E shtune, 20.04.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Intervistë me gazetaren e njohur Tefta Radi

E hene, 05.05.2008, 11:31 AM


Tefta Radi
Intervistë/ Tefta Radi:
 ‘97-‘98  ku  për mua  kanë  qenë  vite  të tmerrëshme,  ku  shqiptarët  u  ngritën  kundër  shqiptarëtve, ku nuk  dihej  se  çfarë kërkonin
 
Më  hiqet  statusi i  gazetarit dhe kaloj në  redaktore
Vdis pa të të duan është  shprehja  popullore.

Nga Albert Zholi

E lidhur prej një jete me ekranin shqiptar gazetarja e njohur Tefta Radi është një nga ikonat e këtij televizioni. Zëri i saj i ëmbël, delikatesa, mënyra e përçimit të lajmit, komunikimi, veshja, një sërë elementësh që do ti kishte zili cdo gazetare dhe lajmëse e ekranit, e kanë bërë Teftën një ikonë potente të TVSH-së. Rrugëtimi i saj në këtë televizion i ngjan një tregimi, ku janë të ndërthurura në një të vetme, e vërteta me të pabesushmen ( jo e marrë si element artistik), për vetë faktin, se nga ky television, fidanishte e televizioneve shqiptare, janë përhapur lajmet më sensacionalë  të Shipërisë në kohërat e shumdiskutueshme ndërmjet dy sistemeve, atij monist dhe sistemit demokratik. Në ekranin e tij janë bërë publike vdekja e ish kryeministrit Mehmet Shehu, vdekja dhe rënja e bustit të Enver Hoxhës, lëvizjet studentore 1990, krijimi i Partisë Demokratike, ngjarjet e çuditshme të viteve 91-92, apo ato të viteve 1997-98. Në gjithë këto ngjarje, Tefta ndoshta ka qënë e vetmja folëse ekrani që ka qënë përçuese dhe memorja e gjallë e TVSH-së. Korrekte, simpatike, e sigurtë,  fytyra më e njohur e ekranit shqiptar duket se ndër vite ka krijuar një lidhje të pazgjidhshme,  që nuk është tronditur kurrë as nga oferta e shumta që ajo ka patur për të kaluar në televizione private. I ka qëndruar besnike Televizionit ku u formua figura e saj si profesioniste.  Një profesion i bukur, që i ka kërkuar sakrifica të mëdha, sakrifica që i ka përballuar falë ndihmës së madhe të bashkëshortit, këngëtarit të njohur Frençesk Radi me të cilën ajo ndan jetën. Është nëna e dy fëmijëve tashmë të rritur, është bërë gjyshe dhe freskia dhe gjallëria e saj janë për tu admiruar. Vazhdon të ketë energjinë e zërit dhe të mendimit që është pjekur me kalimin e viteve.. 
Por ja, vjen një moment dhe asaj i hiqet statusi i gazetarit  duke e transferuar në një detyrë të re, që asaj nuk i rri hiç për zemër, atë të një redaktoreje. Dhe kjo ndodh në një moment kur në opinionin e emancipuar flitet për zërin e lirë, zërin profesional. I hiqet një status, kur ajo ka një karrierë që në fushën që ajo përfaqëson, ka qenë gjithnjë në rritje. Gruaja që ka ditur aq bukur të komunikojë nëpërmjet ekranit, që ka mësuar dhjetëra vajza të dinë të shesin lajmin, sot ndjehet paksa e aneksuar. Në këtë intervistë për gazetën tonë ajo,  tregon të fshehtat e karrierës së saj, forcën e ekranit, marëdhënien me këngëtarin e njohur, sakrificat e nënës dhe pa dyshim, kritikon fenomenin e mosmirënjohjes dhe të shmangies së vlerave, të papranueshme në një  shoqëri demokratike.

-Kur ka  filluar Tefta Radi për  herë të  parë punë në Televizionin Shqiptar?

-Në vitet 79-80. Fillimisht kam punuar në fushën e mësuesisë. Kam  përfunduar studimet në Gjuhë - Letërsi në Universditetin e Tiranës.Mora  emërimin  në  një nga  rrethet më  veriorë të  vendit, në  Pukë. Kam  punuar  kryesisht  në  Fushë-Arrëz si  mësuese në  shkollën e  mesme. Arrita  të filloj në  Televizion  pas një konkursi  kombëtar  që u  bë për  folësa.

-Sa veta  konkuruan  në  këtë  konkurs?

-Në atë  kishte një komision artistik  që  vendoste,  dhe konkurenca   ishte  e fortë. Konkurentë  kishte  shumë, fitova  dhe kjo  qe  edhe  arësyeja e tërheqjes nga mësuesia. Në atë vit  ishte e vështirë të shkëputeshe nga veriu dhe të  ktheheshe  përsëri  në  Triranë. Ka qenë Radio  Tirana  që  bëri  që  unë  të shkëputesha  nga  Fushë-Arrëzi  Nuk  mund ta  them  se në   Fushë  Arrëz  e kam  kaluar  keq. Atëherë  kanë qenë vitet e rinisë ku  flija  me  ëndrra,  me  nostalgji, me  forcë fizike  dhe me  një pasion  për  mësuesisë. Në  Fushë Arrëz  ruaj  kujtime  shumë të mira  me mijëra  malësorë, me  njerëz  fisnikë , mikëpritës, ku  vazhdoj  akoma  të ruaj  relata. Shumica  e tyre tani  janë  jashtë  shtetit.

-Një  moment  nga  jeta  juaj  që e keni  veçuar  nga  Fushë-Arrëzi?

-Momenti  kur  unë  u  njoha  me  Franceskun. Më  parë  nuk  njihesha. E kisha  njohur  vetëm  nga  ekrani  si  një zë i njohur  në  fushën e  muzikës.  Ai  ishte  i  internuar në Pukë  mbas  festivalit të  11-të. Në atë vend  u  njohëm  më  mirë  dhe nga viti  1975 e deri  tani  jemi  bashkë.

-Nuk e more  parasysh se ai ishte i  internuar dhe mund të  kishe probleme  me  të ardhmen  tuaj?

-Me qenë realiste edhe në  atë  kohë  janë bërë  lëshime, ku  trurin, sisetmi monist  për  hir  të  vërtetës ka ditur  ta  shfrytëzojë. Sipas interesave. Këtë  e them   edhe  nga  fakti  se shumë  nga spikerat e Radio-Tiranës kanë  qenë  me  cene  politike  që  nga  Vera  Zheji, Haki  Bejleri, e shumë të tjerë. Nevzat Dibra, Agron Cobani e të tjerë gazetarë me emër vuajtën  nga regjimi, po përsëri u  rehabilituan për  arësyen  e vetme  sepse duheshin.

-Në atë  kohë  si e  fituat  konkursin, a ndjehej pesha e mikut dhe të qënit antar partie që  ju të  bëheshit folëse?

-Egzistonin. Por në një fushë të tillë, jo. Kërkesat ishin të forta. Është normale. Kishte  shumë  kërkesa  artistike  që  duhej ti  plotësoje, zëri  radiofonik, qartësia. Unë  fillimisht  kam  punuar në  Radio -Tirana. Më vonë fillova  paralelisht edhe në  Televizion  sepse  kishte nevojë  për  folësa. Kërkesa  e  llogarisë nga  ana  profesionale kanë  qenë  shumë të  forta.

-Kush  ka  qenë  emisioni i  juaj  i  parë  që keni   dhënë në  Radio Tirana?

-Ka qenë një ditë e enjte  vjeshte, muaji  tetor. Kam  qenë  nga natyra  një  tip  i qetë, jo  shumë  emocionuese  që  mua më  ndihmoi  shumë në atë kohë që të dilja në ekran apo mikrofon. Kam  ditur ta përmbledh veten. Gjakftohtësia më ka shoqëruar në të gjitha  transmetimet e  mia. Kjo  më  ka  bërë   që të  jem  më e sigurtë. Ky  emision  ka  qenë  në  vitin  1979.

-Po  në  televizion  në  c’vit keni  filluar?

-Në  televizion  kam  filluar në  vtin 1980.

-Si kanë  qenë  emocionet  kur  keni  bërë kalimin  nga  Radio në Televizion?

-Radio për  ka mua ka qenë  një  shkollë  e madhe. Të  gjithë  folëset  që kanë  kaluar  nga  radio kanë qenë  shumë të mirë në  shumë  aspekte.Radio mbetet një nga studiot më  të dashura  ku  vazhdoj ta dua, por  ana  televizive  ishte diçka tjetër  ku emocioni  ishte më  i madh  sepse  duhej të punosh  paralelisht me lajmin, logjikën, transmetimin, paraqitjen  vizive. Ku mendja  të shkon  në shumë  gjëra si  flokët, veshja, si dukem, është një  kompleksitet  gjërash, ndërsa  në radio mund  të rrish në çdo pozicion dhe mund të flasësh më  lirshëm. Televizioni  kërkon  tjetër  impenjim, tjetër  prezencë.Të  mendosh  regjimin  ku  çdo   gjë  ishte strikte, ku  lapsuset  ndodheshin  dhe  tërhiqej vëmendja  edhe për një të tillë.Është  normale  që kisha emocion.

-Njerëzit e tu të afërm  çfarë  kanë thënë atë ditë, dhe a të kanë dhënë  urime?

-Më kanë pritur mirë të gjithë, edhe kolegët  dhe  nga ata që më  kanë  ndihmuar në  radio që  nga  Elsa, Vironi, Kiço Fotjadhi,  etj.

-Si e shikoje veten të nesërmen  nga një  spikere në radio kalove në televizion. A  e ndjeje veten  më  komode në  sytë  e njerëzve?

-Nuk e ishte e  lehtë  në  atë kohë që  aq  shpejt të bëheshe publike. Kërkonte  shumë pune   dhe seriozitet  për   të  vënë një  emër.Besoj  se jam përmbajtur.

-37 vjet  në  Radio-Televizion, kush  ka  qenë dita më  e bukur  në  ekran?

-Dita më e bukur  është kur  ndihesh  mirë me  punën  unë  them  se janë  të  bukura të gjitha. Ditë  të bukura  quhen edhe ata që përcjell një  lajm që  vërtetë është i  bukur,që i bën  njerëzit e lumtur, dhe të tilla  kanë  qenë  jo  pak  ashtu  edhe kur  në një ditë të  trishtuar kur  arrin  të japësh një  lajm  tragjik.

-Ka pasur ndonjë  moment  kur  ke  bërë një lapsus dhe kritika të ka tërhequr  vëmendjen?

-Në përgjithësi  kam  qenë  e saktë. Nuk  kam  gabuar  edhe  pse  në atë kohë  nuk  ishte  teknologjia  që është sot. Sot folësat  e kanë materialin  dhe e lexojnë në një ekran të madh, që i bën  më të pavarur dhe të zhdërvjellët në të  shprehur. Ne përpiqeshim të lexonim me shkrimin e makinës së shtypit  herë  me  bojë  e herë  pa  bojë, herë dukeshin  gërmat  dhe herë  nuk  dukeshin, me  fjalë  që shkruheshin  edhe me  shkrim  dore. Kushtet e leximit në  atë kohë kanë  qenë më  të vështira se sa sot. Sot për mua media  është lluks, përsa i përket  folësave dhe jo në aspektin e gazetarit. Sot të jeshë folës nuk është aq e vështirë   sa  ishte në  atë kohë që kaluam ne. Veshjet  janë më  ndryshe. Ne  në atë kohë veshjet i kishim të  kufizuara. Para  viteve  ’90, ne  zakonisht visheshim me  xhaketa, me uniformë, me  xhaketa  blu,  të  errëta, pa  shumë  tualet, pa  shumë  bizhu.  Kur punonim në terren kërkonim  të  nxirrnim  gjërat  ku  jo  gjithmonë përputheshin  me  realitetin, ku  të  intervistuarit  të  visheshin  bukur, kur mos  të  kishte ndonjë  mur të gërvishur mbrapa të intervistuarit, të mos kishte barseta pra të përfaqësonte njeriun e kohës. Ndërsa  sot  është tjetër  liri  dhe tjetër  mundësi  për  të punuar. Sot në don të bësh  një  gazetari  të mirëfilltë  ke  mundësi ta  bësh.

-A ka  ndryshuar  mentaliteti  sot  për  folësat  në radio-televizion?

-Sot ka  ndryshuar mentaliteti. Në  atë kohë folësi së  pari  duhet të  kishte zërin  radiofonik dhe televiziv. Duhet të kishin prezencë.Sot duket se gjërat kanë  ndryshuar  meqë  edhe koha vetë ecën përpara.Spikeri nuk është më aq  pozant.Sot  gazetari  mund  të  punojë  në  një televizion,  edhe  kur  nuk  i ka këto mëndësi arrihet  të dalë. Megjithatë  mirë është  që  ti  ketë,  që të  jetë  një figurë morale, të  jetë një figurë  e besueshme të ketë një lloj pjekurie. Nuk  mund të jetë  i  besueshëm  një i  ri 18-19 vjeç në  ekran. Atij i mungon  prezenca, i mungon  llogjika,i mungon  zëri etj. Mirë është të  merren  parasysh  edhe disa  elementë  që i plotësojnë  figurën  e të  qenurit  folës-gazetar

-Kë  do të veçonit ju nga të  gjithë  folësat në  radio-televizion  që kanë lënë  gjurmë?

-Unë e kam të vështirë t’i ndajë sepse kemi pasur shumë që nga Haki Bejleri,Vera Zheji,Nevzat  Dibra, Kico Fotjadhi,Elsa  Xhai, Viron Noti, Virgjil  Kule ku  për mua akoma është i paarritshëm, është një figurë model. I kompletuar në çdo drejtim.

-Ndoshta sot mungon një shkollë profesioniste për të qenë folëse në  Televizion?

- Sot  tentohet për  të  qenë  gazetar  dhe folës  bashkë. Nuk janë  më  ato  nocionet e një  folësi  klasik.Sot  njerëzit  duan  thjeshtë për të marrë  lajmin. Sot  edhe  regjimi i  jetës  është  ndryshe  dhe e folura është ndryshe.Koha  ecën  edhe gjërat  ndryshojnë.Po t’i hedhim një sy të shkuarës  sonë, unë  kur  kam  filluar spikere  kam pasur një  tjetër  të  folure  nga paraardhësit e mi.Po të krahasojmë dhe të  dëgjojmë folësat  e viteve ’50 qoftë edhe në dokumetar të Kinostudios ka qenë një e folur në  funksion të ideologjisë së kohës  me  nota  lart për të  nxjerrë atë  madhështinë  e sistemit. Ishte   ideologjia  e diktaturës së vet. Ndërsa  sot  dëgjuesi i  thjeshtë  i intereson të marri  lajmin. Nuk pajtohem edhe me  anën  tjetër, ku  sot  në ekran  ka  njerëz   që të  lodhin  ku  i  dëgjoj, me  zërat  e tyre  qerramanë, ku  nuk  ka  një  shqipe  të  pastër, ku  nuk  ka  redaktorë  të lajmeve. Një emër  qyteti  ose fshati ose personaliteti  jepet me emërtime nga më të  ndryshmet. Janë sot folësa ku  nuk  njohin  gjeografinë e vendit të tyre. Nuk dinë të shqiptojnë  një  emër  lumi, mali, fshati, personaliteti etj. Kanë  një lloj mendjemadhësie, ku e kanë  për turp të pyesin.Unë sot që i  kam  lënë  të 56-tat në çdo gjë që kam  pasiguri  vazhdoj  të pyes dhe nuk  më  duket  se  është  turp. Njeriu  gjithmonë  duhet të  gjej  më  të  mirën, më të bukurën, dhe duhet  bërë  ashtu  siç është.

-Shikoj  që ju  jeni  shkëputur  nga të  qenurit folëse, apo  ndjeheni  më  mirë  gazetare terreni?

-Unë gjithmonë kam  qenë  edhe folëse  edhe  gazetare, i  përkas  atijë  brezi vetmohus.Nuk  e kam  ndarë kurrë  terrenin  nga ekrani. Rreth 23 vjet  kam  qenë gazetare gjithë  ditën  dhe  folëse  në  mbrëmje. Për  mua  terreni është  i  rëndësishëm .Nëse  don të bëhesh  një  gazetar i  mirë  duhet të provosh terrenin. Terreni  të bën  të zot, të mbush  me shumë informacion, me  shumë lidhje dhe nuk do ti ndaja  kurrë.

-Ju  duke  qenë  gazetare terreni, Francesku  është  bërë ndonjëherë  xheloz për  ju, apo  ju  për të?

-Francesku i  përket  fushës së artit dhe asnjëherë nuk është bërë  kurrë xheloz.

-Kur  ka  qenë  dita më  e bukur  për  jetën  tuaj?

-Dita më e bukur ka  qenë  dita  e kurorëzimit. Nuk ishte e kehtë që unë të  merrja  Franceskun.Unë vija  nga një familje me  një tjetër  traditë, me një  baba  ushtarak që nga  ’74  edhe pse  ishte i  përjashtuar  nga  partia  këmbëngulte  që unë të merrja  një njeri me  biografi të  mirë. Nga  ana  e familjes së Françeskut kishte pjestarë të pushkatuar. Francesku  kishte një xhaxha  të nënës që u dënua. Ai ishte një njeri me dije të mëdhaja, ishte shkolluar në Austri, ishte shkrimtar por u  burgos dhe  u kalb burgjeve të  politikës, pa asnjë motiv. Ai  kishte një  xhaxha  Lazaratin që kishte marrë medalje  ari  në  Romë  dhe nga monizmi u akuzua  për  shumë  gjëra. Ai pas  daljes  nga  burgu i  internimit  ka  qenë  model për  mua. Ai më mësoi  se si  njeriu  duhet të punojë, se si  njeriu  fal, të mësojë  në  jetë. Dhe shpirt madhësia  njerëzore tek ai  njeri i vuajtur tërë kohën ishte vyrtyti kryesor i jetës. Njerëz të tillë janë të rrallë në jetë. Nëse kam një  idhull sot  është Lazarati nga i  cili  kam  mësuar shumë gjëra. Një brez të vuajturish  duke  u   ndalur  këtu  edhe  tek një libri juaj  që keni  arritur  ti merrni  këta  njerëz në intervistë që kanë vuajtur, persekutuar dhe përsëri mbeten aq të lidhur dhe të dhënë pas  Shqipërisë  dhe  se një pjesë  e tyre  sot  është  integruar  në  botën  jashtë  me pasion edhe me  shumë  dashuri,  dhe  me atë  ndjenjën e  madhe të faljes  dhe të  mos harimit  të  së të kaluarës edhe të faljes  për një ideal akoma  më  të  madh si  të thuash  ecjen  e kombit  përpara. Do të  përmendja  këtu  emra  si Vitore Stefa Leka. Ka  një  brez  edhe  më  të  ri siç  është  Alida  Hisku, Këze Zylo, Nervana Pistuli, Edlira Dedja, Maya dhe  emra  shumë  që unë nuk  mund  ti  them  edhe si  Astrit Leka, të  cilët  kanë  vuajtur  dhe kanë  punuar dhe pësëri kokën e mbajnë  nga Shqipëria  duke  ndihmuar me sa  munden  shqiptarët  në  vendin  ku ata jetojnë edhe punojnë por duke u bërë edhe pjesë  e Shqipërisë me  aftësitë  e tyre  të shkruara me ngjarjet  që ata  sjellin  për  të mësuar më  mirë të kaluarën  gjithmonë në funksion e një të ardhme më të mirë, larg mllefit  dhe të urrejtjes.

-Kush ka qenë periudha më e vështirë e punës suaj si  folëse në  Televizion?

-Por do të veçoja  si vitet  e një gazetari  të mirfilltë vitet  e ndërrimit të  sistemit në  vitet  ‘97-‘98  ku  për mua  kanë  qenë  vite  të tmerrëshme,  ku  shqiptarët  u  ngritën  kundër  shqiptarëtve, ku nuk  dihej  se  çfarë kërkonin,  ku  qëllohej  nga të gjitha  anët, dhe ku jeta e shqiptarit më është dukur më pa vlerë  se  kurrë.Kur askush nuk  trembej  nga kallashët, nga predhat, të gjithë  nxirrnin  kokat në  dritare  dhe  asnjë nuk  kishte frikë. Në ’97-tën  kujtoj  atë natë kur  televizioni  u  braktis  tërësisht,  ku  thuhej  se do i vinin  minë. Ku  folësit  kishin filluar  të  nxirrnin sebepe  ku  jam  sëmurë, nuk  vij  dot etj. Në atë  kohë jam  ndjerë e vetme me  një grup shumë të  vogël gazetarësh. Ishte një natë tmerri  ku  një natë përpara, para sheshit të “Rognerit”  ishte  vrarë një  nga
policët, ndërsa  me ne, kur  kishim lënë  turnin e punës  na  dalin  pas  pemëve  në bulevard  dhe na  ndalojnë 4-5 njerëz  me kapuçë në kokë  me  armë. Më kujtohet se ne  atë natë  mbetëm vetëm në  televizion.Kam qenë  në  një zyrë me  teknikun Kastriot  Fejzo  dhe  aty  lindi  dhe  ideja  për  të dalë  dhe  për të  bërë një thirrje  publike në  ekran. Njerëz  që vriteshin, nëna  që i  jepnin  gji fëmijës dhe ashtu në gji i vrisnin plumba qorr. Aty bëra  atë  thirrjen  publike  që si  nënë,  si  grua  dhe si  gazetare  t’i  themi   stop armëve.

-Ju  vetë  e  ideuat këtë tekst?

-Kjo ishte një gjë e dalë  nga shpirti  në  një moment mjaft të  dhimbshëm. Fill pas këtij momenti ka  ardhur  mjeku kardiolog Anastas  Kondili i cili doli nga shtëpija në mes të plumbave për të bërë një thirrje të dytë pas  thirrjes  time. Thirrja e tij ishte një zë intelektuali, mjeku, shqiptari të vërtetë, në emër të jetës, vëllazërisë, për të larguar armët nga duart.

-Këto ishin  jashtë  programit?

-Nuk bëhej  fjalë  fare  për  program. Dua  të  theksoj  këtu   drejtorin  e  asaj  kohe të  informacionit  Ardian  Tepelena  që  ka  qenë nga  njerëzit e  paktë, që atë natë ai kishte  vënë  krevatin  dhe ishte  gdhirë në dhomën e informacionit.Ai ka  punuar  shumë.Ishte koha kur  një pjesë e gazetarëve e kishte  braktisur televizionin .Ishte Amalia Dhamo, Afërdita  Sokoli,  që nuk u shkëputën, pikërisht ato që u rritën me televizionin dhe e shihnin edhe në këtë moment si pjesë të shtëpisë së tyre. Por  atë natë  kur  unë  u  ndodha  vetëm  me  teknikun  dhe me  dy  njerëz në gjithë këtë metalurgji nuk  do  ta  harroj  kurrë.

-Cfarë programesh  transmetonte  televizioni në këtë moment delikat të historisë shqiptare?

-Ditën kishte programe të ndryshme pa shumë përzgjedhje. Ishte  një moment i vështirë ku  kishte të shtëna armësh, ishte një luftë pa front. TVSH u braktis  për një moment, pasi  ku  u tha se do të vihej  bombë, do  ta pushtojnë etj. Nuk  dua ta  kujtoj  më.Episode të  marsit  të ’97 unë  kam kaluar shumë, sepse isha gazetare e terrenit. Por nuk  jam  prekur,  kurrë pasi kam bërë  një  gazetari  të mirëfilltë. Dhe atë vit kam qenë një gazetare terreni, por  terren lufte. Kudo që shkoje,  shikoje  njerëz  të  armatosur  dhe një  vend  të  braktisur  të  shuar. Do të kujtoj  Qafën e  Muzinës, ku kam  qenë me Naum Laskun duke shkuar  për  në Sarandë për të xhiruar, në Gjirokastër, në Lazarat etj. Unë kam qenë e pranishme  kudo. Dilnin  në  rrugë  njerëz me maska, me  doreza  të zeza, me  armë me  automatik etj. Mua  më thoshin  kalo motër  nuk  kemi gjë  me ty, sepse ishte fituar  ajo  besimi i  figurës të të sjellurit  e lajmit ashtu siç  ishte. Kemi takur  edhe një prift në Qafë  Muzinë  me Naumin. Ai me dashamirësi më  tha  shiko jetën  tënde,  se është më  e vlefëshme  se  sa  kjo  që po  bën.Ndërkohë  që  shikoje  patrulla  policie që kontrrollonin njerëz dhe nga këta  njërëz ishte  edhe  ky  prift. Nuk  ia  mësova dot  emrin por  më  ka ngelur në  mendje. Një moment tjetër... Koha e sulmit ndaj Televizionit në vitin 1998, ishte një nga kohët më  të  shëmtuara, një nga ditët më të shëmtuara. Ishte një ngjarje  e dhimshme,  e hidhur, ku  u  braktis i gjithë shteti. Shteti ra si kështjellë rëre,  u  dorëzua  për  disa  orë. Televizioni kaloi çaste tensioni, kolapsi.

-Në gjithë këtë karrierë dhe njohje, si nuk u stacionua në ndonjë punë më të rehatshme Tefta ?

-Jeta ime është ajo e një gazetarie të mirëfilltë, ku nuk kam  bërë  kompromise me  asnjë  klan. Jam  nga ato gazetare që  njoh  shumë  nga e  majta  dhe nga e djathta,  që gjithkujt  mund   t’i kisha  kërkuar një  nder, për të mos patur  këtë pagë  që kam  sot,  apo  për  ndonjë vend  pune më të mirë. Por nuk  dua që ti  them  faleminderit njeriu  për  punën  time. Besoj  se kam  bërë një punë  për  tre dekada  në këtë institucion  dhe duhet të  kisha  një vlerësim  sot. Në demokraci shpërblimi jepet sipas meritave dhe punës jo sipas bindjeve politike.

-Shikohet  që shumica e  emrave që  që përmendët  më lart janë  personalitete në  diasporë, mos  vallë  ende vazhdon  një  largim i trurit  shqiptar?

-Është mëse e qartë.Largimi i  trurit  shqiptar  ka  vite  dhe këtë  do ta  cilësonja  një fatkeqësi  për  kombin, dhe e keqja është se  nuk  po  mundim ta thithim  trurin  e tyre. Vihet  re se një përqindje e madhe e studentëve që sot frekuentojnë  studimet jashtë me kokrra  janë  ata  që mund të  kthehen  në  vendin e  tyre, sepse nuk gjejnë  atë vlerësim, nuk  gjenë një vend  pune për  ku ata  kanë  mësuar, ose gjejnë një punë shumë të paktë për  tu  paguar  ose vijnë  e provojnë  dhe ikin përsëri.

-Duke patur parasysh  që ju  keni  fëmijët  në emigracion, a e ke menduar  ndonjëherë  që të ikni në  emigracion?

-Kam filluar ta vë në pikëpyetje edhe pse  kam  një  moshë jo të përshtatëshme   jam zhgënjyer edhe unë  si shumë të tjerë. Kam punuar edhe unë ku kam  dhënë  shpirtin  tim, rininë  time ku nuk  kam  ndarë  ditën  nga nata,  ku nuk i  kam  vënë   fëmijëve të  mi  një pjatë gjellë të  ngrohtë përpara,  ose  kur  i  kam lënë ata me  temperaturë  për të  kapur  transmetimin dhe nuk u vlerësova kurrë, sepse nuk  isha pjesë  e asnjë klani, pse nuk  isha  pjesë  e një  imoraliteti.Fatkeqësisht sot  njerëzit që marrin  poste  janë njerëz militantë, janë njerëz  që  nuk  dinë të vlerësojnë atë ç’ka përbën  vlerë  dhe po të vësh  re  emra  nga më të  çuditëshmit që nuk i  kanë dhënë  një sekondë televizionit, njerëz që nuk  vijnë  në punë, sot  mbajnë  emërtesa  nga më të çuditëshemt  dhe mund të paguahen  2-3 herë  më 
shumë  se unë.

-A është marrë  ndonjëherë me  politikë  Tefta?

-Nuk jam marrë edhe  pse kam  pasur  mundësi   të  merrem  me politikë. Nuk  më  ka  përlqyer  asnjëherë politika, madje  do të  thosha  se  më  është  kërkuar  që të  merja  një  funksion  si sekretare e rinisë së Rrethit por nuk  kam pranuar kurrë ashtu  si edh e sot  në vitet  e demokracisë.E kam  parë veten  larg politikës. Më  pëlqen liria  e gazetarit, më pëlqejnë  njerëzit, ku mund të  afroj  për ta  diçka një zgjidhje, nj ë mundësi  etj. Politika  shqiptatre  sot  nuk të ofron  asgjë për ta  admiruar. Politika më e mirë për mua është të sjell një lajm të gëzuar, një reportazh, një portret njerëzor, një nën që lind një fëmijë,

-Si është një  ditë pune  për  Teftën?

-Puna për mua  është pasion.Dhe nëse ka një fjalë agresive, unë shprehjen  agresive unë do ta  përdorja  vetëm në  punë. Gjithmonë  kam  qenë  agresive  në punë, në kuptimin që çdo  gjë që e kam nisur kam  dashur ta mbaroj në  kohë rekord. Nuk i kam  zvarritur  kurrë  gjërat, është një punë që e kam  dashur dhe vazhdoj ta  dua, edhe pse në television ka   njerëz  që nuk duan  të  punojnë. Nuk  dua të  errësoj  gjithshka, gjen me  të vërtetë njerëz  militantë,  por  gjen  edhe njerëz   që e kanë pasion punën që ashtu si unë, kanë dhënë shumë  për  atë  ekran, por  ka  edhe të rinj që  vijnë  me horizonte  për të sjellë  diçka të  re .Si  Mirela ….. që  ka qenë  gazetare lufte  që  vjen  me  një  eksperiencë  perëndimore e  shumë të tjerë . E admiroj për  vizionin  dhe për përpjekjet  për të  futur  emisione të reja në 
televizion.

-Keni ndonjë peng  të të  qenit  gazetare  në  Televizion?

-Nuk  jam bërë  pishman kurrë  se po të isha  bërë pishman do ta  kisha lënë. Një peng kam që, pas kaq shumë vite pune,  mua tani, më  hiqet  statusi i  gazetarit dhe kaloj në  redaktore.Është një moment  i cili unë do të kthehem dhe do ta kërkoj  në  rrugë  ligjore, më  duket  një padrejtësi  që më  është  bërë. Jam  njeriu  më i papaguar  në televizion, edhe  pse përpiqem të punoj më shumë   se sa të  tjerët, sepse akoma nuk kam dhënë atë që unë  mund të  jap, maksimumin. Kam ende rezerva, pasi am eksperiencë..Mendoj  se nuk është bërë ndonjë vlerësim për njerëzit që i kanë dhënë shumë   televizionit. Zakonisht vlerësimi bëhet kur vdes.Vdis pa të të duan është  shprehja  popullore. Kështu  ka  ndodhur  shumë me  kolegët tanë. Kur  del në pension  një punonjësi të  televizionit nuk i thuhet  faleminderit, nuk   i jepet një tufë  lule, nuk i jepet  një dorë miqësie,  një dorë  ndarje  për  t’i thënë  faleminderit për  vitet  e punës. Kjo është gjëja  që vuaj më  shumë. Nuk  flas  për  veten, unë flas  për të  gjithë  brezin tim.Mënyra  se si  ikin shumë prej ikonave të TVSH është  shumë  e shëmtuar. Kurrë në  televizion  nuk  organizohet  një festë  dhe t’i thuhet një faleminderit këtijë  njeriu që  po del në pension.E vetmja gjë që dua  ta  lidh me Mirelën……., është ajo  mbrëmja gala  që u  bë  në televizion për vitin  2007, ku u  dhanë  disa  çmime. Mu  duk  një gjë e mirë  kur  punonjësit  u mblodhën  dhe vlerësuan njeri-tjetrin, megjithëse jo të gjithë  e gjetën veten, ku  kishte  edhe të pakënaqur por  hapi i  parë u  hodh. Ishte një risi. Eshtë bukur  të  shikosh  të  gjithë kolegët e të  gjithë brezave  sepse  ishin të  ftuar  të  gjithë brezat, pasi  ky televizion  që është hapur  sot  është  hapur  me ta  me kontributin e tyre.Cdo  kohë  ka  prurjet  e veta.Nuk  mohoj  edhe të rinjtë që i kanë dhënë  emër televizioneve. Erdhe  sot  ka emra  gazetarësh  të rinj që i  vlerësoj  dhe i respektoj.

-Ju nuk jeni larguar asnjëherë nga  televizioni  shqiptar  edhe pse  keni  pasur  oferta, kush  është  arësyeja ?

-Arsyeja ka qenë ndoshta  se jam  përkushtuar  në përgjithësi. Edhe ata  që janë  larguar  kanë  pasur  një  konflikt  me televizionin për  motive  politike. Nuk  jam  me atë të qenurit të përjetëshëm, absolutisht jo.Çdo gjë ka kohë, ka prurjet eveta  ashtu si  edhe unë kur gjeta një brez tjetër. Por  puna është se cdo  brez  duhet  vlerësaur  dhe i duhet  dhënë ajo që  i takon.

-Në radio televizion  ka  më shumë  folës  femra se sa  meshkuj, kjo  ndodh se ka rënë rendimenti i folësve  meshkuj, apo  është ndonjë dëshirë e pronarëve   që femra  të jetë më prezente  në televizion?

-Unë nuk e mendoj kështu, por mendoj se nuk kërkohet për  të pasur një balancë, Vazhdojnë  të hyjnë  një pjesë  me  miq. Unë  nuk  mendoj  se  mungojnë  meshkujt folës sot  në Shqipëri. Mendoj  se po të kërkosh  gjen  gazetarë  folës  shumë të pregatitur  njohjes  të informatikës  të gjuhëve të huaja.

- Familja shqiptare përjeton një krizë. Divorcet shtohen. Personalitetp të ndryshme mendojnë se një pjesë e problemit është dhe shpenzimet e teoruara të seksit femër. Kush është mendimi juaj ?

-Unë nuk e shikoj  krizën e familjes  shqiptare vetëm tek shpenzimet e tepërta apo, tek veshja e femrave. Shoqëria  shqiptare sot po  përjeton një krizë, një  krizë  identiteti, një krizë  ekonomike. Në Shqipëri janë formuar dy shtresa një shumë e pasur dhe një e varfër. Nuk  ka  një  shtresë të mesme,  dhe po  rritet  shtresa  e të varfërve. Kushtet,  ekonomia, baza sociale,  është gjithshka  për  mua dhe e dyta  po rritet  deri diku  një brez egoist. Janë  të  paktë  ata  të rinjë  që pajtohen  me reaitetin dhe  të çajnë  në jetë, ndërsa pjesa  tjetër në rrugë,ku  pjesa  më e  madhe  janë  femrat  shqiptare që kërkojnë  të vishen  bukur, edhe pse  vijnë  nga një  familje  që nuk kanë, kërkojnë që të kenë një makinë lluksoze  edhe pse  nuk kanë bërë një ditë punë, kërkojnë të kenë një shtëpi edhe pse nuk kanë asnjë të ardhur. Dhe këto kërkojnë ti  gjejnë nëpërmjet rrugëve  amorale apo imorale, për  mua kjo  është arësye  kryesore. Pastaj, ka familje ku dikush e shikon  veshjen.  Veshja  të jep edhe një lloj  identiteti, këtu nuk  dua të kaloj edhe anën  intekektuale. Sepse  të  vishesh pa pasur intelekt në shoqëri  del bllof. Por që të vishesh  normal më  duket   normale. Unë vetë  jam larg ekstravagancës, larg  asaj që mund të shëndërrohet  në mit të  modës  duke mos  pasur  asgjë. Nuk mund të kapësh  majën  kur  ti  nuk ke firmosur një ditë punë.Tek disa  femra përpiqen  të arrijnë  gjithshka në  një kohë  rekord  që kur  janë studente duke manipuluar  me njerëz  duke  u bërë  herë pas  here dhe prishëse të familjeve, duke penetruar në format më të  ndryshme për të  qenë  dikushi  kot.

-Kë vlerëson  më  shumë tek një njeri  Tefta  Radi?

-Vlerësoj  sinqeritetin. Vlerat  që ai  ofron  për  shoqërinë. Vlerat  që nisin  që nga familjet për mua janë esenciale. Sepse ka  më pak krizë, më pak  divergjenca, grindje, fyerje në rrethet  shoqërore. Mendoj se njerëzit me  vlera duhen  vlerësuar.

- Ju mbani lidhje me shumë mikesha në diasporë. Dhe në disa raste ato shprehin  dy gjëra  se Tefta  ka ngelur  e re  edhe nga ana  vizuale ashtu edhe  në  mendim  edhe në  dashuri njerëzore, kush janë  këto  sekrete ?

-Për  këto  mendime i falenderoj  të  gjithë  miqtë e mi kudo që janë. Jam  një  njeri  që lëviz shumë, punoj shumë.Për dashurinë për njerëzit  jam  edukuar në  një familje që  t’I  dua   dhe ti  respektoj pasi nektarin e dashurisë i kam marrë gjysh dhe  gjyshe ku kaloja  muajt  e beharit  të cilët  nuk  i harroj kurrë.

-Ju keni  qenë në TVSH në sistemin monist, a keni pasur ndonjë rast ta  takoni Enver  Hoxhën?

-Unë nuk kam pasur rast  ta takoj  Enver  Hoxhën  edhe pse kam  punuar mbi një dekadë në atë sistem si gazetare. Gazetarët  që mbulonin  atëherë  Enver  Hoxhën  ishin  të caktuar. Jo kushdo mund të shkonte atje .Kanë qenë Alfons Gurashi, Agron Çobani, Zamira Koleci. Unë kam punuar thjeshtë si gazetare  dhe folëse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora