Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Dallëndyshja

| E shtune, 02.03.2013, 10:47 PM |


AH SIKUR…!

- Dallëndyshja -

Skicë-esé

Nga Drita Lushi

Atë vit, pranvera  po vinte me nxitim.

Dukej sikur rrezengrohtat e saj, kishin një dëshirë të papërmbajtëshme, të preknin sa më shpejt lekurëeturën për ngrohtësi, a ndoshta, donin të sfidonin statujën  në shpërbërje  të dimrit fodull, që dhe në dihatjet e fundit, kërkonte të ruante pushtetin akullnajor gri.

Dallëndyshet e para që fluturuan në qiellin tim,formonin ca ylberë me rrymat e ajrit sa pothuajse, ngatërroja  hapat që hidhja.

Gjethet  e porsaçela, dukej sikur bisedonin me një gjuhë fëshfëritëse me dallëndyshet,që përçohej në veshin tim si një simfoni e gjelbërt.

Fësh-fësh! Ciu – ciu!

Fëësh – fëëëëësh! Ciu- ciuuuuuuu!

Ndoshta flisnin për dimrin që ikte i mërzitur…, ndoshta për njerëzit që kishin takuar, ndoshta për folezat që do të ndërtonin.

Po ndiqja këtë “bisedë” mes tyre, nën atë qiell blu, ku aromat e lulepranverës, me kishin perfshire brenda tyre, e më dukej vetja si filiz i gjelbërt.

Te gjitha këto  hamendësime, u ndërprenë nga një dallëndyshe krejt e veçantë, ndoshta më e bukura që kisha parë deri në atë kohë.

Erdhi përballë meje, e ndaloi në shtëpinë me çati të rrënuar,ku  tjegullat dalëboje,dukej sikur u jepnin zemër themeleve që i mbulonte bari, dhe gati –gati, as të tilla  s’mund të quheshin.

Pasi u soll vërdallë, më përshëndeti me cicërima e pastaj  filloi një punë të pandërprerë dhe vetëm kur pashë një folezë të ngritur aty, nën atë cati të vjetër e kuptova se në ëndërr-zhgjëndrën time kishte fituar realiteti.

Ndoshta kjo dallëndyshe atje në shtegëtim, kish  takuar të zotin e kësaj shtëpie ,atë burrë të urtë që varfëria e detyroi ti vinte drynin shtëpisë, por jo mallit për të.

Ndoshta atje,  ajo ka parë fëmijet që mbushnin cdo ditë oborrin, me të qeshura dhe zëra…, ndoshta gruaja e shtëpise ka folur me të, për shtëpinë ku ka qeshur, gëzuar, lindur dhe dashuruar.

Kjo dallëndyshe ishte atje në mërgim,i takoi e bisedoi me ta, e tashmë është këtu, në strehëzën e tyre si lajmëtare e jetës.

Oh ç’mike, e çfarë shembull miqësie kjo dallëndyshëz e bukur!

E ndiej, se në ditët në vijim do bëhet e afërt me mua.

Më sheh ndryshe, më flladon me krahët e saj, si rrjedha e bukur e një ujëvare, të cilën paskam një dëshirë “të çmendur” ta sodis.

Më kishin thënë se dikur, një dallëndyshe, kishte rënë në dashuri me një njeri.

E shihte që jashtë dritares,  kur ai vërtitej dhe kalonte ditët në vetminë dhe mërzine  e tij.

Dallëndyshja e bukur i çukiti në xham lehtë dhe i shprehu adhurimin e saj njeriut.

Ai qëndroi indiferent ndaj saj, dhe i tha se nuk i interesonte.

Megjithëse dallëndyshja vajti disa herë duke i shprehur dashurinë e saj e duke i thënë që të bëheshin miq, ai qëndroi i patundur ndaj bukurisë, zërit,mirësisë dhe dashurisë së saj.

Një ditë njeriu bëhet pishman, ndjen vetminë më shumë se kurrë, dhe kërkon më kot dallëndyshen e sinqertë.

Më kot e priti, më kot!

Ajo nuk u kthye më, edhe kur shoqet e tjera nisën të ndërtonin  foletë nëpër strehëza.

Kishte vajtur atje, ku dinin ta donin dhe vlerësonin.

Mu kujtua kjo “përrallëz”, për dallëndyshen e vogël dhe punëtore dhe ndjeva më shumë se asnjëherë nevojën që të mos humbisja një mike të tillë, të vogël, te bukur, të mirë  të mençur dhe punëtore.

Mundësitë dhe njerëzit, ashtu sikuse kjo  dallëndyshe krejt e veçantë, na vijnë një herë në rrugën tonë.

Përse duhet t’u kthejmë krahët me fodullëk?

Nuk ka mik/e, të vogël, apo të madh/e, te shëmtuar apo te bukur, të zi apo të bardhë, të ri apo të vjetër.

Miqësia nuk gjini, komb, largësi, nuk njeh ndasi fetare.

Miqësia ka vetëm një emër të thjeshtë :MIQËSI.

Vështirë  se gjen mirësi dhe dashuri në jetë, krejt të lira, të zhveshura, nga cdo lloj marrëdhënie interesi dhe ndërvarësie imponuese.

Ja, kjo dallëndyshe e bukur dhe e mirë, po sjell jetë në këtë shtëpi të braktisur, por jo shpresëhumbur.

Ia dëgjoj cicërimat dhe një serenatë me nota të ëmbla, këndohet në qenien time.Pas cicërimave, fshihen me mijëra fjalë, në sytë e saj të lëvizshëm dhe enegjikë pasqyrohen imazhe njerëzish dhe jetësh, të cilat ajo i merr e i çon në vende të tjera, ku ata  kanë të dashurit e tyre.

Çdo fllimpranvere, njerëzit presin të shohin dallëndyshet e para,sepse u duket  se ajo u sjell një copëvend, një copëajër, një erëfushe, një borëmali, një copëqiell, nga i vendit të tyre.

Po të fliste dallëndyshja, nuk di se ç’do të bënim, do qeshim apo do qanim, do trishtoheshim apo do gëzoheshim, do na ndrisnin sytë, apo do na humbte vështrimi tej, e do të zhyteshim në mendime.

Sa e vogël që duket kjo dallëndyshe!

Por ç’mall e mirësi, fsheh brenda saj.

Ti veç cicëron moj dallendyshëz, bri meje.

Por unë, ta kuptoj atë gjuhë  jetëlindëse.

Njerëz, do mrekulloheshit ta dëgjonit dhe ju, gjuhën dhe fjalët e saj…!

“Ah sikur!”:… Të fliste dallëndyshja!

Shkurt 2013