E enjte, 18.04.2024, 09:08 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Fobia

E diele, 04.05.2008, 06:36 PM


Anjeza Shahini : KA FRIKE NGA MILINGONAT
 
Udhëtimi i parë me avion për këngëtaren e mirënjohur Anjeza Shahini ishte sa kuriozitet aq edhe një dëshirë e pamatë për ta eksploruar botën në një këndvështrim disi ndryshe nga ai sa kishte parë më parë.

Por udhëtimi i parë, ama, pasi të tjerët, siç thotë edhe vetë për revistën "Spektër", ishin një ferr i vërtetë i mbushur plot frikë dhe pasiguri. E njohur për temperamentin ekspresiv në skenë, Anjeza jonë e dashur e kuptoi se të jesh shumë milje larg me këmbë të shkëputura nga toka, nuk qenka edhe kaq e kollajshme. Në fobinë e saj për avionët dhe lartësinë, këngëtarja Shahini na kujton disi një nga futbollistët më të mirë holandezë të dekadës së fundit, Denis Bergkamp, i cili vendosi, pas tragjedisë së ndodhur mikut të tij më të mirë, të mos udhëtojë më kurrë me avion.

Denis, që së fundi e mbylli karrierën me ekipin e famshëm anglez të Arsenalit, nuk udhëtonte kurrë me kolegët e tij në grumbullimet që kishte skuadra, por zgjidhte gjithmonë si mjet udhëtimi anijet ose trenat.Sidoqoftë, Anjeza është akoma më e fortë se Denis në këtë aspekt dhe, paçka fobisë që ka nga lartësia,që ndryshe njihet si akrofobi, ka vendosur hëpërhë të mos i ndahet avionit. "Hera e parë ishte qejf i madh. Ishte një dëshirë e ndërthurur midis kuriozitetit dhe eksplorimit. Por kjo, sa isha me këmbë në tokë, pasi kur avioni nisi të ngrihej atëherë e kuptova që nuk isha edhe aq trime” Por Anjeza nuk është se vuan vetëm nga lartësia. Ajo na rrëfen se ka edhe shumë fobi të tjera, të cilat duhet t'ia nxjerrësh me grep, se zor se e hap gojën. Kështu, këngëtarja që na nderoi në pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në Eurovizion,ka frikë nga milingonat dhe insektet në përgjithësi. Po, po mos u çudisni: ajo Anjeza, që mposht emocionet përballë kamerave, ka frikë nga një kandërr kaq miqësore dhe punëtore, siç është milingona.Ajo na shpjegon se kjo frikë e pashpjegueshme e ka shoqëruar që e vogël. Por Anjeza nuk është e vetme në botën e VIP-ave shqiptarë që vuan nga fobitë.

Një tjetër personazh femër, po kaq e forte përballë publikut, rrëfen për “Spektër” se ka frikë nga zvarranikët. Ajo është Erisa Xhixha, kryetare e forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim. E fortë, në pamje të parë, Erisa dëften se ka shumë frikë nga gjarpërinjtë.”Kur kam qenë e vogël gjithmonë shikoja në ëndërr gjarpërinj. Kisha shumë frikë. Edhe tani nuk është se i kam shumë qejf zvarranikët.” Kështu, edhe simpatikja Erisa ka një pikë të dobët, ashtu sikundër të gjithë ne.

Ankthi, si pararendës i fobisë

Psikologja Blerta Bodinaku e shpjegon fobinë si një ankth, të cilin të gjithë ne mund ta përjetojmë kohë pas kohe. Pjesa më e madhe e njerëzve e përjetojnë ankthin në formën e tensionit, pasigurisë, e ndoshta të frikës kur janë përpara një provimi, kur duhet të shkojnë në spital për një ndërhyrje të caktuar, përpara se të bëjnë një intervistë pune etj. Ajo çka I shqetëson njerëzit, në lidhje me frikën, është fakti se mos duken budallenj apo të çmendur përpara të tjerëve, se mos do të ndihen jo mirë apo se mos sëmuren. Nga ana e tyre, këto shqetësime mund të ndikojnë te gjumi, oreksi si dhe aftësia për t’u përqendruar. Në këtë aspekt, ankthi nuk është vetëm i dëmshëm për shëndetin e njeriut.Për shembull ankthi afatshkurtër, sipas psikologes Bodinaku, mund të jetë i vlefshëm. Stresi dhe ankthi përpara provimit mund t’i bëjë njerëzit të ndihen më të kujdesshëm dhe ta përmirësojnë performancën e tyre. Por, nëse ndjenjat e ankthit mbingarkohen, atëherë aftësia për tiu përqendruar dhe për të realizuar aktivitetin e përditshëm te njerëzit mund të dëmtohet. Atëherë kur ankthi ndërhyn ndjeshëm në jetën tonë, duke na krijuar shqetësime të theksuara dhe duke na penguar në ecurinë normale dhe performancën tone ditore, çka na lë të kuptojmë se kemi të bëjmë me çrregullim ankthi.

Fobia sociale

Çrregullimet e ankthit janë të ndryshme dhe variojnë nga fobitë e thjeshta te fobitë sociale, agoraphobia, atakët e panikut etj. Por ajo ku do të ndalemi më shumë në këtë temë është fobia sociale, ajo që i shoqëron më së shumti njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Psikologja Blerta Bodinaku shpjegon se fobia sociale është një çrregullim ankthi,i cili karakterizohet nga frika dhe ankthi për t’u përballur dhe për të vepruar në situata të ndryshme sociale. Për shembull personat me fobi sociale mund të kenë një frikë të theksuar për të folur në publik, për të ngrënë, për të ecur në publik, për të përdorur tualetet publike etj. Ata mund të ndihen të shqetësuar se mos e bëjnë diçka gabim, se mos vëzhgohen dhe kritikohen nga të tjerët, dhe kjo gjë i bën të kontrollohen vazhdimisht dhe të jenë të kontraktuar. Kur detyrohen të gjenden në situate të tilla, ata ndihen veçanërisht të frikësuar dhe përjetojnë ankth dhe simptoma fizike, si dridhje, rrahje të forta zemre, djersitje e deri në rënie të fikëti. Ata shpesh mund të kenë frikë se mos të tjerët e vënë re shqetësimin e tyre dhe kjo i bën edhe më të shqetësuar e të përqendruar për ta kontrolluar veten. Frika dhe ankthi që përjetojnë i bën personat që vuajnë nga ankthi social tÊi shmangin kontaktet sociale dhe mund t’i çojë deri në izolim total; por kjo jo gjithmonë.

A jemi të sëmurë nga fobia ?

Një pyetje që lind vetvetiu. A është fobia një lloj patologjie, që i shoqëron njerëzit gjatë jetës,dhe cilat janë rrethanat që krijojnë premisa për lindjen e fobive?

Psikologja Bodinaku e rrëzon poshtë këtë hipotezë të ngritur mbi fobitë. Ajo thotë se ankthi i shoqëron njerëzit gjatë gjithë jetës, por kjo nuk është e thënë që fobitë dhe çrregullimet e ankthit t’i shoqërojnë të gjithë njerëzit gjatë gjithë ekzistencës së tyre në tokë. Megjithatë, çrregullimet e ankthit janë mjaft të përhapura dhe mund të prekin këdo në momente të caktuara të jetës, si dhe disa mund edhe t’i shoqërojnë për një kohë të gjatë. “Të gjithë ne jemi qenie unike me karakteristika dhe histori individuale dhe, për këtë arsye, mënyrat se si ne përballemi me vështirësitë dhe sfidat jetësore janë krejtësisht individuale dhe unike, si në intensitet ashtu edhe në formë,” shpjegon psikologja Bodinaku, duke shtuar se ankthi mund të shkaktohet nga një sere faktorësh. Diçka shqetësuese mund të ketë ndodhur në të kaluarën, por, duke qenë se personi mund të jetë ndjerë i paaftë të përballet me ato emocione atë kohë, fakti se mund të përballet sërish me atë situatë mund të shkaktojë ankth. Gjithsesi, ideja e përballjes me atë situatë mund të shkaktojë të njëjtat ndjenja, edhe pa u përballur ende me situatën.Personi mund të shqetësohet për të ardhmen e tij. Ndonjëherë, nëse ndjejmë se nuk kemi kontroll mbi aspekte të caktuara të jetës sonë,ne mund të fillojmë të ndihemi anksiozë në lidhje me ngjarjet që janë jashtë kontrollit tonë, si për shembull kërcënimi nga një luftë nukleare, zhvillimi i një tumori ose humbja e vendit të punës. Të ndjerët e ankthit mund të jetë edhe një përgjigje e mësuar, diçka të cilën ne e kemi mësuar që herët në jetë. Për shembull, nëse familja jonë mund të ketë pasur prirjen ta shikojë botën si një vend armiqësor e të frikshëm,ku njerëzit kanë qëllime negative dhe janë të paparashikueshëm, ne mund të ndjehemi vazhdimisht në ankth gjatë përballjes tonë me të tjerët. Psikologja Bodinaku shpjegon se studimet e ndryshme tregojnë se njerëzit mund ta trashëgojnë tendencën për të qenë anksiozë.”Të gjithë ne bëhemi anksiozë nën presion, por njëri mund të dorëzohet më shpejt se tjetri, si pasojë e tipareve të personalitetit të tij, rrethanave aktuale, në të cilën ai gjendet, si dhe eksperiencave të fëmijërisë.”

Si mund të shërohemi ?

Në Shqipëri ende nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë, lidhur mbi fobitë më të përhapura në popullsi. Sipas psikologes Bodinaku, gjëja më e rëndësishme në dallimin e dobive nuk është përhapja dhe karakteri i tyre, por mënyra për të përballur dhe shëruar fobitë. Sipas një ndarje të thjeshtë, fobitë klasifikohen në të thjeshta (specifike), agoraphobi dhe sociale. Fobitë e thjeshta karakterizohen nga frika e tepruar nga një objekt, kafshë apo situate specifike. Gjithçka mund të jetë objekt i fobisë specifike: një kafshë ose të gjitha kafshët (zoophobia),lartësia (akrofobia), hapësirat e mbyllura (klaustrofobia) etj. Ankthi që karakterizon këto fobi është tepër specifik dhe aktivizohet vetëm në situatën e frikës; për këtë arsye,zakonisht nuk i pengon personat të jetojnë normalisht. Ndërsa agorafobia është frika për të qenë vetëm, për t'u larguar nga shtëpia ose për t’u ndodhur në sheshe dhe ambiente publike, largimi nga të cilat mund të jetë i vështirë. Ky është një ankth më kompleks dhe përfshin më shumë situata jetësore,duke e penguar mjaftueshëm jetën e individit që e përjeton atë.

Por mund të shërohet fobia ?

Trajtimet përmes të folurit mund të ndihmojnë të kuptojmë dhe të punojmë me shkaqet e ankthit, si dhe të zhvillojmë strategji për ta përballuar atë.Në Shqipëri, aktualisht ekzistojnë qendra të ndryshme që ofrojnë psikoterapi dhe këshillim. Psikologja Blerta Bodinaku thotë se ka forma të ndryshme këshillimi dhe psikoterapie që mund të përdoren në rastin e shqetësimeve të ankthit, si në grup ashtu edhe individualisht. “Mund të jetë një marrëdhënie e shkurtër dhe e përcaktuar në kohë ose afatgjatë,me një shpeshtësi seancash që fillon nga një herë në javë. Disa forma të psikoterapisë ose këshillimit mund t’i ndihmojnë personat që vuajnë nga çrregullimet e ankthit të zhvillojnë strategji dhe teknika për të përballuar ankthin, ndërsa të tjera fokusohen te të kuptuarit e arsyeve që qëndrojnë pas ankthit që ata përjetojnë,”sqaron psikologja Bodinaku, duke I dhënë njëkohësisht përgjigje pyetjes nëse është e shërueshme apo jo fobia te njerëzit.

Në kuadër të këshillave, A mund të mësoj që ta përballoj ankthin vetë ?

Ka shumë gjëra që ju mund të bëni për ta reduktuar ankthin tuaj në një nivel më të përballueshëm. Si fillim, duhet të dini që përgatitja për të ndërmarrë veprime mund t’ju shkaktojë ankth. Madje, edhe thjesht të menduarit për ankthin mund ta përkeqësojë atë edhe më shumë.Megjithatë, përballja me ankthin tuaj dhe me mënyrën se si ai ju bën të ndiheni është hapi i pare drejt thyerjes së ciklit të frikës dhepasigurisë. Ndërsa përpiqeni të ndërmerrni veprime të caktuara, është e rëndësishme të kujtoni se sa mire ndiheni kur arrini të relaksoheni, të merrni kontrollin e vetes suaj dhe të bëni një jetë më të plotë.

Kontrolli i simptomave

Simptomat mund të kontrollohen përmes teknikave të frymëmarrjes relaksimit të muskujve dhe zëvendësimit të mendimeve stresuese dhe negative me mendime positive dhe të qeta. Këto teknika janë shumë të përhapura dhe mund të gjenden dhe mësohen nga librat, interneti,seancat e këshillimit etj. Ju gjithashtumund t’i drejtoheni një psikoterapisti apo një punonjësi të shëndetit mendor në zonën ku ju jetoni.Mësimi i shprehive të reja

Të mësuarit se si të përballoni situata të vështira dhe të dini të mbroni veten tuaj mund t’ju bëjë të ndiheni më të sigurt, me vetëbesim dhe rrjedhimisht edhe më të relaksuar. Për shembull, shumë njerëz ndihen më të sigurt, nëse mësojnë disa lëvizje dhe veprime,të cilat mund t’i aplikojnë në raste vetëmbrojtjeje.

Terapi plotësuese

Ju mund të përdorni edhe terapi plotësuese, të cilat ju ndihmojnë të relaksoheni, të flini më mirë dhe të punoni me simptomat e ankthit.Terapi të tilla mund të jenë: joga,meditimi, aromaterapia,masazhi, herbalizmi etj.

Ushtrimet

Kryerja e ushtrimeve të ndryshme fizike mund t’ju ndihmojë të përballni ankthin tuaj dhe ndjenjat e tensionit. Gjithashtu, mund t’ju ndihmojë të flini më mirë. Kryerja e ushtrimeve fizike konsumon adrenalinën dhe hormone të tjera,të cilat prodhohen në gjendje stresi, duke bërë që muskujt tuaj të

relaksohen. Nga ana tjetër, gjatë ushtrimeve çlirohen edhe disa substance kimike trunore, të cilat mund të përmirësojnë humorin tuaj.Ju mund të vendosni të ushtroheni në palestër, ndërsa, ushtrime të tilla, si ecja në ajër të pastër, noti,çiklizmi etj., bëjnë të mundur që ju të jeni aktiv, duke ruajtur ritmin tuaj.E mira e këtyre ushtrimeve është që ju mund t’i bëni vetëm ose në shoqërinë e të njohurve tuaj. Nëse ju bezdis prania e të tjerëve, ose keni turp të ushtroheni përpara tyre, ju mund të zgjidhni ushtrime që kryhen në shtëpi, të tilla si kërcimi dhe aerobia, të shoqëruara nga muzika ose nga video të posaçme per këto ushtrime.

Një jetesë e shëndetshme

Shmang përdorimin e simulantëve të tillë, si kafeja, duhani dhe alkooli, të cilët mund të nxisin ankthin. Përdor një dietë ushqimore të shëndetshme dhe fli shumë, pasi një gjë e tillë mund të ndryshojë dukshëm aftësinë tuaj për t‘u përballur me stresin.Për më shumë informacion, në lidhje me një dietë të shëndetshme ushqimore, drejtohu te mjeku juaj i familjes pranë qendrës shëndetësore të lagjes suaj.

Të folurit

Ju mund të flisni me një mik tuajin ose me një të afërm të familjes, pasi një gjë e tillë mund t’ju ndihmojë të kuptoni shkaqet e ankthit tuaj.Gjithashtu, ju mund të zbuloni se edhe ata kanë përjetuar probleme të ngjashme dhe mund të mësoni mënyra të reja për t’u përballur me ankthin, të cilat ata mund t’i kenë përdorur me sukses.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora