E enjte, 28.03.2024, 07:16 PM (GMT)

Kulturë

Vangjush Saro: Shënime për poetin Qazim Shehu

E merkure, 27.02.2013, 09:28 PM


Shënime për poetin lirik Qazim Shehu

Nga Vangjush Saro

Duke ndjekur me interes disa nga ciklet e botuara së fundi, duke vështruar rrugën poetike nëpër të cilën poeti Qazim Shehu ka ardhur deri këtu, mund të them se ai është ende duke ngjitur të përpjetën e mundimshme të artit, për të përcjellë prej andej gjithë përvojën jetësore dhe përjetimet poetike që aq shumë e trazojnë. Qazim Shehu është një poet lirik. Në vjershat  e tij, jo rrallëherë gjen motive e fabula të vështira, rrëfime brengosëse e meditime të serta; por gjithsesi, të gjitha këto të para në një drite tejet realiste. Dashuria dhe kujtimet e saj, jo gjithmonë të këndshme, bëjnë kaq shumë vend në botën e tij poetike. “Këtu ndoqa një shamibardhë,/ Që hapej e mbyllej,/ Xixëllonjë.” (Përroit në shelgjishte) Gjithaq zënë vend në shpirtin e trazuar të poetit edhe ndijesitë e lodhshme të jetës së përditshme. “Dhe gjithë këto ngarkesa të ditës,/ Këto nerva pafund,/ Për çfarë të etiketuan tinëz,/ Vagabondët e paturp.” (Zënka)

Si gjithë poetët lirikë, Qazim Shehu e sjell vazhdimisht në vjershat e tij natyrën. Ajo ka shumë vend në krejt botën e tij plot meditime e vuajtje gjithfarë, sepse në natyrë gjejmë më pak deformime. Peizazhet e vjershave të tij, janë vizatuar me shije. “Pranë lumit në shelgjishte/ Barin vështroj,/ Guacka fjalësh të buta,/ Hedh mbi ujë.” (Përroit në shelgjishte) Një model tjetër perfekt të peisazhit poetik, e gjejmë te poezia “Ylberi”: “Me një hark të stërmadh u shfaq ai,/ Duke fshehur nisjen në ardhje,/ Mbështeti mbi lumë buzët e tij,/ Sikur donte t`i pinte plagët.”

Përgjithësisht, në poezinë Qazim Shehut nuk ka sforcim. Ai është nga ata poetë që  nuk shtiren, nuk bëjnë poza. Kur pamjet e jetës dreqosen dhe flugeri parashikon kohë të keqe, ai e gjen veten sakaq brenda sarkazmës. Në çaste lodhjeje, vargjet e tij bëhen edhe më të përkorë; ai i përzgjedh me kujdes elementet stilistikë që mund të përcjellin më mirë mesazhin e tij. (“Lartësitë” “Ngjizje”) Shpesh poeti nuk e përmban dot vërtikun e ndjenjave. Në këso raste, ai parapëlqen poezinë-polemikë. (Njeriu pyll) Poeti, si gjithë krijuesit profesionistë të artit, shpesh bie në dëshpërim. Mërzitet. “Duke përcjellë kohën si një njeri,/ Që ikën e s`vjen më,/ Në duar mbart një trishtim të ri,/ Që as s`e zhbëj, as e lë.” (Duke përcjellë kohën)

Gjendja shqirtërore e krijuesve është një rebus. Dhe nuk ka asgjë të re nëse pohojmë (me njëlloj dhimbjeje) që mjedisi nuk është fort inkurajues për shkrimtarë dhe poetë të cilët s’dinë ta “shesin” artin e tyre përmes shtirjes dhe kërkimeve gjoja “të kohës”. Qazim Shehu nuk flet me fjalë të zgjedhura. Ai është një nga ata që nuk vishen trendi dhe në mënyrë të tillë që të duket modern. Ai nuk kërkon miqësi me zor atje ku kanë në dorë të të japin një çmim apo të të lëvdojnë, të të dekorojnë, të të fusin në lista snobësh e provincialësh, ku di ç’tjetër. Ai thjesht është një poet. Kjo i mjafton. Më vjen ndërmend një copëz nga filmi “Postieri” (Il postino) i Majkëll Redford, që hedh dritë mbi një fragment të jetës së poetit të njohur Pablo Neruda. Poeti i shpjegon personazhit kryesor të filmit se ç’është metafora. Dhe ky njeri i thjeshtë por gjithë virtyte, e dëgjon duke ia përpirë fjalët një e nga një...

Unë e di që jo çdokush mund ta kuptojë poezinë. Unë e pranoj që përgjithësisht letërsia shkon te pjesa më e kënduar dhe më e përkëdhelur e shoqërisë. Por kaq sa jemi larguar ne sot nga lexuesit, kur shumë e shumë shkrues nuk i njeh askush dhe kur shitjet tregojnë për një zgrip të letërsisë, veçmas të poezisë, këtu e vlen të qëndrojmë. E pra, poezia e Qazim Shehut është ndër ato që shkojnë kundër rymës. Ai beson te lexuesi, i dhimbsen raportet me të. Ai e grish lexuesin, cilido qoftë ai dhe kultura e tij. Kjo është një nga meritat, por tek e fundit edhe destinacioni i tij artistik. Ashtu si me të drejtë ka vënë në dukje edhe Sejdi Berisha, “ai, sikur ka dëshirë që çdo udhëtari të vonë, që ka humbur rrugën, të ia joshë dëshirën dhe vullnetin për mikpritje, për dashamirësi, që askush të mos digjet në “perandorinë” e errësirës, por bile, së paku me shikim ta shijojë lumturinë.” E ndërkaq, poeti e di shumë mirë se në këto rafshe ka humbella dhe pragje gjithfarë; ai është gjithnjë i ndërgjegjshëm për vështirësitë: “Një fjalë rend për t`u bërë poezi,/ Ngaqë s`bëhet, zhduket./ Kërkoj hijen e saj në ndjesi,/ Si vesën te lulet.” (Hije)

Në tërësinë e tyre, poezitë e Qazim Shehut, janë fluide e të derdhura, (sikundër kam thënë para do kohësh në sallat dhe botimet e Akademisë “Fjala e lirë”); por në të njëjtën kohë, janë edhe të përmbyllura nga pikëpamja gjuhësore dhe estetike. Ai nuk fal asnjë pasiguri dhe lëkundje drejtshkrimore, ai e nderon galaktikën e rregullave dhe parimeve artistike gjer në detajin më të parëndësishëm. Në këtë vështrim, ai është njëlloj stoiku, poet i shkollës “së vjetër”, që do të thotë se nuk iu qaset manierave eksperimentuese, jo pse i paragjykon, por ngase ka gjetur veten në këtë stil e në këto aroma, që të kujtojnë nganjëherë Zef Seremben, Lasgush Poradecin, pse jo edhe Jorgo Bllacin, Vangjush Zikon, Dhori Qirjazin, etj.

Përherë në dallgët e tij, në ngastrat e tij, në qetësinë dhe trazimin e tij, Qazim Shehu është një nga poetët tanë interesantë, përherë në lulëzim lirik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora