E premte, 29.03.2024, 07:18 AM (GMT)

Faleminderit

Faik Konica: Portreti autentik i qytetarit europian

E diele, 04.05.2008, 06:06 PM


Faik Konica
(Njëri prej korifejve të letërsisë sonë)

Nga Mark Bregu

“Faik Konica është njëri ndër “pushtuesit” e “olimpit” të kulturës tonë nacionale, njëri ndër patriarkët e letërsisë tonë moderne” -  (autori). Mendimet dhe gjykimet për Faik Konicën, sado kontradiktore qofshin, vijnë në përfundime pak a shumë të përbashkëta kur bashkojmë në figurën e tij  (sipas përcaktimit të Nolit) stilistin e përkryer, eruditin e shkëlqyer dhe atdhetarin e madh. Janë këto tri dimensionet e personalitetit të Konicës, të cilat nuk mund të përfytyrohen dhe kuptohen pa kohën dhe mjedisin nga doli e u formua, pa rrethanat shqiptare dhe lidhjet me botën, pa dhuntitë e aftësitë e tij krijuese.

Faik Konica duhet parë më shumë si një dukuri novatore për botën shqiptare se sa si individ, mund të pranojmë me bindje të plotë se tek ai u harmonizua njeriu shqiptar i Rilindjes Kombëtare me shqiptarin europian, që i kapërceu kufijtë tradicional të kohës dhe u përpoq ta integrojë kulturën tonë me kulturën e kontinentit, (pikërisht për të cilën po përpiqemi ne sot mbas kaq dekadash - M. B.). Konica hyn  (siç e pohon vetë) në “Rilindjen Shqiptare” në moshën njëzetvjeçare, atëherë kur boton në Paris broshurën “Shqipëria dhe turqit”  (1895) dhe vendoset në Bruksel nga nisi të botojë revistën “Albania”, si organ i Partisë Autonome Revolucionare. Ndryshe nga rilindësit e tjerë, të cilët i kishin qendrat e tyre nëpër kolonitë shqiptare, si në Bukuresht, në Sofje e gjetkë, Konica do ta ngrejë flamurin e luftës në mes të Europës. Veprimtarinë e tij politike e kulturore ai do ta zhvillonte në vatrat kryesore të metropoleve europiane, si në Paris, Bruksel e Londër. Prej këndej, militanti i Rilindjes sonë do të mbante lidhje me lëvizjen nacionale dhe do të komunikonte me botën. Në qoftë se edukata dhe lëvizja nacionale i zgjuan dhe i ngulitën vetëdijen patriotike, edukimi shkollor, studimet franceze të kryera në Liceun Perandorak të Gallata Sarait e deri te Universiteti i Dizhonit e “College de France”, i dhanë një formim e kulturë të plotë oksidentale. Por, natyrisht ajo që ishte më e rëndësishme, formimi dhe kualifikimi i lartë oksidental i dha mundësi atij t’i shpëtojë ndikimit ballkanik-oriental, të shkëputet nga mënyra e jetesës dhe mendësia e ngushtë orientale, të ngrihet mbi gjykime të ngushta e shije të tejkaluara të Lindjes së prapambetur. Kjo është arsyeja që Konica do të frymëzohet nga ideale iluministe e humaniste dhe do të ushqehet nga mendimi racionalist, larg formave ekstremiste.

Kjo është arsyeja që edhe “Albania”, gjatë afro trembëdhjetë vjetëve, në 2500 faqet e saj, do të jetë një organ me frymë europiane, një enciklopedi shqiptare, një tribunë e letërsisë sonë nacionale.

Më 1901, Konica botoi vjershën “Anadollaku në mësallë”, një satirë mjaft e fuqishme, drejtuar kundër bejlerëve në planin etik, për jetën vanitoze që bënin. Është një portret i goditur i feudalit shqiptar, i dhënë përmes një imazhi konkret, me ngjyra groteske, ku fshikullohet injoranca, bota e varfër shpirtërore, lakmia e tij. Lirika e vetme që njohim prej Konicës është soneti “Helena e Trojës”  (1937), një vjershë antologjike e shkruar në moshën e pjekurisë. Nga bota e ashpër homerike, poeti merr figurën delikate të Helenës dhe e trajton me një bukuri të re, gjithë elegancë dhe delikatesë. Përvoja e letërsisë së huaj, sidomos prozat e njohura të poezisë së Shatobrianit, nuk e kanë penguar Konicën e ri të jetë origjinal dhe t’i hapë rrugën në prozën e vonuar shqipe të asaj kohe.

Lëvrimi i prozës poetike mund të themi me bindje se fillon prozën moderne shqipe dhe që pa asnjë pikë dyshimi, krijues i kësaj gjinie është Konica. Kur Fan Noli e quan Konicën “krijues i prozës moderne shqipe” dhe “mjeshtri më i skalitur i prozës”, me këtë ka parasysh hopin cilësor që solli vepra e tij në rrugën e mundimshme të prozës sonë. S’ka dyshim se arritjet ma të mira të publicistikës, problemet e mprehta dhe patosi i saj i zjarrtë, begatimi i mjeteve shprehëse, shkathtësimi i gjuhës do t’i përgatisnin terrenin dhe do të ushqenin drejtpërdrejt prozën letrare. Proza letrare e Konicës është e shpërndarë në kohë dhe gjendet e pranishme pothuaj në të gjitha periudhat e jetës së tij krijuese. Fryma patriotike e Konicës na shfaqet me të gjithë madhështinë e saj edhe me një bazë të pasun emocionale të tregimit apo rrëfejza “Mrika”. Është fjala për vdekjen e lumtun të nji vajze shqiptare, që me trimërinë e gjakun e saj shpëton jeten e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me gjithë fundin tragjik, dhënë në sfondin e detit të natës që vetëtinë nga bukuria e nënqeshja e Mrikës, ngjarja tingëllon optimiste. Ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë dhe notat e një poezie humane janë ato që e kanë gatue këtë tregim që të mbetet në mendje.

Konica është pararendës në evidentimin dhe skicimin mjeshtëror të lëvizjes sonë nacionale, ku mund të evidentojmë skicën “Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë”. E ndërtuar kryesisht në trajtë dialogu, del mjaft i qartë tipi i demagogut, i njeriut pasiv ndaj fatit të atdheut, ai që merret me fjalë dhe sofizma. Autori s’e kursen ironinë e deri dhe fshikullimet satirike për të nënvizuar idenë se Shqipëria e robëruar kërkon veprime konkrete dhe sakrifica të vërteta. Faik Konica është mjeshtër shembullor në skalitjen e portreteve, ku “dalta” e tij e mprehtë tregon shkallën më të lartë të preçizionit. Ai, me një mjeshtëri të rrallë vendosi raporte të drejta dhe funksionale në mes të psikologut, mendimtarit dhe piktorit. Hapësira që ai zgjedh, distanca që mban, linjat që heq, atmosfera që krijon përcaktohen në mënyrë definitive në dhënien sa më mirë të fizionomisë dhe personalitetit, thelbin e tij psikologjik e historik. Duke u mbajtur fort pas figurës dhe shëmbëlltyrës së saj, ai arrin të realizojë portretin, jo vetëm në mënyrë lakonike e me mjete të kursyera shprehëse, por me një thjeshtësi e qartësi shpeshherë sugjestive, që përcjellin te lexuesi gjendje shpirtërore e mendime të kthjellëta e fisnike.

Në galerinë e portreteve të Konicës do të gjejmë rilindësit e mëdhenj: Jeronim De Rada, Abdyl e Naim Frashëri, plakun dhe tribunin e maleve Bajram Curri, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë Fan Nolin, prelatin e shqiptarizmës At Shtjefën Gjeçovin, secili brenda karakterit e natyrës së tij, secili në përmasat që i ka dhënë historia, të gjithë të ndriçuar nga drita e së vërtetës e të rrethuar nga atmosfera e dashurisë dhe e devocionit të autorit.

Faik Konica është i pari që i hapi udhë estetikës në letërsinë shqipe dhe është fakt se ai në një mënyrë apo në një tjetër, u mor gjithë jetën në këtë lloj që bashkon në një letërsinë me studimin. Në trajta të saj janë derdhur pasuri të mirëfillta intelektuale, meditime të gjalla e gjykime të mprehta, kërkime e zbulime, përshtypje origjinale nga bota njerëzore dhe universi kulturor. Një nga esetë më përfaqësuese të Konicës është ajo që njihet me titullin “Jeta dhe librat”, ose “Prometheu i lidhur”  (1922), ngritur mbi një reliev të qartë shpirtëror të vet autorit. Është ky një çast psikologjik me ndjeshmëri të lartë, që zgjon tek autori mendime e gjykime origjinale për librin, për fuqinë dhe peshën e tij kolosale. Gjithë fokusi në këtë rast përqendrohet te tragjedia “Prometheu i lidhur” e Eskilit, një libër i vjetër nga mosha  (2400-vjeçar), por gjithnjë i ri për nga mendimet  (siç shkruan vetë Konica). Prometheu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, të dashurisë së madhe që ka për njerëzit. Një hero i tillë kish ç’t’i thoshte lexuesit shqiptar në vitet ’20, kur në Shqipëri luftohej kundër tiranisë dhe për lirinë e mendimit. Aluzionet janë veçanërisht për Ahmet Zogun, si njeri që synon të rrëmbejë “Pushtetin në rrëmujë e sipër”. Unë do të sugjeroj se liria e mendimit u dhunua me një intensitet akoma më të lartë gjatë regjimit totalitar pesëdhjetëvjeçar  (M. B.). Jam gjithashtu i mendimit se, autorët që mblodhën dhe përgatitën materialet për veprën e Konicës, përkatësisht Nasho Jorgaqi dhe Xhevat Lloshi, kur flasin apo lakojnë emrin e Ahmet Zogut si diktator, për të qenë objektivë dhe të paanshëm, duhet të kishin lakuar edhe emrin e Enver Hoxhës, i cili e denigroi Konicën bashkë me Fishtën dhe Koliqin. Duke mos pasqyruar drejt realitetin historik do të mbajmë përgjegjësi para nipave dhe stërnipave. Jam i mendimit se çdo figurë historike duhet trajtuar në mënyrë korrekte jashtë kornizave të sentimentalizmit dhe simpative personale  (M. B.). Faik Konica është një personalitet i shkëlqyer në forcën e logjikës analitike, ai me një kthjelltësi të dukshme mendore dhe me “bisturinë” e tij të mprehtë, është në gjendje të operojë “apendisitin” social dhe kulturor të shoqërisë shqiptare. Ai, duke njohur thellë historinë e Shqipërisë, psikologjinë dhe natyrën e shqiptarëve, dhe nga ana tjetër duke pasë një vizion të gjërë për botën dhe duke e njohur dhe përjetuar atë nga kuotat e larta të qytetërimit e të zhvillimit bashkëkohor, ai nuk është i kënaqur nga realiteti shqiptar. Atë e trondit dhe e revolton  (disa herë deri në neveri) prapambetja dhe padija e bashkatdhetarëve, fryma anadollake dhe plogështia e tyre orientale, dëshira e vakët për punë, vullneti i dobët, mungesa e aspiratave të mëdha etj. Të gjitha këto e bëjnë Faik Konicën të shtrojë para shqiptarëve detyra imperative për të dalë sa më parë nga stadi i prapambetur, ku e ka lënë padrejtësisht historia. Një popull i lashtë, me tradita qytetërimi si populli shqiptar nuk duhet të mbetet pas Europës - thotë Konica. Goditjen kryesore të kritikës së tij Konica ia drejton aparatit burokratik të mbretërisë shqiptare. Te ky aparat ai sheh elementin më negativ, nënpunësin pa kokë, njeriun automat, që vepron mekanikisht, robotin. Robotizimi është burokracia e kohëve të reja, janë ata që punojnë e drejtojnë pa mend, “që pijnë gjakun e Shqipërisë dhe i thajnë burimet e jetës”. Tepër aktuale kjo profeci e Faik Konicës  (autori). Robotët shqiptarë, krahasuar me robotët botërore, paraqiten akoma më negativ po të marrësh parasysh se janë pjellë e nxënës të osmanllinjve. Në kritikën e tij të rreptë ndaj dukurisë negative, që konstaton në Shqipëri, ai përdor mjeshtërisht humorin e satirën e deri dhe sarkazmën dhe grotesken. Këtë e bën jo vetëm nëpërmjet karakterizimeve therëse e stigmatizuese, por edhe me anë të situatave, të përshkrimeve e të portreteve mjaft të goditura. Duhet theksuar se dy “armët” më të fuqishme të Fishtës  (falë kulturës së tij të lartë dhe të lavdërueshme) janë produkt i njohjes dhe përvetësimit të mbi gjashtëmbëdhjetë gjuhëve të huaja. Nga anglezët mori humorin, ndërsa satirën e mori nga Franca. Frëngjishten e njohu me rrënjë ashtu siç njihte Barleti latinishten  (me “kolorin” e së cilës ndërtoi veprën monumentale të Gjergj Kastriotit). Konica, me një njohje të gjithanëshme, të thellë, me sens realist dhe qëndrim objektiv por dhe duke vendosur paralele me botën, ai i tregon lexuesit se ç’përfaqëson populli i tij në bashkësinë europiane dhe më tej. Vetem një njeri me formim dhe aftësi si Konica mund ta përcaktonte aq qartë individualitetin e shqiptarit dhe të ngrinte perden e jetës dhe historisë së tij në dritë-hijet e së vërtetës. Vështirë të gjendet një vepër tjetër e këtij lloji për Shqipërinë, që brenda kufijve të eseve, të derdhet aq informacion i pasur e i rëndësishëm, me një spektër tepër të gjerë dhe të paraqitet aq bindës, rrjedhshëm e këndshëm saqë vetëm penda e “temperuar” me lëngjet më të “yndyrta” të kulturës europiane e Faik Konicës.

Jam i mendimit se Faik Konica bashkë me Fishtën, Nolin, Gurakuqin, Koliqin, Pipën, Camajn e Kadarenë, mbeten kolona të “padizermueshme” të kulturës sonë nacionale dhe pararendës të qytetërimit oksidental, pa përjashtuar Profesor Sami Repishtin dhe Doktor Ibrahim Rugovën. Faik Konica mbetet gjithnjë aktual me profecitë e tij dhe me vizionin tepër të qartë, që do t’i shërbejë të sotmes dhe të ardhmes si një udhërrëfyes gjenial.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora