjen, sado i angazhuar që ishte, gjë që tregon njerëzillëkun e tij në kendin më thelbësor të shoqërisë, atë të familjes.

            Si fëmijë, Noli ishte tepër i dobët, shëndetlig, aq sa një herë, kur u sëmur keq, “pandehën se vdiq, dhe zunë ta qajnë”. Gjendja delikate e shëndetit e bëri Nolin vegjetarian. Me kohë, ai u bë besnik i betuar i ushqimit vegjetarian deri në atë pikë sa shkonte dhe fliste hapur nëpër kishat e Peshkopatës për të mirat shëndetsore të vegjetarianizmës.

            Nga biografia e Nasho Jorgaqit mësuam diçka të papritur, dhe pikërisht për anën romantike të jetës së Nolit. Në Qytezë kur ishte djalë i vogël, dhe më vonë në Adrianopojë, në Amerikë dhe në Hamburg, Gjermani, Noli pati raste të dashurohej dhe të martohej, por të gjithë tentativat dhe marrëveshjet dështuan, sikur “nuk ishte e thënë” që të martohej dhe të bënte një jetë normale me familje.

            Kur ishte Kryeministër i Shqipërisë, Noli njëherë, i përfshirë nga malli për vendlindjen e të parëve të tij, shkoi në Kolonjë dhe për të parën herë (dhe të fundit) pa me sytë e tij Qytezën. Pas arratisjes nga Shqipëria dhe rikthimit në Amerikë, Noli kishte dëshirë të papërmbjtur për të vizituar Shqipërinë, si në kohën e Ahmet Zogut, ashtu dhe në kohën e monizmit të Enver Hoxhës. Por, ashtu si Moisiu çifut, thotë Prof. Jorgaqi, që nuk mundi të shkelte në tokën e premtuar nga Zoti, edhe Noli ishte i dënuar nga fati të mos shkelte më në tokën amtare.

            Noli vdiq në kopshtin e shtëpisë dimërore në Fort Lauderdale, Florida (më 13 mars 1965), me libër në duar. Vlen të themi se tre kapitujt e fundit të biografisë, ku përshkruhen me imtësi sëmundja, vdekja dhe varrimi i Nolit, janë si një film i bukur dhe tepër mallëngjyës. Në këto faqe, më shumë ndofta se kudo gjetkë, duket dora e stërvitur e autorit, dora e intelektualit dhe njeriut të letrave.

 

2) Jeta intelektuale e Nolit

 

            Fan S. Noli, thotë N. Jorgaqi, “rrezatonte mençuri e urtësi, humanizëm e kulturë. Ai ishte padyshim përfaqësuesi më eminent i kulturës së shqiptarëve në Amerikë”. Jeta shkollore ishte një nga faktorët që e përgatiti atë për atë vend të lartë. Ai ishte nxënës par exellence, i lindur për bankat e shkollës dhe sallat e bibliotekave.

            Noli u diplomua së pari nga gjimnazi grek i Adrianopojës, për të vazhduar më vonë studimet e lartë në Amerikë. Kësisoj, nga viti 1909, kur u regjistrua në Universitetin e Harvardit, dhe deri më 1945, kur mbaroi studimet në Universitetin e Bostonit, ai fitoi katër diploma të larta, që nga bakaloreata e deri në doktoratën, në fusha të tilla si letërsia, biografia dhe muzika. Studimet për muzikë Noli i bëri në New England Conservatory of Music. Atje ai bëri hapa të dukshëm jo vetëm si student i muzikës klasike, por edhe si kompozitor. Njohuritë e tija muzikore tërhoqën vëmendjen dhe fituan respektin, madje dhe admirimin e dirigjentit të famshëm të Orkestrës Sinfonike të Bostonit, Artur Fidler.

            Për Nolin, na informon N. Jorgaqi, studimet dhe jeta intelektuale ishin “natyra e tij e dytë”. Prandaj, na duket si çudi fakti se Noli i vogël nuk donte aspak të shkonte në shkollë, dhe e ëma e tij, Maria, u detyrua ta shpinte në shkollë lidhur në një thes.

            E përfundojmë këtë pjesë duke shënuar se në një fjalim që mbajti Noli një herë, ai tha se shqiptarët janë “raca më e vjetër e Evropës”, dhe se gjuha shqipe është “gjuhë ariane”.

 

3) Jeta politike e Nolit

 

            Faqet ku diskutohet jeta politike e Nolit, përbejnë ndofta tablonë më të shkëlqyer të biografisë. Dhe kur themi “jeta politike”, e kemi fjalën kryesisht për kohën e shkurtë dhe dramatike të Nolit në Shqipëri (1920-24). Autori i kësaj vepre e përshkruan këtë periudhë me penë të frymëzuar. Aty-këtu ka faqe me analiza që meritojnë të quhen “brilante”.

            Noli shkoi në Shqipëri më 1920, i caktuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerkës – Vatra, si deputet i shqiptarëve të Amerikës në parlamentin e ri të Shqipërisë. N. Jorgaqi trajton me radhë e me sistem ngjarjet që pasuan. Ai shkruan për udhëtimin e Nolit në Gjenevë ku ai luajti rol kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1920), punë kjo që Noli e vlerësoi si suksesin më të madh në jetën e tij. Shkruan për themelimin e Partisë Popullore, ku Noli u gjend krah për krah me Ahmet Zogun, ndonëse Faik Konica e kish këshilluar të mos bënte “aliancë me një nepërkë si Ahmetin”. Shkruan për vrasjen e djaloshit idealist Avni Rustemit, për të cilën gishti iu vu Zogut si fajtori kryesor; dhe për fjalimin e zjarrtë të Nolit në varrimin e Avniut që ngriti popullin më këmbë dhe çoi në arratisjen e Zogut, dhe emërimin e Nolit si Kryeministër i Shqipërisë.

            Mandej Prof. Jorgaqi bën një analizë të hollë që ngjall admirim, përsa u përket dobësive të Nolit si politikan dhe qeveritar, të cilat më në fund çuan në falimentimin e qeverisë së tij. Ai vë në dukje, një pas një, gabimet e qeverisë revolucionare të Nolit. E para, njohja e qeverisë komuniste të Bashkimit Sovjetik, që alarmoi demokracitë e Perëndimit. E dyta, mungesa e zgjedhjeve për të legjitimuar qeverinë sipas praktikës së shteteve demokratike. E treta, fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve në shtator 1924, i cili ishte vërtet elokuent, por edhe jo-realist dhe i pamatur nga ana diplomatike. E katërta dhe më e rëndësishmja, mos-zbatimi i reformës agrare, të cilën vetë Noli e ka komentuar me këto fjalë: “Duke ngulur këmbë për reformën agrare, unë ngjalla zemërimin e aristokracisë së tokës, kurse, duke mos e zbatuar atë, unë humba përkrahjen e masës së fshatarësisë.” Si pasojë e këtyre gabimeve, Zogu u kthye në Shqipëri në krye të një ushtrie, qeveria e Nolit u rrëzua më 24 dhjetor 1924, dhe Noli me shokë u arratisën në Evropë.

            Jorgaqi na thotë se duke ikur nga Tirana, Noli u bë merak më shumë për faqet e Rubairat të Omar Khajamit, që kish përkthyer dhe harroi t’i futte në valixhë, sesa për jetën e tij në rrezik. Pastaj shton: “Ndoshta ajo (letërsia) kish qënë jeta e tij e vërtetë edhe në atë kohë kur drejtonte fatin e vendit.”

            Por kjo nuk është e gjitha. Analiza që i bën autori jetës politike të Nolit në Shqipëri ështe më e gjerë dhe më komplekse. Ai trajton në thellësi gjendjen tejet të prapambetur të Shqipërisë në atë kohë, arsyet dhe pasojat e refuzimit të Lidhjes së Kombeve për ta ndihmuar financiarisht qeverinë e Nolit, dobësitë e Nolit si politikan, si dhe faktorë të tjerë. Diskutimi i hollë dhe i përpiktë që i bën Prof. Jorgaqi gërryerjes dhe shembjes së themelive dhe strukturës së qeverisë të Nolit, mund të shërbejë si rregullore për politikanët e Shqipërisë së sotme, se si mund të shmangen gabimet që çojnë në shthurjen e shtetit dhe shkatërrimin e kombit.

 

Jeta e Nolit në arrati.

 

Pjesë e jetës politike të Nolit është dhe koha që ai kaloi në arrati, pas largimit nga Shqipëria. Ai po largohej, siç thotë Prof. Jorgaqi, “i mundur, pas aq përpjekjesh për t’i dhënë popullit lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Për të mbjellë farën e demokracisë e të mendimit të lirë, farën e reformave…” Noli ka thënë se trishtimi më i madh në jetën e tij ishte “largimi nga Shqipëria më 1924, sepse kjo i dha fund punës (së tij) në atdhe.”

            Noli jetoi në arrati për pesë vjet (1925-30). Ai ndenji më shumë në Vjenë, por një pjesë të kohës në mërgim e kaloi në qytete të ndryshëm të Gjermanisë. Jorgaqi vë në dukje se në Vjenë Noli krijoi lidhje të ngushta me organizata radikale dhe revolucionare si KÇN (Komiteti i Çlirimit Nacional), dhe KONARE (Komiteti Nacional Revolucionar), që synonin rrëzimin e Zogut me “kryengritjen e armatosur të vegjëlisë shqiptare”. Shkurt thënë, Noli në këtë kohë u bë një udhëheqës revolucionar, për shkak të rrethanave. Madje, më 1927 ai guxoi të shkonte deri në Moskë, si i ftuar në festimin e 10-vjetorit të Revolucionit Socialist në Bashkimin Sovjetik. Udhëtimi i Nolit në Moskë nxiti armiqtë e tij ta akuzojnë si “bolshevik” dhe si “agjent i Moskës”. Në të vërtetë, pohon Jorgaqi, Noli ndjente një farë afërsie shpirtërore me të majtën,” dhe për më tepër “kish diçka te qëndrimet radikale të Nolit që s’përputhej me kriteret e demokracive” si Amerika, etj. Edhe këtë herë, autori i kësaj vepre tregon qëndrimin e tij shkencor dhe objektiv ndaj figurës për të cilën shkruan.

            Përmendim kalimthi se në këtë periudhë Noli, i njohur dhe i nderuar në Evropë si figurë përparimtare, mori pjesë në konferenca anti-imperialiste dhe anti-fashiste ku ndodheshin personalitete të tillë të si Albert Einstein, Frederic Joliot-Curie, etj. Ja, një tjetër fakt nga biografia që tregon nivelin që kish arritur Noli në rrethet më të lartë të kulturës evropiane.

 

Konfrontimet me serbët dhe grekët.

 

Në jetën e tij politike, Noli pati konfrontime dhe debate me fqinjët e Shqipërisë si serbët dhe grekët. N. Jorgaqi na njofton se Noli u ndesh me propagandën anti-shqiptare të Greqisë, që kur banonte në Athinë më 1900, pastaj në Misir, në Amerikë, në sallët e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë edhe gjetkë. Si grekët, ashtu edhe serbët kundërshtuan hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, me argumentin se një Shqipëri me shumicën e popullsisë myslimane do të bëhej një Turqi e vogël në Ballkan. Myslimanizmi në Shqipëri ishte bërë halë në sy për grekët dhe serbët, prandaj bënin përpjekje për ta kthyer Evropën e krishtere kundër Shqipërisë.

            Kësaj propagande Noli, si Kryeministër i Shqipërisë, iu përgjegj duke theksuar me krenari se në Shqipëri ka mbretëruar kurdoherë toleranca fetare, dhe për më tepër marrëdhëniet midis myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë mund të shërbejnë si shembull për vende të tjerë. Vetë fakti, thosh ai, që një peshkop i krishter si ai kryesonte një shtet me shumicë myslimane, përgënjeshtronte propagandën e atyre që e bënin çështje fenë e shqiptarëve, për të nxirë emrin e Shqipërisë.

            Biografia e Nolit i jep lexuesit të kuptojë se çështje aktuale si ato të Kosovës dhe të Çamërisë, ishin në rendin e ditës që në kohën e Nolit, kur ai kryesonte qeverinë e Shqipërisë. Ishte profetike këshilla që u dha Noli serbëve: të silleshin mirë kundrejt kosovarëve, që të mos bëheshin shkak i grindjeve dhe urrejtjeve midis popullit serb dhe atij shqiptar.

            Këto janë disa nga temat që trajton Prof. Jorgaqi në librin e tij, përsa i përket jetës politike të Fan S. Nolit, një jetë e koklavitur dhe më në fund tragjike për Nolin personalisht, por që pati edhe suksese në Gjenevë që siguruan integritetin tokësor të Shqipërisë, një jetë madje me vlerë për mësimet që i jep lexuesit rreth artit të qeverisjes.

 

4) Jeta letrare e Nolit

 

            Noli u dashurua shpejt dhe përjetësisht pas letërsisë, kur u njoh me veprat e shkrimtarëve klasikë, e sidomos Shekspirin, i cili u bë “ati shpirtëror i Nolit”. Nga libri i N. Jorgaqit mësojmë se Noli u angazhua seriozisht për përkthimin e veprave klasike botërore jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri kur ishte Kryeministër; madje dhe në arrati, dhe përsëri pasi u kthye në Amerikë. Lexuesit njihen mirë me përkthimet e tij të klasikëve si Shekspiri, Omar Khajami, Henrik Ibsen, etj. 

            Autori i këtij libri vëren se Noli në përgjithësi ndjente afërsi mendore e shpirtërore me autorët e veprave që përkthente, sepse çështjet që trajtonin ishin çështje për të cilat Noli vetë luftonte: Lufta kundër tiranisë e padrejtësisë, liria shoqërore e njerëzore, personaliteti i njeriut të lirë, ngritja kundër konformizmit dhe shtypjes burokratike. Në vazhdim, ai shprehet për gjuhën shqipe të Nolit në përkthimet e tij. Në pendën e Nolit, thotë ai, gjuha shqipe “dëshmoi aftësitë dhe pasuritë e saj….vlerat estetike dhe semantike”. Ai përdori një shqipe të qartë, të fuqishme, të bukur dhe ekspresive.

            Veç përkthimeve, Noli, sikundër dihet, shkroi dhe vjersha origjinale, të cilat më vonë u mblodhën dhe u botuan në dy Albume, që fituan një vend të sigurt në historinë e letërsisë shqipe. Nëpërmjet tyre, thotë Prof. Jorgaqi, Noli hap zemrën për fatin e tij të dhimbshëm, për rrugët e mërgimit, për shokët që e braktisën, si dhe besimin te fitorja mbi tiranët. Libri i profesorit është i pasur gjithashtu me njohuri për botimet biografike të Nolit. Eshtë fjala për veprat madhore Bethoveni dhe revolucioni francez, dhe Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, të cilat fituan lëvdata jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga autoritete dhe specialistë të huaj në këtë zhanër.

            Si përfundim, vlen të theksojmë se një nga arritjet më të mëdha të autorit të këtij libri, janë kritikat letrare që ai i bën krijimtarisë së Nolit. Ato tingëllojnë të pjekura, kapin thelbin e temës së veprës cilado qoftë, dhe shpalosin kuptimin e saj në rrafshin politik, shoqëror ose filozofik. Nuk e tepërojmë kur themi se edhe në diskutimet për jetën letrare të Nolit, ka analiza të shkëlqyera që meritojnë vulën “brilante”.

 

5) Jeta fetare e Nolit

 

            Një nga tablotë më të realizuara të biografisë së janë faqet ku N. Jorgaqi përshkruan jetën fetare të Nolit. Fan S. Noli u dorëzua prift më 1908 “për të çliruar kishën ortodokse shqiptare nga kthetrat e Patrikanës së Kostandinopojës”; pra, e mori përsipër atë detyrë nga motive atdhetare. Faik Konica ka shkruar se “Dita kur F.S. Noli celebroi meshën e tij të parë është pikë kthese në historinë e Rilindjes shqiptare”. Kjo është dhe arsyeja që Noli u njoh jo vetëm si prift i shqiptarëve ortodoksë, por si prift i gjithë shqiptarëve që kishin përqafuar fenë e shqiptarizmës.

             Prof. Jorgaqi vë në dukje shumë ngjarje të panjohura, ose pak të njohura, për jetën fetare të Nolit. Ai na informon se, edhe pse Noli u dorëzua prift nga kisha ruse në Amerikë, ai u prish me atë kishë më 1919 kur ajo nuk iu përgjegj kërkesave të besnikëve të Nolit që ai të dorëzohej Peshkop. Mësojmë gjithashtu se në mars 1914, kur Noli u ndodh në Shqipëri për pak kohë, ai meshoi në Durrës në prani të Mbretit të ri të Shqipërisë, Princ Vilhelm Vid; ndërsa më 1938 meshoi në Boston në prani të tre motrave të Mbretit Zog, që kishin ardhur për vizitë nëpër kolonitë shqiptare të Amerikës.

            Përsa i përket natyrës së besimit të Nolit, Jorgaqi thotë se ai nuk ishte besimtar fanatik, e aq më pak klerik dogmatik. Ajo që e tërhiqte atë te Krishti ishte “thelbi human i jetës dhe i mësimeve të tij”. Kësisoj, mësimet fetare të Nolit, si dhe predikimet në kishë, ishin të qarta e të thjeshta, të zhveshura nga formalizma dhe dogma të panevojshme.

            Duke vëzhguar kontekstin e tërë të jetës së Nolit, disa kanë dyshuar nëse ai ishte vërtet fetar. Dyshimet e kanë burimin nga arsyetime si këta: e para, Noli u bë prift për arsye atdhetare dhe jo fetare; e dyta, ai u bë dishepull i filozofit ateist F. Niçe; e treta, ai pati lidhje me revolucionarë dhe komunistë të pa fe; e katërta, ai adhuronte poezinë hedoniste dhe erotike të Omar Khajamit. Nuk është për tu habitur atëhere, që Prof. Jorgaqi e gjeti të nevojshme t’i kushtojë një kapitull të tërë temës: Ishte apo nuk ishte fetar Noli, sikundër duan të thonë disa? Përgjigjja e tij është një “PO!” absolute, definitive. Për Nolin, thotë ai, feja ishte “deri në fund vokacioni i tij kryesor”. Sado e çuditshme që mund të duket, ungjilli ishte libri i tij më i dashur. Ai shton se nga fundi i jetës së tij, Noli mendonte se “nuk njihte literaturë më të madhe se shkrimet e shenjta, asnjë muzikë më të fuqishme sesa zëri që del nga lutjet drejtuar Zotit dhe se s’ka asnjë art më të bukur se arti i lutjes”. Mbrojtja që i bën Nolit autori i kësaj vepre, nuk lë vend për dyshim se për të jeta kishtare vinte përpara letërsisë,  përpara historisë, përpara politikës.

            Biografia e Nasho Jorgaqit na jep njohuri gjithashtu për rolin e Nolit në amerikanizmin e kishave ortodokse. Noli ish i pari nga hierarkët e kishave ortodokse në Amerikë që mori masa për ta bërë meshën në gjuhën anglishte, duke arsyetuar se “duhet ta amerikanizojmë kishën, para se të amerikanizohet (dhe të largohet) plotësisht brezi i ri”. Në këtë drejtim, ai bëri një punë të madhe me përkthimin në anglisht të librave kishtare. Duket si një koincidencë fatlume, por pikërisht në kohën kur vdiq Noli, u themelua Kisha Ortodokse Amerikane, për të cilën Noli ëndërronte gjatë shumë viteve. Tani, si anëtare e Kishës Amerikane, Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerkës siguroi autonominë e saj, dhe mbrohej nga çdo rrezik që mund t’i vinte nga grekomanët dhe Kisha Greke.

 

Në luftë me Peshkop Mark Lipën.

 

Nga libri i profesorit kuptojmë se Noli pati mosmarrëveshje dhe konflikte, qoftë me besnikët, qoftë me priftërinj rebelë, gati në tërë jetën e tij fetare. Një konflikt tepër serioz ishte ballafaqimi me Peshkop Mark Lipen, aty nga fundi i dekadës 1940. Kriza u krijua kur disa kundërshtarë dhe priftërinj rebelë iu drejtuan Patrikanës së Kostandinopojës që të dërgonte një peshkop për ta rrëzuar dhe zëvendësuar  Nolin. Ata ishin të revoltuar për shkak të lidhjes së kishës së Nolit me Kishën Ortodokse të Shqipërisë komuniste, si dhe nga simpatia që kish Noli për qeverinë e kuqe të Hoxhës në atë kohë. Të ndikuar dhe nga atmosfera e acaruar e “Luftës së Ftohtë” midis botës kapitaliste dhe asaj komuniste, ata e akuzuan Nolin si “komunist, atheist dhe pagan”.

            Prof. Jorgaqi e përshkruan me objektivitet të admirueshëm këtë dramë, që tronditi bashkësinë ortodokse shqiptare të Amerikës, dhe u shtri deri në sallat e Kongresit në Washington D.C. Lufta kundër Peshkop Lipes vazhdoi për disa vjet, por më së fundi Noli dhe Kisha e tij triumfuan, pa pësuar ndonjë dëm të pandreqshëm.

 

Luftë për trashëgimtarine e Nolit.

 

 Por konflikti më tronditës në jetën fetare të Nolit, shpërtheu aty nga viti 1962. Ai përfshiu krerët e Federatës Vatra, si dhe sekretarin e Peshkopatës, Atë Chris Ellis, dhe pati si shkak qëndrimin e butë të Nolit ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë, si dhe “marrëdhëniet” e Atë Ellisit me Kishën Greke. Si pasojë, Noli përzuri Atë Ellisin nga kisha dhe u prish me Vatrën.

            Jorgaqi na informon se Noli tash u angazhua urgjentisht që të gjente një peshkop për t’i zënë vendin, me qëllim që Peshkopata të mos binte në duar të klerit grek. Ai zgjodhi si trashëgimtar priftin e tij Atë Stefan Lasko, dhe e dërgoi në Shqipëri për tu fronëzuar Peshkop. Mirëpo, kundërshtarët e Nolit e interpretuan fronëzimin e Laskos si komplot komunist për të vënë në dorë Peshkopatën Shqiptare të Amerikës. Konfliki vazhdoi plot katër vjet pas vdekjes së Nolit, deri më 1969 kur Stefan Lasko u njoh nga të gjithë besnikët e Kishës si trashëgimtar kanonik i Nolit.

            Gjithë këtë histori të dhimbshme për Nolin, në perëndimin e jetës së tij, autori i këtij libri e rrëfen qartë, në thellësi, me objektivitet dhe me mjeshtërinë e tij të zakonshme.

 

Figura parësore në jetën e Nolit

 

            Duke shfletuar biografinë kuptojmë se jeta e Nolit ishte një lloj vorbulle, e mbushur me aktivitete e me kriza. I rrethuar me miq e armiq, ai qarkullonte midis figurave më parësore të botës shqiptare. Një nga vlerat më të spikatura të librit janë portretet që vizaton profesori për disa nga këto figura.

            Ja, portreti për Faik Konicën: Konica i la mbresa të thella Nolit me kulturën e tij të gjerë, aq sa Noli, në fillim, e shihte veten si nxënës i tij. Por si njeri, ai ishte i vështirë, me dy shpirtra të kundërt, delikat dhe i vrazhdë, mendjegjerë e zemërvogël, kavalier dhe egocentrik. Kushdo që e kundërshtonte ose e kritikonte ishte, për të, ose grekoman, ose turkoman dhe akoma më keq, intrigant, i shitur ose spiun.

            Ndërsa për Mbretin Zog, ai shkruan: Zogu ishte njeri i veprimit dhe jo i fjalëve. I mungonte elokuenca, rrinte i heshtur si sfinks. Ishte i zgjuar dhe dinak, trim dhe oportunist, i egër, realist dhe pragmatist i paskrupullt, konseguent në synimet e veta dhe dyshues i përhershëm. Këtyre cilësive u shtoheshin dhe aftësia e shquar organizative dhe ushtarake, vetbesimi në forcat e veta, intuita e rrallë dhe njohja e gjithanshme e psikologjisë shqiptare.

            Por Konica dhe Zogu janë vetëm dy nga personalitetet për të cilët profesori vizaton portrete. Ai bën të njëjtën punë dhe  për Kostë Çekrezin, Luigj Gurakuqin, Mbretin Vilhem Vid, etj.

            E përfundojmë këtë pjesë me një shënim për Mary Johns, sekretaren e Fan Nolit. Prof. N. Jorgaqi meriton duartrokitje të nxehta për portretin e ndritur që i bën sekretares, e cila i shërbeu Nolit “me përkushtim të admirueshëm” plot 25 vjet, deri ditën që ai u nda nga kjo botë.

 

Noli, Konica, Zogu dhe Hoxha

 

            Në jetën e Fan Nolit hyjnë e dalin shumë figura me emër në faqet e historisë shqiptare. Por, sipas gjykimit tonë, ata që lanë gjyrmat më të thella janë Faik Konica, Mbreti Ahmet Zogu, dhe diktatori Enver Hoxha.

            Në lidhje me Konicën, Jorgaqi vë në dukje se Noli dhe ai, si figurat kryesore të Vatrës dhe Diellit, patën marrëdhënie të ngushta deri më 1924, kur Noli falimentoi në Shqipëri. Pasi u arratis Noli, Konica “u distancua menjëherë”, dhe nëpërmjet Diellit zuri të lëvdojë Zogun, duke harruar të gjitha të zezat që kish thënë për të, ku e cilësonte “gjarpër, malok e njeri me mendësi tipike orientale”. Ftohtësia midis tyre shkoi deri atje sa Konica e akuzoi Nolin si “bolshevik”. Nga ana e tij, Noli e denoncoi Konicën si “njeri i intrigave dhe i ziafeteve, shërbëtor dhe servil i Zogut”. Polemika vazhdoi për 12 vjet.Të dy shokët e vjetër u pajtuan më 1937. Pas vdekjes së Konicës më 1942, Noli u përpoq me përkushtim që të plotësonte amanetin që i kish lënë, për t’ia dërguan trupin në atdhe. Por Tirana komuniste mbajti heshtje.

            Marrëdhëniet e Nolit me Zogun u zhvilluan gjatë gati tre dekadave, dhe patën kthesa të çuditshme. Profesori na informon se pas arratisjes së Nolit, Zogu e dënoi atë me vdekje in absentia, jo njëherë por dy. Ai thotë gjithashtu se Noli e kritikoi Traktatin italo-shqiptar të Zogut më 1926, si dhe shpalljen e Zogut si Mbret i Shqipërisë më 1928, duke thënë se “për një kurorë mbretërore ai e shiti vendin dhe e ktheu Shqipërinë në koloni italiane”. Jorgaqi vë në dukje se që atëhere Noli paralajmëroi invadimin e ardhshëm të Shqipërisë nga Italia fashiste. Megjithatë, kur Noli u sëmur keq nga pleviti – pasi u kthye në Amerikë – dhe iu drejtua Mbretit për ndihmë, Zogu u tregua fisnik e bujar dhe i dërgoi të hollat që i duheshin për tu mjekuar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Noli, i shqetësuar për fatin e Shqipërisë së okupuar, përkrahu lëvizjen për të krijuar një qeveri shqiptare në mërgim, të kryesuar nga Mbreti Zog, në mënyrë që të sigurohej sovraniteti i Shqipërisë pasi të mbaronte lufta. Noli hoqi dorë nga Zogu vetëm kur mësoi, më 1944, se Partizanët në Shqipëri kishin formuar qeverinë e tyre, nën kryesinë e Enver Hoxhës.

            Sipas njohurive që na jep Prof. Jorgaqi, duket se marrëdhëniet e mira të Nolit me qeverinë komuniste të Hoxhës kishin për bazë dy faktorë: Një, Noli e shihte fitoren e Partizanëve si garanti të integritetit tokësor të Shqipërisë – meraku i tij kryesor dhe i përhershëm. Dy, Noli ndjente afërsi shpirtërore me qeveritarët e rinj komunistë, mbasi ata bënë atë që ai s’kish arritur të bënte dikur në Shqipëri. Ai u bind se Shqipëria, “nga një çiflig i bejlerëve (ishte) kthyer në një tokë të fshatarëve dhe punëtorëve”, ndonëse ajo që po ndodhte në Shqipëri – shton Jorgaqi – ishte larg një demokracie të tipit perëndimor, sepse mungonte opozita legale dhe shoqëria pluraliste. Por dalëngadalë, me kalimin e viteve, Noli u ftoh me Tiranën zyrtare për arsye të ndryshme, një nga të cilat ishte politika e vetëizolimit të Shqipërisë nga bota. Nga ana tjetër, edhe Hoxha u ftoh me Nolin për disa arsye, midis tyre dhe hapja e dyerve të Vatrës më 1959 për mërgatën politike në Amerikë si Ballistët, etj. Jorgaqi e komenton këtë ngjarje duke thënë se Noli kapërxeu hendekun që ish hapur midis tij dhe Ballistëve, dhe për më tepër “tregoi tolerancën dhe mendjen e tij të hapur, humanizmin dhe frymën demokratike që e karakterizonte”.

            Kemi folur këtu për marrëdhëniet e Nolit me tre figura kryesore. Por në jetën e Nolit luajtën rol dhe shumë figura të tjera, midis tyre intelektuali Sotir Peci, gazetari Mihal Grameno, ish-sekretari i tij Andon Frashëri, nacionalisti Kristo Dako së bashku me motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Historitë e këtyre e bëjnë më të pasur e më të plotë biografinë madhore të profesorit.

 

Noli dhe Amerika

 

            Jeta e Nolit në Amerikë, ku ai kaloi më të shumtën e jetës së tij, pati peripeci apo kthesa të theksuara. Në fillim, Noli ndjente pakënaqësi në Kontinentin e Ri. “Kjo Amerikë e shkretë më mbyti”, u ankohej shokëve, sipas citatit të Prof. Jorgaqit. Ai ndihej i vetmuar, i huaj, pa miq të vërtetë. Por gjendja e trazuar shpirtërore nuk ia preu hovin Nolit për të realizuar qëllimin për të cilin kish ardhur në Amerikë.

            N. Jorgaqi rrëfen imtësisht ngjarjen historike të takimit të Nolit me Presidentin Vudro Vilson më 1918, dhe zotimin që mori nga ai për të mbrojtur Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Sikundër dihet ai e mbajti zotimin, dhe shpëtoi atdheun nga copëtimi. Por Jorgaqi vë në dukje edhe një fakt tjetër tepër interesant. I influencuar nga këshilltarë të paaftë, Vilsoni në Paris i dha të drejtë Italisë që të aneksonte Vlorën.

            Pasi Shqipëria ra në duar të komunistëve, Noli pati fërkime politike me Amerikën për shkak të përkrahjes së tij për qeverinë e Hoxhës. Dyshimet ndaj Nolit nga qeveria amerikane shkuan deri atje sa ai u thirr më se njëherë në zyrat e F.B.I.-is, që të jepte llogari për takimet dhe bisedat me zyrtarët e delegacioneve që vinin në Amerikë nga Shqipëria. Por incidente të tillë nuk krijuan ndonjë krizë në jetën e Nolit.

            Me kalimin e viteve, sa më shumë Noli zhgënjehej me regjimin e Hoxhës, aq më afër ndihej politikisht dhe shpirtërisht ndaj Amerikës. Kësisoj, thotë Jorgaqi, në festimin e 50-vjetorit të ardhjes së Nolit në Amerikë, më 1956, ai ndihej “krenar dhe mirënjohës karshi Amerikës”, dhe ishte i ndërgjegjshëm se këtu, në këtë vend, ai “mori idetë e demokracisë e të lirisë për t’i shpënë e zbatuar ato në Shqipëri”. Ndofta kulmi i këtij procesi ardhi në vitin 1964, me rastin e festimit në Washington të 400-vjetorit të lindjes së Shekspirit. Si shekspirolog që ishte, Noli u ftua në Shtëpinë e Bardhë në festën që organizoi President Lyndon Johnson. Ishte një nder ky jo vetëm për Nolin personalisht, por dhe për bashkësinë shqiptare në Amerikë, si dhe për kulturën shqiptare.

 

Shënime përfundimtare

 

Ky komentar ka karakterin e një përmbledhje të lëndës së biografisë, dhe si i tillë trajton ngjarje, probleme dhe kthesa me rëndësi në jetën e Nolit. Por pavarësisht nga meritat që mund të ketë, ai është i kufizuar dhe i përciptë në krahasim me përmbajtjen shumë të pasur të librit dhe nivelit të lartë të trajtimit nga autori, në planin ideor, semantik dhe stilistik.

Për biografinë Jeta e Fan S. Nolit, persona të respektuar kanë thënë se Prof. Nasho Jorgaqi me këtë vepër i ka ngritur një monument Nolit. Fjala “monument” na duket e drejtë dhe e përshtatshme.

Jorgaqi paraqitet në faqet e kësaj vepre si intelektual dhe shkrimtar erudit, i aftë të gjykojë drejt dhe t’i analizojë gjërat në thellësi, si dhe i përgatitur të nxjerë të vërteta të përgjithshme nga të dhënat specifike. Ne na ka bërë përshtypje qëndrimi i tij shkencor. Ai nuk pretendon se s’ka lënë gjë pa zbuluar e pa thënë nga jeta e Nolit. Nuk druhet të thotë se për këtë ose atë çështje “nuk dimë”, ose nuk kemi dijeni të plotë. Kjo është një nga cilësitë e shkrimtarit të ndërgjegjshëm.

N. Jorgaqi thotë se “hartimi i biografisë së Nolit ishte një barrë e rëndë (që e angazhoi) shpirtërisht, mendësisht dhe fizikisht afro 25 vjet”. Por, me gjithë punën e lodhshme që bëri për të hartuar këtë biografi voluminoze (mbi 1100 f.), ai ende ka dyshime për rezultatin. Me modesti dhe ndjenjë përunjësie të rrallë, ai thotë se “më mundon idea sesa ia kam arritur të shkruaj një biografi të denjë për Nolin”. Ne përgjigjemi se ai s’ka aspak arsye të bëhet merak. Me biografinë e tij madhështore, ai i ngriti një monument jo vetëm Nolit, por edhe vetes së tij, sepse kjo është pa dyshim kryevepra e tij.

E përfundojmë këtë komentar duke thënë se biografia e Nolit që përpiloi profesori, meriton të përkthehet dhe të botohet jo vetëm në anglisht, por edhe në gjuhë të tjera, në mënyrë që bota e jashtme të njihet me këtë personalitet të shquar të kombit shqiptar. Ai ose ajo që do të merrte përsipër këtë punë, do të hynte në radhët e përkthyesve të nderuar, që kanë fituar respektin e përjetshëm të botës shqiptare.

                                                *          *          *          *          *

Vepra Jeta e Fan S. Nolit, u botua në dy vëllime në dhjetor 2005, nga Shtëpia Botuese OMBRA GVG, Tiranë, 1164 f., plus 50 f. ilustrime. Adresa: Blv. Gjergj Fishta – Kompleksi Tirana 2000, Kulla 4 Ap. 2, Tirana;   E-mail: ombraggvg@albmail.com

 

                                                           F  I  N  I  S

 

San Diego, Kalifornia, USA

Dhjetor, 2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora