E premte, 19.04.2024, 04:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Mbi poetikën e Adem Zaplluzhës

E marte, 26.02.2013, 08:44 PM


Revoltë  dhe  meditim mbi  poetikën  e  Adem  Zaplluzhës

Nga Baki Ymeri

Veprat e shkrimtarëve tanë janë një kontribut permanent dhe vendimtar për realizimin e profilit shpirtëtor të Europës dhe të mbarë botës kristiane. Themi kristiane sepse Ademi para se të bëhet Adem ishte Adam, njësoj siç ishte Ibrahimi Abraham, Demiri Dhimitër etj. Këto ditë, në 101 vjetorin e Pavarësisë dhe 70 vjetorin e lindjes së poetit, Fatmir Minguli nga Durrësi vjen para opinionit shqiptar me një vepër të re: “Revoltë  dhe  meditim mbi poetikën e Adem Zaplluzhës” (Shoqata e shkrimtarëve “Fahri  Fazlliu”, Kastriot, 2013). Sipas tij, të  shkruash për krijimtarinë poetike të një poeti prishtinas, do të ishte e barabartë sikur të shkruash një sagë të vërtetë jetësore. Në  këtë sagë librat poetikë të këtij poeti janë kapituj që jeta e tij i ka për subjekt, e ku lexohen këndshëm ndodhi, epika, legjenda, dashuritë, natyra e Kosovës, heronjtë e kohës, jeta  e shkuar dhe e ardhshme, qiejt e hapur dhe mjegullat e jetës, kozmosi dhe zogjtë.

Nga vështrimet kritike, prezente në këtë libër, kuptojmë se Adem Zaplluzha shkruan me njenjën e dinjitetit personal dhe me një moralitet të veçantë të gjërave të thjeshta. Të njohësh poezinë e Adem Zaplluzhës, thekson autori në kuadrin e parathënies, “duhet të lexosh të 77 librat e tij, por edhe një poezi e vetme do të mjaftonte për këtë njohje. Ky nuk është thjeshtë një konstatim ndoshta grotesk por një forcë e talentit të poetit që po i afrohet vitit të 70-të të jetës së tij. Kopertinat e 77 librave janë tashmë si gurë  të veçantë të një mozaiku që pasqyron hapësirat kosovare me të gjitha ngjyrat e saj.” Dhe më tej: “Një punë vigane   e  poetit  për të ndërtuar një obelisk të poezisë moderne kosovare e për tu folur njerëzve se jeta është e bukur dhe e patjetërsueshme, se kosovarët si ilirë dardanë vinë në ditët tona krenarë e të përparuar në lirinë e tyre të fituar me sakrifica e humbje njerëzore. Por në obeliskun poetik të Adem Zaplluzhës, nuk janë vetëm këto. Janë ato elemente në magmën e krijimit të poetikës ku bien në sy talenti i veçantë i tij, një talent i lindur  midis shpirtit të zambakëve të Prizrenit dhe vrullit të ujërave të Lumbardhës.”

Para nesh kemi një libër që që i jep rëndësi poetikës  moderne shqiptare duke patur Adem Zaplluzhën si personazh qëndror. U desh ky libër për të njohur dhe hapësirat e botës së lexuesve dhe të kritikës së specializuar, se si janë konfrontuar me veprën e këtij krijuesi të njohur. Që nga faqet e para konstatojmë se mendimet  e dhëna në këtë libër nuk janë thjeshtë një konfirmim, por edhe një vlerësim real dhe dashamirës. Autorë të ndryshëm janë prezentë me shkrimet e tyre, duke u bërë jo vetëm kritikë veprës poetike, por duke qenë edhe zëdhënës të një vepre që ia vlen të lexohet. Shumë kritikë, publicistë, poetë e shkrimtarë të ndryshëm që paraqiten në këtë botim të veçantë, vijnë jo vetëm nga Kosova, por dhe nga Shqipëria, Rumania, Amerika, Suedia, Gjermania etj. Fatmir Minguli konkludon se kjo vepër voluminoze është një gjeografi që do ta kishte zili kushdo nga krijuesit e ndryshëm.

Në kuadrin e parafjalës, Vladimir Muça thekson: Tek lexoja një parathënie të librit “Letër atdheut” të Eshref Ymerit, më përfshiu fiksioni në përcaktuershmërinë e thjeshtë, por bindëse të tij: “Shpreh bindjen se krijimtaria artistike e Adem Zaplluzhës ka tërhequr e do të vijojë të tërheqë vëmendjen e studjuesve të letërsisë, të kritikës dhe gjuhëtarëve të cilët me metoda shkencore do të mundohen të zbulojnë të fshehtat e shpirtit të poetit dhe t’i përgjigjen pyetjes se ku fshihet magjia e ndikimit të tij mbi shpirtin e njeriut? Eseisti Fatmir Minguli mori nismën për të përmbledhur gjithë shkrimet e botuara në gazeta e revista për Adem Zaplluzhën. Në kontekstin letrar ndoshta, sipas V. Muçës, kjo krijimtari e bollshme, por edhe shumë cilësore, vjen në letrat shqipe si ato ngulimet e “Trojës letrare” në truallin dardan dhe baca Adem na vjen si një Priam poetik.

Duke plasuar ide personale në lirikën e tij, Adem Zaplluzha plason vlerat letrare dhe morale të botës shqiptare. Nga parafjala kuptojmë se vlerat që përcjellin veprat e trajtuara në kritikologji, e justifikojnë plotësisht evidentimin e studimeve, eseve, refleksineve të përmbledhura në këtë libër. Ky libër përmbledh një varg shkrimesh analitikë të shkruara me zërin e zemrës, në konceptimin filo-analitik, me një dashuri të përbashkët, por edhe me një shqetësim për ardhmërinë e poetikës së sotme në suazat e një recesioni që ka mbërthyer krijimtarinë  mbarëkombëtare. Ndoshta ky libër mund të marrë vlerat e një doracaku në evidentimin e vlerave të vërteta të poezisë së sotme kosovare dhe më gjërë, thekson Vladimiri në kuadrin e vlerërsimit të tij, duke shtuar:

Kolegët që janë marrë në këtë hapësirë kohore me studimin e veprës  poetike të Adem Zaplluzhës e dinë fort mirë tashmë dhe e kanë parasysh se çfarë vështirësish  komplementare përbën  hartimi dhe përmbledhja  e tipareve, përbashkësive, ku të treten tiparet individuale të secilit studjues. Por ata kanë patur parasysh dhe atë djaloshin Adem që në vitin 1968 fitoi çmim të parë në konkursin poetik në Beogradin e ish Jugosllavisë. E kur ju kërkua nga kryetarja serbe e jurisë që ta recitonte në serbisht poezinë fituese, Ademi nuk pranoi. Por poeti i madh kroat Miroslav Kërlezha iu drejtua dhe i tha: “Mirë biri im, lexoje në gjuhën e nënës!”, dhe Ademi  e lexoi shqip.

Një poet i tillë kaq atdhetar, u mbajt në mjegullat e Andromedave ziliqare, futur diku në vrimat e dheut si ato ngulimet trojane, me xeherore brilantine që prisnin sortirimin  në karierat  letrare të kohëve që do vinin. Pas çlirimit nga yinxhirët e pushtimit 100 vjeçar serbo/sllav, autori i librave poetikë dhe studjuesit e tij kanë bërë një punë të madhe drejt përfitimit të përqasjes koherente nga shumë lexues. Gjeografia shkrimore ka qenë e gjerë duke përfshirë  jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën por dhe Rumaninë, Suedinë, Amerikën, Kanadanë etj. Shkrimet evidentojnë vlerat e një arti të ri (deri tani të pamediatuar) me një përqasje  drejt një moderniteti të natyralizuar. Por universialiteti poetik i Adem Zaplluzhës, i tejkalon kufijtë e racionales dhe lëvron në troje të iracionalitetit, në kondicion subkoshience të një ëndërre të kahmoçme.

Cila është ajo të rrëmben me larminë e saj befasuese e interpretuese të ndjenjave? – pyet Vladimir Muça dhe përgjigjet: Studjuesi e lexuesi e ndjejnë veten si në një Akropol ku janë ekspozuar të gjitha gjetjet e ndjesive shpirtërore. Nga përbashkësia e shkrimeve në këtë libër evidentohet qartazi se vepra poetike e Zaplluzhës  nuk është thjeshtë një epizëm apo një atdhetarizëm trashendent. Ajo synon për më thellë, duke spikatur drejt një filozofie sociale të kohës e mbarsur me brengat dhe handikapet e saj. Ndaj dhe autori i kësaj përmbledhjeje studimore e mirëpërcaktuese  shkruan: “Poetika e Adem  Zaplluzhës    të gjithë tërësinë  e saj bazohet në revoltën  legjitime të një poeti atdhetar dhe që pasohet shpesh nga një meditim i thellë për hallet e shoqërisë së sotme.”

Ky është dhe boshti rreth të cilit prevalojnë artikujt e përmbledhur në këtë  libër të veçantë në llojin e vet, si një detyrim jo vetëm shoqëror  por dhe atdhetar e shkencor në nxjerrjen në pah  të vlerave të patrajtura në nivelet që ajo kërkon. Fatmir Minguli na ofron një lekturë magjike që të ndrit dhe pasuron, për një poet që s’e përsërit vetëveten, dhe që të mundëson të hedhish një shikim të saktë në thellësinë e veprës së tij.



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora