E enjte, 25.04.2024, 01:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Sali Bashota dhe lëtërsia shqipe

E enjte, 28.02.2013, 08:33 PM


SALI BASHOTA

DHE

SHPALOSJA E PERLAVE TË LETËRSISË SHQIPE

Nga Xhemail Peci

‘Naimi është i papërsëritshëm me cilësitë e tij më të larta mendore si Shqipërikrijues.  Kjo është pika më e përkryer e frymëzimeve, ideja që rilind e i dhurohet njeriut shqiptar’.

Sali Bashota, Naim Frashëri: Studime Letarare

Sali Bashota ka kohë që e ka dëshmuar veten për seriozitetin dhe përkushtimin e tij në fushën e studimeve letrare. Pos si poet i formuar i cili fjalën e ka latuar deri në ato përmasa të rralla sa e meriton epitetin Poet i Shpirtit, ai e ka ngritur studimin për letërsinë shqipe në lartësitë e vlerësimeve ku shpalosja e perlave të letërsisë shqipe tani e ka për autor edhe ligjëruesin e përkushtuar të letërsisë, profesorin i cili e ka dashur dhe e do profesionin e vet, e me të cilin ka ndikuar tek ata të cilët i mëson dhe i ka mësuar, por edhe ka formuar prirjet e veçanta të qasjeve estetike në vlerësimin e drejtë të letërsisë shqipe.

Në librin e tij ‘Studime Letrare’, e të ndarë si në një triptik poetik (Koha e Autorit, Proza e Ideve, Poetika e Tekstit Narrativ), Sali Bashota e ka dëshmuar veten si studiues të përkushtuar duke e shpalosur profilin e tij prej kritiku të mirëfilltë, në të cilin letërsia shqipe e ka gjetur një interpretues të denjë të vlerave të veta.

Hijeshia, bukuria dhe ëmbëlsia e stilit të tij në vlerësimin e veprave letrare, si të traditës ashtu edhe të bashkëkohësisë, pa dyshim se e ka vulën e vet të veçantë: poetikën e të shkruarit. Kjo vërehet që në hapje të librit, me qasjen që autori i ka bërë asaj që ai e ka quajtur me të drejtë Ligjërimi Romantik Arbëresh.

Atdheu dhe dashuria janë janë lajtmotivet e mëdha të krijuesve arbëreshë, por në vrojtimin e hollë të Sali Bashotës, dashuria tek ta është ‘rilindje e ndjenjës së mallit’, e që ‘duke u valëvitur në kujtesë’, me idetë e tyre kishin për qëllim që të ‘artikulojnë dhembjen pa mbarim për gjakun e shprishur’ por edhe si një gjakim i artikuluar për ‘një rilindje e shpirtit arbëror’.

Sali Bashota vëren se tek De Rada ‘dashuria është sakrificë, flijim për idenë e atdheut’, Françisk Anton Santori ‘e fuqizon në një përmasë tjetër kuptimore temën erotike duke u mbështetur në modelin e veprës “Këngët e Milosaos”, Zef Serembe është ‘poet i himnit për dashurinë e përjetësuar deri në vdekje’ e ‘një shpërthyes i lirikës erotike’, kurse Zef Skiroi është ‘autori i fundit i romnatizmit arbëresh’, i cili ‘çastin dashuror e projekton si këngë, si vjershë, si vajtim, si idil dashurie, plot zjarrmi ndenjash e kujtimesh’.

Në këtë sintezë të thukët shquhet kritiku, por është poeti ai që ka kënaqësinë ta thotë se ‘Jeronim De Rada është kryepoeti’, gjë që e artikulon më tutje në shkrimin Jeronim De Rada – Poet.

Në këtë vrojtim tejet analitik, Sali Bashota e shquan ligjërimin lirik të De Radës, që përbëhet nga ‘kujtesa historike dhe identiteti kombëtar’, duke theksuar më tej se De Rada mbetet kryepoeti që ‘mbi një shekull e ka prezentuar figurën e shkrimtarit emblematik’, dhe si ‘ideator për autorët pasues të romantizmit dhe të letërsisë bashkëkohore arbëreshe’ por edhe si ideator për një ‘rilindje të shpirtit arbëror’.

Autori më tutje vë në dukje se De Rada ‘i ka parapri lëvizjes kulturore arbëreshe’ duke kontribuar aq shumë që të ‘krijohet pamja për letërsinë romantike arbëreshe si letërsi e zgjimit të vetëdijes atdhetare bashkë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si lëvizje kulturore e politike në përgjithësi’. De Rada, nënvizon Sali Bashota, është themeluesi i një kodi që veçmas ‘tek arbëreshët është bërë model ligjërimi: se si thuret himni i lavdisë për atdheun’

Vlerësimi për De Radën është i hollë: ‘Nëse ndjenja kryetipore bëhet ideal atdhetar, atëherë përfytyrimi i ëndërruar bëhet identitet’, dhe se një vlerësim i tillë përmbyllet me pohimin se: ‘Vepra e tij është burim tematik për autorët e romantizmit shqiptar. Nuk është vetëm ndjenjësore, por edhe mendimore’.

Sërish, për kritikun Sali Bashota: ‘Midis kujtesës dhe identitetit rri tragjika, që jo rrallë, bëhet artikulimi më i fuqishëm poetik në veprën e De Radës, por edhe koncept shkrimor në letërsinë e romantizmit evropian’, por për lirikun Sali Bashota: ‘Vepra e De Radës është një fakt letrar që e funksionalizon një vetëdije krijuese, ku fuqia e tij artistike është lirika’.

Në shkrimin për Naim Frashërin (të konceptuar gjithashtu në tri pjesë: Shëmbëlltyra, Madhështia krijuese, Vizonariteti), autori vë në pah se: ‘Thelbësorja në veprën e Naimit është ringjallja e shpirtit’. Duke qenë vetë Poet i Shpirtit, Sali Bashota i di përmasat e një misioni të tillë, prandaj ai nuk lë pa përmendur gjuhën poetike të Naimit, e cila ka peshën e saj ‘te shkëlqimi i fjalës shqipe’. Por ‘lirika atdhetare’ është ‘fusha më fatlume për ngritjen e Naimit në piadestalin e letërsisë shqipe’, siç nënvizon autori, i cili duke qenë vetë poet, nuk mjaftohet me një vlerësim të tillë për Poetin e Kombit. Ai nuk kursehet duke ia dhënë hakun që i takon: ‘Prandaj. Naimi është i papërsëritshëm me cilësitë e tij më të larta mendore si Shqipërikrijues. Ko është pika më e përkryer e frymëzimeve, ideja që rilind e i dhurohet njeriut shqiptar’.

Sali Bashota gjithashtu pohon me të drejtë se Naimi ‘me artin e tij poetik e formëson imazhin suprem për Shqipërinë’, madje deri në përmasat sa ‘e shtreson imazhin mrekullitar të shpirtit njerëzor për të mbërritur absoluten e përfytyrimit (një lloj traktati), atë botë imagjinare përfytyruese si Shqipëria ideale, që te Naimi bëhet hiperbolë e letërsisë së fomracionit stilistik të romantizmit’. Edhe në këtë pikë vrojtimi, Sali Bashota sikur bashkohet me mendimin e kritikut të shquar Razi Brahimi, se Naimi e ka sfiduar realitetin e kohës së tij në emër të një realiteti që do të vinte, në emër të një njëmendësi të re.

Për Naimin, pohon Sali Bashota, ‘profetizimi është çast lumturie’, prandaj theksson ai: ‘Naimi gjithmonë detyrohet t’i kthehet vetvetes, frymëzimit dhe ndjenjës shpirtërore për t’u identifikuar me të bukurën dhe idealen’.

Përfundimisht: ‘Naimi, prandaj i përket ligjërimit të një realiteti të ëndërruar dhe bëhet mishërim i dijes, prijës shpirtëror i kombit dhe prijës i poetëve për të ardhmen parashikuese të letërsisë…Platforma letrare e Naimit ishte Shqipëria dhe shqiptarizmi në përgjithësi’.

Si rrallëkush, kritiku dhe poeti Sali Bashota ia kanë falur Poetit të Kombit, njërin prej epitetetve më të bukura: ‘Poet i përveçëm i kombit’.

E përderisa Naim Frashëri lëshonte Zemër-Thirrrjen e tij: ‘Lum kush të rronjë, të ta shohë Zonjë!’, Sali Bashota ia ka falur Naim Frashërit: me aq admirim, me aq kulturë dhe me po aq nderim njëkohësisht, njërin prej Himneve më të Denja për të Nderuar Poetin e Kombit: SHQIPËRIKRIJUES…

Se kritika hijeshohet nga poetika, e dëshmon edhe shkrimi për Gjergj Fishtën, nga pena e të cilit ka dalur ‘krijimtari monumentale’, prandaj vëren Sali Bashota se: ‘Gjergj Fishta është shkrimtar, që krijoi famën përjetësore me origjinalitetin e tij të fuqishëm’. Te Fishta kullohet arti magjik - shpalos kështu vlerat e Poetit të Madh kritiku dhe studiuesi i letërsisë Sali Bashota, i cili di ta kundrojë Poetin nga prizme të ndryshme, nga kënde të reja vrojtuese e vlerësuese: ‘Fishta është fenomen, mbase i ndodhur në bipolaritetin midis shkrimtarit etik dhe shkrimtarit estetik, për të mbetur përjetësisht shkrimtar kombëtar në radhën e të parëve e më të mëdhenjve të kohës’. Por Sali Bashota, është i prirur që të vejë më tej në vlerësimin e veprës unikale të Fishtës, në thelbin e të cilës, vëren ai: ‘arti ka ndërlidhje të fortë me fakticitetin historik, me përvojën jetësore, aty ku shënohet vetëdija atdhetare, vetëdija kritike, vetëdija shtetërore’.

Duke e vlerësuar nga dimenzioni i shumanshëm veprën e Fishtës, Sali Bashota ngre lart vlerat ideo-estetike të kryeveprës “Lahuta e Malcis”, ku shpaloset bota e zanave dhe e shtojzovalleve, ku: ‘Epizodi i Tringës hyn ndër krijimet poetike të rralla e të realziuara me gjeturi artistike e figuracionale në letërsinë shqipe’, ku herozimi i Oso Kukës: ‘është gati hyjnor…Kulla e Vraninës e përpëlitur midis ëndrrës e jetës tani bëhet manifest i dhembjes konkrete, vetëflijim i heroit, sakrifikim fizik për lirinë e atdheut’.

Me një lëvizje të lehtë të penës së tij, Sali Bashota e ka futur si citim N. Frajin: “heroi shpallet (është zot) por ai nuk vdes, por vdes e ngritet përsëri’, për të përkufizuar kështu përmasat mitike të heronjve fishtjan.

Duke iu qasur krijimt poetik të Fishtës “Metamorphosis” (1907), ku Fishta shkroi ate që diskutohet aq shumë edhe sot: ‘a dijë Shqypnija/ pra e shekulli mbarë/ sa mbas sodit/ u’ s’jam shqyptar’, Sali Bashota me të drejtë e ka marrur nën mbrojtje Fishtën, duke pohuar se: ‘Këtë nuk e thotë Fishta, por personazhi i tij’, gjë që del si ‘dyluftim me realitetin, me pushtetarët, me njerëzit që s’e duan atdheun. Ky është kulminacioni i zhgënjimit personal. Poenta e kësaj poezie e thyen kornizën konceptuale kombëtare dhe merr edhe përmasën e botësimit (“shekulli mbarë”, si dëfton Fishta), bëhet gjithënjerëzore’.

Për Sali Bashotën, me të drejtë Fishta ka ‘një mendje krijuese të mprehtë’, vepra e tij ka ‘ngjyrime të forta lirike’, e ‘ku shqiptohet poezia si identitet i diturisë’. Prandaj, thekson autori se: ‘Gjergj Fishta shkroi me një stil të bukur, tërheqës, prekës, goditës’.

Sali Bashota duke shkruar për Gjergj Fishtën më 1996, se: ‘fjala e tij murmurit deri te pavdekësia’, sikur e parandjeu se kryeheronjtë epik të Lahutës do të dilnin sërish prej aty, dhe se Oso Kuka do të ngjallej sërish në Një Cep të Ilirisë së Moçme, në një kohë kur qarqe të ndryshme intelektuale në Prishtinë pandehnin se romantizmit si frymëzim letrar i kishte kaluar koha, dhe se kthimi i tij ishte i pamundshëm!

Duke e ngjallur Kullën e Vraninës, Adem Jashari iu përgjigj pyetjes që e kishte parandier Lasgush Poradeci: Unë e di se Kosova ka poetë, por a ka Kosova Azem Bejta? ...

SHKRIM POETIK I LLAHTARISË MAGJIKE. Kështu do ta quajë Sali Bashota krijimin e Mitrush Kutelit “Poemi i Shën Naumit”, për të cilin nuk e ka kursyer epitetin: PERLA TJETËR.

Duke qenë njëri prej njohësve më të mirë të jetës dhe veprës së Mitrush Kutelit - shpesh i harruar e edhe i anatemuar padrejtësisht, Sali Bashota ka vërejtur se: ‘Poezia e Kutelit nuk e ka shkëlqimin e vet sikundër që e ka proza tregimtare’, e megjithatë “Poemi kosovar”, thkeson Bashota: ‘ishte domethënia më e fortë poetike që frymonte përbrenda literaturës shqipe. Për më tepër, qoftë edhe mendimi i mbështjellë në trurin kombëtar ku fara e tij është dhembjeshkrim i zbuluar përgjysmë apo fshehtësi e syrgjynosur ku preket malli atdhetar në udhën e heroizmit, të etjes e të dritësimit’.

Nuk do mend se një fragment i këtillë për poetin dhe shkrimtarin që e ka krijuar termin e rrallë ‘Shqipërinë e Jashtme, siç e quan Kuteli Kosovën’, dëshmon qartë se edhe Sali Bashota nuk i kursen perlat e tij poetike në shkrimet kritike: për perlat e letërsisë shqipe. Diskursin kritik të Sali Bashotës e shquan një gjuhë e rrjedhshme, një logjikë e fortë, një gjykim i mprehtë, një qasje krahasimtare, një vlerësim i drejtë:

‘Në pjesën e parë të veprës, Kuteli me një mjeshtëri mrekullitare stilistike e percepton mënyrën e realizimit të tekstit poetik, procesin e krijimit, gjenezën dhe botëkuptimin e veprës, hulumtimin e shkrimit dituror të lartësuar ndonjëherë sentimentalisht në kërkminin e agut të ndjenjës poetike që ia rrëmben shpirtin nga një thellësi ilire; faqen e shkrumbuar të përmallimit atdhetar që herë sulmon e digjet, herë loton e nuk vdes mbi hartën e prerë të etnisë’.

Në poemat e Kutelit, frymon ‘bota shqiptare e trajtësuar në metaforë lirie’, që ‘saktëson dhe përthekon kohën e vlimit të shpirtit shqiptar’, vë në pah studiuesi Sali Bashota, duke vazhduar se tek “Poemi kosovar” mbrohet e drejta legjitime: ‘Kështu, imazhet poetike në poemin e Kutelit, së pari, e forcojnë bazën e këndvështrimit të gjendjes ekzistuese të pjesës së këputur atdhetare që kërkon ribashkim, portretizimin e etnikumit në kundërvënie në hijen e ombrellës sllave’. Aty, ‘fund e krye, funskionalizohet krenari e kosovarit…Këtu plekset burimësia e identitetit kombëtar, kundërvënia ndaj racës pushtuese, trashëgimia mijëvjeçare e kombit, karakteri, liria, dinjiteti i shqiptarit në restrospektivë dhe në perspektivë’.

Sipas Sali Bashotës, aty ‘zbulohet bota e traumatizuar’ dhe ‘vetëdija e rrezikuar’ e etnisë. Mitrush Kuteli, si njeri që e ka vizituar Kosovën, siç e pohon Sali Bashota, e ka konceptuar poemën në pesë pamje, si një koincidencë e çuditshme e asaj që edhe Janinës i panë sytë: të pesë puset në grykë! E siç vërehet me të drejtë, tingëllimi i rimave ka diçka noliane, ku ‘pëlcet pamja tragjike në trajtimin poetik të fytyrës së të atit (Pandeliut)’.

Ringjallja është e pamshmangshme ‘po në atë truallin mijëvjeçar iliror. Poeti ndien thellë e më qartë praninë shekullore shqipe, gërshetimin e kohëve të lavdit princëror iliro – shqiptare, e mbi të gjitha, qëndresën dhe krenarinë kombëtare, të cilat i vë në dimension historik’.

Ndërkaq, “Poemi i Shëndaumit” përshkohet nga ‘prerja e fatit’ të një kombi: ‘…Shtëpinë e pashë kur m’u hoq/ E pashë foshnjen kur m’u poq’, një skenë e cila do të trajtohet edhe nga poeti Bilal Xhaferi kur Çamëria do të merrte foshnjat në krah, por edhe nga vetë poeti Sali Bashota, i cili në poezinë e tij ka edhe përmasat e dhembjes tragjike të kombit të cilit i takon.

Tek ky poem, vëren Sali Bashota, ‘bukuria e shkrimit barazohet me tragjikën dhe domethënien kuptimore të fakteve’, e ku shquan ‘sferë e ngjyrosur me cipën e vdekjes si në botën e elementeve përbërëse të ferrit a purgatorit’, krijim poetik ky që ‘ofron kohën enigmatike të shëmbëlltyrës së një pjese të syrgjynosur shqiptare’, prandaj: ‘Poeti sikur e rikujton dramën brenda dramës’.

Duke e shfaqur mendimin e tij për poemthin deri tani të panjohur e të shkruar në burg, siç sqarohet në pjesën Poezia e mallit dhe e dhembjes shpirtërore, Sali Bashota na e paraqet Kutelin mes dhembjeve dhe vuajtjeve, ashtu siç del ai në këtë Poemth: ‘Pa dyshim, përmes këtyre vargjeve Kuteli hyn në “konflikt” me tronditjet e shpirtit të tij, i cili valëvitet midis tokës e qiellit’. Aty ‘plasaritet plaga e shpirtit të tij’, kurse në poezitë e tjera vërehet ankthi për vdekjen, e cila siç thotë studiuesi Sali Bashota, sikur bëhet një obsesion i ‘vjershërimit për vdekjen e dëshiruar’. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet, kështu do të shprehej Kuteli, thotë m tej Bashota, duke shtuar se shumëçka ‘përpëlitet midis jetës a vdekjes…përfytyrim vdekjesor…një pëlcitje shpirtërore...’

Në gjendje të tilla të rënduar shpirtërore, Kuteli sipas Sali Bashotës ‘burimin e shqetësimit për vdekjen e vizionon me gjumin amshor’, ku vdekja për Kutelin është ‘pushtim hyjnor…vegim i bardhë’ e ‘testament poetik’ (poezia “Epitaf”), por edhe ‘thirrje për “qetësinë” e frymës shpirtërore’, sepse konstaton studiuesi: ‘Meditimi për vdekjen sikur e sjell prehjen dhe qetësimin’.

Mitrush Kuteli në vrojtimin e hollë e përmbledhës të Sali Bashotës, është poeti që si Andon Zako Çajupi ka thirrur: ‘Të dua, Baltë shqiptare/Magjistare’, e në mënyrë të veçantë: ‘Vargu i tij poetik tregon për një mjeshtër të sigurt të fjalës shqipe, por shkëlqimi i veprës së tij, mbetet pa dyshim, në tregimatri’.

Në vështrimin për Arshi Pipën (Libri i Burgut i Arshi Pipës), e që fillon me preludin: Në Republikën e letrave shqipe…Sali Bashota vë në dukje se vepra e Pipës është ‘shkruar brenda një dhjetëvjetëshi nëpër burgjet e atdheut, aty ku çuditërisht zgjohet madhështia e fjalës, për të shpërthyer në mënyrë paradoksale në horizontin e mendimit të robëruar’.

Duke e shpalosur bukurinë e një krijimtarie të tillë, autori i vështrimit vë në pah ‘dimensionin përfytyror…ligjërimin lutësor’ që si ‘një përceptim përmallor’ shpaloset tek bota krijuese e Pipës, në të cilën ka atdhedashuri e cila e ka sfiduar ‘purgatorin shpirtëror’, prandaj:’Poezitë për Mujo Ulqinakun, Drenicën dhe Kosovën, riprodhojnë atmosferën e qëndresës, rezistencës e të heroizmit’.

Sali Bashota e ka cilësuar poezinë “Llampa” si ‘një lirikë magjepëse’. Kurse poezinë e Pipës si ‘poezi kryengritëse’ e cila ‘ka ngjashmëri me poezinë e Mjedjes’. Gjithashtu, vëren Sali Bashota, poezia e Arshi Pipës ka kodin e dhembjes si kod të theksuar ligjërimor ‘për një dashuri njerëzore magjepëse…Arti i tij synon idealin e atdheut’ dhe se “Libri i Burgut” mbetet ‘një libër kundër ideologjisë komuniste si lëvizje kundërhistorike e kundërkombëtare për shqiptarët’, ku poeti i ka ‘valëvitur frymëzimet e tij midis politikës dhe letërsisë’.

Në pjesën e dytë të studimeve letrare Proza e Ideve, e që në mënyrë vrojtuese e shpalos tregimtarinë në letërsinë shqipe të autorëve të saj të shquar, Sali Bashota synon sintezën e majave të kësaj proze.

Tregimtaria e Mit’hat FrashëritNiveli përshkrues i ambientit dhe niveli karakterizues i personazhit, është shkrimi që kundron: ‘Personazhet e njëmbëdhjetë teksteve narrative të pagëzuara si novela’, e ku në një nga to ngadhënjehet ‘nëpërmjet funksionalizimit të dashurisë dhe shpirtmadhësisë që bëhen bashkërisht mesazh thelbësor i kodit tregimtar’.

Tema e mërgimit dhe ajo e hakmarrjes, janë tipike për penën e mprehtë të Mit’hat Frashërit, tregimtaria e të cilit siç e pohon Sali Bashota ka të veçantën e vet, sepse: ‘Rrjedha e veprimit të ngjarjeve lëviz pa ndërprerë deri në fund të tregimit midis retrospektivës kundërvënies gjendjeve emocionalepersonazhit’ (tregimi “Or’ e fundit”).

Më tej vihet në pah Triptiku tregimor për mërgimin ku: ‘Nuk ka peripeci. As kthesa të papritura. Nuk ka dramacitet as tragjicitet’; e tek pjesa e titulluar Ndërtimi i situatave alternative, që shtjellon vlerën e tregimit “Si vdiq Selman Todorusha” vihen në dukje shtresimet folklorike ‘me një përceptim të thellë psikologjik e filozofik ku shquhet nënteksti i brendshëm dhe situata tregimtare me dashurinë dhe besnikërinë për njeriun’.

Përderisa në një ndërthurje të tilë, ‘imagjinarja bëhet reale’, tregimi “Plaku i Ylynecit”, siç vëren me hollësi Sali Bashota: ‘është tregimi më personal i Mit’hat Frashërit, në të cilin thuret e shthuret ndjenja njerëzore’ (Identifikimi i narratorit me personazhin), ndërsa ‘Nivelet karakterizuese të veprimit’ shquhen për mungesën e rrëfimit, e që ‘artikulohen në rrafshin social dhe atdhetar’.

Duke e kundruar tregimtarinë e Mit’hat Frashërit Midis retrospektivës dhe perspektivës narratologjike, Sali Bashota vëren me hollësi se: ‘Tek Mit’hat Frashëri nuk e kemi fillimin, mesin dhe fundin e veprimit të një personazhi’. Prandaj, vëren ai, proza e tillë ‘nuk ka persoanzhe të zhvilluara në kuptimin narrative e kritik…Proza e Frashërit është prozë e ideve’, rëndom ‘me përshkrim karakteresh dhe rrëfim personazhesh’, përderisa vepra “Hi dhe Shpuzë” qëndron ‘midis prozës poetike e kujtimeve’.

Në shkrimin Mehdi Frashëri – Romancier e Dramaturg, Sali Bashota e jep një paraqitje të shkurtër të jetës së Mehdi Frashërit, ku mes tjerash theksohet se ka qenë ‘Beg i Jerusalemit dhe Guvernator i Përgjithshëm i Palestinës’, e që po ashtu ka kryer edhe funskione diplomatike e shtetërore për Shqipërinë, pas kthimit në atdhe.

Sali Bashota e fillon qëllimisht shkrimin për Mehdi Frashërin duke e shpalosur biografinë e tij, për të cilën dihet pak dhe është shkruar pak, por nëpërmjet të cilës synohet të thuhet se kemi të bëjmë me një njeri sa të mendjes politike, po aq edhe të penës.

Romani Nevruzi, pohon studiuesi ‘është roman i një personazhi’ që shtjellon ‘rrugëtimin e shpirtit të tretur’. Duke u ndalur tek Thurja e ngjarjes, Sali Bashota vëren se veprimi ‘qëndron përgjithnjë deri në fund, midis arsyes e iluzionit’. Aty ka thurje dhe shthurje situatash: ‘Pra, është roman që mbështetet në intrigën e udhëtimit si një përceptim i botës kalorësiake në përpjekjen për të krijuar realitetin e vet apo besnikërinë e rrëfimit, por që përfundimisht mebetet “rromanx tragjike”.

Proza e Mehdi Frashërit ka edhe elemente sentimentale: ‘vetëvrasja e Zehranës dhe varrimi i dy dashnorëve përbrenda një varri’, e ‘Nevruzi në vetëmbrojtje vret Rushke Glinën’, dhe se ‘ndjenja e zakonit dhe e e detyrës ngadhënjejnë mbi përvëlimin dashuror’. Sali Bashota më tej shkëputë citate nga romani, si fjala vjen ai që e përshkruan haremin: ‘Atje ky s’gjykon dashuria, ndjenja e zemrës nuk ësht’ veqse një kafshësi’. Për Nevruzin janë të pashlyeshme ‘rrëfimet e vashave përbrenda pallatit mbretëror që i ngjan burgut të çnderuar’, prandaj vëren Sali Bashota se: ‘Këtu kemi fanitje të mistershme…Fanitjet e tilla janë çmendurake’. Por përmbi shëmtinë e një perandorie të kalbur, Frashëri ka ditur ta japë ate që Bashota e quan ‘nderi i kulluar’, sa ‘Nevruzi e vendos atdhetarinë mbi dashurinë dhe shkon në luftë kundër grekëve’.

Poenta e shkrimtarit është e qartë, gjakmarrja: ‘mendësia shqiptare në këtë pikë është si Saturni që ha djemtë e tij’, e në procedimin narrativ, siç nënvizon pena e Sali Bashotës: ‘Testamenti i Nevruzit është vdekja në atdhe, ndërkaq e Zehrasë vdekja për dashurinë’.

Specifika narratologjike, siç e pohon kritiku Sali Bashota, në romanin Nevruzi, ‘flet e vepron për idelain atdhetar përmes situatave shpirtërore’, dhe se aty ndodhë ‘identifikimi i autorit me personazhin në roman’, e që si lajtmotiv kryesor e ka thënien aq aktuale edhe sot e edhe mot: ‘pa dashuri s’ka Shqipëri, pa Shqipëri s’ka dashuri’

Duke u ndalur tek drama “Tradhëtia”, vihet në dukje se:’Identiteti atdhetar dhe përmasa heroike tregohet qartë me shqiptimin e thënies nga heroi kombëtar Skëndërbeu: “Shqipnija asht fortesa e qytetnimit – Burra të naltë naltësojnë edhe një atdhe të vogël’. Drama ka për tematikë epokën skënderbegiane, e në vetvete mbartë dashurinë, intrigën dhe tradhtinë që i bëhet Skëndërbeut, e të cilit i kërkohet falje.

Në këtë dramë, e që më të drejtë thuhet se ‘i ngjet melodramës’, siç vëren studiuesi, Mehdi Frashëri ‘fund e krye, e shqipton besën dhe bashkimin, kategorinë e moralitetit shpirtëror dhe të idealit atdhetar’, ku Skëndërbeu është hero letrar, por tek ajo që Sali Bashota e quan Përdegëzimi i vizionaritetit, nuk mungon as tradhtia: ‘Tradhtia e shpjegon dimensionalitetin e lakmisë pushtetare që fundja përfundon me vetëvrasje shpirtërore, morale e fizike…Pra, tradhtia, herën e pare del si ves i lakmisë, ndërsa herën e dytë si mashtrim e vetëvrasje’.

Ndërkaq, duke shkruar për prozën e Faik Konicës, Sali Bashota e ka pohuar se shkrimet e Konicës ‘cilësohen në letërsinë shqipe si shkrime me prirje moderne’, në të cilat spikasin ‘imazhet e renditura me mjeshtri stili e gjuhe’.

Ai ka theksuar se: ‘Proza e Faik Konicës është prozë e hulumtimit të njësive semantike, e lidhjeve kompozicionale, të gërshetuara përbrenda situatave filozofiko – psikologjike’, e ku Shtresimi i ideve bëhet përmes personazheve ‘duke i pikturuar karakteret e tij’. Sali Bashota thekson me vend se Faik Konica ka ëndërruar që turmën e përgjakur - ta kthente në një komb me dinjitet: ‘desha një Zulluland të qytetëruar dhe të lirë…desha ta lëroj shkëmbin’.

Duke qenë një prozë që anon Kah proza estetike, ajo është prozë në të cilën ‘synohet mendësia e kulluar intelektuale’ si dhe ‘vetëdija supreme’, e ku Dr. Gjilpëra mbetet ‘njeriu që i donte librat me gjithë shpirt’. Në pjesën Thurja dramatike e novelës, Sali Bashota pohon se ‘novela e Konicës është novelë e një intrige udhëtimore’, me ‘fytyra të shfaqura e të adhuruara midis pasionit dhe fatalitetit’, ku ‘personazhi vepron sipas kodit narrativ satirik’, prandaj: ‘Novela e Konicës e ka thurjen mrekullitare, sikundër e ka edhe rrëfimin alegorik’, por në vrojtimin e hollë nënvizohet edhe fakti se: ‘Novela e Konicës i ikën me qëllim dimensionit sentimental’.

Aty kritikohet mentaliteti anadollak ku secili kërkon shpërblime, dhurata për shërbimet shetërore, pra kritikohet ajo që ngjet sot me termin korrupsion. Dr. Gjilpëra mishëron njeriun e dijes dhe europianin e kulturuar, vëren Sali Bashota, kurse Salemboza (‘salep dhe bozë’) simbolizon të kundërtën e kësaj prirjeje. Aty ‘zbulohet enigma e fshehjes së mentalitetit të rremë’ ku ‘injoranca e kafshon jetën e vet në ritmin tragjiko – komik të ekzistimit’, nënvizon vrojtuesi i hollë duke e përmbullur shkrimin për Faik Konicën me konstatimet se: ‘Rrëfimi për Ali Bibiun është ndër pjesët më të bukura dhe më magjepëse të novelës’, kurse Dr. Gjilpëra… vlerësohet si ‘proza shembullore e këtij autori’, dhe se duke u konsideruar ‘si “sulm” bë organizimin shtetëror në kohën e Zogut’, botimi i mëtejmë i saj tek “Dielli” është ndërprerë – sqaron Sali Bashota, duke shtuar se ‘autori dhe rrëfimtari janë një’ tek Faik Konica si autor i cili ka shkruar ‘një prozë personale, pra prozë e një personazhi autobiografik’.

Duke e shpalosur shkallë – shkallë evoluimin e prozës shqipe në letërsinë tonë, duke i njohur mirë veçoritë dhe karakteristikat e kësaj proze si dhe prirjet e narratorëve me prurjet e tyre të reja, Sali Bashota e ka quajtur një pjesë të prozës së Ernest Koliqit si ‘tragjika që e përcakton thelbin errëfimit’. Aletrnativa e jetë – vdekjes, shkruan Sali Bashota, aty shfaqet si: ‘Jetë a vdekje. Dashuri apo hakmarrje’. Kështu pra. në novelën “Gjaku”: ‘Personazhi i situateës bëhet personazh i veprimit. Egoja bëhet superego’.

Prozën e Ernest Koliqit, siç vëren Sali Bashota, e karakterizon shtresimi psikologjik i veprimit (ku babai ‘është vrasës i fëmijës së vet vetëm pse ajo dashuron’), pra ku krenaria ngërthen tragjiken e ku siç e thotë vrojtuesi aq bukur: ‘përplaset fati shpirtëror’. Ajo është pra prozë ku rri personazhi ndërmjet gjakmarrjes dhe dashurisë, ku: ‘Shprishet dashuria shpirtërore dhe mbizotëron kodi i gjakmarrjes’, siç vëren me aq hollësi syri vrojtues i Sali Bashotës, i cili shton se në këtë prozë ‘mbizotëron bukuria e rrëfimit’ si ‘metamorfozë motivore’ e shkrirë në një ‘metamorfozë shpirtërore të personazhit’. Kufiri i halucinacionit, vëren Sali Bashota, është një komponentë tjetër e prozës së Koliqit, kurse nga aspekti krahasimtar: ‘Te Migjei është mbizotëruese alegoria e rrëfimit, ndërkaq te Koliqi simbolika e rrëfimit’.

Novela “Diolca” është ‘novelë e dashurisë së përgjakur’, ku shumëçka niset me fejesën në djep, e që mëpastaj rrëfimi jepet në retrospektivë, për të kulmuar në formën në të cilën ‘dashuria kthehet në mëshirë. Kështu, bashkë dashurinë e përgjakur, mëshira bëhet vizion i shtresuar në tekstin narrativ’.

Sali Bashota gjithashtu shpalos në vështrimin e tij se personazhi i prozës së Ernest Koliqit është ‘personazhi i vetëdijes mitike shqiptare’ ku ‘hetohen projeksione të fantazisë dhe të dritësimit legjendar’, ku vërehet ‘intriga, atmosfera, sekreti dashuror’ e ku ‘me elemente autobiografike të personazhit ndërtohet fantasia për kënaqësinë e instikteve shpirtërore’, ku vërehet ‘shtresimi dhe domethënia e botëkuptimit mitik’ si tek tregimi “Kërcimtarja e Dukagjinit’”(‘një vajzë mrekullisht e hijshme’) e ku nënvizohet pohimi se: ‘Edhe qielli qeshej mbi at triumf lavdije shqiptare’; ku është i pranishëm  ‘modeli i bestytnisë’ (tregimi “Kur orët lajmojnë”), e ku ndodhë ‘pikëtakimi i reales me irealen’ (tregimi “Zana e fundme”).

Në thelb, proza e Ernest Koliqit ka shtresime shumëdimensionale, por në te shquhet tregimi që mbetet gjithmonë aktual “Tregtar flamujsh”, prej ku Sali Bashota ka shkëputur tre fragmente:

“I pau ata flamuj që shtjellen në një dritë të gjallë fitoresh kumbore, në krye të nji kombi të lir mbi udha plot brohorina t’ardhmëmënies kur era e larit tymtonte e pastër drejt qiellit”.

“I pau ato shqipe të zeza tue u liriue nga burgu i errët i nji kohe të zezueme e tue rrahë flatrat nëpër ajri të kuqe si engjuj drejtësije kah skajet ma të fshhetuna të maleve e të fushave t’atdheut”.

“I pau ato shqipe të zeza tue u lirue nga burgu i errët i nji kohe të zezueme”.

Me të drejtë Sali Bashota pohon se në këtë tregim janë ndeshur ‘vetëdija e lakmisë për pushtet dhe pasuri’, si dhe  ‘problemi i vetëdijësimit kombëtar, madje edhe i vetëdijësimit shtetëror’, prandaj konstaton se: ‘Ky është artikulimi i një periudhe të burgosur që provon lirinë drejt një caku’, dhe se: ‘Ernest Koliqi, ndër të tjera, ka arritur ta shtrojë idenë e mbrojtjes së shpirtit shqiptar përpara një shprishjeje totale njerëzish të këqij’, gjë që mjerisht na është përsëritur shpesh, prandaj: ‘Forca e mendimit koliqian priret kah madhështia e stilit dhe bukuria e rrëfimit, kah analiza psikologjike e personazhit’.

Edhe pse në prozën e Ernest Koliqit, siç vëren Sali Bashota, kemi ate që ai e quan ‘intimiteti i personazhit autobiografik’, prapë ‘nuk kemi këtu kryengritje të moralit shqiptar, si kemi, fjala vjen, te Migjeni’, por megjithatë ‘poetika e perceptimit’ e mbartë në vetvete ‘psenë në kërkim të gjakut mëmësor, ku plasaritet kujtimi dhe malli për atdheun e ëndërruar’ (tregimi “Duart e nanës”).

Përveç ironisë së theksuar (tregimi “Nji Malsuer u shet ëndrra intelektualëve” e ku shquan ‘intriga e një protagonsiti’, Sali Bashota konkludon se : ‘Mënyra e ndërtimit të personazhit në këtë lloj proze është karakteristikë e përceptimit poetik modernist, e tejkalimit të formave ekzistuese narrative, e veçantisë tematike, ideore, stilistike (në procedim hetohet një afri me prozën e L. Pirandelos)’.

Në vështrimin për prozën e Mitrush Kutelit, Sali Bashota ka analizuar në hollësi Shenjat e një realizmi magjik (në novelën “Vjeshta e Xheladin Beut”), ku Kuteli sipas Bashotës ‘e ka krijuar kodin e heroit negativ’ (Thurja e situatave të dramatizuara) dhe se: ‘Novela ka strukturë të hapur’. Duke e trajtuar ate si një procedim kutelian Midis përfytyrimit dhe shpërfytyrimit, studiuesi vë në pah ‘përmasat e realizmit magjik’ të shfaqura përmes ‘një realiteti të vrazhdtë, i soditur, i proceduar, i pikturuar me narracion, thuajse, të përkryer’. Xheladin  Beu, pa dyshim mbetet një nga karakteret më negative të jetës shqiptare, një njeri i shthurur ndjenjash, për të cilin  Sali Bashota vlerëson se ‘është tipizuar me mjeshtëri të rrallë, edhe pse aty – këtu mungon motivimi i situatave psikologjike e socociale’.

Duke e kundruar me hollësi veprën tjetër të Mitrush Kutelit “Net Shqiptare”, Sali Bashota thekson se aty Kuteli ‘kodin tregimtar e shqipton në tipin e personazhit emblemë’. Aty shfaqet ‘rrëfimi paralel i ngjarjeve’, kurse rrëfenjëza “Natë kollozheku”, është sipas Bashotës ‘prozë e karaktereve kundërvënëse’.

Sali Bashota më tej ka vërejtur një qasje tjetër nga ana e Kutelit, paralelizmi: dashuri – tragjikë – mërgim, formë për të cilën Bashota ka cituar Bahtinin: ‘bartja e momentit memorial në vepër’, ku spikatë figura e Argjir Vlonjatit si një antipod pozitiv përballë Kahreman beut. Vlonjati, është personazhi të cilin studiuesi Sali Bashota e ka cilësuar në këtë prizëm lakonik: ‘Jeta pa të dashurën e shpirtit, i ngjet vdekjes për së gjalli’.

Duke qenë prozë ‘midis ndjenjave të narratorit dhe veprimeve të personazhit’, ajo për Sali Bashotën është prozë në të cilën: ‘vasha e dashuruar ëndërrimtare është një gjakndezje që lëviz përbrenda ritmit tragjik të shpirtit njerëzor’. Më tej, duke e vlerësuar rrëfenjën “Gjonomadh e Gjatollinj”, Bashota vëren ‘pozicionin hamletian’ të personazheve që vërtiten në botën e gjakmarrjes ‘për shkak të një vashe’.

Procesi i njohjes tragjike të personazhit, është elementi tjetër që vërehet në këtë studim: ‘Shkallëzimi i situatës tragjike jepet pas dyluftimity të tyre vëllavrasës ku nëpërmjet dialogut dëftohet procesi i rinjohjes’ (tregimi “Më kot”).

Personazhi i mimetikës ëndërrimtare sipas Sali Bashotës haste edhe në tregimin “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit” apo edhe tek novela “E madhe është gjëma e mëkatit” (Tat Tanushi), ndërsa tek rrëfenja “I vdekuri dhe i gjalli” ‘kemi edhe veprimin trefishor: narratori – personazhi i veprimit – komentuesi i ngjarjeve’.

Në pjesën e këtij studimi Rina e gjallë dhe Kirolloj i vdekur, Sali Bashota me të drejtë gjenë pikëtakime me prozën e Gogolit - me shpirtara të vdekur, ndërsa në pjesën Domethënia mimetike e ëndrrës, Sali Bashota vëren me hollësi:

‘Kodi tregimtar i Mitrush Kutelit, në të cilin shtresohet nata si procede e shkrimit, e muzës, apo si konvencion i kohës, siç do të thoshte Shkllovski, ndër të tjera, sikur lëviz nëpër labirinthin e thënies së moçme aristoteliane: se karakteret janë më të mirë se ne. E, ne atëherë vallë ç’bëjmë për karakteret letrare, pos që ato i portretizojmë me dëshirën më magjepëse.

Modusi përfytyror i rrëfenjave kuteliane e zotëron fuqinë për të riprodhuar ngjarjen, personazhin, veprimin, kohën e saktësuar në një intrigë. Dhe kështu valë – valë fuqia e mendimit dhe e fjalës bartet nëpër kujtesën e karaktereve’.

Edhe nga një shkëputje e tillë e tekstit vrojtues si tërësi, vërehet se Sali Bashota i njeh shumë mirë teoritë që kanë të bëjnë me romanin, narracionin dhe karakteret, por ai nuk e ngarkon studimin e tij me to. Me një lëvizje të lehtë të penës, e cila i ngjet hera – herës lëvizjes së butë të brushës së një piktori, ai di se çka të futë si citim dhe se si ta mishëroj kritikën e tij edhe me poetikën e vet.

Proza e Kutelit ka shumë narratorë, që e marrin rolin e vepruesit dhe e bartin gojë më gojë ngjarjen dhe veprimin prej personazhi në personazh tjetër, nënvizon Bashota duke e krahasuar botën e të vdekshmve të rrëfenjës “Lugetërit e fshatit tonë” me tregimet e Çehovit.

Një vëmendje të veçantë, Sali Bashota i ka kushtuar novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, e që mbetet si një nga më të arrirat e prozës shqipe, si me stilin, narracionin ashtu edhe me domethënien e saj. Edhe këtu studiuesi Sali Bashota nuk e ka kursyer poetikën e stilit të tij: ‘Dhe rrëfimi rrjedh valë – valë nga Liqeni i kaltër… (i Lasgushit dhe i Kutelit) duke hyrë dhe ngulitur nëpr qarlun e metatekstit’.

Se Sali Bashota ka një shije tepër të veçantë e po aq edhe të holluar poetike e edhe kritike, e dëshmon edhe mënyra se si i qaset tekstit letrar, procedimit në te e që shpesh deri në imtësi zbërthen kuptimësinë e vlerave letrare; por një gjë të tillë e dëshmon edhe përzgjedhja e pjesëve të shkrimtarëve, të cilat ai i vë përpara lexuesit të kritikës së tij studimore:

“E madhe është gjëma e mëkatit, po e madhe edhe fuqia e hirit të priftërisë. Sepse hiri mburon nga Zoti.

Edhe ndaj Zotit të pamundurat bëhen të mundura, me anë të hirit të fjalës”.

Pos asaj që Sali Bashota e quan ndërtimi i ideve, në prozën e Kuteli ai vëren edhe shtresimet e dyfishta të tekstit narrativ, ku shtron pyetjen: ‘A kishte Kuteli të drejtë që në pikën përfytyrore të hyjnisë të përndriçojë në shkallën më të lartë ngjalljen e së dashurës? Pra, pasioni është i gjallë dhe pikëllimi për dashurinë e humbur, i thur shtresimet e dyfishta: për jetën dhe vdekjen’.

Më tej ai ndalet tek Dekodimi i ëndrrës së kryepersonazhit, ku vëren se: ‘Pra, duke e shtresuar modelin e frymës së kristianizmit, Tat Tanushi tani pasi e pa ëndërr Kalijen të vdekur, figurën e saj e procedon si figurë të shenjtëruar’.

Tek e ka kundruar në prizme të shumta novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”, Sali Bashota thekson se aty: ‘(mbillet trup lëndor e ngjallet trup shpirtëror). Ky kod i përfytyrimit biblik, lëviz në botën e ndjenjave të Tat Tanushit, i cili Kalijen e përkund dashurisht në misterin e ëndrrave të tij. Por duhet të dihet qartë e saktë se Tat Tanushi është prift dhe Shkrimi Shenjt, para së gjithash, është dija dhe predikimi i tij në udhëtimin shpirtëror për t’i zbuluar të fshehurat e arsyes së tij profetike, i cili mbaron prapë me mëkat, por me mëkat të ri që ia paracakton “imazhi i perëndisë”.

Funksionalizimi i kujtesës dhe ndërrimi i pikëshikimit, është prizmi tjetër prej të cilit Sali Bashota deri në imtësi e vlerëson dhe e zbërthen semantikën e prozës kuteliane në majat e saj më të arrira, duke vënë në pah se: ‘Arti i thurjes së situatave prapë e shënjon përfytyrimin tjetër të figurës së ëndërruar (Kalijes), plasaritet në shpirtin e protagonsitit (Tat Tanushi), ai përmallim i hirit të fjalës apo ajo dritë hyjnore që e nënkupton përsëritjen ciklike të ëndërrimtarisë së imazhit të përhumbur në ndërdije’. Por jo vetëm kaq. Përmes dhembjes, nënvizon autori, synohet të kërkohet katarsisi, prandaj në shijen e tij estetike ai e ka shkëputur edhe një pjesë nga copëzat e mermerta të tregimtarisë kuteliane, e për të cilën e ka privilegjin të jetë jo vetëm njëri prej njohësve më të mirë por edhe më të merituarit:

“Kur këtheu sytë nga Drini ku këndonin zogjtë pa një grua veshur ndër të bardha që shkelte mi ujra. Shtati i saj u madhua, u madhua dhe u ngrit në shelgje, si napë. Pastaj u tret.

Tata e njohu se ish Kalija.

Dh era në gjunjë me kryet në tokë.’

Duke e përmbyllur shkrimin për novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”, Sali Bashota ka vërejtur me syrin e një studiuesi dhe kritiku të rryer:

‘Teoria e shkrimit i dëfton edhe këto gjendje: veprimi i novelës është përqëndruar edhe në kohën e Ilirisë. Bubutima është e po atij ambienti. Nga koha objektive bartet fabula në kohën subjektive dhe rrëfimi i këtyre dy legjendave të dëgjuara bëhet nga Liqeni i kaltër. Rrjedhimisht, fill e fund, në tekstin narrativ përfytyrohet e shpërfytyrohet situateë themelore, e cila funksionalizohet nëpërmjet mëkatit. Prandaj, Tat Tanushi, Kalija e vdekur dhe mëkati, së bashku e thurin një dramë shpirtërore në kohën metaforike të përvujtnisë.

Kuteli kishte të drejtë. Në ato vite kur e shkroi novelën për gjëmën e mëkatit, vetë e provoi dramën e përvujtnisë me privim nga liria. Prandaj, kushtimisht Tat Tanushi ka shenja identifikuese e autobiografike me vetë autorin e kësaj novele’.

Kuteli është vrojtuar edhe nga prizmi i fragmentarizmit si fakt, pasi që, siç thotë studiuesi, ‘në atë “kujtesën ilirike”…mbase të mbështjellë paradoksalisht me përhumbjen shkrimore…Dhe misterioziteti vazhdon ende për këtë pjesë të krijimtarisë së tij’.

Mitrush Kuteli është shkrimtari të cilit i kanë humbur apo edhe mund t’ia kenë humbur dorëshkrimet, është vlerësuar nga poeti dhe studiuesi të cilit ia kanë djegur dorëshkrimet, prandaj duke i ditur dhe duke i ndier përmasat e një dhembjeje të tillë, Sali Bashota ka sqaruar se ‘këto novela edhe një lloj i historisë dhe i mitologjisë së letrarizuar që evokojnë përgjithësisht mbretërinë ilire të shek. IV – II para erës sonë’.

Duke kaluar tek Poetika e kompozicionit, është pohuar se: ‘Mitrush Kuteli udhëhiqet nga parimi retrospektiv i përkujtimit të kohës së fabulës dhe kohës së veprimit’. Që në hyrje të novelës “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, vëren Sali Bashota, ‘bëhet demetizimi i legjendës së lashtë greke të cilën e shënoi Apolodari (A. Stipçeviq), që ka të bëjë me preajrdhjen e fisit ilir (Kadmi, Harmonia, Ilyriosi), mirëpo vëmenjda e autorit përqëndrohet kryesisht në idealizimin e disa personaliteteve apo figurave historike dhe mitologjike, të cilat përshkruhen me një retorizëm të theksuar narrativ’.

Gjithashtu vërehet se ‘epërsia dhe dendësia e madhe e përshkrimit të tablove, situatave, dromcave, imazheve ia zë frymën tipizimit dhe nuk e përkufizon të ndodhurën’, e në veçanti ‘autori është përqëndruar gjithnji në përceptimin emocional dhe psikologjik të dashurisë mes Etlevës dhe Enkeleut’, por sado që ‘shkrimtari ka aritur të mbishuqajë herozimin e femrës ilire dhe madhështinë e këtij heroizmi edhe në ditët e sotme’, gjë që ka kulmuar tek ‘idealizmi dhe hiperbolizmi kaq i madh i figurës së Etlevës’, prapë siç vëren Sali Bashota: ‘mungon uniteti kompozicional i paraqitjes së personazheve dhe lidhja e logjikshme e veprimeve të tyre’.

Në spektrin e këtij vështrimi, gjithashtu përfshihet edhe miti mbi Edipin: ‘Edipi i verbon sytë e tij dhe shkon në mërgim, ndërsa Jokasta var veten’. E në zbërthimin e një miti të tillë, vihet re se: ‘figura e Edipit nuk eksponohet e ndrydhur nga mundimi i thellë dhe nga vuajtja e tmerrshme morale, por në funksion të gjithanshëm të ngjarjeve, edhe pse ajo është episodike…figura e Edipit mishërohet episodikisht brenda disa situatave ekspozuese të tekstit narrativ dhe nuk rivlerësohet nga pozita e tragjediografëve grekë. Në monologët e tij dominojnë fomrulimet: “Njohja është tragjedi (…) Mosnjohja është lumturi”, ndërkaq Aristotelit do t’i parapëlqente më shumë rruga e “kalimit prej fatkeqësie në lumturi”, sesa anasjelltas’.

Intriga e udhëtimit dhe filozofia e vuajtjeve, është pjesa vijuese e studimit në të cilin vlerësohet drejt ‘novela e dytë “Nga Dyrakiona në Bardhonë” (Nga Durrësi në Krujë – nënvizimi S. B.) ‘, e ku siç sqarohet përmes Mano skllavit (Mano persianit) sillet ngjarja e novelës: ‘Atë gjithnjë e preokupon dilemma jetësore dhe ekzistenciale: pse është skllav? Më tej, theksohet se: ‘Nëpërmjet fatit të Mano skllavit dhe të gomarit të tij (të përkujton tiparet e kalorësve mesjetarë), përshkruhet fati i skllevërve të tjerë’, dhe se ‘Mano skllavi mbetet karakteri më i skicuar i novelës’.

Në përmbyllje të studimit të tij për Mitrsuh Kutelin, Sali Bashota vë në dukje se Kuteli ka cituar vargje edhe nga dy epet e Homerit, dhe se në të dy novelat: ‘jepen informacione për historinë e Ilirisë, qoftë me fantazi poetike, qoftë me citate të nxjerra nga poemat e Homerit’.

Në vlerësimin e këtyre dy novelave, Sali Bashota thekson se ato karakterizohen nga: ‘Përshkrimi dhe rrëfimi më shumë, e monologët e dialogët më pak’, por ndonëse admirues i veprës së Mitrush Kutelit, ai si studiues letërsie ka vënë në pah edhe disa mangësi të hasura tek Kuteli, si: ‘faktor i grumbullimit të panevojshëm të imazheve…shkrimtari ka rënë në stilizim fare të panevojshëm me çka i ka idealizuar, sikundër edhe hiperbolizuar fort personazhet, në njërën anë dhe e ka penguar nëse jo torturuar gjuhën e tij aq të ngritur dhe aq të përsosur stilistikisht në anën tjetër’.

Në vështrimin për Migjenin dhe për prozën e tij, Sali Bashota ka vlerësuar se ‘Kodi moral triumfon mbi kodin logjik. Domethënë: veprimi i personazhit mundet nga situata e karakterit’.

Ai e ka kundruar prozën e Migjenit, duke e ndarë studimin e tij në pjesë të ndryshme, si: Dashuria e imponuar dhe dashuria e kërkuar, ku për novelën “Studenti në shtëpi”, thuhet se: ‘Thurja e ngjarjes e këputë përgjysmë vizionaritetin e personazhit…dashuria e imponuar, nuk e prodhon vetëvrasjen, por e rikrijon dashurinë e kërkuar…Novela nuk e shkallëzon të papriturën…forma materiale (paraja) e mund pasionin (dashurinë)…koha e rrëfimit gjunjëzohet përpara kohës historike…Këtu nuk ndodh as nuk paraljmërohet katarza morale’; Paradoksi  i konvencave, ku theksohet se ‘Migjeni i detyrohet një realiteti të ashpër social, psikologjik, moral e njerëzor’; Egoja dhe alteregoja e personazhit, ku thuhet se: ‘koha empirike dhe e përjetuar amorale e Agës, çuditërisht shndërrohet në kohë hipotetike për Nushin…Këtu kemi modelin e personazhit të situatës dhe jo të personazhit të veprimit…Nushi nuk bëhet hero. Heroizmi i tij mbaron me vrasjen e mërzisë, të indiferences…Buzëqeshja e tij është pamundësi, është ironi…Herën tjetër, ironi e realitetit’; Misteri i një drame shoqërore, ku vërehet me hollësi se ‘rituali i injorancës dhe i dhembjes shëtit mbi fytyrat e bukurisë dhe të egërsisë dhe bëhet ritual botëkuptimor’; Rrafshi psikologjik i tregimit, ku thuhet se:’Me tipin e personazhit të Oso Bakallit, Migjeni e vijëzon katarzën morale të individit’ dhe se ‘e modelon tipin e personazhit të pasioneve të gjunjëzuara, siç është Oso Bakalli’; E ndodhura jetësore dhe amoraliteti i gruas, që në vrojtim të tregimit “Historia e njërës nga ato”, thekson se ‘narratori e shpalos misterin e fshehur të tragjicitetit shpirtëror duke e thyer parimin e kodit moral me shprishjen e qenies psikike të personazhit, i cili situatën sociale e kupton si mënyrë të vetme për t’ia imponuar jetën tragjizmin e vet të njëllojtë me lumturinë e racionalizuar’; Konflikti me ndjesitë shpirtërore, ku thuhet se në tregimin për njërën nga ato: ‘projektohet ëndrra për jetën e lumtur, që faktikisht është skëterrë e përditshmërisë, është gjunjëzim…Narratori e trazon shpirtin e Lukës, duke i çelur shtigjet për të hyrë në ferr – parajsën e saj shpirtërore e morale…psikologjia e saj ballafaqohet me arsyen e paformë…gjithnjë midis mëshirës së zezë dhe gjykimit njerëzor të një mjedisi patrialkal, ku sundon mjerimi, injoranca, fatkeqësia e individit dhe ku rrëshqet paradoksalisht amoraliteti’; Erotizmi parabolik, ku citohet Zh. Bataj: “kur erotizmi është shikim i brendshëm i jetës së njeriut” në raport me tregimin e Migjeit “Pak poezi”; Abstenimi i personazhit, ku ciotohet N. Fraj: ‘ndjekja e bukurisë është absurditet shumë më i rrezikshëm sesa vdekja e së vërtetës ose e mirësisë, nga ajo që afron një tundim më i fuqishëm ndaj unit’, Liotar: ‘”introspeksioni psikologjik si mbrendësi”; Pasioni dashuror dhe arsyeja njerëzore, ku thuhet se Migjeni mbi një ‘përharrim hipotetik e krijon kornizën e përfytyrimit të idealit dashuror. Është një vegim i turbullt’ – për tregimin “Pak poezi”; Ceremonia e zezë e “mirëqenies” sociale, ku për novelën “Bukën tonë të përditshme falna sot” në mënyrë tejet analitike pohohet se: ‘Këtu vdes krenaria e personazhit, plandoset përtokë himnizimi shpirtëror, njerëzor, heroik përbrenda një parakalimi të një procesioni që nuk mbaron’; Ironia e një drame familjare, ku theksohet se: ‘Analiza letrare e novelës dëfton për finalitetin amoral të kësaj bukurie të fshehur, e cila bëhet bukuri ironike e dyzimit dhe e kundërshtisë së ndjenjave që shpallen fajtore, për positën fatkeqe të gruas’; dhe së fundi në pjesën Rrathët tragjikë të ankthit shpirtëror, konkludohet se: ‘Proza e Migjenit nuk e prodhon konfliktin, por shtreson vetëm kundërshtitë sociale e morale. Kësisoj, personazhet veprojnë sipas ritualit të përsëritjes së ideve dhe temave prej tregimi në tregim. Aty ku mbaron njëra, fillon tjetra. Lëvizja e personazheve bëhet, pothuajse, në formë ciklike. Rrethi është i njëjtë, ndërkaq moralitei projektohet, jo gjithnjë nga bazamenti social’…

Në pjesën e tretë të librit Studime Letrare, të titulluar Poetika e Tekstit Narrativ, Sali Bashota e ka thënë në mënyrë të mbledhur ate që ai e kaq quajtur Krahasimi: Idetë dhe domethënia.

Edhe këtu, ai ka aplikuar një metodologji moderne të studimeve letrare, ku bie në sy stili i hollë letrar, një logjikë e fortë e të menduarit dhe e të strukturuarit të ideve, një gjykim racional dhe një mprehtësi gjykimesh, e që paraqiten përmes një gjuhë të pasur, të qartë, të rrjedhshme e edhe poetike.

Në vrojtimin e Sali Bashotës, Faik Konica është shkrimtari që kërkon dhe lëron format e prozës moderne përmes personazheve ‘autobiografike me shenjën e kodit suprem kritik e kulturor’, Ernest Koliqi ate të prozës psikologjike ku ‘funksionalizohet vija rrëfimore moderniste’, kurse ‘Mitrush Kuteli është shkrimtar i vetëm shqiptar, i cilia për dyzet vjet e shkroi rrëfenjën, si lloj specifik letrar’. Ai, në studimin e Sali Bashotës është paralajmëruesi i fillimeve të modernitetit ‘në prozën shqipe, bashkë me Konicën, Koliqin, Migjenin’.

Mitrsuh Kuteli, vëren studiuesi, e ka krijuar kryetipin e prozës së tij në karakterin e Xheladin Beut: ‘Realizmi magjik, do të thoshim ballkanas, sikur bëhet parim krijues poetik që i ushqen ëndrrat letrare të Kutelit në këtë novelë’, dhe se Kuteli ka arritur që personazhet e tij t’i shfaqte ‘të pikturuara fuqimisht në prozë’.

Sali Bashota duke e bërë sintezën e studimeve letrare në këtë vepër, e dëshmon sërish se ai e njeh shumë mirë anatominë letrare të shkrimtarëve përfaqësues të përfshirë brenda këtyre studimeve.

Duke bërë një krahasim mes veprës letrare të Fishtës dhe asaj të Migjenit, ai thekson: ‘Te skica “Legjenda e misrit” shqiptohet në shkallën më të gjunjëzuar po të atij karakteri (malësori), i cili, fjala vjen, te Lahuta e Malcis e Fishtës është hero, ndërsa tek Migjeni plandoset bie përtokë me nostalgjinë e aktualitetit të privuar, i mbledh kokrrat e misrit’.

Pra, ‘Personazhi i prozës së Migjenit e luan dramën e heshtjes, të dhembjes, të vuajtjeve, të nderit’, ndërsa duke e shtrirë krahasimin e tij në përmasat e mëtejme, Sali Bashota e lëshon dorën e tij deri në fund:

‘Tek i pari (Konica), shpërthen fuqishëm ndërgjegjësimi kritik i personazhit, tek i dyti (Koliqi), zbërthehen ëndrrat e personazhit gati me një përfytyrim fantastik; tek i treti (Kuteli), shpalosen rrëfenjat, legjendat, kujtimet nga një kujtesë e largët, ku karakteret dalin si antipode me njëra – tjetrën; tek i katërti (Migjeni) mbizotëron proza e dëshpërimit me karaktere të dobëta që mbesin figura në kërkimin e fatit të tyre.

Personazhi i Konicës është personazh – ide, ndërsa i Koliqit është personazh psikologjik. Personazhi i Kutelit është produkt i karaktereve kundërvënëse, kurse i Migjenit personazh të cilin e përcakton gjendja morale dhe sociale’.

Te Konica funksionalizohet vizioni i zgjuarsisë së personazhit (ndërgjegjësimi); te Koliqi realiteti – irrealiteti dhe situate etno – psikologjike; te Kuteli kundërvënia e karakterve apo modeli biblik herën tjetër; te Migjeni tronditja, poshtërimi apo drama shpirtërore e karaktereve’.

Më tej, duke iu qasur Konicës, theksohet se ai ‘e formëson modelin e personazheve reprezentative të prozës së tij me Dr. Gjilpërën dhe Plugun’, kurse ‘Koliqi me Hilush Vilzën dhe Dodën; Kuteli me Xheladin beun dhe Tat Tanushin; ndërsa Migjeni me Nushin e Lulin’.

Duke bërë krahasime mes katër shkrimtarëve, Sali Bashota e përmbyllë gradualisht sintezën e studimeve letrare:

‘Konica e thellon konceptin e tij shkrimor nga vetëdija kritike e personazhit; Koliqi nga dialogu i personazheve psikologjike e mitike; Kuteli e afirmon kodin e vetëdijes së personazhit në rrafshin e realizmit dhe të teksteve biblike; Migjeni në botën e tij letrare lëviz midis trekëndëshit: ekzistencë – dashuri – moral…

Personazhi i Konicës është kritikues dhe ironizues i realitetit shqiptar. Personazhi i Koliqit është mitizues i këtij realiteti. Personazhi i Kutelit është prapavështrues. Personazhi i Migjenit është projektues.

Në prozën e Konicës ambienti është qytetar. Te Koliqi ndërlidhet ambienti malësi – qytet. Te Migjeni, po kështu si te Koliqi. Te Kuteli, ambienti është rural dhe hapësira eterike’.

Por poetika e kritikës studimore të Sali Bashotës nuk përfundon me kaq. Ashtu siç ua kërkonte Orfeu në mitologjinë klasike perëndive edhe dy tela më shumë, që nga shtatë t’i bënte nëntë, për ta thënë më thekshëm dashurinë që ndiente për Erudikën e tij nëpërmes lirës së vet, edhe Sali Bashota është poeti që kërkon nga Republika e letrave shqipe, në gjakimin e tij për të bukurën dhe të madhërishmen, më shumë hapësirë poetike:

‘Personazhi në prozën e Konicës është në perspektivën narrative vepruese. Te Koliqi në perspektivën narrative medituese. Te Kuteli në atë komentuese, kurse te Migjei në perspektivën narrative vëzhguese…

Konica është vizionar i ideve; Koliqi përfytyrues i shkathët i aktit tregimtar; Kuteli përshkrues i thelbit të peripecisë; Migjeni kërkues i shenjave hipotetike. Rrjedhimisht proza e Konicës është prozë e ideve; proza e Koliqit prozë e situateës, proza e Kutelit, prozë e ngjarjeve; proza e Migjeit, prozë e karaktereve. Të katër autorët i shquan mjeshtëria e të shkruarit, shkathtësia e rrëfimit dhe aftësia e komunikimit…

Dr. Gjilpëra në novelën e Konicës bëhet personazh autobiografik (një me autorin) duke i shpaluar ligjësitë e botës shqiptare me etikën e tij kritike. Hilush Vilza i tregimeve të Koliqit bëhet personazh autobiografik duke bërë ekspiremntime psikologjike me karakteret e tjera të veprës. Tat Tanushi i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, të Kutelit bëhet personazh autobiografik duke shtresuar kodin biblik përgjatë rrëfimit për muzën dhe Fjalën e Zotit. Lili i tregimit “Pak poezi” të Migjenit, bëhet personazh autobiografik me thurjen e instikteve dhe pasioneve të përafërta që dalin si parabolë e dashurisë’.

Vepra Studime Letrare e Sali Bashotës është një kontribut me rëndësi në fushën e studimeve të letërsisë shqipe. Në këtë vepër, me një qasje moderne dhe me një stil të një kritike poetike, në mënyrë lakonike janë përfshirë krijuesit më të shquar të saj dhe janë shpalosur disa prej perlave të kësaj letërsie.

Vepra Studime Letrare është një histori moderne e letërsisë shqipe, në të cilën dëshmohet në mënyrë analitike, se më shumë se një letërsi atipike, letërsia shqipe megjithëse e këputur dhe e ndaluar, megjithatë është një letërsi, në Republikën e së cilës, krijuesit e saj, edhe kur kanë qenë të anatemuar, të përbuzur a të nënçmuar, kanë krijuar vlera të mirëfillta letrare dhe artistike, të cilat në horizontin mendor e dituror, e veçmas në fushën e frymëzimeve tona, paraqesin perla të veçanta.

Me këtë vepër, Sali Bashota edhe si poet, por në mënyrë të veçantë si ligjërues dhe studiues i letërsisë, e ka meritën e tij të pamohueshme. E përderisa në fushën e poezisë, ai e meriton epitetin Poet i Shpirtit, në fushën e studimeve letrare ai ma kujton stilin konciz të historianit të letërsisë italiane, Françisk de Sanktis. Prandaj, ata që do ta shkruajnë historinë e letërsisë shqipe nesër, do ta kenë shumë të vështirë dhe gati të pamundur, ta anashkalojnë Poetikën e Tekstit Narrativ të Sali Bashotës.

Si poeti, ashtu edhe ligjëruesi dhe studiuesi i letërsisë, na shtynë t’i gëzohemi veprës së tij letrare, e në mënyrë të veçantë prirjes origjinale që letërsisë shqipe si faktor të mendësisë ia ka falur Obeliskun, rreth të cilit janë mbledhur e do të mblidhen mendjet tona dhe vizionet tona - në horizontet e së djeshmes, të sotmes dhe të së pritmes sonë si komb i qytetëruar:

RETH OBELISKUT: SHQIPËRIKRIJUES…



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora