E enjte, 28.03.2024, 08:01 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Shtrati popullor i një poezie moderne

E hene, 04.03.2013, 07:04 PM


Shtrati popullor i një poezie moderne…

Poezia e Fatos Arapit në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”

Nga Timo Mërkuri

…vijim i shkrimit “Dallgë ndjenjash në oqeanin poetik” të dates 11.02.2013.

2-Shtrati popullor i një poezie moderne

Që Fatos Arapi është një poet modern në letërsinë shqipe, për këtë besoj jemi të gjithë dakort. Po qe se do debatojmë për këtë emër, do debatojmë në se është maja më e lartë, apo maja e dytë për nga lartësia,  në këtë vargmal poetik. Por le të rishikojmë edhe njëherë  poezinë “Askush se ka parë diellin kështu

ç-A e ndjeni se shumë poezi të Fatos Arapit kanë brenda tyre një  ligjërim, një vajtim me ligje. Madje unë do tju them se struktura e këtyre poezive  është e njëjtë me strukturën e vajeve, e të qarit me bot, me kuje, me ligjërime. Mungesa e rimës së jashtëme kompesohet më së miri me ritmin e rimës së brendëshme. Ato fjalë plot dhëmshuri drejtuar vëllait në atë botë për të dalur e për të pritur nënën e porsanisur për atë udhë, mund ti dëgjosh të dielave në varrezat e qytetit tim, apo të fshatrave të Bregdetit e të Labërisë, ku motrat zezona porositin nënat e baballarët e vdekur mote e mote të shkuara, të presin vëllain e saj, birin e tyre, i cili u nis për atje, tek të shumtët. Ta kenë pakëz kujdes se ka ende një plumb në gjoks a në ballë, a një grip a të ftohtë në mushkëri, që ja ndryshoi rrugën e ja pengoi hapin. Mund ti dëgjosh gati çdo të diel, në ligjërime. Dhe ju siguroj unë, se sado të fortë të jinni, më e pakta që do bëni, është që do derdhni edhe ju lotë, pranë atij varri të panjohur ku vajton një grua e panjohur, lotët e së cilës, përplasen si meteorë mbi botën tuaj shpirtërore. Dhe do ta bëjnë copë e thërime atë mburojë ftohtësie prej burri, prej të panjohuri, duke ju bërë më të “dobët”, por më të bukur e më njerëzorë.

e-Doni të shihni autoportretin e poetit? Ja ku është skicuar…Unë jam ngashërimi i fundit/akoma i pashkëputur/nga zemra e nënës…

E çmund të thotë më shumë poeti për të dëshmuar dhimbjen e tij në jetë apo jetën plot dhimbje? Dhe një dashuri të madhe për këtë jetë plot dhimbje…Ndoshta nuk është e rastit shprehja se…dashuria dhe dhimbja janë dy motra, që e njohin njëra tjetrën vetëm… pasi lahen në…lotë.

gj-Ndoshta nuk është e rastit, që një nga poetët që e ka ndjerë më shumë poezinë e Fatos Arapit  është poeti Ali Podrimja. Dhimbja e fatkeqësive personale i ka bashkuar shpirtërisht dhe unë nuk e di se kush ka marë e kush ka dhënë te njëri tjetri.

Unë nuk e di se ku  mbaron dhimbja e Fatosit dhe ku fillon dhimbja e Aliut, sepse unë nuk e di se ku mbaron Joni e ku fillon Adriatiku. Thonë se diku, aty te Karaburuni a te Sazani, te “Lum Lumi” apo te  “Përshpirtje për Vllasin”, por gurin e sinorit unë nuk e vë dot.

Le të shohim se si e ka krijuar poeti portretin e Lum Podrimes,djali i poetit gjakovar Ali Podrimja. Lum Podrimja nuk ka lindur  dhe as ka jetuar në Vlorë, por  poeti Fatos Arapi e  skicon si  një vlonjat portretin e tij. Dhe ne shohim në këtë portret  një djalë të bukur e të ri, për të cilin jemi gati të  betohemi se është ...vlonjat….I lehtë si shpirt drite/ti je murmurimë e valës/që na rrjedh nëpër gishtrinjtë e kujtimit/Tani shikimi yt është vetëm prej malli/buzëqeshja jote vetëm prej trishtimi…

Vetëm te vargu…e valës/që na rrjedh nëpër gishtrinjtë e kujtimit…nënkupton se Lum Podrimja  është…një kujtim i dhimbshëm, jo vetëm i të jatit Ali Podrimja. Por ja që vijnë vargje të tjera, që me peshën e tyre të dhimbjes na gjunjëzojnë, shpirtërisht. …Ti je vetëm lodhja/e fluturimit të krahëve të zogut të qiellit/Diku ai do të ulet…./le të pushojë mbi degën e zezë të vetëtimave/që dogjën qiellin e dhimbjes sonë për ty.

Dhe po qe se pas këtyre vargjeve nuk i  kini fshirë lotët syve, lerni dhe pak, që ti fshini bashkë me lotët e tjerë që sjellin vargjet…Ti je vetëm frymë,shpirt agu agimi/Dhe je ëndër…( e kaltër,sigurisht,oi,oi). Se unë e di që do filloni përsëri të lotoni te vargjet njerëzore…atje ku fle ti/që të rëndojë sa më pak/toka haron dhimbjen e saj/dhe bëhet më e lehtë/Nata prêt frymarjen…

3- Atdheu është dhimbje…

…Atdheu është dhimbje,është dhimbje/Një prill i pikëlluar në shpirt/ shkruan poeti thjeshtë e qartë. S’ka deklarata  të tipit…vendi i shqiponjave , bijtë e shqipes, kreshnikët  e maleve etj etj. Ka vetëm një dhimbje të thellë, aqë të thellë, sa që e detyron poetin ta përmëndë dy herë këtë fjalë, si për ta theksuar, si për ta dëgjuar ata që s’duan ta dëgjojnë. S’ka gjëkundi deklarata për male e fusha, për dete e lumenj, për lapidarë e fabrika. Të gjitha këto janë dytësore, thelbësore është dashuria  për atdheun. Dhe kjo dashuri, si çdo dashuri në këtë botë, lind nga dhimbja.  Po dhimbje  e dhimshuri është edhe të mbashë… kryqin e kryqëzimit në shpinë. Ndajë  poeti shkruan vargjet….Atdheu është kryqi, është kryqi/ e mban dhe të mban ty në shpirt…duke dhënë pazgjidhshmërinë e fateve tona me ato të atdheut. Atdheu është toka  e premtuar/ti shkel si një zot…jep  poeti ndjenjën e krenarisë , duke vijuar më tejë qortimin kombëtar…..Atdheu ska fjalë, ka sy të  trishtuar… A i kini parë sytë e trishtuar dhe  qortues të nënave tuaja kur kini bërë ndonjë faj, ndoshta në fëmini? Ashtu janë dhe sytë e Atdheut. Si të nënave tona kur…refuzojnë edhe të na shohin drejtpërdrejt në sy, ne fajtorëve. Sepse nënat (dhe atdheu) nuk i kanë rritur bijtë për të qënë…fajtorë në jetë.

Atdheu është… një prill i pikëlluar në shpirt…, sepse edhe lulet e prillit dhe të ëndrave, shpesh herë i kemi, apo na i kanë përgjakur,  shkelur petalet, thyer  në mes kërcejtë, era e barutit dhe e zjarreve ka mbytur aromat e tyre dhe u ka përcëlluar petalet e gjethet.

Ato që mbeteshin, lëkundeshin nga era si vajtoret në mort.

Atdheu është varr i hapur,është varr/një jetë drejt tij shkon me besë që bind…Ku janë deklaratat për gatishmërinë tonë për të dhënë jetën për atdheun? S’besoj se do ti gjejmë gjëkundi te poezia e Fatos Arapit, por dhe duke i kujtuar  ato te disa poezi, kinse atdhetare, patriotike, me një tingull që të çan timpanin e veshit si daullja e ramazanit, e ndjen më së miri se poezia e Fatosit del nga shpirti i tij i madh , nga ai shpirt brenda të cilit është …atdheu.

Ku është atdheu /që jua dhashë…pyet poeti, dhe ai ka të drejtë të pyesë ku është atdheu, sepse ky atdhe që po i tregojnë (…Te shkallët e ministrisë/një atdhe të mërzisë/ti do të kesh.  ) nuk është atdheu ynë. Ndoshta është atdheu i …ministrave.

Por ai kërkon atdheun e tij, atë të vërtetin… ai atdheu,kryeatdheu/ njerëzori i përzishëm/që në krahun e vetë përjetësisht ka lidhur/kordelen e zezë. (të zisë)…

…sepse poeti ka një lidhje të ngushtë me atdheun, pasi…Në kraharorin e tij futa zemrën time…. Dhe atje, si ca Promethenj…vijnë e marrin zjarrin e tyre/shpresat e dërmuara … (tuaja)…që ju të mos jeni kufoma shëtitëse

Atdheu është brenda meje, brenda shpirtit tim, apo shpirti dhe zemra ime janë në kraharor të atdheut…duket sikur do të dëshmojë  poeti. Përgjithësisht ai nuk deklaron dhe as që deklamon ndjenjat e tij. Dhe njëherë që foli për  dashurinë e tij për atdheun, poeti qetësisht tha…Unë e dua Shqipërinë/si poet i dhimshuruar

Por ne s’kemi nevojë ta dëgjojmë  deklarata nga poeti, sepse ne e shohim atë të shkruar te loti dhe me lotë  …Atdheu yt i vogli, i vogli / ai hyjnori, i pavdekëshmi-loti… duke u rikthyer përsëri te fillimi, atdheu është dhimbje, por këtë radhë më me finesë, duke na thënë artistikisht që…atdheu është –loti. Por një lot hyjnor dhe i pavdekshëm. Pse jo edhe një lot prej të pavdekëshmit-popull.

Hyjnore dhe të pavdekëshme janë dhe këto vargje për atdheun, të shkruara me lotë shpirti. …

E vlen të derdhësh lotë nëpër vargje të tilla, sepse, për dashuri të mëdha, vetëm me lotë mund të flitet.

Ndajë loto Fatos Arapi, loto pa turp e ndroje!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora