E enjte, 25.04.2024, 01:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Poemë për emrin e saj

E hene, 04.03.2013, 08:52 PM


POEMË PËR EMRIN E SAJ

Nga Xhemail Peci

‘Më të bukurës në Strigari’ Zef Serembe

Emri i saj ishte ajo vetë.

Një tufë me trëndafila emri i saj.

Kishte hire emri i saj.

Ishte i bukur emri i saj.

Sa sy të mençur, sa sy të ëmbël kishte emri i saj.

Sa sy të mirë!

Si porta të diellit sytë e emrit të saj.

E në pëllëmbë të dorës i mbante trëndafilat, emri i saj.

Një copë qielli e me zemër dielli emri i saj:

si një qepallë syri,

mu si pendët e palloit.

Sa sy të bukur kishte emri i saj :

Si dy yje këputur diku.

si një degë lajthie lidhur me një fjongo të bardhë,

si një buzë qershie,

i bardhë si një ujëvarë.

radhitur palë-palë, si një tufë mimozash,

si një gjethe dafine,

orkestër zogjsh emri i saj,

krejt si një albatros deti,

krejt si një shpirt kristali,

një bukuri mermeri,

mbinte lule emri i saj,

dhe sytë e emrit :

Valle i mbinin.

Emri i saj.

Sa fort i qeshnin sytë emrit të saj,

kishte gica emri i saj,

sa sy të bukur kishte emri i saj,

sa sy të ëmbël,

sa sy të mençur.

ish një pelikan emrì ì saj,

një gushë nositi.

flakë yjesh emri i saj,

lapsanë njomëzake emri i saj,

krejt si lulevilja,

jaseminë e shkuar jaseminës,

një ndjesi njomëzash,

si sy kataraktesh emri i saj!

diçka tej bardhësisë,

tej bukurisë diçka,

një si ledhatim gishtërinjsh,

një si përkëdhelje flokësh,

re e mbuluar me shi,

krejt si një kaltërsi legjende,

një si frymëmarrje deti,

si zogu i qeshjeve emri ì saj,

si majat e gishtërinjve,

si një kith i kaltër malesh :

zë bilbil e lentë ylberi emri i saj.

Emri i saj ishte ajo vetë.

Sa sy të bukur kishte emri i saj !

Nomen est omen – tek thoshin latinët:

Çka ka në emër, ka në zemër.

E kishte për shpirt atë emër,

ndaj dhe i rrinte aq bukur:

nurit të saj.

Si një vello nusërie emir i saj,

krejt si supet e mejllmave emri i saj,

dhe zëri i emrit të saj me zërin e gjoksit i  ngjante.

dhe gjuhën mjaltë e zërin muzikë e kishte :

emri i saj.

Kishte zë bilbili emri i saj,

dhe dhembje trëndafilash kishte emri i saj,

me një mall të kaltër veshur,

hedhur yje përmbi supe!

Dhe vinte si shiu emri i saj,

këpuste yje emri i saj.

dhe hëna e larënë ar i binte në gjunjë emrit të saj.

dhe hëna e ajo – krejt një ;

ishte një flutur që krahët digjte,

në llampën e emrit të vet.

Poemë mollësh emri i saj,

Mjellmë e Bardhë.

Si valë e detit zgjatur në breg,

si buzë ylberi pas një koncerti shirash,

si një mall dëshirash derdhur mbi piano !

si këngë zogjsh etur për një pikë ujë !

Si silueta e dridhjes së muzgjeve,

në kuverta të një anijeje,

si shqetësim i kaltërt përmbi trase,

si një çajkë e bardhë ogureve të moshës,

si riviera e ngrohtë brigjeve të Jonit,

si albatrosët, si Deti Adriatik,

sa shumë art kishte emri i saj!

Dhe kishte një copë qiell,

një copë diell kishte,

në sytë e atij emri.

Qiell që e fshihte në të dy sytë e bukur,

si dy yje të këputura diku larg,

arratisur në një natë maji,

në harkun e zi të vetullave të saj rënë.

Rrahte krahët emri i saj,

yll me vello të bardhë emri i saj,

një pagëzim zemrash suita e emrit të saj,

një persiatje hëne emri i saj.

Dhe ngjante kaq shumë me flatrat e Sibilave të Virgjilit :

bukuri dhe butësi përzier.

Dhe gjumi ì butë,

sytë me emër ia kishte puthë,

dhe befas e si pa dashje,

batalioni i flokëve të saj,

si flaka e Yllit të Veronikës ndizej-

si shandanët nëpër kështjella,

e përmbi emër.

Dhe ngjante emri i saj me zog qielli,

dhe kishte një fytyrë aq të bukur dhe aq të dashur,

aq të gjallë e aq të ëmbël-

emri i saj.

I dashur si shpirti,

i gjallë si gjaku.

Sa sy të bukur kishte emri i saj.

Dhe kishte hire emri i saj.

si vetë ajo.

Dhe fliste vetë emri i saj :

janë marrë vesh shkronjat mes veti,

si ligjërimi i luleve në pjalmin e vet.

Ngjante me dy skaje të një ylberi,

që zbret nga shiu për të pirë ujë,

e për të puthur barin e blertë e të njomë.

Emri i saj ishte ajo vetë.

E si diadema ballukja e ballit,

i binte mbi vetullën e zezë.

E vetullat si harku i dallëndyshes i kishte,

mbi pjesët e syve,

ninëzave të syve roje u bënin ato.

Dhe sytë rrethuar me qepallat i kishte,

aq shumë me shelgjet e lumit të kthjellët ngjarë.

E mbi flokët e saj,

era çapkëne i përgjërohej,

Ia ledhatonte flokët.

Ngjanin me netët e ndarjes flokët.

Dhe ballët me sedef,

e zërin ?

Zërin zogj me cicërrima e kishte.

Dhe ia merrte era nëpër puhinë eldhatare,

shkronjat e emrit të saj,

mu si kindet e një xhublete,

kur i dridhë gërneta.

Mbahej me trëndafilen-

emri i saj.

Dhe ngjanin shkronjat e emrit të saj:

me gjerdanin e hënës !

E komesarja e natës,

ìa vente asaj një gjerdan në gjoks.

Emër apo yll ?

Dhe përzihej me emrin e bukur,

fusha magnetike e shkronjave .

Ballandër ujërash Emri ì saj,

e në sytë e atij emri mbytej etja për ta.

Në sytë e atij emri dukej

se edhe qielli i jepte pakëz shpirt,

e vetes i merrte pakëz jetë,

prej emrit të saj.

Hidhnin valle shkronjat portokalle.

Në emrin tënd,

krahu i një zogu,

e kërkon një lule,

kokën don ta vë,

aty ku ti u ule.

Ambisi i syve puthjen me etje ta pi,

e me lule kurmin ta veshë,

diellin prej zemre.

Merr frymë butësi e zemrës.

Ç’të veshë pos këmishës së kaltërt?

Ç’të veshë pos rrobeve tua,

pos yjeve rënë me cepat e tyre ?

Pse gjithçka pi ujë tek shkronjat  e atij emri?

E etja e diellit?

Ç’të bëhet me vrapin e shiut,

me natën e dehur në vetminë e thellë,

me vrapin e valëve të lumit ?

Është çmendur zë i dhembjes ?

Po fjala lule ?

Po duart e erërave dhe zë i vargut?

Më thuaj, të lutem, më thuaj !

Sy deti merr nata.

E kur bie mbi trëndafila ?

A e merr edhe emrin tënd?

E secili varg hapin ta njeh,

e syri i emrit tënd,

pëllumb i bardhë,

ja tek vjen.

Ambisi i syve !

Me puthje etjen ta pi.

Një fjalë psherëtimë thurur.

Prapë fjalë.

Lulevirgjër shthurur.

Prapë fjalë.

Ambisi i syve !

Me Puthje !

Si lulet etjen e pi.

Më thuaj !

Gjakun si sheqer të Shkodrës,

e duart si simitet e Elabasanit !

Shtigje hëne ato vetulla,

s’janë Sy ata dy,

po Kopshte të Parajsës janë,

s’janë duar, po janë petulla !...

Si Sheherezadja të ta them ?!

Në gurrat tua etjen prapë e shuajnë të eturit.

po a do të digjen etjet tona në hijen tënde o shi?

E ambisi i syve si shkronjat e emrit…



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora