E premte, 29.03.2024, 02:43 PM (GMT)

Kulturë

Nebi Dragoti: Qazim Shemaj cilësor

E merkure, 27.02.2013, 06:11 PM


QAZIM SHEMAJ CILËSOR NË LETRAT SHQIP

KRITIKË NGA NEBI DRAGOTI

Letërsia shqipe ka nevojë për kritikën e kualifikuar në konceptin gjithpërfshirës të saj. Ajo kërkon kritikë serioze, reale, të thelluar që të vihet në pozicion të shëndosh dhe të kryejë më së miri funksionin e duhur. Një refleksion të saktë e gjen tek volumi  me “Esse, kritika, portrete” titulluar “Fjalët kanë shpirt” të Qazim Shemajt. Pa i thurur elozhe, (elozhet dëmtojnë cilindo autor) shprehem se Qazimi është cilësor në krijimtarinë e vet. Mendimi kritik i tij ka pjekurinë për të operuar ku duhet dhe si duhet në atë që rrok. Për një kategori krijuesish mediokër…”që bëhen merak” sa “kilogram libra” duhet të botojnë në vit…ai godet:”Poezia s’korret me drapër, as mbushet me lopatë, ajo është e shtrenjtë si loti, si ujët e pakët, e rrallë si gurët e çmuar , e beftë si manushaqe”. Shoh tek kritika e tij mënyrën transparente, mendimin e kthjellët hedhur në letër. Esset i ka gjithë kolorit të thurura me një meditacion poeti dhe mendim fin. Ka fjalor të pasur, e vesh  mendimin  që shpreh me figuracion të kapshëm, befasues si “Serembe-sikur thua argjend”,  “Fjalët kanë shpirt”,  “Fjalët kanë shtat”. Tek”Sythat dhe lulëzat e fjalëve” ka një këndvështrim proçedure të shkruari tepër origjinal,  ku të bën të ndalesh, sepse kënaqesh me studimin që i bën fjalës. (Poeti e ka të drejtën që të krijojë fjalë të bukura shqipe, qofshin sinonime apo që nuk i ka fjalori). Qazimit, në këtë drejtim, aftësia nuk i mungon. Merret edhe me analizën e autorëve që i kanë dhënë traditës letrare shqipe si Ndre Mjeda, Azem Shkreli. Pena e tij prej kritiku futet nëpër krijimtarinë e shumë talenteve të afirmuar dhe fillestarëve. Mendimi i tij s’është gjë tjetër veçse një ndihmesë  e sinqertë, një fjalë e ngrohtë prej shoku, urim mbarsie në udhën e poezisë. Të habit mënyra e komunikimit në “Akorde dhimbjesh” për tri poezi të Abaz Veizit:”Fëmijëria ime, kur të shkosh për manaferra, mos harro të takosh një vërsniken tënde të plagosur, fëmijërinë e poetit Abaz Veizi. Do ta njohësh pa vështirësi,  ka një portret të brishtë e të dhimbshëm, pa metafora të stisura”. Qazimi bën një vlerësim korrekt saqë nuk mund të bësh ndërhyrje kundërshtie në këtë vlerësim vlerash, që nxjerr  në pah. Në mënyrën më serioze shfaqet mendimi i tij. Ai e kupton detyrën që ka përballë talentit dhe organizon e shpreh mendimin pa dorashka. Krijimtarinë e tij e vlerësojnë kritikë e poetë të afirmuar duke e quajtur me të drejtë:poet, përkthyes dhe studiues. Është një përkthyes tepër i mirë nga gjuha ruse. Por,  së fundmi, pajtohem me kritikën që u ka bërë pesë poezive kritiku Koço Bihiku se kanë ekstravagancë, kanë figura të kërkuara. Kjo shfaqje është një superxhiro ku kanë ndikuar, siç e thotë K. B. ,  leximet e poetëve jorealist, ku unë shtoj: kjo kategori prodhon poezinë celebrale. Përkthimi i disa poezive të tilla nga përkthyes të tjerë fillestar dhe me stazh mbush faqe gazetash dhe nuk po shikohet drejt se çfarë duhet sjellur në shqip nga krijimtaria e huaj, pra , s’ka kërkesa të qarta me objektivitetin e duhur për shoqërinë. Patjetër, kritika është më se e drejtë dhe ka qëllimin e mirë fisnik:poezia të lexohet nga një numër sa më i madh lexuesish. Në këtë prizëm u duhet bërë apel disave që e kanë futur poezinë e tyre në këtë hulli dhe që nuk po munden të dalin prej andej ose që nuk e kuptojnë këtë rrugë të gabuar. Për këtë desha t’i mëshoj fort mendimit: ecja e krijimtarisë në këtë kahje negative stimulon largimin e lexuesit nga letërsia. E, megjithatë, luhatje të tilla të vogla e jo të vazhdueshme të ekstravagantizmit ka pothuajse çdo krijues në proçesin e formimit dhe konsolidimit të tij. Dhe kjo nuk ka zgjatur shumë, pasi është shterpësi ideo-artistike e trajtuar përtej një imagjinate të sëmur. Qazim Shemaj mbetet cilësor në letrat shqipe dhe të josh me freskinë që has për ta lexuar e rilexuar krijimtarinë e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora