E premte, 19.04.2024, 08:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Jan Micha? Stuchly: Ali Podrimja - poet i rangut evropian

E hene, 25.02.2013, 09:57 PM


TË TJERËT PËR NE

E  S   E

JAN MICHA? STUCHLY

(Përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja)

ALI PODRIMJA – POET I RANGUT EVROPIAN

Ali Podrimja – poet i një dhembje dhe melankolie të thellë,  në veprat e veta shtroi jo vetëm probleme dhe çështje të kombit shqiptar, po edhe probleme universale të ekzistencës njerëzore, të rëndësishme në luftën e individit përballë sistemeve totalitare.

Së këtejmi Ali Podrimja u bë i njohur edhe jasht kufijve të atdheut.

Akoma pa i mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, si nxënës i gjimnazit në qytetin e lindjes, Gjakovë, ai do të shkruaj vargjet e një poezie që u bënë manifest sui generis i revoltës dhe i mospajtimit përballë realitetit të hidhur:

 

Nganjëherë dua të jem lumë –

të rrjedh nëpër damarët e tu,

 

gemb ëndrre dua të jem nganjëherë –

dita e nata jote të pushojnë n’mua,

 

nganjëherë dua të jem ti oj –

heshtjet e shirat e kohërave t’i ndiej,

 

dua të jem etje nganjëherë –

ujërat e tua deri n‘pikë t‘i pi.

 

(Dua të jem)

 

Ali Podrimja si një poet me shpirt kryengritës dhe i një fryme patriotike ai përmes vargut të tij emblematik “Kosova ësht gjaku im që nuk falet” (Epika), varg që citohej nëpër sheshe ku mbaheshin mitingje proteste, u bë si moto e shkruar nëpër flamuj të bartur nëpër manifestime kryengritëse. Ishte viti 1961, kur këto vargjet të poezisë së Podrimjes përshkuan jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë, po edhe tërë diasporën shqiptare gjithandej në botë.

 

Dhe që nga ajo kohë(1961) Ali Podrimja konsiderohej si shkrimtari më i njohur shqiptar krahas Ismail Kadaresë, i cili më vonë do të përkthehej në shumë gjuhë të botës. Ali Podrimja nuk është vetëm poet, po është edhe prozator e eseist i njohur në tërë hapësirën shqiptare.

I lindur në Gjakovë më 1942, ku në vendlindje do të kryej gjimnazin dhe më vonë në Prishtinë kreu gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Më vonë Podrimja do të punoj si redaktor në redaksinë e botimeve ne Prishtinë.

Dhe në këtë mes nuk ka se si të mos i citojmë vargjet e tij pavdekshme:

 

Kthehu në vargun e Homerit

kthehu atje prej nga erdhe

koha jote s’është kjo kthehu

liroji njerëzit prej vetvetes

e hijeve liroji prej maskave

e ikjeve liroji prej pagjumësisë

e heshtjeve liroji prej etheve

e shirave koha jote s’është kjo

kthehu në vargun e Homerit

Troja ra e marsejezën

kohmot s’e këndojnë njerëzit

 

( „Kali i Trojës” )

 

Ali Podrimja si poet i një rangu evropian në përditshmërinë e jetës ishte një njeri shumë modest dhe komunikues, po një njeri i një ndjeshmërie të madhe njerëzore dhe poetike, ku për të gjallë pa shkëqimin dhe mjerimin e jetës, vuajtjen dhe dhembjën e madhe për humbjen e të birit, Lumit (porsi poeti ynë i madh i rilindjes Jan Kochanowski, i cili pas humbjes të së bijës Urszula do t’ i kushtoj vargje të tëra tronditëse në ciklin e poezive “Këngë vaji” ) në librin “Lum Lumi”(1982)  që është një libër i dhembjes dhe dashurisë për vetë Lumin, një homazh kujtimi për humbjen e parakohshme të birit. Është ky libër i tragjikës dhe heroikes njerëzore.

Toni i dhembjes te Podrimja  është i përmbajtur, i përkorë sikur vetë poezia, e liruar nga patosi dhe patetika. Qëndrimi tij përballë tragjedisë së ndodhur është i papërkulshëm, stoik dhe plot dinjitet, megjithatë me shpresë dhe besim në jetë:

 

Erdhe në jetë

Nuk ka nevojë për kuje lutje

Kryesorja të jetosh

Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë

 

***

 

Dhe si të duash Lumi

kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë

dhe pa të mbetur  në këmbë ndonjë therrë

e saj e zezë

 

Bashkëudhëtari im

Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë

 

( “Me jetue” )

 

Apo:

 

S ‘di pse më merr malli të shoh Shkupin

E atje s’ është Lumi

As Bac Bajrami nuk zdirgjet Grykës

së Kaçanikut

 

***

 

S’ di pse

Për një mend s’ di pse

Shkupi më dhemb në shpirt

 

(“Rektimë”)

 

Dhe nuk ka se si të mos tronditet shpirti i ndjeshëm i lexuesit të vëmendshëm kur lexon këto vargje emocionuese:

 

Unë nuk qaj

Shi bie vogëlushi im

shkundet plepi i shtëpisë

 

***

 

Unë nuk luaj vendit

muret lëvizin sendet vogëlushi im

vjeshtë e keqe mori

 

Re e zezë shtpinë tonë mbështoll

 

(“Pikëllimë”)

 

Të gjitha poezitë kushtuar të birit, Lumit janë  një këngë vaji dhe himni, ku poeti gjendet në mes jetës dhe vdekjes, po megjithatë në momentët më tragjike nuk humb besimin në jetë. Të jetosh domethënë të ekzistosh, domethënë të mësohesh  me vdekjen – thotë poeti.

Dhe ndodhi ajo me e kobshme: 20 korriku i viti 2012, dita më e kobshme jo vetëm për poetin dhe familjen e tij, po edhe per tërë letërsine shqipe dhe botërore, ku gjendet i pajetë trupi  i poetit Ali Podrimja në qytetin Lodevë të Francës, në mes të një zabeli përgjatë lumit, i vetmuar, siç do ta parandiej në poezinë e tij “Fillikat vetëm”

 

Shkove një bregu që ndante

jetën dhe vdekjen

 

ishe i vetëm dhe i qetë

kur të afrohej zjarri

 

në mbarim të verës mbylla derën

mos ta vras kush ëndrrën

 

fillikat vetëm ishe

tmerri i Zotit

 

Ashtu deshi Zoti që të ia lë lamtumirën jetës tënde kalimtare pikërisht në festivalin e poetëve botëror në Lodevë të Francës.

 

Racibórz, Poloni

fillimi i tetorit 2012

JAN MICHA? STUCHLY



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora