Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Intervistë ekskluzive me poetin shkodran Ragip Dragusha

| E shtune, 02.03.2013, 11:00 AM |


Intervistë me poetin shkodran Ragip Dragusha

Duke folur me shpirtin tim, unë flas çiltër!

“Të shkruash për vendlindjen ashtë gjithmonë pak , ndaj dhe zëvendësimi i saj ashtë i pamundur me çfarëdo bukurie tjetër”.

Ekskluzive nga Ramiz Selimi

Një rrëfim interesant i poetit të njohur në mërgatën e sotme shqiptare Ragip Dragusha për poezinë, jetën dhe vizionin e tij në mërgim. Poeti ka lindur në vitin 1953 në Shkodër, nga vitet e 90-ta ai jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Poeti flet për fëmijërinë , problemet në shoqërinë moniste,  poezinë e tij të parë, inspirimin, suksesin, për integrimin në Austri. Nuk mungojnë as këshillat dhe dëshirat e poetit për zhvillime pozitive të shoqërisë shqiptare. Ai thotë se:” Duke folur me shpirtin tim, unë flas çiltër dhe depërtoj ma shpejt në qiell, atje ku mendimi ashtë engjëllorë, ndaj dhe kam ëndërruar gjithmonë për poezinë”

Zemra Shqiptare: Ju lutem Ragip na tregoni për lexuesit, se cili është profili i Ragip Dragushes, duke filluar nga vegjëlia?

Ragip Dragusha: Gjej rastin në radhë të parë ti përshëndes të gjithë lexuesit që na ndjekin, si dhe e përgëzoj interesin tuaj për të bërë këtë intervistë të hapur për bashkë-lexuesit e juaj.

Jeta ime që në fëmijëri ka qenë e lidhur fort me recitimin, ku pothuajse në të gjitha klasat e shkollës fillore dhe unike kamë recituar vargjet e rilindësve tanë, si Vaso Pasha, Migjeni, Noli, Mjeda e të tjerë, të cilat me mbushnin me plot emocione.  Për fat të keq ky recitim u ndërpre në moshën 14 vjeçe, kur babai u arrestua nën akuzën për agjitacion e propagandë nga ish sistemi i atëhershëm.

Në vitin e tretë të gjimnazit shpesh me kanë aktivizuar edhe si rezultat i „konkurseve“ të ndryshme, ku poezia ishte fjala e parë e prezantimit që me jepte të drejtën të promovoja përpjekjet dhe aftësitë e mia. Kam recitua shpesh në ”Klubin e Rinisë” dhe në teatrin “Migjeni” me regjisorin e madh Serafin Fankun, ai me ka përkrahur shumë, aq sa kishte forcë të ndërhynte pranë organeve drejtuese partiake të atëhershme.

Goditja e dytë politike me erdhi pasi fitova konkursin në institutin e lartë e arteve, dega “Kanto” në Tiranë, nga ku me gjithë përpjekjet e fuqishme të artistit të madh Luk Kacej nuk arrita dot të marr të drejtën e studimit si gjithë të tjerët, që e fituan me djersë dhe talent.

Zemra Shqiptare: Kur keni filluar të merreni me poezi, kur e patet takimin e parë me poezinë, na tregoni çka ju shtyri, ti përkushtoheni poezisë?

Ragip Dragusha: Gjatë gjimnazit kam bërë 10 poezi të cilat kam pasur fatin vetëm ti recitoj në teatrin  Migjeni, si dhe në aktivitetet tjera artistike. Pas viteve 90-t fillova shkollën e lartë por nga këtu emigrova në Austri, ku prej ma shumë se 20 vitesh jam integruar me familjen time në Vjenë. Poezia kjo fjalë tre rrokjesh troket mija herë tek unë me emocionin që me përcjellë ajo. Ajo me ngrohë me rinon me mbron nga vese të ndryshme që koha përcjellë. Duke folur me shpirtin tim unë flas çiltër dhe depërtoj ma shpejt në qiell atje ku mendimi asht engjëllore ndaj dhe kam ëndërruar gjithmonë për poezinë bile dhe me këto vargje që po sjellë për ju;

Poezia

N’vargun tand du me mjellë lule

Ylberit ngjyrat me ja marrë

Due me t’pa gjithmonë të gzume

N’shekull t’ri 13 vjecarë.

Andrat tueja due me i prek’

Ma t’mirë frutat me ja vjelë

Kurr nji gja nuk du me t’hjek

N’aromë lulesh me t’përcjellë

Për ty shumë due me këndue

N’rreze t’diellit me t’qëndisë

Me fjalë t’amla zbukurue

Porsi veli i nusërisë.

Dil pra ti pa u vonue

Se për ty miqtë kan’ardhë

Vishu bukur,ato m’i gzue

Fillo pra ma kambë të mbarë…..

Zemra Shqiptare: Nga e merrni inspirimin për vargjet e tuaja? Uleni si poet dhe dëshironi të shkruani, apo frymëzimi vjen vetvetiu për ta hedhur në letër?

Ragip Dragusha: Momenti kur du me hedhë diçka në letër me duket sikur kohën nuk e kap dot, ose me duhet të shpejtoj për të „kapur avionin“…. Pastaj në pushimin „Tranzit“ ndalem dhe pushoj pak, duke e përtypur ma mirë mendimin ose u rikthyer disa herë nga e para. Ndjenjat me bëjnë ti nënshtrohem atyre në çdo kohë, kur shkruaj diçka të re, si shërbëtorin e tyre. Dua qetësi të plotë dhe mundësisht të jem vetëm. Natyra asht ajo që me inspiron ma shumë.

Zemra Shqiptare: Jeta në mërgim dhe dashuria ndaj atdheut sa ndikojnë në tematiken e poezive tuaja?

Ragip Dragusha:  Mendoj se ashtë arsyeja më e fortë që detyron lapsin tim të shkruaj në çdo kohë. Në jetë njeriu ka provuar se ajo që i mungon ma shumë ashtë ma e shtrenjte për të. Në historinë botërore poetët e mëdhenj i kanë kënduar kombit dhe atdheut të vet, kur kanë emigruar jashtë. Ketë mësim na e japin edhe rilindasit tanë të shumtë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që me anë të lapsit ato kanë portretizuar ndjenjat e tyre për vendlindjen. Me lejoni të ju njoh të paktën me një strofe të kangës që i kam kushtuar "Qytetit Tim".

A thue kanga prej tejet ka dalë?

E n'andra t'bukura me ty mu bashkue.

Sa herë shpirti me djegë mallë

Për ty o Shkodër un' du me këndue........

Për lagjen Perash atje ku kam lindë

Për abetaren n’shkoll‘ që kam mësue

Për oborrin ton‘ ku kishim xhaminë

Për kishen e Madhe që s’ka t’harrue………

Zemra Shqiptare: Poezitë tuaja janë të shkruara me dialektin e vendlindjes, edhe pse ju e flisni gjuhen standarde bukur. Pse? A duhet rishikuar gjuha standarde?

Ragip Dragusha: Po kjo qëndron sepse në veshin tim dialekti gegë me mungon, siç me mungon atdheu im këtu në mërgim,  ndaj dhe jam i detyruar të ja plotësoj ketë dëshirë vetes për të mos u tretur ma dëshira. Dikur kam dëgjuar nga mësuesit e mi që ai nxënës që shkruan me të majtën, duhet mësuar të shkruaj më të djathtën sepse truri drejton më mirë ndjenjat vizualisht. Fatmirësisht koha provoj të kundërtën.“Analogji“. Unë mund të them se kur shkruaj poezi në gegnishtë të thyer, jam ma i drejtpërdrejtë me trurin tim pamvarsisht se si e flas në jetën e përditshme gjuhën e detyruar nga mediet. Në lidhje me „Gjuhen Standarde“, që ju përmendni me lart unë jam detyruar në mendimin tim modest të gërmoj sado pak të vërtetën e kësaj ndërmarrje në vitet 72 nga ku dhe u lansua i famshmi „Kongres“. Duke pas fatin të njihem me literaturë të huaj si dhe literaturë shqipe të botuar nga gjuhëtarë profesionist jashtë vendit mbetem i mendimit se çdo gjë duhet rishikuar si rezultat i veprimeve arbitrare apo të njëanshme të kohës së diktaturës për të vendosur me dhunë edhe në fushën e konsolidimit shekullore të gjuhës shqipe. Mbaj mend se kam shkruar tre artikuj nga ku kam patur mjaft replike ndërmjet njerëzve kompetentë, deri dhe ne ofeza, gjë e cila me ka indinjua shumë. Megjithatë jam dhe mbetem i bindun se gjuha ashtë pronë e mijëravjeçareve dhe jo e një 50 vjeçar të brishtë. Ajo nuk mundet kurrë t’i nënshtrohet dhunës por vetëm latimit shekullorë të dialekteve në një mes të përbashkët. Duke dashur të jem ma konkret me ju po detyrohem të përsëris një pyetje që ende nuk kam marre përgjigje: Perse Greket, Serbet fqinje tanë pa përmendur shumë vende të përparuara të botës nuk e kanë ba akoma standardizimin e gjuhe së tyre? Apo mos vallë janë me larg civilizimit gjuhësor nga ne? Ndaj si përfundim vazhdoj të them se kjo punë i takon specialistëve, por perse jo dhe poeteve që shkruajnë dhe flasin këtë gjuhë të bekuar dhe ja apeli im për gjuhën:.

”Andra e lumturueme”:

N’kamb’ mu çue e tanë shqiptaria

Most a lam shqipen dikush t’na e mbysë

S’ka si para me shkue vegjëlia

Kur gjuhën e nanës e flet përgjysë.

Prej andret dola i lumturue

Sa kangën nisa, Shpirti m’dha jetë

Hej..hej vallja e shqipës mos qoftë mbarue

Për dore vallzojnë toskë edhe gegë.

Zemra Shqiptare: Pasi që ju jeni i panjohur për lexuesit tanë, na tregoni për poezitë e botuara, apo ndonjë përmbledhje poezish që keni botuar? Keni ndonjë përmbledhje para botimit?

Ragip Dragusha: Faleminderit. Kjo pyetje me jep rastin ti prezantoj publikut artdashës dhe librin tim te parë “Andra e Lumturueme” , që tashti ndodhet dhe në disa librari të vendit. Kjo përmbledhje mbartë poezi kushtuar në radhë të parë poetit të madh Shqiptare Pader Gjergj Fishtës, si idhuri i letërsisë shqiptare në gjysmëshekullin e kaluar-shiko faqe 69(Harenberg Lexikon der Weltliterature), nga ku ka marrë dhe fillin libri im. I zhytur në “Andren e Lumturueme” mesazhi im ashtë i qartë edhe për pyetjen e mësipërme që ju me drejtoheni. Duke mos permendun dhe Antologji si ajo e 101 poeteve për poetin e madh Ali Podrimja, “ilirikum”, “Drita” etje…që unë jam pjesë e tyre me poezi, me lejoni miq të ju njoftoj se së shpejti pritet të dalë libri im i dytë  “Forca e Fatit dhe Dashnisë” nga ku do zbresin ndjenjat e mia ma të fuqishme për njeriun, dashnin dhe rrolin e tij në shoqëri. Ndjenja për dashnin e amshueme që shekujt se mplaken kurrë. Me lejoni të ju sjellë një poezi nga ky libër.

 

Drandofilja

 

E kuqe si gjaku qe mue me ke ndezë

Perse gjembat tueja nuk m'lan me t'pergdhelë?

Sa herë drandofile që due me t'prekë

Me bukurinë tande gishtat mi ke there.

 

Si ty shumë shoqe në fushë kam gjetë

Secila prej tyne donte me m'tregue

Kujdes! prej drandofiles se shumë janë djegë

ndaj mos ju ofro se ke mu pendue.

 

Për ty shumë shoqe me kanë diftue

Sejcila prej tyre ma dha nji këshillë:

„Ti djalë drandofiles mos me ju ofrue

ma e rrezikshme bahet ajo kur ka çile“.

Për dore dafina me mori nji herë

Dy fjalë në vesh po due me ti thanë:

“Shiko sa lule kanë çelun n’pranverë

Përmbi lule tjera vetëm unë jam”.

Nga larg dëgjova se foli lule bora”

“Unë çelë lule në dimër e në verë

Sa herë që me zgjedhin un iki nga dora

Ndaj e vetme do rri keshtu perhere“.

 

Luleshtrylla foli me za të mekun:

“Ndalni moj motra për çfarë thoni për mue

Pa çelë ende mirë me batë të vdekun

Çdo lule nga ngjyra e vet u dashunue“.

Hypur mbi mure po flet lule vila

“Ndalnu moj motra për ku po shkoni

Vërtet ma të bukur s’ka se drandofilja

Fjalët i merr era thoni çfarë të doni”.

Tek vështroja i qetë parkun luleshumë

Ma të kandshmet ngjyra me kanë pergdhelë

Por zemra nuk pyeste tek gjakosja duert

Kur në gji drandofilen e vuna përherë.

Zemra Shqiptare: Si i vlerësoni mbrëmjet letrare poetike që po mbahen në Austri, ku po bëhet promovimi i librave?

Ragip Dragusha: Vlerësoj maksimalisht punën e Shoqatës Kulturore Aleksandër Moisiu të drejtuar me kompetencë nga poeti i palodhur Besim Xhelili. Ajo vendosë një gurë themeli në çdo radhë të saj,  për tu lansuar dhe njohur në publik.  Natyrisht kontakti  i drejtpërdrejtë i jep tjetër peshë fjalës poetike. Që në fillimet e punës së saj miqtë e mi poet më mbështetën duke me dhanë mundësinë të interpretoj gjerësisht krijimtarinë time në takime të fjalës poetike. Ndaj dhe gjejë rastin këtu ti falënderoj pa masë për kontributin e tyre në këtë drejtim.

Zemra Shqiptare: Cilët nga shkrimtarët tanë dhe të huaj preferoni?

Ragip Dragusha:  Padyshim poetët dhe shkrimtarët e rilindjes për mua janë të papërsëritshëm në kushtet që punuan dhe sakrifikuan si dhe ndjenjat që ato falen për kombin e vet, nga të cilët veçoj: Fishta, Frashëri, Mjeda, Noli, Shiroka, Migjeni, Vaso Pash Shkodrani..

Nga të huajt mund të veçoj,  Göthe, Dostojevskin, Hygoin etj.

Zemra Shqiptare: Ju merrni pjesë personalisht me recitime në organizime të ndryshme. Tani me jeni i njohur të mërgata në Austri e më gjerë. Na tregoni nga këndi i juaj i vështrimit, sa jeni i kënaqur me të arriturat?

Ragip Dragusha: Mundohem ti jap vlerat me emocionale poezisë, nga ku shpesh kam hasur në nji të fshehtë të saj dhe çfarë? Poezia e vargut lirik kërkon ma shumë shije, buron nga shpirti tradicional ku mue me mungojnë disa element të njohjes reale, por pas shumë provave dhe incizimeve arrijë te bindem në defektet e paraqitura kështu që në masën më të madhe i kam realizuar ato. Ndërsa poezitë me theks patriotik apo kombëtarë kërkojnë forcë interpretimi i cili me bënë të jem me afër ngjarjeve të mëdha me emocionin përkushtues. Ajo që unë kam arritur të pranohem në koncerte të ndryshme këtu në Vjenë dhe jashtë saj ashtë vetëm serioziteti dhe përkushtimi gjatë provave që krijon bindjen se interpretimi do të ofroje sukses.

Ndryshe mund të interpretohet poezia që i kam kushtue „Zanës së Malit“ dhe tjetër interpretim kërkon fjala vjen poezia „Faleminderit Viena“ e cila pati nji sukses të papritur tek spektatori. Këtu po jap dy strofe nga të dyja poezitë.

„Zana e Malit“.

Pashë dy sytë e tuj moj Zanë

A m’difton kush t’ka lakmue

Tek burimi shkon me kangë

Por kur kthehesh përmallue?

…………………………………………..

„Faleminderit Viena“.

Faleminderit Viena që na ngjalle Skanderbenë

Pas pesë shekujsh e ngrite nga varri

E veshe me armët që mbrojti Atdhenë

Gëzohu! Shqipëri se prapë të erdhi djali…..

Zemra Shqiptare: Si e vlerësoni organizimin e mërgatës sonë në Austri, a ka suksese, çka duhet ndërmarrë mërgimtarët tanë për ta ruajtur: gjuhën, kulturën, traditën, historinë, besën dhe dashurinë ndaj atdheut?

Ragip Dragusha: Mendoj që rrugët janë shumë, por ato me kryesoret që gjykoj unë janë afrimi sa ma shumë me mërgatën, ta sjellim atë sa me afër promovimeve të vlerave tona si tradita kangët, fjala poetike e cila padyshim ashtë gjerdani i artë që kultivon identitetin e bashkëkombësve tanë. Një ndër pikat kyç do ta quaja ashtë angazhimi me i madh i prindërve për të udhëzua fëmijët e tyre të marrin mësim të rregullt shqip ndër shkollat fillore nga ku dhe investimi i shtetit Austriak nuk ka munguar. Së fundmi ajo që e mban të ndezur flakën e dashurisë për atdheun ashtë padyshim kanga, veglat tradicionale dhe vallet popullore për të cilat duhet nji angazhim ma i madh i strukturave qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës për t’u udhëzua dhe në forma ma konkrete kontributin e përfaqësive diplomatike të tyre qetu në Vjenë.

Zemra Shqiptare: A mendoni se është lënë në harresë nga shteti, kontributi i padiskutueshëm në kulturën tonë i letrarëve tanë në mërgim?

Ragip Dragusha: Për ketë pikë ashtë e vështirë të thuash po, por nji angazhim më  madh ashtë dhe duhet të jetë ë domosdoshëm për hir të brezave që do pasojnë traditën gjuhën dhe zakonet shqiptare. Por dhe përkrahja nuk na ka munguar qoftë organizime në selitë Diplomatike Shqiptare, qoftë pjesëmarrja e trupit diplomatik në aktivitete të mëdha e të vogla në Vjenë e jashtë saj.

Zemra Shqiptare: Ka shumë njerëz që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. Çfarë mendoni se nuk kanë bërë politikanët tanë për të ndryshuar realitetin e vështirë shqiptar?

Ragip Dragusha: E kam të vështirë të jap recete për ketë, por unë mendoj se sidomos për brezin e ri duhen politika të reja në shtetet shqiptare për ti dhanë mundësinë gjithsecilit ta gjejnë veten brenda këtij territori, nga ku koha do provojë të kundërtën e asaj çfarë ato mendojnë tashti. Duhen gjetur mënyra e politika të reja drejtimi, që kjo fazë e vështirë të ketë sa ma pak të larguar ndaj dhe mesazhi im për politikanët ashtë: Vëmendje më të madhe sidomos për brezin e ri , për përgatitjen sa me profesionale të tij dhe mbështetjen pa rezerva ndaj kërkesave të tyre në rritje. Sa më shumë të investohet për ta, aq më shumë do ofrojnë për shoqërinë shqiptare mundësi të reja zhvillimi të vrullshëm.

Zemra Shqiptare: Jeta në mërgim nuk është e lehtë, asimilimi po troket në dyert e secilit mërgimtarë. Ju dhe familja e juaj, a mendoni që një ditë të ktheheni në vendlindje?

Ragip Dragusha:  Mendoj që ajo ditë të jetë sa më e afërt. Koha e gjatë larg vendit tim me ka lodhur duke me krijue nji brengë të madhe shpirtnore.

Zemra Shqiptare: Cili është kujtimi me i bukur dhe mbresëlënës që ke në kujtesë?

Ragip Dragusha: Padyshim mbetet dalja në dritë e mendimit të lirë dhe konkretizimi i tij në librin tim të parë poetik „Andra e Lumturueme“.

Zemra Shqiptare: Mesazhi juaj për lexuesit, për shqiptarët në përgjithësi dhe emigrantët në veçanti?

Ragip Dragusha:  Ne kemi nevojë të lexojmë shumë, të shkruajmë historinë e letërsisë sonë shqipe pa operacione në salla të mbyllura. Ajo që me mungon ma shumë në këto vite ka qenë materiali i paktë i besuar për të mësuar heronjtë e vërtet të letërsisë shqipe. Unë kam humbur një kohë të çmuar dhe të pallogaritshme në mërgim, duke mos qenë i pranishëm në kontaktet e përditshme dhe dialogjët që kanë në thelb kritiken letrare, duke filluar me letërshkruesit që pas mesjetës e këtej. Në tezën e të ashtuquajturës “e vjetër“ apo „ de mode“,  unë jam dhe do mbetem gjithmonë kundërshtarë i fortë, aktiv nga që literatura e huaj që kam hasur, bënë një vlerësim maksimal të poetëve që janë lanë nën „hije“ nga sistemi i kaluar kur ato po në çfarë duhet të bëjmë për veten tonë?. Për boten e zhvilluar vlerat më të mëdha e të pazëvendësueshme janë koha klasike dhe koha e rilindjes, gjë e cila mbetet ëndë sot në vlera që vetëm rriten. Ndaj para se ti shpërfillim, mendoj se duhen studiuar gjerësisht ndër shkolla që brezat të dinë ku të drejtohen dhe kujt ti japin vlera maksimale.  Një popull që nuk njeh dhe nuk vlerëson dishepujt e letrarëve të tij ashtë i destinuar të shuhet.

Faleminderit zoti Ragip për kohën që ndatë për neve!

Ju lutem, kënaqësia ishte e imja!