E shtune, 20.04.2024, 07:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Parakrijuesit e Atdheut

E enjte, 28.02.2013, 07:00 PM


Ese

PARAKRIJUESIT E ATDHEUT

Shkruan: Ahmet Selmani

Në qoftë se për një çast vëmendjen tonë e përqëndrojmë te nocioni atdhe, si një fjalë e përfolur dhe e shqiptuar aq shumë në jetën e përditshme, sigurisht për të shënuar lidhjen tonë me vendin që na përket në kuptimin gjeografik e biologjik, mbase secilën herë do të mund ta identifikojmë në mënyrë formale dhe thelbësore njëkohësisht. E krijuar sipas fjalës latine patria, edhe te shqiptarët kjo shfaqet në formën e saj variacionale ose të dyzuar, pra herë e gjejmë si atdhe e herë si mëmëdhe. Megjithëse në këtë rast mund të shëmbëllejë si një rivalitet në mes formulimit me topos patriarkal dhe atij me topos matriarkal, prapëseprapë, del se thelbi i këtyre të dyjave përherë mbetet i njëjtë, domethënë vetvetiu kemi të bëjmë me tokën e atit ose të mëmës, pronën që e kemi trashëguar prej tyre, vendin ku ne kemi lindur, qoftë kjo si një atribut metaforik i njërit prind (atit) apo edhe i tjetrit (nënës).

Nuk ka asnjë dyshim se identifikimi i tij historik mund të bëhet në shumë raste, bie fjala që nga Mbretëria Ilire nën sundimin e Bardhylit, Agronit, Teutës etj., Despotati i Epirit nën sundimin e Mihal Komnenit, Regnum Albaniae nën sundimin e Karlit I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë nën sundimin e Gjergj Kastriotit etj.

Pa dashur të ndalemi veças në këto epoka të veçanta historike, për ne është e rëndësishme vetëm periudha e ashtuquajtur moderne, pra kryesisht ajo kohë kur u formuan shtetet në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe është krejt afër mendsh se këtu nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët, aq më tepër në 100 vjetorin e shtetit të tyre, me ç’rast fjala atdhe ose mëmëdhe përmendet gjithnjë e më shpesh, madje në shumë raste edhe me një konotacion mjaft glorifikues e mitizues.

Porse, në gjithë këtë kontekst me përmasa solemne, teksa e vrojtojmë në çdo situatë të shfaqur, pak a shumë ndodh edhe një paradoks; zakonisht dëgjojmë tek zihen ngoje vetëm bartësit fizik të krijimit të atdheut (shtetit), por thuajse harrohen ose anashkalohen etërit shpirtërorë të tij.

Duke u nisur nga kjo premisë e qartë, ashtu sikundër që themi për çdo gjë tjetër, pa dyshim, edhe për sa i përket çështjes së madhe që ka të bëjë me atdheun, duhet thënë troç se vlen i njëjti parim dialektik; ai, para se të jetë një realitet faktik e konkret, një dëshmi objektive, një formë e kryer, pa asnjë dyshim është një ide konceptuale, një nocion teorik, një nismë shpirtërore, një frymë kolektive.

Prandaj, si rrjedhojë të kësaj qasjeje përkufizuese, lypset të pranojmë faktin se, në çfarëdo aspekti që ta zbërthejmë kontekstin në fjalë, medoemos do të kuptojmë se atdheu gjithmonë i ka edhe parakrijuesit e tij, ata të cilët fillimisht e mbollën atë në shpirtin, vetëdijen dhe qenien e tyre. Pra, nevojitet të përkujtojmë se, edhe përkundër vetëflijimit të pakundshok, përpjekjeve të pareshtura, populli shqiptar thuajse qe nisur drejt zhbërjes së tij përfundimtare nga faqja e dheut, thjesht të kishte fatin e njëjtë me kazarët. Megjithatë, në momentet e fundit të këtij rreziku fatal, dikush u kujtua për ta ringjallur ndjenjën e tyre në pikëpamje të etnosit. S’do mend, ishin pikërisht rilindësit shqiptarë ata që u zotuan dhe ia dolën ta ringjallin frymën e duhur për një projekt të tillë kaq madhor. Duke e derdhur gjithë fuqinë dhe mundin e tyre, përkushtimin e jashtëzakonshëm vetanak, ata ia dolën që ta ndërtonin mitin pozitiv të atdheut, sepse mu atëherë u këndellën për fatin e vërtetë që i priste, mbi të gjitha, e kuptuan se fillimisht nevojitej një vetëdije paraprake për atë që do ta bënin më vonë, si një ecuri për jetësimin e plotë kolektiv.

Kështu, pasi e ngjallën historinë e lavdishme, prejardhjen pellazgjike e ilire, gjuhën e stërlashtë, epokën e Gjergj Kastriotit, krijimtarinë e pasur gojore, shkronjat dhe alfabetin, abetaren dhe librat etj., më pastaj sikur e kuptuan qartë se themelet e vërteta të atdheut i kishin hedhur me sukses, për të vazhduar më tej në fazën tjetër të ngritjes së tij. Me sa duket, gjatë aktit paraprijës të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv, u shfaq kryerilindësi Jeronim de Rada i cili, në veprën e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, të botuar më 1836, shpalli vizionin e tij të shtrenjtë me anë të vargut:

Erth ditë e Arbrit

Në të vërtëtë, me këtë kumt ngazëllyes e poetik ai e mbolli farën e njëmendtë për lindjen e atdheut, e cila ndërkohë u bë frymë e plotfuqishme besimi e shprese për atë që mbaskëtej do të bëhej realitet i gjallë.

E gjithë kjo u pa qartë edhe te shumë autorë të tjerë, të cilët, po ashtu, e shprehën qëndrimin e tyre vizionar lidhur me këtë. Pa dyshim, i tillë ishte edhe Naim Frashëri i cili këndoi me një shpresë të fuqishme:

Për Shqipërinë

Ditët e mira

Paskëtaj vinë

Shkoj errësira

Lum kush të ronjë

T’a shoh zonjë!

Edhe i vëllai i tij Sami Frashëri, më 1899, në Bukuresht e botoi veprën programatike me titull “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, e cila do të shndërrohej në një udhëzues konkret për bërjen e Shqipërisë së vërtetë.

Si rezultat i angazhimit dhe mobilizimit të vazhdueshëm, zërat e këtillë u bënë edhe më të theksuar, duke e forcuar besimin dhe optimizmin e tyre. Poeti i mirënjohur Asdreni, më 1904, me anë të disa vargjeve të poezisë “Ardhi dita”, u drejtohej bashkëkombasve me një qëndrim kushtrimtar:

Në jini ju atdhetarë

Dhe thjeshtë shqipëtarë,

Bënie ju sot atdhenë

Siç qe nën Skënderbenë.

Ose, më vonë, pra në prag të themelimit të shtetit shqiptar, më 1912, kur nëpërmjet fjalës poetike atë e shohim sërisht teksa këndonte:

Shqipëri, o mëma ime,

Pas një jete me durime,

Dita e mirë po afëron,

Dita e bardhë, dita e bukur

Kur dhe ti je për t’u dukur

Nd’atë dritë që mburon

Mund të vërehet qartë se ky ishte një besim i patundur dhe një ndjenjë vendimtare për ta realizuar projektin madhor dhe jetik të atdheut. Gjithçka që thoshte ai, ishte tepër bindëse, e kthjellët, joshëse. Ndaj, në përputhje të plotë me këtë frymë ngadhënjyese, më tej ai shtonte:

Një diell i ri, na thonë, se po lindi

Një dit’e re u çfaq për Shqipërinë.

E njëjta ndjesi mund të hetohet edhe te shumë rilindës të tjerë të cilët, po ashtu, nuk përmbahen asnjë grimë me anë të vargjeve të tyre, duke e përhapur gjithandej frymën e parakrijimit. Kështu, edhe Hil Mosi, në veprën e tij “Zani i atdheut”, të botuar më 1906, me anë të disa vargjeve poetike këndonte me shpresë:

Zemra po m’vlon mu t’ngratit,

Dit’t’mira jam kah shpresoj,

Se sot atdhes me pshtumun

Dita tek i afroj

Siç shihet, në këtë fazë të ringjalljes së vetëdijes kolektive te shqiptarët, rolin kryesor e luajtën pikërisht poetët, duke e rrënjosur frymën e një besimi të thellë, me të cilën do të udhëhiqeshin të gjitha nismat dhe veprimet e mëtejme në bërjen e atdheut si shtet.

Gjithsesi, ndjesia dhe bindja e këtillë ishte absolute. Edhe Mihal Grameno, në poezinë e tij me titull “Ardhi dita”, thoshte fare preras:

Ardhi dita e shënuar, për të mjerën Shqipëri

Në këtë mënyrë kuptohet se vizioni i tyre gjithnjë e më tepër po shpiente drejt një realiteti të ri që do të lindte së shpejti, drejt një ngulmimi në hapjen e rrugës së mëtejme për krijimin e vërtetë të atdheut, thjesht të kalohej nga pozita virtuale në atë konkrete. Me këto përpjekje poetike e misionare, rilindësit tanë faktikisht u shndërruan në parakrijuesit e mirëfilltë të atdheut, në ngjizëzit e njëmendtë të tij. Studiuesi Aurel Plasari, në një punim të tij, Naim Frashërin e quan shqipëribërës. Dhe në një aspekt kjo është tejet e kuptueshme, ngaqë secili nga rilindësit ishte pjesë e këtij projekti, ose një shqipëribërës më vete, për arsye se realisht ata bënë çmos që ta realizonin këtë ëndërr kaq të madhe historike, për t’u bërë një ditë kurorëzim i pamohueshëm. Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij vizioni i cili njëherazi ishte individual dhe kolektiv. Bërja e Shqipërisë si atdhe dhe si shtet filloi në radhë të parë në shpirtin e atyre që i prinë lëvizjes së madhe të quajtur Rilindja Kombëtare. Dhe, kur e arritën ndërgjegjësimin e nevojshëm fillestar e themelor, atëherë ishte shumë e qartë se do të arrihej edhe krijimi praktik i atdheut aq të pëshpëritur.

Kur Naim Frashëri e shihte të udhës të bënte identifikimin e qartë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ai nuk ngurronte të thoshte me mburrje dhe krenari të pashoqe:

Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,

Kjo duket se ishte e mjaftueshme për të besuar thellësisht se një gjë të tillë mund ta bënin vetëm ata që e quanin veten shqiptarë, për faktin se kryekëput atyre u takonte një detyrë kaq e rëndësishme historike, që, më në fund, të dilnin nga gërmadhat e sundimeve të gjata, nga vorbulla e errët ku ishte katandisur pothuajse çdo gjë që u takonte si trashëgimi.

Kështu, të gjithë ata që ia behën më vonë, ose thënë më saktësisht, ata që u përfshinë në rrjedhën e krijimit të atdheut, në përgjithësi e patën të qartë se nga duhej të orientoheshin, cili ishte vizioni përcaktues që duhej ta ndiqnin, si duhej ta realizonin atë etj. Idenë themelore e kishin marrë nga pararendësit e tyre, pra duke u ndikuar drejtpërdrejt nga jehona e fuqishme që e përhapën rilindësit me aq zell, nga shpallja e famshme deradiane dhe nga optimizmi i pashoq naimian. Thjesht, ata e pritën vetëm momentin e duhur për ta formalizuar këtë ëndërr të shtrenjtë. Me gjithë rrethanat shumë të pavolitshme, në njërën anë të synimeve pushtuese të fqinjëve si Greqia dhe Serbia, dhe në anë tjetër, të pafuqisë së vetë popullit shqiptar, Ismail Qemali, bashkë me shumë të tjerë, arriti ta shpallë pavarësinë e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë. S’duhet harruar se ishte një kohë shumë e rëndë, sepse u desh që më 1913 fatin e shqiptarëve ta vulosnin njëanshëm Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës. Por, sido që të ketë qenë, mund të thuhet se kësaj radhe shqiptarët mezi e bënë një copë atdhe, ndonëse tmerrësisht i paplotë e i cunguar.

Duke e shikuar në këtë mënyrë, vlen të theksohet në veçanti se parakrijuesit e atdheut edhe sot ende janë aktualë, fryma e tyre vazhdon të mbetet vizion i gjallë për të gjitha breznitë shqiptare. Ata e patën vizatuar qartë dukjen reale të atdheut, e dinin shumë mirë se deri ku shtrihej tokësia e tij, cilat vise i përkisnin etj. Njëri nga krijuesit e mëvonshëm, Sejfulla Malëshova, në një poezi të tij thoshte:

Unë e dua Shqipërinë,

me Kosovë e Çamërinë

Koha dëshmoi se kjo dëshirë ishte një ëndërr e natyrshme, një thirrje historike për t’u bërë realitet. Ndaj mund të pohohet se edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte një plotësim i saj. Pra, edhe kjo i kishte parakrijuesit e vet, të cilët e kishin mbjellë farën e besimit dhe të realizimit të saj.

Prandaj, kjo çështje ende mbetet e hapur; parakrijuesit e atdheut thërrasin me zërin e tyre për ta bërë mishërim të plotë nga krijuesit fizik. Mjafton t’i dëgjojnë vetëm këshillat e tyre historike. Pavarësisht nga kushtet e vështira që kanë mbretëruar deri tani, atdheu nuk harrohet edhe në mërgim. Kështu, Thoma Kacorri, njëri nga rilindësit e fundit, siç e kanë quajtur herë pas herë, sado që i mërguar gjithë jetën në Sofje, kurrë nuk e hoqi nga mendja ëndrrën e atdheut, andaj jo rastësisht botoi romanin në dy vëllime “Për mëmëdhenë”. Ky ishte vetëm një kushtrim i natyrshëm për ta kujtuar ëndrrën e pararendësve të tij. Nga ana tjetër, Mitrush Kuteli, edhe kur ndodhej keq, nuk mallkonte fare, por thoshte burrnisht: Atdheu duhet edhe atëherë kur të vret. Pra, i tillë është atdheu, herë i bukur e herë paradoksal, herë komik e herë tragjik, por gjithmonë mbetet atdhe në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të kësaj fjale. Atdheu ose mëmëdheu s’është projekt i mbyllur në një kohë të caktuar; ai është gjithëkohor, u përket të gjithë shqiptarëve, atyre që s’jetojnë më fizikisht, atyre që jetojnë sot, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora