E shtune, 20.04.2024, 04:57 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mark Bregu: Beteja e Fushë-Kosovës, 15 qershor 1389

E diele, 04.05.2008, 06:44 PM


Beteja e Fushë-Kosovës, 15 qershor 1389

Nga Mark Bregu

Në betejën e Fushë-Kosovës, ose siç është quajtur “Beteja e Kombeve”, në bazë të dokumentave historikë të argumentuara, thuhet se kjo betejë ishte vendimtare që ia ndryshoi kahun historisë së njerëzimit. Në bazë të këtyre të dhënave të disponuara rezulton se nga dymbëdhjetë princa të koalicionit të krishterë, gjashtë prej tyre ishin arbër (shqiptarë). Këta princa janë: Gjon Kastrioti, Theodhori II Muzaka, Mëhill Nikollë Kopiliqi, Dhimitër Jonima, Lekë Dukagjini dhe Gjergji II - Strazimir Balsha.

Nuk është aspak e rastësishme pjesëmarrja e gjerë e princave arbër në betejën e Fushë-Kosovës, përkrah koalicionit ballkanik, sepse ka të bëjë me shtrirjen e gjerë në gjysmën e Ballkanit të sotëm, ku jetonin pasardhësit e fiseve ilire. Është e rëndësishme të theksohet se në atë kohë pjesa më e madhe e këtyre arbërve ishin të besimit katolik, ndërsa pjesa më e vogël e besimit ortodoks. Arbërit e kishin një veçori të veçantë, që nuk e kishin popujt e tjerë; si shqiptarët katolikë dhe ata ortodoksë (në Mesjetë), ishin në vartësi të Vatikanit, kishës së Romës dhe e njihnin Papën e Romës për epror të tyre. Beteja e Fushë-Kosovës e 15 qershorit 1389 ka provokuar dhe vazhdon të provokojë historiografinë dhe publicistikën e Europës Juglindore dhe të asaj europiane përgjithësisht, dhe veçanërisht historiografinë shqiptare, sepse pjesa më e madhe ishin shqiptarë të krishterë në këtë koalicion. Dhe pikërisht në këtë betejë zë fill dhe përpjekja e pseudohistorianëve serb mbi gjoja “të drejtën historike” mbi Kosovën.

“Vlen të theksojmë se janë dhe një pjesë pseudohistorianësh shqiptarë që me injorancën dhe antishqiptarizmin e tyre u japin “predha” topçinjve serbë për të qëlluar mbi nacionalizmin tonë, dhe janë pikërisht këta “shqipfolës” të cilët kërkojnë të valëvisin flamurin e “nacionalizmit”... (M.B.). Por dokumenta autentikë dëshmojnë se beteja e Fushë-Kosovës është zhvilluar në mes të koalicionit krishtero-ballkanik dhe atij osmano-aziatik, d.m.th. luftë në mes dy kulturave diametralisht të kundërta.

Beteja e Fushë-Kosovës e vitit 1389 është kryesisht e lidhur me fillimin e depërtimeve të osmanllinjve në trojet iliro-albane dhe ky depërtim fillon pas fitores së Moricës më 1371, ku për osmanllinjtë u hapën jo vetëm dyert e Europës Juglindore (Ballkanit), por edhe të tërë Europës. Priftërinjtë e Romës, duke parë rrezikun që u kërcënohej, bënë çmos për t’i pajtuar sundimtarët e krishterë dhe për t’i bashkuar në luftë në një rezistencë të përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë mund të zmbrapsej rreziku i madh që i kërcënohej krishtërimit dhe perëndimit.

Për ndriçimin e rolit dhe të rëndësisë së princave arbër në këtë betejë, përveç historianëve të tjerë, një rol shumë të rëndësishëm luajtën dhe po luajnë edhe historianët perëndimorë, ku mund të veçojmë historianin anglez nga fillimi i shekullit XVII, Riçard Knolles, i cili, i liruar nga frazeologjia e një humanisti, në mënyrë decidive ka thënë: “Krahas të tjerëve, në koalicionin e krisherë ballkanik pati edhe princa nga Shqipëria”. Ndërsa historiani frëng, nga fillimi i shek.XIX, Le Marje (1821), thotë se në koalicionin e të krishterëve pati edhe njësi hungareze, rumune, dalmatine, tribale dhe njësi të panënshtruara të arbërve, kurse Muratin I e vrau një shqiptar i plagosur. Ndërsa historiani tjetër frëng, Alen Dyselje nga Parisi, me një shkrim ekskluziv, me një pikëpyetje që i vë në krye të titullit “A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën?”, ku bën fjalë edhe rreth betejës së Fushë-Kosovës, thotë: “Popullsia shqiptare jo vetëm që nuk erdhi atje e sjellë nga armiku (osman), ajo, që nga Liqeni i Shkodrës e deri në Kosovë u bashkua dhe rezistoi me popullsitë e tjera të krishtera”, duke vazhduar më tutje se “në kohën e ndeshjes vendimtare më 1389, autorët grekë përmendnin krahas serbëve dhe bullgarëve, edhe shqiparët e veriut, ata të Himarës, të Epirit dhe të zonës bregdetare”. Po ky autor arrin në përfundimin se disfata e vitit 1389, duke e disorganizuar plotësisht shtetin serb, u la fushë të lirë veprimi prijësve vendas më të fuqishëm, midis të cilëve dhe prijësve shqiptarë të veriut dhe të verilindjes. Më i shquari ishte Gjon Kastrioti, baba i Gjergj Kastriotit, i cili, duke u nisur nga krahina malore e Matit, arriti që në fund të shek.XIV dhe në fillim të shek.XV të krijonte një principatë të gjerë, e cila shtrihej nga derdhja e Ishmit deri në Prizren, në qendër të Kosovës. Si pasojë, ai i dha Raguzës një privilegj tregtar që prej bregut të detit e deri në tokat e tij në Prizren.
Edhe historiani gjerman Jozef Fon Hamer i kushtoi kujdes të merituar pjesëmarrjes së arbërve në betejën e Fushë-Kosovës, ku, sipas tij, strategu më i aftë ushtarak i krishterë ishte arbëri Gjon Kastrioti, i cili kishte propozuar që osmanët të sulmoheshin ditën dhe jo natën. Përveç kësaj është interesant të theksohet se Jozef Fon Hamer flet edhe për famën e betejës së Fushë-Kosovës. Ai qëllimisht ka përkujtuar se revolucioni frëng i vitit 1789 ka shpërthyer në 400-vjetorin e betejës së Fushë-Kosovës. Ai ka theksuar se kjo betejë hyn në radhën e ngjarjeve të famshme në pikat kyçe të historisë së njerëzimit. Ndërsa La Martin vë në spikatje se ushtria e të krishterëve ishte pozicionuar në shkrepat e maleve të Shqipërisë.

Përveç Gjon Kastriotit dhe prijësve të tjerë, kemi të dhëna interesante edhe për pjesëmarrjen e Theodhorit II Muzakës dhe rënien hoerike të tij në fushë-betejë, nga kronika e nipit të tij Andrea Muzakës, i cili ofron këto të dhëna: “Një vit pasi turqit filluan depërtimin në tokat e Arbërit, u formua koalicioni i krishterë ballkanik, që u ndesh në betejën famëkeqe të Fushë-Kosovës”. Andrea Muzaka në veprën “Historia e Genealogia del Muzakja” (Historia e Gjenealogjia e Muzakajve), thotë: “Duke kaluar nëpër të gjitha ato dhera, sulltani pushtoi disa vende, midis të cilave edhe qytetin e Adrianopojës. Pas tij erdhi Sulltan Murati I, e me furi të madhe e mori fushatën kundër Bullgarisë e Serbisë. Atëherë u bashkuan Lazari, despot i Serbisë dhe Marko, Mbreti i Bullgarisë dhe Teodor Muzaka II, i shtëpisë sonë e të tjerë zotërinj të Shqipërisë dhe u thyen të krishterët dhe vdiq Theodori i cili kishte me vete shumë çeta shqiptarësh, ku u zu rob i sipërthëni Lazar, të cilin pastaj e ekzekutuan. Pas kësaj filluan në Arbëri luftëra të pandërprera me turqit, ndër të cilët mbetën dhe shumë zotërinj e bujarë arbër. Njëri ndër heronjtë kryesor të kësaj beteje është Mëhill Nikollë Kopiliqi, i lindur në fshatin Kopiliq të Drenicës, udhëheqësi i kësaj krahine heorike të Kosovës. Momenti më i rëndësishëm dhe akti më heroik i drenicasit Mëhill Nikollë Kopiliqi është vrasja e Sulltan Muratit, nga dora e shqiptarit të krishterë, i cili më pas vritet nga osmanët. Dhe momenti më dramatik është aty ku She-Ul-Islami e këshillon Sulltanin: “Mos ia jep dorën/veç jepja kambën/ndër këmbët tuaja ai për me mbetë”. Këtu është fjala kur Mëhilli shkon në shatorren e Sulltan Muratit. Ai, për ta poshtëruar, në vend të dorës i jep këmbën, por dora e fuqishme e Kopiliqit e godet për vdekje me hanxhar. Në të vërtetë, ky gjest i sulltanit arsyetohet edhe nga disa historianë osmanë, ndër të cilët vlen të përmendet Sadudimi, si dhe Neshriu, krahas me rritjen e madhësisë së fuqisë turke, në lidhje me të edhe në çështjen e paafrueshmërisë mistike të personalitetit të halifesë, nuk lejohej mundësia që as në kohën e kaluar t’i bëhet e mundur, jo muslimanit t’ia puthte dorën Padishahut, porse i caktonte vetëm këmbët dhe zingjirët e qenit. Gjithnjë duke u bazuar në argumente të forta shkencore, vijmë në përfundim se kontributi i princave shqiptarë të krishterë jo vetëm që ishte i madh, por ai ishte edhe vendimtar. Kështu që e vërteta historike qëndron në atë se Beteja e Fushë-Kosovës (1389) ishte zhvilluar në Fushë-Kosovë më 15 qershor të atij viti, në mes të forcave të aleancës së koalicionit të krishterë ballkanik dhe atij osmano-aziatik. Në këtë betejë ngadhnjyen ushtritë osmano-aziatike dhe u hapën portat dhe të gjithë korridoret që të sulmohet dhe pjesa tjetër e Europës, por dhe Konstantinopoli, pra kjo ishte ngjarja që më vonë solli rënien e Bizantit dhe ngritjen e Perandorisë Osmane, përhapjen me dhunë të islamizmit në Europën Juglindore (Ballkan), sidomos ky islamizim u përhap me dhunë më së shumti te shqiptarët, megjithë qëndresën heroike të tyre për të mbrojtur kombin dhe fenë.

Falja e muslimanëve shqiptarë në “tempullin” e Sulltan Muratit është fyerja më e madhe e dëshmorëve të rënë në këtë betejë dhe përbaltja e rezistencës antiosmane.

“Nuk e quaj të tepërt të them se Mëhill Nikoll Kopiliqi dhe Adem Jashari janë dy luanë të Drenicës, dhe dy heronj të mbarë kombit, që lidhin me një fill të artë dy periudha decizive të historisë”. (M.B.)
Ref. “Dëshmi Kohërash”, Ndue Oroshi, Shtëpia Botuese “Lumbardhi”. Në 2000-vjetorin e Krishtërimit - Prizren 2003.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora