E merkure, 24.04.2024, 10:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet Ardian Tana, Kryetar i Shoqatës Çamëria

E hene, 04.03.2013, 07:00 PM


Ja përpjekjet paqësore për zgjidhjen e Çështjes Çame

Nga Albert ZHOLI

Mbas aneksimit të Çamërisë më 1913 deri më sot popullsia e saj gjatë tërë viteve nën shtetin Grek nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon. Qarqet zyrtare greke mbështetur në Konceptin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në territorin e saj,kanë ndjekur një politikë shoviniste.

Cilat janë kërkesat e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, sipas statusit?

Të shpërngulur mizorisht nga trojet e tyre shqiptarët e Çamërisë për asnjë çast nuk e kanë humbur besimin se do të kthehen në këto troje. Me këtë besim ata janë organizuar nga janari i vitit 1991 rreth Shoqatës Patriotike “Çamëria”, që është shprehëse e kërkesave dhe vullnetit të tyre të sanksionuara edhe në programin e saj dhe që janë:

1. Kthimi i popullsisë çame në trojet e veta.

2. Të njihet e drejta e pronësisë së popullsisë çame, të hiqen të gjitha kufizimet ligjore greke që e pengojnë këtë.

3. T’i njihet popullsisë çame shtetësia greke që ajo e ka gëzuar nga viti 1913.

4. T’i njihen popullsisë çame të gjitha të drejtat që burojnë nga Kartat apo Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë, Shoqata është përpjekur t’i bëjë të qarta që me krijimin e saj, kur i ka dërguar një Memorandum kryeministrit të atëhershëm të Greqisë z. Kostantinos Micotaqis. Veç të tjerash aty shprehet besimi se “një vështrim dhe zgjidhje realiste në frymën e proceseve të sigurimit dhe bashkëpunimit evropian, bashkëpunimit e mirëkuptimit ballkanik, politikës së fqinjësisë së mirë do të kontribuojë në zgjidhjen e Çështjes Çame dhe do të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së dy vendeve”.  Prej shtatorit të vitit 1991, me qëndrimin e përfaqësuesit zyrtar të Republikës së Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian, i tërhiqet vëmendja shtetit grek rreth popullsisë çame që u bë pre e një dhunë të pashembullt çnjerëzore. Përfaqësuesi i shtetit shqiptar konstaton një qëndrim aspak konstruktiv të qeverisë e shtetit grek, që në  kontaktet dypalëshe i përmbahen qëndrimit të tyre të vjetër duke mohuar ekzistencën e Çështjes Çame.

Si kanë reaguar autoritete greke kur është përmendur çështja çame?

Kur në mars të vitit 1993, ministri i jashtëm i atëhershëm shqiptar z. Alfred Serreqi në Akademinë Diplomatike në Vjenë, kërkoi “riatdhesimin e çamëve, të cilët janë përzënë jashtë Greqisë mbas Luftës II Botërorë”, pati një valë të jashtëzakonshme deklaratash zyrtare greke që e dënonin këtë deklaratë dhe presione me anë të “fshesës” mbi emigrantët shqiptarë në Greqi, mbi shtetin e brishtë shqiptar, për të heshtur për këtë problem. Të gjithë i kemi parasysh turmat e mëdha të refugjatëve shqiptarë që ktheheshin në pikat doganore midis dy vendeve shpesh të keqtrajtuar sa herë ngrihej Çështja Çame dhe acaroheshin marrëdhëniet ndërshtetërore.

Në periudhën janar 1991 deri në maj të vitit 1993 në vizitat e kryeministrave respektivë në të dy vendet, atij grek në Tiranë dhe atij shqiptar në Athinë, ka patur qëndrime të qarta zyrtare greke që kundërshtonin ekzistencën e kësaj çështjeje dhe që tregonin qartë një vazhdimësi qëndrimesh në këtë drejtim.

Pse tashmë po del me kaq forcë çështja çame?

Dalja në skenë e Çështjes Çame sigurisht që ishte një imponimim prej situatave të krijuara, i kërkimit të së drejtës nga ana e popullsisë çame që jeton në Shqipëri, e cila duke përjetuar një rizgjim të vetëdijes së saj pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në Shqipëri, kërkonte me këmbëngulje me anë të formave demokratike realizimin e kërkesave të saj. Ishte krijuar më së fundmi hapësira demokratike e munguar që çamët, tashmë të lirë për të folur e kërkuar e kishin aspiruar prej shumë dekadash.

Që prej krijimit Shoqata Patriotike “Çamëria” ka mundësuar organizmin e mjaft tubimeve, simpoziumeve, konferencave apo edhe marshimeve drejt pikës kufitare të Qafë Botës për të treguar se është e vendosur në realizimin e qëllimeve për të cilat ajo është krijuar.

Duke patur të qartë se kjo çështje për të cilën ne përpiqemi është një çështje e drejtë, ne jo vetëm besojmë, por edhe jemi të përgatitur të përballemi me kundërshtitë që na vijnë nga ana e përfaqësuesve zyrtarë të shtetit grek, sepse luftrat për të drejtën kërkojnë durim, këmbëngulje dhe bashkim.

Duke patur një boshllëk në përpjekjet shtetërore shqiptare prej vitit 1947 deri në vitin 1990 kemi ndjerë një vështirësi të madhe në ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame. Popullsia shqiptare e Çamërisë e shpërngulur me dhunë nga trojet e veta menjëherë pas kësaj shpërnguljeje e terrori masiv bëri përpjekje për të realizuar kthimin në vatrat e veta duke u organizuar rreth Komitetit Antifashist Çam, i cili u përpoq deri në vitin 1947 për sensibilizimin e organizmave ndërkombëtare, duke i dërguar një Memorandum edhe Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-s.

Më herët edhe shteti shqiptar e kish dërguar këtë çështje në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, jo vetëm duke kërkuar mbështetje për pozitën e rëndë  të popullsisë çame që jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira, kur uria dhe sëmundjet në pasluftë kishin shkaktuar vdekje masive, por gjithashtu kërkonin riatdhesimin e tyre dhe kthimin e pronave.

Si ka punuar dikur Komiteti Antifashist Çam për këtë problem?

Komiteti Antifashist Çam në periudhën 1945-1947 nuk i rreshti memorandumet dhe telegramet dërguar forcave aleate, Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër dhe Neë York, Këshillit të Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër dhe Moskë, qeverisë së Britanisë së Madhe, qeverisë së ShBA-së, Shtabit  të Përgjithshëm të Mesdheut etj, por mbështetje ndërkombëtare në këtë drejtim nuk pati.

Është e kuptueshme situata e asaj kohe, kur bota sapo kish dalë nga një luftë e përgjakshme. Fati i një popullsie prej mëse 30 mijë vetë të shpërngulur nga tokat e veta dhe që endej në kufirin e jetës e vdekjes, u la në harresë.

Është i pashpjegueshëm fakti që fill pas vitit 1947 qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë kërkesë të hapur apo nuk e përmend fare Çështje Çame, por i detyron çamët në vitin 1953 të marrin masivisht nënshtetësinë shqiptare duke legjitimuar kështu përzënien e dhunshme dhe duke u përpjekur të mbysë tashmë kërkesat e kësaj popullsie për kthimin në trojet e veta dhe gëzimin e të gjitha të drejtave që asaj i takonin. Në këtë kohë qeveria greke dhe institucione të tjera shtëtërore bënë të gjitha përpjekjet për të përligjur genocidin e ushtruar prej tyre ndaj popullsisë së pafajshme të shqiptarëve të Çamërisë. U inskenua në vitin 1947 një gjyq farsë që dënoi 1930 vetë si bashkëpunëtorë të pushtuesit  dhe që më vonë Gjykata e Diktimit të Janinës me vendim nr 17835/1976 e hedh poshtë si të pabazuar.

Me këtë logjikë si ka reaguar ish Kryeministri grek Micotaqis?

Në këtë logjikë në maj të vitit 1992 në vizitën e tij në Tiranë kryeministri grek Micotaqis shpreh qëndrimin zyrtar të shtetit grek se “… çamët muslimanë nuk do të lejohen të kthehen në Çamëri (Greqi), sepse kanë bashkëpunuar me okupatorin italo-gjerman në Luftën II Botërore dhe si të tillë ata janë kriminelë lufte dhe janë dënuar sipas ligjeve greke”. Ironi e madhe kjo kur vetë kryeministri shtrembëron faktet historike apo falsifikon e fabrikon akuza, të cilat janë hedhur poshtë nga institucione të vetë shtetit të tij shumë vite përpara se ai t’i bënte këto deklarata. Por ai nuk është i vetmi që deklarohet në mënyrë të tillë. Të gjithë shtetarët e lartë grekë në vizitat apo takimet dypalëshe vazhdojnë t’i largohen trajtimit të Çështjes Çame me absurdin e përmendur më lart. Kryeministrat e mëvonshëm të Greqisë e deri te qeveritarët e sotëm, përfaqësuesit e tyre në vendin tonë, ambasadorë në organizma ndërkombëtarë vazhdojnë të deklarojnë se çamët u larguan nga shtëpitë e tyre se gjoja paskëshin bashkëpunuar me armikun. Këto deklarata qesharake i kemi dëgjuar të përsëriten në vazhdimësie duke na bindur se në

qëndrimin zyrtar grek nuk ka ndryshuar asgjë. Ai mbetet i tillë si për të na treguar se shtetit të sotëm grek i mungon kurajua të distancohet nga krimet që kanë bërë 69 vjet më parë bashkëkombasit e tyre me në krye gjeneralin famëkeq Napoleon Zervas.

Si është vepruar ndaj çamëve ortodoksë në Greqi?

Ka patur përpjekje të vazhdueshme duke ushtruar dhunë mbi shqiptarët ortodoksë që jetojnë ende sot në Çamëri për të zhdukur tek ata çdo gjurmë të identitetit të tyre shqiptar, duke u ndaluar të drejtën e përdorimit e të mësimit të gjuhës, të zakoneve të tyre, duke realizuar kështu asimilimin me dhunë të kësaj popullsie, e cila e pambrojtur nuk mund t’i bënte ballë këtij invazioni. Në vijimësi shteti grek ka ndjekur një politikë kolonizuese për krahinën e Çamërisë duke ndryshuar hartën demografike të krahinës. Në tokat e çamëve të shpërngulur me forcë u vendosën popullsi greke etj. Pronat e shiptarëve të dëbuar iu dhanë vendasve të rinj nga qeveria greke pa të drejta ligjore pronësie.

Kjo politikë vazhdon me çamët edhe sot përderisa qeveria e tanishme greke nuk i lejon të vizitojnë shtëpitë e tyre. Mirëfilli ndaj tyre ndiqet një politikë diskriminuese përderisa çdo shiptar i Çamërisë që në pashaportë shënon vendlindjen: Paramithi, Filat, Gumenicë etj. nuk lejohet të kalojë kufirin.

Duket qartë se qeveria e shteti grek gjatë gjithë kësaj kohe është përpjekur të ligjërojë genocidin e kryer mbi çamët. Ajo mban ende në fuqi de jure Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

Aktualisht çfarë po kërkon qeveria greke?

Qeveria greke kërkon të shmangë kthimin e popullsisë çame në shtëpitë e veta dhe gëzimit të së drejtës së pronës që nuk ka asesi si të ndodhë, sepse kështu Greqia do të ishte shembulli më i keq i mosrespektimit të Konventave Ndërkombëtare në të cilat ajo ka aderuar prej kohësh.

Ajo nuk ratifikon edhe pse ka nënshkruar marrëveshje, akte apo traktate ku flitet për të drejtat e minoriteteve për t’ju shmangur kështu detyrimit të zbatimit të tyre. Duke shtyrë apo shmangur ratifikimin e tyre grekët kërkojnë t’u shmangen detyrimeve që rrjedhin nga Traktatet Ndërkombëtare.

Greqia shfaq kështu qëndrim me dy standarde: Një për të kërkuar ajo vetë respektim nga vendet e tjera përfshi këtu edhe Shqipërinë standardet kur i kërkon respektimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri dhe një standard tjetër kur përballet me zgjidhjen e Çështjes Çame, të cilën kërkon ta mohojë, madje duke bërë presonin politik se rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Greqia. Frika me sa duket vjen nga reagimi politik brenda Greqisë, ku krahë të ndryshëm konservatorë,  mbeten në pozita të palëkundura përsa i përket mosrespektimit të të drejtave të njeriut, të drejtës së shtetësisë, të drejtës së pronës etj.

Në tubimet paqësore  në pikën kufitare të Qafë Botës, ku mijëra çamë  mblidhen çdo vit për të treguar vitalitetin e tyre,  bëhet  thirrje që qeveria e shteti grek të fillojnë realisht të punojnë në bashkëpunim me shtetin shqiptar në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila do të mund të çlironte nga ngërçi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do të bënte që midis tyre të ketë një urë të vërtetë bashkëpunimi me dy kalime, pra respektim të të drejtave të çamëve ashtu si të pakicës greke në Shqipëri.

Prej disa kohësh në institucionet ndërkombëtare vihet re një vëmendje e shtuar ndaj Çështjes Çame?

Në raportet e Departamentit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thuhet se “Çamët, shqiptarë etnikë, që u dëbuan nga Greqia veriore... kanë kërkuar rikthimin e shtetësisë greke dhe të pasurisë së tyre. Qeveria greke shprehu njëfarë gatishmërie për të diskutuar për kompesimin e pasurisë, por nuk njeh pretendimet për shtetësinë, të quajtur historike”.

Reagime kanë ardhur e vazhdojnë tëvijnë nga mjaft eurodeputetë dhe grupime politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian. Vjen kështu një reagim gjithnjë në rritje i komunitetit ndërkombëtar, i cili është mjaft i ndjeshëm ndaj problemit të respektimit të të drejtave të njeriut. E ku më shumë se në Çështjen tonë këto të drejta janë shkelur?!

Kërkohet, pra, të përpiqemi të gjithë të sensibilizojmë më tepër për këto shkelje tërë institucionet evropiane, amerikane e botërore.

Duket se lëvizjet e bëra në vite të drejtuesve të Partisë për Drejtësi  Integrim dhe Unitet , që kryesohet nga deputeti Shpëtim Idrizi (parti kjo që mbron Çështjen Kombëtare Shqiptare) kanë ngjallur jo vetëm interes, por mbi të gjitha kanë nxitur qëndrime konkrete zyrtare të Parlamentit Evropian, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Forumeve të rëndësishme ndërkombëtare,  në mbështetje të zgjidhjes së Çështjes Çame.

Tani që deputetët çamë të PDIU-së, Idrizi dhe Tahiri,  kanë dorëzuar zyrtarisht në parlament edhe  draft-Rezolutën për Zgjidhjen  e Çështjes Çame, (komisioni i jashtem parlamentar ka nisur shqyrtimin e saj) dhe që shpresojmë të miratohet sa më parë, mbetet që të kemi një vullnet të qeverisë greke për t’u ulur më së fundi në tryezën e bisedimeve të zgjidhjes së kësaj Çështjeje.

Rezoluta kërkon që shteti shqiptar të shkundet nga apatia , të marrë pozita më këmbëngulëse dhe të kërkojë asgjë më shumë sesa respektimi i të drejtave për popullsinë çame, sipas Konventave të njohura ndërkombëtare. Por për këtë duhet të dilet mbi qëndrimet e deritanishme pritëse apo false, mbështetur në Komisionet e pangritura ndonjëherë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, apo në shtjellimin e zgjidhjes brenda kornizës së Traktatit të Miqësisë Shqipëri-Greqi, i cili në asnjë rast nuk e përmend Çështjen Çame dhe si i tillë s’mund të shërbejë për të mundësuar zgjidhje reale, veçse nëse ai amendohet dhe i shtohen pika që drejtpërdrejt do të flisnin për këtë çështje. Heshtjes së deritanishme institucionale për shkak të presioneve nga ana e shtetit grek, apo konjukturave politike duhet t’i jepet fund.

Aktualish çfarë është e nevojshme?

Eshtë e nevojshme që në vazhdimësi  Shoqata  Çamëria dhe PDIU, në bashkëpunim me faktorë politikë, me tërë institucionet dhe organizmat që kanë vullnet në drejtim të zgjidhjes së Çështjes Çame, të shtojnë edhe më shumë përpjekjet për ndërkombëtarizimin e saj. Duhet të realizohen iniciativa për unifikimin e qëndrimeve të tërë politikës shqiptare ndaj Çështjes Çame, miratimi i rezolutës është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Duke gërshetuar fort përpjekjet politike me ato diplomatike dhe juridike do të mundësohet vendosja e Greqisë para një trysnie gjithnjë e në rritje për ta detyruar atë të ulet në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e Çështjes Çame. Lobimi në institucionet europiane dhe ato amerikane është një tjetër angazhim i rëndësishëm. Përmes këtyre formave, duke shprehur vendosmërinë dhe rritjen e forcës së shqiptarëve të Çamërisë brenda politikës shqiptare dhe krijimit të një fronti të gjerë veprimi me tërë faktorin shqiptar kudo ku jeton, do të mundësohet detyrimi për të nisur rrugën e zgjidhjes.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora