E premte, 26.04.2024, 12:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Bajrami: Laureta Tragaj - ''Ankthi i një Nëne''

E shtune, 02.03.2013, 11:16 AM


Ankthi  i një nëne kur rriten bijtë

(Refleksione rreth romanit “Ankthi i një Nëne” të Laureta Tragaj)

Nga Agim Bajrami

Një nënë  që provon momentet e largimit prej saj  të fëmijës së dashur dhe të porsa rritur në udhët e panjohura të jetës , ndonjëherë më ngjan me siluetën e shqetësuar të  një peme që porsa ka pjekur frytet e saj të parë. Ndonëse janë dy gjëra dhe materie krejt të ndryshme, proçesi i ndarjes  dhe ballafaqimit të tyre me arealin  dhe botën që i pret,  patjetër shoqërohet me një ankth të bukur nëne. Cila do të jetë bota ku ata do të jetojnë dhe ballafaqohen   këtej e tutje? Si do ti presë ajo botë? A do të jenë ata vallë të aftë të ambientohen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët me të?  Natyrisht, këtë pyetje ekzistencialiste ia bën çdo fëmijë nënës së tij porsa fillon te thithë ajrin e habitatit të tij të ardhshëm. Në mungesë të fjalëve, fëmijët kanë zgjedhur të qarat e para dhe belbëzimet. Dikush ka thënë se kur fëmijët rriten, fillojnë dhe ankthet e para prindërore. Unë nuk po gërmoj se kur duhet të ketë dalë kjo e thënë,  ndofta në kohën e Adamit dhe Evës, në kohën e arkës së Noes a ndofta edhe më parë. Ky është shkaku mendoj unë që një nënë që rrit një fëmijë, është më shumë shenjtore se sa  e bukur ,më shumë e menduar dhe filozofe se sa gjithë filozofët e botës së bashku. Ndofta ky është shkaku që kur ajo shkon në udhë, së bashku me fëmijën e saj për dore, të gjithë njerëzit kthejnë kokën pas dhe ngjajnë më të bukur nga kalimi i saj.

Më dolën vetëvetiu dhe së brëndshmi këto mendime sapo mora në duar romanin e dytë të Laureta Tragës, kësaj gruaje të qetë dhe të heshtur, por edhe një prej narratoreve më të mira në vendin tonë. Duke u ngrohur Brenda frymës së saj prej nëne të lumtur dhe të shqetësuar, të krijohet  menjëherë përshtypja se je duke u bërë pjesëmarrës dhe dëshmitarë i zgjerimit për një cast të vetëm të dimensionit të botës ku ti jeton. Kur lind një fëmijë, sipas frymës nëntekstuale të autores tokës i rri i ngushtë qielli që ka mbi vete dhe stinët ngjajnë 100-fishë më të bukura, dhe jo vetëm kaq. Për metaforën qëndrore të romanit “ Ankthi i një Nëne”, lindja dhe përgatitja e një fëmije për jetën jetën, përveçëse një akti të thjeshtë  prindëror, është në vetvete edhe një festë për mbretërinë e pafundme të së ardhmes si dhe një rrotullim disi më ndryshe i botës që e pret atë. Për këtë arsye, struktura e romanit i ngjason rrjedhës së pareshtur të gjakut në venat që furnizojnë dy zemra të lidhura pazgjidhëshmërisht me njëra -tjetrën, asaj të nënës dhe fëmijës që ajo  rrit dhe edukon me frymën e saj. Është një strukturë që ngjan si e krijuar nga një  fotografim i çastit, ku realja dhe magjikja të shkrira aq ngushtë me njëra-tjetrën, janë të vështira të dëshifrohen duke u marrë   të ndara prej njëra-tjetrës. Autorja e ka shkruar këtë vepër jo nën diktatin e ankthit dhe frikës për atë se ç’mund ti   ndodhë një fëmije në udhë, por nga magjia e pa treguar e të qenurit nënë. E bindur se duke dhënë artistikisht momentet më të bukura të marrëdhënies  së përditshme të një nëne me fëmijën, autorja shtron thjesht dhe bukur përpara syve të botës dhe lexuesit pyetjen se ç’është një fëmijë, njeri i zakonshëm apo ëngjëll? Dhe pa pritur ndonjë mendim nga të tjerët e urdhëruar nga zërat e saj të zemrës, ajo anon më shumë nga kjo e dyta. Vetë leximi dhe zberthimi i tekstit të këtij romani frymor, arrin të ndërtojë përpara nesh një dimension të pamatë dashurie dhe krenarie për emrin dhe figurën e dashur të nënës, për misionin e saj të madh në këtë jetë si krijuese dhe transformuese e të sotmes. Liria është një nga pasuritë më të mëdha që mund ta ngrejë dhe përsosi deri në perfeksion misionin e saj kaq të vyer. Vetëm nëse je i lirë, thotë autorja, mund ta kuptosh madhështinë e qënies tënde. Nëse ajo rritet brenda teje, askush nuk ka forcë ta shkulë këtë pemë gjigande që ti e mban dhe e rrit  brenda vetes. Për lirinë e fituar nuk ekziston ndëshkimi  pasi nuk ekziston asnjë armë që ta godasë atë. Ajo i gëzohet ndryshimeve të herë pas hershme, duke kapluar një pafundësi shtigjesh dhe sërish kthehet brenda  teje, duke të sjellë harenë që e bën botën të duket e praruar.

Kaligrafia e heshtjes me gjithë pamjen e saj të bukur dhe impresionuese, në fakt në këtë roman është e rreme. Sepse duke monologuar për veten, autorja padashje ka zgjuar në fund të oqeanit stuhinë. Është një stuhi prej dashuri gruaje dhe dhimbshuri nëne, të cilat kur bashkohen bashkë janë të papërballueshme. Në roman ka një përbërje elementësh të shumtë, që nga ata kozmogonikë siç janë yjet, universi, dielli, drita e deri tek glob i vogël që qëndron mbi tavolinën e fëmijës ta sapo rritur. Pa to nuk mund të kuptohet aspak perspektiva dhe  rritjae tij.  Është një udhëtim i vështirë dhe plot të papritura sin ë një përralë të vërtetë.Duke marrë  paksa prej lëndës së saj, ai do ta kishte më pak  të vështirë daljen nga pelenat dhe zgjidhjen e pyetjeve që i gëlojnë në kokë në momentin e prekjes së botës me duar. Çdo nënë thotë autorja, edukon një fëmijë me blatin dhe dashuri, duke zgjedhur më të mirën në mënyrën e saj, por dashuria është ajo që përçon një nënë tek fëmija dhe bëhet themeli i të gjithë virtyteve që ekzistojnë në jetë. Në një vështrim të parë, libri i Lauretës mundet të të krijojë përshtypjen e një enciklopedie morali, të cilat një nënë e kujdesshme i’a shfleton çdo mbrëmje fëmijës së saj. Por nuk është ashtu. Po të hysh në brendi të llogjikës së librit, shikon se në fakt ky libër është një enciklopedi artistike e udhëve që merr përsipër të bëjë një fëmijë qoftë dhe ky i rritur përballë mallit dhe dashurisë së krijueses, është meraku i saj se sa do të jetë i aftë krijesa e saj për ti krijuar vetes portretin. Nëpërmjet një rrëfimi të butë e të shtruar, përpost sentencave të ndiera dhe filozofike është dhe një zbërthim i thënies së Zhan Pol Sartrit se, me jetën nuk duhet folur e komunikuar me fraza të kërkuara dhe gjuhë të letralizuar. Njeriun duhet ta karakterizojë në jetë gjuha që lind nga thellësia e ndjenjave. Vite më parë në periudhën kur edhe unë ecja duke u mbajtur pas duarve të nënës sime, më bënte përshtypje gjithçka e re që shikoja. Dhe ime ëmë mi plotësonte kureshtjet me aq sa mundte, ndonjëherë edhe me përgjigje që sot më duken naive. Megjithatë mua më kënaqnin dhe më çelnin dhjetëra dritare njohurish ato përgjigje. Laureta si një nënë e shekullit 21, që njeh mirë internetin dhe kibernetikën, tashmë ka një tjetër fjalor dhe erudicion për t’iu përgjigjur fëmijës së saj, krijon të tjera hapësira dhe dritare për fëmijët e saj. Por ngrohtësia dhe aroma e dashurisë dhe qumështi prej nëne që ndihen në të gjitha frazat e saj të përgjigjes, për çudi janë të njëjta në thelb, me përgjigjet e dikurshme të nënës sime dhe e gjitha nënave të botës, të marra së bashku.

Sekreti i kësaj çudie, natyrisht është mëse i qartë. Fjalët dhe fryma që përcjellin ato tek fëmijët e tyre, më shumë se prej tingujsh, janë zëra të dërguar nga perënditë.   Laureta në monologun e saj romanesk, mbjell tek fëmija vetëm gjuhën e bukur të jetës, në të s’ka pesimizëm  dhe prirje për nënshtrim ndaj jetës. Ajo sillet me fëmijën e saj me psikologjinë e një lulishtari, me filizat e luleve që i mbjell në kopshtin e tij. Në fillim zgjedh tokën, e plehëron dhe e pasuron atë, zgjedh kohën e duhur dhe stinën më të mirë  dhe më vonë e ujit atë me ujë dhe rreze. Me një frazë të saktë dhe konçize, që më shumë anon nga gjuha e pasur poetike, fëmija i  këtij romani është sa real aq edhe i ëndërrt. Në përpjekjet e saj për të krijuar një fëmijë, autores i duhet të shkruajë dhe ti lexojë atij vazhdimisht testamente shpirtërore që vijnë nga universe të pamatë dashurie, dhe që e bashkojnë më së miri binomin nënë-bir. Për këtë ajo duhet të hyjë nën plazmën e vogëlushit, ta identifikojë vetëveten me të, dhe të arrijë të rikthehet edhe një herë në moshën e tij. Natyrisht kjo është shumë e vështirë, sepse kur rritet fëmija ndarja mund të krijojë shumë keqkuptime. Nëse dikur ishim dy, i thotë ajo të birit, tani jam e vetme.” Përpost ndryshimeve që ka pësuar jeta jonë, shfaqja vjen me të njëjtën forcë interpretuese nga artistët e vegjël të natyrës. Kam gjithë kohës që të fajësojë pse nuk më dërgon shenjat e dashurisë. Një zë brenda meje më flet e më thotë të të lë të qetë dhe të ecësh në udhët e jetës pa u prokupuar nëse vështrimi im të ndjek ngultas apo fshehurazi. Dua  të të ndjek si hije, por pa kushte”.

Laureta  në këtë roman, ka ditur më së miritë shmangë retorikën e zhurmshme e të kotë dhe ti pasqyrojë ndiesitë e veta prej nëne me një të folur gati-gati kinematografik. Ajo ngjan se e njeh mirë këtë gjuhë, di sekretet e kamerës dhe fokusimin e dritës në objektin e përcaktuar. Çdo lëvizje e protagonistëve është e studiuar më së miri dhe çdo rrethanë është e përcaktuar. Qartë, nëpërmjet kujtimeve të saj kurba e rritjes së fëmijës, arrin një shkallë sipërore natyrale, zbërthehet koha, elementët që e përbëjnë atë si dhe lidhja e saj me njeriun e dashur. Krijohet kështu një komunikim interaktiv. Dihen tashmë ndryshueshmëritë që ekzistojnë mes brezave të ndryshëm. Me këtë temë kaq interesante, letërsitë dhe kulturat e vendeve perëndimore vazhdojnë të merren që prej dekadash të tëra. Ka nga ata që ngrejnë hipoteza për gjoja luftën mes brezave si shkak i moskuptimeve mes tyre. Këtë problem e ka trajtuar me sukses edhe Frojdi edhe Jungu, duke nxjerrë teori të veçanta për to. Nuk dua të hyj në interpretimet e tyre.  Laureta për të gjitha këto, ka mendimet dhe konkluzionet e saja jetësore. Kjo thotë ajo, “bën pjesë në qënien tonë. Është prirja natyrale e qënies për të ndryshuar por jo për tu tjetërsuar. Nuk duhet të bëjmë të tilla pështjellime, që nesër të përçmojmë vetveten. Jemi të ndryshëm, por duhet të ruajmë ato element që na karakterizojnë. Secili nga ne të paktën njëherë në jetë ka dëshiruar të jetë i ndryshëm, madje jemi përpjekur për tu tjetërsuar. Por jo gjithmonë orvatjet tona na kanë shpënë në drejtimin e dëshiruar”. Autorja të befason me këtë libër për kulturën e gjerë dhe thellësinë e mprehtësinë e mendimeve të saj. Ajo në këtë libër ka sjellë me sukses ankthin, mallin dhe ndjesitë e dhimshme që provon një nënë në momentin kur fëmijët e tyre, rriten dhe marin udhën e jetës. Misteri që i rrethon këto rrugë, të papriturat dhe enigmat që fshehin ato brenda  tyre, janë si të rrahura zemre që si ndahen asnjëherë këtij romani. Autorja ka marrë përsipër detyrën e vështirë por jo të pamundur për tu bërë zëdhënësja e tyre, interprete dhe ajo ç’ka është më kryesorja,pasqyruesja besnike dhe e drejtëpërdrejtë. Ajo beson sinqerisht tek thelbi ynë, i cili në momentin që ne ekzistojmë, është dhe mbetet pjesë e përhershme dhe e pandryshueshme e jetës.

Mjafton të citojmë edhe njëherë disa nga postulatet interesante të këtij libri, siç janë: “Mund të fillojmë dhe të meditojmënë një gjuhë të ndryshmë nga ajo e nënës, mund të ecim me ritme të shpejta, dhe mund të ndihemi të rritur në çdo ditë të re”. Autorja e shpërfaq vetveten edhe në këtë roman të ri, si nënë të përkushtuar por edhe si udhëtare e palodhur për të provuar të gjitha ftesat për të parë botën.  Por më shumë ato udhë, që të çojnë në brendësi të shpirtit  njerëzor. Një nënë për autoren, pavarësisht dyshimeve, frikës dhe ankthit, ekziston gjithmonë një lidhje diellore mes saj dhe bijve.  Humbja e kësaj lidhjeje, do të ishte për këdo një fatalitet. Pasi e mbyll këtë libër dhe e vendos në raftet e bibliotekës tënde, mbasi fërkon pak sytë, ndihesh vetvetiu paksa si i dehur, por edhe i mbështjellë me një aureolë shenjtërie që janë të afta të ta dhurojë vetëm një dashuri shënjtoresh.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora