E shtune, 20.04.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Hamza: Hapat e mi

E shtune, 02.03.2013, 11:36 AM


Botues:

“Max-Print” - Prizren

Redaktorë:

Artan ALMETA – INDRITI (Republika e Shqipërisë)

Agim METBALA

Recensent:

Fahredin SHEHU – DADUSH

Lektore:

Florida REXHA – PAÇARIZI

Perkujdesja artistike

në kopertinë:

Leurit RAMA

Xheladin HAMZA

HAPAT E MI

poezi

2012

"Ma hap gjoksin tim nëse don ta shohësh purtekën e lumit të parajsës përderisa ai (lumi) kalon nëpër shtratin e tij ku notojnë trëndafilat e kuq...”

Fahredin Shehu

 

LEXOJ GUMËZHIMËN E VARGUT

 

Neve na shpaloset një kërkim permanent i qenësisë njerëzore nëpërmjet fjalës së bukur, në këtë rast fjalës artistike. Po të mos ishte poezia, si do të artikulohej Pathos-i i atij, i cili ka çka të thotë?,  dhe thonë, se njeriu i mençur flet vetëm atëherë kur ka të thotë diçka domethënëse, në këtë rast vargëzimi fjalësh nuk duhet të pritet të thuhet diçka e mençur, por pikërisht dhimbja si dashuri dhe dashuria si dhembje, Pathosi dhe Erosi, dhe krejt në fund Catharsis- i, i cili përjetohet, respektivisht manifestohet përgjatë turbulencave jetësore ekzistenciale dhe ekzistencialiste, në fenomenologjinë e Jetës, ku nuk mohohet as identiteti kombëtar e as ai fetar, por qartazi artikulohen si vlerë dhe si barrë e rëndë.

 

Njeriu sikur nuk ngopet së observuari nga brenda dhe jashtë, të fenomeneve, të cilat asnjëherë nuk e gjen shpjegimin as shkencor e as artistik, si; jeta, vdekja, dashuria, respekti, empatia etj.

 

Ja se si e bën Hamza në këtë segment të mëdyshjes ekzistenciale në BOTË E ËNDËRRUAR

 

Me gjithë shpirt dëshirova

Të jetoj në botën

Të cilën ëndërroja,

Ose të mos e ëndërroj kurrë

Botën në të cilën jetoj...

 

Në poezinë PLAGË TË SHPIRTIT, vetëflijimi manifestohet si tendencë  jo- materialiste dhe sublime e qenies njerëzore, njëherësh edhe aftësi për mbijetesë në botën e brishtë dhe ambient të jashtëm tejet agresiv.


...Derisa plagë të shpirtit
I arnoj me arna të këputura
Nga lëkura ime e tharë...

 

Leximi i shenjave të qiellit, jetës dhe gjithë shumësisë, që na rrethon paraqet një moment kontemplacioni, deri tek shuarja totale e mendimit, gjatë procesit meditativ, në të cilin arrihen unifikimi total.

Krejt në fillim shquhen të pamurit e këtyre shenjave, vogëlsia e njeriut karshi yjësive dhe dëshpërimi si pasojë. Në poezinë MEDITIM

 

...Lexoj thellësinë qiellore!

 

Dhe në fund anksioziteti i secilit njeri, i cili lë trashëgimtar dhe krijuesi, i cili lë pajën si ART, kush do të merret me këtë, kush do t’i numëroj këto hapa dhe peripeci, si në vargjet në vijim nga poezia HAPAT E MI.

 

Të gjithë bilbilat që  desha

Në qiell para kohe fluturuan,

Rrebeshi i shiut gjurmët mi fshin

Kush do t’i numërojë hapat e mi?

 

Poezia e Xheladin Hamzës, paraqet edhe një mëtim kah artikulimi i tronditjeve shpirtërore për fenomenet, të cilat e preokupojnë secilin njeri. Ato, të cilat nuk shkruhen nga secili, apo edhe po të shkruhen nuk thuhen në këtë mënyrë, në mënyrën vetanake të Xheladin Hamzës. Rafinimi i fjalës së bukur ka fituar një pjekuri të dukshme dhe kur kështu thuhet, para se gjithash, kuptojmë një proces evolutiv në mprehjen më të madhe të kalemit dhe njomjen më të madhe të tij në ngjyrën me bojë gjaku.

Uroj që ky Varg të jetë stimul i fuqishëm për gjeneratat që vijnë në mënyrë, që të kultivohet tradita e vjershërimit patriotik dhe shpirtëror në të njëjtën kohë.

 

Fahredin Shehu

Prill, 2012

Rahovec.

 

CIKLI I PARË

 

AROMË TRËNDAFILI

 

Dorën time të lodhur, dredh e lehta pendë

Rëndon shpirtin që flakë digjet për ty

Ajsberg  më bëhet trupi në lundrim me ty

Ndër ëndrrat më të bukura që s’kanë mbarim

Vesa e mëngjesit të ftohtë fle mbi ballin tim

E dielli me rreze të arta ma puth ballin e lagur

Rob i buzëve tua të zjarrta mbetem përjetësisht

Aty, në varreza të pahapura, varrosen ndjenjat e mia...

 

Eh ,sikur të kisha krahët e  një engjëlli qiellor

Vonë pas mesnate do të fluturoja tek ti

Sa më pëlqejnë udhëtimet mistike qiellore

Në kohë kur ora nuk bën matjen e saj

Dhe ura e ylberit lidh dy shpirtra larg me vite drite,

Arshi mbi qiej do të dridhej edhe njëherë për ne të dy

Robëria për buzët e tua, në aromë trëndafili do të

shndërrohej...

 

O XHANI IM

 

Yjet që shkëlqejnë më shumë

Ngjajnë me sytë e tu të zjarrtë

Që pandërprerë më përcjellin

O xhani im.

 

Më mësoi era

Si pëshpëritet emri yt

Edhe kur në ëndërr jam

O xhani im.

 

Dielli më përkëdhel e ledhaton

Lehtazi porsi dora jote

Dikur në shatërvanin e rinisë

O xhani im.

 

TI, XHANI IM

(akrostik)

 

E di që ti, xhani im pandërprerë

Në heshtje më përcjell si hije

Gjer në frymëmarrjen e fundit

Ëëë, je futur thellë në shpirtin tim

Jeta është e bukur dhe e ëmbël

Tamam si një ëndërr pambarim .

 

Shikimi mbetet i humbur në hapësirë

Qesh si fëmijë i vogël me yjet në vallëzim

Idilike duket kjo lojë, jeta – mashtrim

Pëlcasin damarët,  gjaku ngrihet - akull

Tempo e frymëmarrjes trurin ma bllokon

Arnoj shpirtin me arnat e shkëputura hyjnore

Ranishtë e bukur, hapi krahët, lermë të fluturoj

E ti nëse vërtetë më do, eja pas meje fluturimthi

...........................në parajsë përjetësisht të pres!

 

 

TI

 

Ti,

Vite me radhë

Lundron ëndrrave të mia

Pambarim...

 

 

PËR TY

 

Për ty,

Buzëve të mia

Bredhin fjalë pa zë.

Mbi të çarat e tyre,

Mbetet përjetësisht

Simfonia pa afoni.

 

Për ty,

Mendimet e mia,

I vesh me të bardha

Tamam si shpirti im

E të zezat i marrtë djalli

......................përjetësisht!

 

UNË E TI

 

Unë e ti

Dy krijesa të kundërta

Unë zjarr i fikur në sarkofag

Ti ajsberg i zhytur në det...

 

Mbi mua dhe mbi ty

Njëlloj pikon shiu i butë

Si të ishte lot nga sytë e mi,

E shtrëngata magjeps njerëz

Si t’ishin zogj të parajsës së humbur,

Sa e habitshme të jesh i gjallë...

 

TRËNDAFIL I  KËPUTUR

 

Flladi i verës, lehtas puhit sonte mbi mua,

Përmallshëm ledhaton trupin tim të njomë

Si gishtërinjtë e tu, ashtu si dikur,

Djersitem nga ankthi që më ka kapluar .

Aromën e lëkurës tënde, ndjej tek frymoj

Ngjan me trëndafilin që këputa dikur

Të mbaja përqafuar përmbi gjoksin tim

Tek flije, ëndërroje ëndrrat më të bukura...

 

Gurgullima e lumit, më këndon këngë malli

Në kopsht, gjithë trëndafilat nga dhimbja u thanë,

Shikimi mbi retë e bardha më humbi, diku lart

Kërkoj sërish të gjitha ëndrrat që dikur kisha

.................................................e tani më s’janë!

 

 

PIKTURAT E MËNGJESIT

 

Çdo natë

Më vije në ëndërr

E heshtur, e vetmuar

Tamam si shpirti im...

 

Ëndrrat mbeten të virgjëra

Sërish zbardhen mëngjeset

Bosh, si ëndrrat e mia,

Pa mbarim...

 

Për ty,

Ç’do ditë

Ndjej boshllëk shpirti...

 

Askush s’mi pikturon më,

Mëngjeset me fjalë të arta

Si ti...

 

 

BEBËZAT E SYVE TË TU

 

Jam vetëm një shpirt varfanjak

I derdhur në bebëzat e syve tu

Bojë qielli...

 

Të bardhat mendime për ty

Mbi rrudhat e ballit

I zbrita që nga retë e qiellit

Si shiun e pranverës...

 

Për urrejtje

Gjoksi më është tepër i ngushtë

Dashuria në heshtje më flet qetësisht...

 

DUA TË VDES

 

Më lër të të shikoj

Me sy të tjerë

Se të mitë m’u verbuan

Qerpikët m’u mbyllën

Përjetësisht....

 

Mbi gjoksin tënd

Nën tingujt e rrahjeve

Të zemrës tënde

Që i ngjajnë gurgullimës

Së lumit në ikje...

 

Me shpirt të qetë,

Tamam aty...

Mbi gjoksin tënd

Dua të vdes!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora