E shtune, 20.04.2024, 11:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Krajka: Në Amerikë Agim Krajkën e kisha lënë në Shqipëri

E diele, 04.05.2008, 08:06 AM


Agim Krajka
Agim Krajka: Festivali i 11 një  festival i parapërgatitur. I inskenuar nga PPSH.
 
Njeriu gjithmonë duhet të gjuaj sa i ha pushka, jo sa i përkëdhelet mendja.
 
Nëpër shkolla dhe rrugë rinia  këndonte “Lemzën”
 
Në Amerikë Agim Krajkën e kisha lënë në Shqipëri

Nga Albert Zholi
 
-Titujt-
 2 urdhëra Naim Frashëri, 2 medalje dhe titullin “Artist  i  merituar”.
Presidenti Moisiu pak muaj më parë e dekoroi edhe me titullin “Mjeshtër i  madh”.
 
Ka rreth një vit që është kthyer në Shqipëri me qëllimin e vetëm t’i kthehet punës dhe karrierës së tij si kompozitor. Njeriu që ka bërë epokë në muzikën  e lehtë shqiptare duke sjellë një aromë kontemporeane të harmonizuar me traditën shqiptare shpreh preokupimet e tij për muzikën e sotme në Shqipëri.  Huazimet e pakontrolluara, moskujdesi i shtetit për institucionet kulturore, indiferenca ndaj artit të vërtetë janë problemet më të rënda për të që po e bastardojnë muzikën dhe artin shqiptar në përgjithësi. Ndërkohë, krijuesi i “Lemzës” së famshme dhe i dhjetëra këngëve të suksesshme shqiptare,  flet për eksperiencën e tij në Amerikë, ku jetoi reth 16 vjet, periudhën e rikthimit dhe përpjekjet e tij për të gjetur frymëzimin e munguar gjatë këtyre viteve. Raporti që ka ai me fatin, si i ndryshoi udha e jetës nga rastësia, raporti me të bukurën, investimi për dy djemtë e tij dhe pse vendosi të kalojë pleqërinë në Shqipëri janë disa nga momentet më domethënëse të intervistës me personalitetin e njohur të muzikës shqiptare.
 
 Para pak muajsh morët titullin “Mjeshtër i Madh” një nderim për punën tuaj. Si jeni ndjerë ?

Titullin e mora para gjashtë muajsh. E kam pritur me shumë gëzim dhe ka qenë një surprizë, për faktin se unë isha larguar nga Shqipëria prej 16 vitesh, dhe natyrisht që kur je i larguar nga Atdheu yt ke gjithnjë frikën se dhe mund të harrohesh. Edhe pse unë kam ardhur shpeshherë duke patur kontakt me Shqipërinë në çdo moment. Ishte një titull që më nderoi dhe më ktheu në lavdinë e mëparshme.
 
Si  vendosi  një kompozitor i  madh  si ju të largohej për  në Amerikë?

Në atë kohë në Shqipëri fukarallëku ishte kthyer në plagë për gjithë shqiptarët, veçanërisht për intelektualët. Duke qenë se unë i kisha kaluar shumë herë kufijtë shqiptarë me turnetë që bënim jashtë me ansamblin, duke prekur të katër kontinenetet e njihja mirë jetën jashtë. Sigurisht që para 90-ës nuk kisha menduar ndonjëherë të arratisesha për shkak të frikës nga persekutimi ndaj familjes, por me ardhjen e demokracisë mu krijuan kushte për tu larguar. Mu dha mundësia të shkoja fillimisht në Australi, më pas të shkoja në Amerikë dhe të punësohesha në një lokal me pronarë shqiptarë si instrumentist.
 
Si  i’u duk juve ndryshimi  i punës nga një kompozitor në një punë  më të  thjeshtë?

Punë  e  thjeshtë  ishte  por  ishte  derivati i  profesionit tim.Unë   kompozitor  u bëra nga fizarmonika. Edhe ushtar kur isha falë atij instrumenti më mbajtën me hatër dhe më lanë t’i bija vetëm fizarmonikës dhe të përgatisja shfaqjet e ushtarëve. Më pas punova një vit  në  ansamblin  e Ushtrisë dhe më pas në  Radiotelevizion. Atje mora  pjesë në  festivalin e parë ku shkruajta  “Lemzën”etj.etj dhe vazhdoi gjithë karriera ime. Unë me të  vërtetë  mbarova shkollën  për  kompozitor, por  puna  e përditëshme  ishte fizarmonika. Ndaj në Amerikë nuk ndërrova  zanatin  por  pata  fatin të  çaja  në këtë  fushë ku kishte vështirësi të mëdha. Atje nuk bëhej muzikë e mirëfilltë sepse pronarët e lokaleve donin jo muzikën e vërtetë shqiptare, por muzikë tallava. Ato shpesh ishin nga Mali i Zi apo nga Maqedonia dhe njihnin si muzikë shqipe vetëm atë lloj rryme.  Me shumë përpjekje arritëm të formonim një grup të mirë me Parashqevi Simakun dhe Morena Rekën. Por dhe ky pati një periudhë të caktuar. Më pas iu ktheva punës në restorante amerikane duke interpretuar këngë italiane dhe detyrimisht muzikë amerikane filmash, këngëtarësh dhe xhaz akordjon.  Veçanërisht këngët e Domeniko Modunjos që ishin të preferuara në ato lokale.  Në restorantet e Neë Yorkut kam punuar reth 12 vjet duke perfeksionuar më shumë repertorin dhe me muzikë kontemporeane.
 
Më thoni pak si u ndjetë  ditën  që  u  larguat  nga  Shqipëria?

Ditën që u largova nga Shqipëria nuk  ika  me  emocione  sepse ishte thjesht një kontratë e përkohshme për të fituar disa para në Neë York. Më ofrohej një sasi e madhe parash për një kohë të shkurtër dhe vendosa ta provoja. Isha në Amerikë  bashkë me tim bir që më ndihmonte duke i rënë pianos dhe baterisë. Tim biri iu desh që të kthehej më shpejt se vazhdonte konservatorin, në vitin e parë. Ka  qenë  dhjetori  i  vitit  1991 kur më mori në telefon, një javë pasi ishte kthyer në atdhe duke më treguar për kaosin që ishte krijuar në vend dhe turbullirat e mëdha që po ndodhnin në Shqipëri. Më thotë se po të rrija në Amerikë do u hapja një dritë jeshile. Me anë të një miku kosovar arrita të gjeja një strehë për familjen time dhe më pas mundësinë për t’i tërhequr.Unë në Emigracion  shkova  52 vjec. Më  pyeti ime shoqe për  emocionet  dhe unë  i  thashë kur mbërriti se unë  Agim Krajkën e  kam lënë  në Shqipëri. Në Amerikë shkova dhe punova me një disiplinë të hekurt sepse atje punohet ndryshe nga Shqipëria. Thonë shqiptarët që punojnë, por gjatë ditës i pijnë nëpër kafene 3 gota me fërnet, kurse në Amerikë ka vetëm punë. Në Amerikë kam punuar gjithë këto vite vetëm për t’i siguruar të ardhmen dy djemve të mi. Ato i shkollova dhe i bëra të zotët e vetes. Nuk fitova asnjë dollar, por nuk mbeta borxh asnjë dollar.
 
Pse zgjodhët të bëheshit kompozitor?

Ka qenë diçka e rastësishme. Unë i bija fizarmonikës në një lulishte  në Tiranë dhe në vitin 1961 kur në Shqipëri hyri një farë liberalizmi, një shef Kulturës në Komitetin EgzekutivSkënder Gina më thotë se duhet të hyja në konservator se kisha shumë talent. Unë i thashë se nuk doja, sepse kisha 6 motra në shtëpi, por ai më thotë se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. Më pas më thonë shokët që më kishte dalë emri në listë. Konkurova dhe fitova.  Isha 22 vjeç kur u futa në shkollë. Me ndihmën e profesorëve të mëdhenj të Konservatorit arrita të mësoja shumë. Më pas nisa të kompozoja muzikë të vërtetë filmash dhe nisa punë në Ansamblin e Shtetit. Për  mua  ajo  ka  qenë shkolla e vërtetë.
 
Kompozimi juaj i parë ka qenë “Lemza”, po më pas?

Kompozimi im i parë ka qenë Lemza dhe është kënduar nga Vaçe Zela. Ka  qenë  festivali i  parë në vitin 1962. Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin “Lemza”. Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua.  Kompozimi i dytë ka qenë kënga e “Gjyshes”. Kompozimi i tretë ka qenë  “Djaloshi  dhe shiu” dhe me  radhë në çdo vit. Debutimi im i parë në festival ka qenë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi tek luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime.
 
Keni fituar reth 20 çmime në festivale. Kush ka qenë dita më e paharruar për ju?

Ditë të bukura shumë nuk ishin sepse ishim gjithnjë nën filtër. Komisione dhe juri të pafundme. Ka qenë një jetë profesionale e mbushur me shumë emocion.  Në fillim të karrierës kënaqësia më e madhe e imja ishte që këngët më pranoheshin në festival, sepse nuk njihnim njeri dhe s’kishim as miq dhe as shokë. Çmimin e parë e kam marrë në vitin 86 dhe ishte surprizë e papritur. Sapo isha duke u futur në shtëpi kur spikerja e festivalit, Zerina Kukepo  anonçonte çmimet. U dhanë çmimet e treta, nuk  u  zura me gojë, po  ashtu në të  dytat  nuk u  zura  në gojë  dhe kur  dha çmimin  e parë ajo tha: çmimi i parë  i jepet  kompozitorit  Agim  Krajka. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm.  Një  klasë mature vjen mbas  një  orë e  gjysëm në shtëpinë time dhe më  uron. Kjo  ishte  kënaqësia më e madhe për mua.
 
 Po dita më  e vështirë  kush  ka  qenë  në  jetën  tuaj  si  kompozitor?

Në atë  kohë  njeriu  ishte gjithmonë  në luftë  me atë që do dhe me  atë  që mund të bëjë. Ishte një kënaqësi  kur  merrje  çmim të parë,  por  do të prisje  se çfarë do  të  thoshte  një  tjetër  se e kishte të drejtën mbas një  jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenium etj. Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika. Në  festivalin e  11-të me të vërtetë  u  prit  mirë  kënga ime, u  përgëzova nga artdashësit   por arrestuan shumë këngëtarë, shkrimtarë piktorë  etj dhe frika ka qenë e madhe. Një  ditë më thonë dy  të  rinj  se në  orën  11-të duhet të paraqitesha në degën  e Punëve  të  Brendëshme. “E pat  edhe puna ime”,-  thashë  dhe  piva  një dopio fërrnet  dhe shkoj  atje. Shikoj  dy  vetë që më prisnin dhe më  thanë: “hë mor  ti,  çfarë është ajo këngë  që na  ke bërë”. “Çfarë  flisni  kështu”, i thashë.  “Si mund ta quani imoralitet. Ajo  është pogonishte”, i  them “pogonishte që  kërceni ju, unë  dhe babai im”. Pasi e këndova më thanë se çfarë ishte kjo parru pau si refren pas fjalëve.  Më lanë të lirë të ikja por më porositën ta  kisha mendjen se ato më kishin shkolluar. Kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerzve por të hidhurat I kishe gjithnjë nga pas.
 
Kush është  komenti juaj  për  festivalin e  11-të?

Mendimi im  është ky: ishte një  festival i parapërgatitur me qëllim spastrimi siç bëheshin spastrimet dhe në politikë. Ato kishin interesa t’i largonin disa figura për poste politike. Për  mua ishte e qëllimshme, se përse i 11-ti  duhet të ishte ndryshe nga të  gjithë të tjerët. Ne ishim viktima të realizmit socialist. Shumë  veta  ikën  kot, shumë  u  futën në  burgje, u persekutuan padrejtësisht, etj.
 
Gjatë  kësajë veprimtarie  ndoshta keni qenë  nga të paktët shqiptarë që keni shkuar jashtë shtetit. Si ktheheshit pasi njiheshit me realitetin jashtë?

Të dilje jashtë në atë kohë ishte një ëndërr utopike për shumë shqiptarë. Por utopia  e vërtetë  ishte kur  shkonim atje, se  ndjeheshim si të droguar. Çdo gjë dilte jashtë parashikimeve tona. Këta të partisë na porosisnin, që nëse na afroheshin shqiptarë (të arratisur ose emigrantë) t’i largonim dhe të mos i takonim. Nuk kam qenë nga ato njerëz që kam patur shumë frikë. Me mundësitë që na krijoheshin kishim kontaktet tona. Por gjithsesi situata ishte absurde. Dieta  jonë  ishte 1 dollarë në  ditë, por ne ndjeheshim  krenar për kombësinë që përfaqsonim.
 
A ke  ndjerë  shenja  racizmi  në Amerikë?

Jo. Absolutisht.
 
Ju keni  qëndfruar 16 vjet në emigracion, na përshkruaj pak  ditën  e kthimit  në  atdhe,  si u ndjetë  kur  patë  Tiranën në sytë  e  një  Artisti?

Kur u ktheva për  herë të  parë  ishte viti  2001, kur u  bë  ai  koncerti  “E dua  më shumë  Shqipërinë”. Më kishte marrë malli shumë për vendin tim ndaj   u  përlota  shumë. Atdheu është një ëndërr. Por atë dhjetë vjeçar që kisha qenë larg mendova se gjërat në Shqipëri do kishin ndryshuar. Në kohën tonë të gjithë njerëzit ishin njëlloj, të gjithë të varfër. Kur erdha në Shqipëri kishin mbetur ato disa gjoja profesionistë që nuk dihet nëse kanë bërë ose jo shkollë, sepse kishin devijuar nga muzika e vërtetë. Tirana  kishte ndryshuar pak, por kishte mijëra  dyqane, pisllëqe, lulishte   në  qendër dhe më  dukej  vetja  si në Afganistan. Janë kryer masakra të tëra mbi arkitekturën e kryeqytetit. Dhe tani ka shumë locale dhe restorante luksoze që nuk dihet se kush I frekuenton.
 
Të gjithë vëmë re se muzika shqiptare është deformuar shumë gjatë viteve të demokracisë. Ç’mendoni për muzikën që bëhet aktualisht në Shqipëri?

Ato që  hodhën themelet e muzikës së vërtetë shqiptare kanë qenë njerëz të mençur dhe kanë ditur që gjëja më e bukur dhe e rëndësishme e një populli është kultura e tij dhe ia kanë arritur qëllimit. Shqiptarët sot e kanë të drejtën të gëzojnë lirinë  absolute por më  duket  se një pjesë e madhe e saj lufton  për  disa  gjëra   më imediate. Ka njerëz  që po pasurohen  me  këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare.  Është më i fuqishëm ai që  e prish këtë muzikë  se  ç’mund  të jetë një Cesk Zadeja e baballarët e tjerë të muzikës shqiptare. Tek ne kultura kombëtare nuk ka më rëndësi. Për Ansamblin e  Shtetit  nuk  investon askush, për institucionet e tjera, gjithashtu. Nuk besoj se ky është arti dhe kultura shqiptare. Sot paratë investohen vetëm tek ato Vipa që vishen e zhvishen nëpër skena, huazimet, drita nalt e poshtë. Kjo nuk  është  kënga shqipe  për mua. Në muzikën shqiptare nuk ka më konkurencë. Në kohën time vetëm ndonjë kompozitor super I talentuar i pa shkollë mund të shkruante ndonjë këngë, të tjerët absolutisht jo.
 
A merret  me  politikë Agim  Krajka?

Jo. Për  mua  nuk ka rëndësi  fare politika.
 
Cfarë i mungon  politikës së sotme shqiptare?

Unë  e shikoj popullin tim me shumë probleme, të mjeruar dhe  kjo  është derivat i politikave  që bëhet për të udhëhequr dhe drejtuar këtë popull. 
 
Çfarë  po  krijon në  këto  momente Agim Krajka?

Unë nuk po krijoj  asgjë se  nuk po gjej shtrat për të  krijuar. Këtu  nuk  gjen  një  orkestër që t’i thuash bjeri. Kjo është dramë më vete. Absolutisht  nuk  më  bën  gjë përshtypje. Në atë kohë që më hante pushka  unë  kam  gjuajtur mirë, tani duket se më ka humbur frymëzimi.
 
Ç’është dashuria  për  një  artist  si  Agim  Krajka?

Mua nuk më pëlqejnë kur më pyesin  se çfarë është dashuria për mua. Dashuria për mua nuk është gjë tjetër veç dëshira për të vlerësuar  të bukurën në çfarëdolloj forme: qoftë kjo lule, pikturë apo  diçka  tjetër. Unë nuk dua të  gjykohem se  kë dua  më  shumë  gruan  apo  detin  apo  diçka tjetër.
 
Sot  në  Shqipëri  shikohet  se  është  rritur  ndjeshëm  në raport  me shtetet  e tjera  divorcet, koncepti  i një artisti si ju  për  familjen?

Emancipimi  për  mua është i nevojshëm. Mendoj se kategoria më e persekutuar në këtë drejtim është femra. Ndaj është normale që shumë njerëz që kanë vuajtur në lidhjen e tyre ta shpërbëjnë atë, për të gjetur veten. Por mendoj se është detyra e shoqërisë dhe familjes apo dhe të shkollave për edukimin e tyre dhe mbi të gjitha për vlerësimin e një institucioni të rëndësishëm siç është familja.
 
Shikoj  se mik  të pandashëm ke cigaren, çfarë gjen tek cigarja Agim  Krajka?

 Në botë ka miliona njerëz që pijnë duhan, miliona kanë vdekur nga duhani dhe miliona të tjerë kanë vdekur nga sëmundje të tjera. Për mua cigarja ka qenë një shok. Gjithë jetën  e kam  pasur  një  mik shumë  të  sinqertë. Çdo çast apo  ditë  që e kam  pasur  të vështirë,    pija një  cigare dhe më dukej se gjeja ngushëllim. Në kohët e sotme në Amerikë propogandohet shumë lënia e duhanit. Thonë se dhe alkooli të bën dëm. Mua  tani  nuk  më  bën  keq  as  rakia  as  duhani  dhe unë  po i  pij  akoma. Kam përcjellë deri më sot shumë njerëz që nuk kanë vdekur nga cigarja.
 
A keni  ndonjë peng  në  jetën  tuaj  si  kompozitor?

Janë disa gjëra të  lidhura  jo  vetëm  me  talentin. Ndonjëherë jeta të përball me rastësi të çuditshme. Unë vërtet kisha një fizarmonikë që e kisha pasion, por kompozimin e mësova nga rastësia. Mendoj se nëse do të kisha lindur në një vend tjetër nuk do isha bërë kompozitor. Ndoshta mund të isha bërë një miliarder, por jo kompozitor. 
 
Kush janë  kompozitorët  tuaj të preferuar  brënda  dhe jashtë  atdheut?

Ka shumë kompozitorë dhe pse unë dua shumë ato  kompozitorë që mbrojnë këngët e vendit  tim. Në kompozicionet ruse në cdo  moment  të  veprave   të  tyre  do të  ndjesh  jetën, kulturën dhe zakonet ruse. Edhe  në  kulturat e  popujve të tjerë   janë evidente   këto dhe artistët e vërtetë i ruajnë me fanatizëm. Ato investojnë  për këngën e  tyre. Ndërsa  këtu  tek ne këngës  shqipe i bashkangjisin muzikën turke, rome, serbe dhe greke. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë isha në Prishtinë dhe kam jetuar momente të lavdishme që nuk do t’i harroj kurrë. Aty gëlon kënga shqiptare dhe kjo tregon se populli ynë jashtë kufijve ka derdhur gjak për fitimin e Pavarësisë, por njëkohësisht ka investuar shumë dhe në ruajtjen e kulturës kombëtare. Gjuha më e veçantë në këtë pellg është shqipja. Ai ka një kulturë të veçantë, gjuhë dhe kostume të jashtëzakonshme. Ndërsa
tek  ne në  Shqipëri nuk tingëllojnë shqip  këngët tona. Tek ne nuk  pyet  njeri a ke  apo jo  dipllomë. Unë i respektoj  shumë profesionistët e muzikës që vlerësojnë pikësëpari kulturën e  tyre. Ne  para  se të marrim pasaportën europiane duhet  t’i  heqim një herë  pluhurin pasaportës  shqiptare, nga pluhuri grek, turk, muzika e jevgjitëve, serbëve etj....
 
Kush  është pasuria  më  e madhe për  një  njeri?

Kjo varet nga formimi i njeriut. Në botë ekzistojnë miliona tipologji të  ndryshme. Dikush  mund  të  thotë se pasuria  më  e madhe e njeriut  është sasia e parave në bankë, dikush tjetër mendon se  është ajo që ka  investuar në  trurin  e tij, tjetri shprehet se është investimi ndaj fëmijëve. Mendimi im  është  se investimi për fëmijët   është pasuria më e madhe që mund të bësh për të ardhmen. Mendoj se përpara se të bësh pallate dhe beton është mirë të investosh për fëmijët e tu. Lumturia më e madhe në jetë është të kesh fëmijë, që arrijnë diçka në jetë, që nuk të bëjnë të ulësh kokën por të bëjnë ta mbash lart. Lumturimi im  më i madh  është kur marr fëmijët  në telefon nga Amerika  dhe i pyes për  shkollën dhe ata  përgjigjen  shumë mirë. Ky  është gëzimi  më i madh për  mua.

A mendon  se do  t ë kthehesh përsëri  në Amerikë?

Unë  në Amerikë  mund të  shkoj kur  të  dua, por nuk  kam  mundësi  më  sepse po  mbush 70 vjeç. Amerika  është  e bukur dhe për mua e bekoftë Zoti atë  vend. Por në moshën time Amerikë është Shqipëria.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora