E premte, 26.04.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vargje të krehura me figura poetike

E enjte, 28.02.2013, 08:34 PM


VARGJE TË KREHURA ME FIGURA POETIKE

Ali R. Berisha: “Agu e hap dritaren vetë”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Bindi”, Prishtinë, 2012.

Nga Halil Haxhosaj

Përkushtimi i një krijuesi për të shkruar vargje, qoftë nga historia, aktualiteti, por edhe nga një këndvështrim tjetër, mëton më interesimet e tij prej vrojtuesi, frymëzuesi dhe vështruesi i të gjitha anëve në vertikalen dhe horizontalen e kundrimit. Duke bërë një përshkallëzim të këtillë, shpesh dalin disa nuanca që në një mënyrë ose tjetër, mëtojnë të shpërfaqin vargjet poetike, duke i mbarsur me koloritin e krehur të një vargëzimi me figura poetike. Dhe në këtë mënyrë, dendësia, por edhe shtrirja e këtij vrojtimi përkon edhe me tematikën, formën, figuracionin, por edhe me strukturën dhe llojllojshmërinë e poezisë së trajtuar dhe të shpërfaqur në një përmbledhje poetike. Këtë qëllim e ka edhe penda, frymëzimi dhe synimi i autorit, në këtë rast i poetit Ali R. Berisha, i cili tashmë e botoi përmbledhjen e tij më të re poetike me titull paksa metaforik “Agu e hap dritaren vetë”. Kjo sintagme poetike me aromë metaforike ka shtrirje në gjerësinë, por edhe në thellësinë e veprës që nga poezia e parë “Për të satën herë Kosovë”, që gjendet në faqe 5 e deri të ajo e fundit “Dashuria je ti” që është e fundit e shënuar në faqe 150 të veprës. Në këtë hapësirë poetike shtrirja, por edhe strukturimi i veprës ka një binom që shëmbëllen me dy pjesë ose kapituj që më pak mund të konsiderohen qerthuj apo cikle poetike që janë: “Jam ai imi për ty” dhe “Nuk po vijnë më lejlekët”. Nëpër këtë strukturim shtrihet e tërë tematika, motivet, madje edhe shtresimet e poezive dhe vargjeve të kësaj përmbledhjeje. Por, lexuesi në kornizat e të dy binomeve poetikë që përbëhen prej nga një monomi, kompozojnë tërësinë e veprës “Agu e hap dritaren vetë”, duke u shfaqur me gjuhën e poezisë, e cila është edhe mjet shprehës për subjektin lirik, gjegjësisht për lirikën artistike të saj, sepse:

 

Kosova është një pjellë

Tokë e njeri bashkë

Kohë e gurshkrim bashkë

 

janë vargjet me të cilat fillon poezia e parë e kësaj vepre, por edhe poezia e parë e saj, me titull “Për të saten herë Kosovë”, në faqe 5. Në këtë mënyrë, formë, strukturim vargjesh, rimë të brendshme, muzikalitet e të tjera, shkruhen pothuajse të gjitha poezitë nga pena, frymëzimi dhe këndvështrimi i poetit Ali R. Berisha. Shumëllojshmëria tematike, motivet, figurat e të tjera e pasurojnë, e dendësojnë dhe e avancojnë këtë poezi në veçanti dhe përmbledhjen poetike, në përgjithësi. Kështu poeti qëllimisht ka bërë një shtrirje, e cila nuk është e ngurtë, madje as e zorshme, por lirshëm depërton nga vargu në varg, nga rrokja në rrokje, nga figura në figurë e tjerë, duke e shpalosur koloritin e krehur të poetikës së tij. Dhe kjo është një qelizë që dallohet në këtë mes, por ajo duke u ngjizur me të tjerat, krijojnë inde poetike që tingëllojnë mirë, harmonishëm dhe shprehimisht avancojnë qëllimin e mëtimit poetik të vargëzimit. Andaj, poeti Ali R. Berisha me këtë rast është i kujdesshëm, është madje tepër i frymëzuar dhe vrojtues artistik i të gjitha poreve të jetës sonë që nga historia, lufta, qëndresa, e deri te përditshmëria dhe bashkëkohësia jo vetëm lokale, kombëtare e regjionale, por edhe me gjerë. Dhe kësaj, poeti duket se i vë qëllimin e duhur dhe të dëshirueshëm. Në shumicën e poezive dhe vargjeve është shfletuar bota e vet poetike, duke shfaqur shpirtin e ndjenjën e bukur dhe të brishtë të jetës njerëzore.

Në qendër të poetikës së Ali R. Berishës është poezia përkushtuese, e cila shtrihet në tërë përmbledhjen, jo e njëtrajtshme, por shumëdimensionale dhe në forma të ndryshme. Poeti shkruan jo veç për Kosovën, Ilirinë, Dardaninë, e vise e regjione të tjera, por edhe për prindërit, nënën e babain. Në disa vargje të poezisë “Kujtimit të nënës”, ndër të tjera shkruan:

 

Nënë, ti je Rozafë e unë kala

Ti je çifteli e unë këngë

Nënë, ti je lule e unë shegë

 

Për të vazhduar më tutje:

 

Nënë, ti je fjala e ime e parë

Nënë, ti je fjala e ime e rëndë

 

Tërë synimin poetik të vargëzimit të vet, poeti Ali R. Berisha, e trajton nëpërmes poezisë për të cilën ai ka jo vetëm frymëzim, por edhe konsideratë dhe ndjenjë. Poezia për të është diçka e shenjtë, e hyjnueshme, madje edhe arritja më e përsosur artistike. Vargjet e poezisë janë perla, madje janë edhe masë, por edhe element i përshtatshëm për ta kthyer njeriun në rrugën e drejtë kur ai shkallon në jetë. Atëherë ajo bëhet edhe mjet i domosdoshëm dhe tepër i suksesshëm për ta arritur këtë mision. Kështu, misioni i poezisë është i lartë për njeriu në përgjithësi dhe për disa shtresa të tij, në veçanti, sepse me gjuhën e vet poezia gjen se nuk ka ngjarje të përgjakshme, punë të këqija, fat të zi, por ka njerëz, të cilët i shkaktojnë këto, por edhe luftërat, sepse shumica prej tyre janë zjarrvënës. Nuk ka poezi po s’pati vargje të natyrave dhe përmbajtjeve të ndryshme. Andaj shpesh vargjet e poetit, në raste të caktuara e të duhura bëhen shpatë, madje shpatë e Domekleut, por edhe pse ndonjëherë del ndonjë varg rebel, ai nuk kërkon duel, sepse habitet nga bukuria e vashës, nga flatrimi i dallëndyshes, nga metaforat e hënës e të tjera. Edhe vargjet krehën, mprehën e prehën si vashat, dallëndyshet e hëna. Durimi për poetin bëhet qëllim, sepse ai dhe synimi i tij kanë këtë mëtim, kanë këtë mbështetje, kanë këtë motiv. Durimi ka anët e veta me të cilat shpesh kacafytet, por edhe ngacmohet, për t’i ikur qetësia. Këtë nuk duhet pranuar, por vetëm duhet duruar me durim guri, sepse, si gjithmonë atë po e duruaka edhe liria, ngase vargu tash flet me gjuhën e lules, e cila ka trup të bukur, petale të bukura, ngjyrë të bukur, aromë të këndshme dhe emër të madh. Mbi këtë bukuri kanë fjetur shekujt dhe e kanë bërë krenari të krenarive, andaj ajo duhet të këtë kujdes e të ruhet, sepse vdekja më së shumti i godet bukuritë. Në këtë mënyrë, poeti mëton që përveç me figura, bukurisë, subjektit lirik, por edhe jetës së njeriut t’ia veshë petkun filozofik dhe psikologjik. Këtij këndvështrimi ia arrin me sukses me vargje të këtilla. Vargjet e veta i ka kapituj të poezive e të tregimeve akoma më të gjata. Ato shpesh tingëllojnë edhe si kambana të ndryshkura dhe atëherë subjekti poetik dëgjon kumbimin e tyre dhe i kërkon këmbët ku i kanë mbetur, ngase iu ka ngadalësuar marshimi.

Edhe dashurisë, poeti Ali R. Berisha, i thurë vargje, të cilat kanë burimin në gurrën e frymëzimit. Dashuria dhe kujtimet për të, jo gjithmonë të këndshme, zënë shumë vend në botën e tij poetike. Poezia e këtij poeti është gjithçka. Madje ajo është edhe dashuri, është zanore e dashurisë, lule e dashurisë, puthje e zjarr është. Kombinimet e këtyre elementeve dalin të suksesshme kur korrespondojnë me poezinë, sepse ajo di çdo gjë, di ç’është vasha, mbase ajo e ka krijuar dashurinë, sepse:

 

Për një dashuri ia vlen të mos flesh

Ia vlen të mos harrohesh

 

(Poezi: “Ta duam poezinë e të mos vdesim”)

 

Si gjithë poetët lirikë, edhe poeti, Ali R. Berisha, sjell vazhdimisht në poetikën e tij peizazhin e natyrën. Kjo zë vend të rëndësishëm në botën e tij plot meditime e gjykime, sepse në natyrë s’ka, por edhe gjejmë pak deformime. Peizazhet e poetikës së këtij poeti, janë strukturime me shije.

Në tërësi, poezitë e këtij poeti, janë të ndjeshme e të shkrira, por në të njëjtën kohë, janë edhe të pasura në pikëpamje gjuhësore e estetike. Ai është i kujdesshëm dhe nuk shfaq asnjë pasiguri dhe lëkundje drejtshkrimore, ai e nderon normën e rregullave dhe parimeve gramatikore e artistike deri në detajin më të imët. Në këtë drejtim, ai është një lloj “fanatiku” prej poeti që shkruan me këtë gjuhë dhe stil që do të thotë se nuk iu qaset eksperimenteve, jo pse i paragjykon, por ngase ka gjetur veten në këtë formë poetizimi.

Ka edhe elemente e shtresime të tjera në vëllimin poetik “Agu e hap dritaren vetë”, të Ali R. Berishës, që do të gjenden, lexohen, por edhe do të mbahen në mend nga lexuesi dhe të tjerë. Vepra është pasuri për bibliotekat tona të kësaj kohe e hapësire.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora