E premte, 19.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Mendime

Edlira Gjoni: Kërkohet një fè (Opinion / Mbi romanin e Ben Blushit)

E shtune, 03.05.2008, 12:20 PM


Edlira Gjoni
Kërkohet një fè (Opinion / Mbi romanin e Ben Blushit)

Nga Edlira Gjoni

U prekën në sedër myslimanët? U krekosën ortodoksët? Apo u përfol kot a plot autori Blushi? Libri artistik i politikanit të suksesshëm të PS-së ngjalli polemika nga ato që prej vitesh nuk kishim parë të gëlonin në Shqipërinë e letrave.

Rrjedha në ishullin imagjinar ku jeta shtrihet në disa shekuj, shpërndahet në disa personazhe, kapërcen, gërsheton, mbledh e shpërdredh disa ideologji, gërvisht thellë islamin e mitizon mbi të ortodoksinë, arrin mbi dorën e lexuesve që shohin në të autorin si politikan, si të njohur, si përpjekës për shtjellues të shqipes, si përçarës, përkrahës apo nxitës i ideologjive të caktuara fetare. Librin ta zë syri gjithandej në vitrinat e librarive apo stendat e shpërndara të shtëpisë botuese. Blihet në masë. Është përfolur në masë dhe është bërë objekt i padiskutueshëm debati publik. Merita i takon autorit dhe zgjuarsisë në bërjen e marketingut, por vetë emri dhe popullariteti i Ben Blushit ka ndikuar gjithashtu që libri të blihet dhe të lexohet më së shumti me pritshmërinë për të lexuar një shqipe të mirëlidhur në fjali dhe në ide. Dhe autori nuk të zhgënjen në këtë pikë.

Por vëmendjen ndaj këtij libri, më shumë se gjithçka tjetër, e rrëmbeu përmbajtja dhe orientimi i tij fetar. Blushi ruan një njëtrajtshmëri që vjen shumë për shtat dhe të rrëmben në natyrshmërinë me të cilën emërton dervishët, klasifikon sjelljet e tyre apo lakuriqëson vërtetësinë e besimit të sjellë me forcë dhe pa takt në ishullin jo-mysliman. Reagimi i këtij komuniteti në Shqipëri e shton akoma më shumë mbështetjen ndaj ideologjisë së saposhpallur blushiane dhe thjesht rrit popullaritetin e tij ndër progresistët, ateistët apo fe-lëkundurit në Shqipëri. Thelbi i këtij libri në perceptimin publik u bë tani koncentrat për identifikimin tonë fetar dhe ndikimin e tij në identifikimin kombëtar.

Libri ishullor shkaktoi të njëjtën furtunë ndjesish për përkatësinë fetare sa edhe disa nga reagimet publike të myslimanëve të rizgjuar në Shqipëri. Pas 45 vjetësh mohimi të besimit fetar, 18 vjetësh mollë sherri për të aneksuar përqindjet e popullsisë në secilën fe e pas konvertimeve në masë që ka përjetuar ky popull, shqiptarët janë sot në një krizë identiteti fetar më të thellë se ndonjëherë tjetër më parë.

Toleranca jonë fetare e shumëpërfolur dhe e shpallur botërisht nuk mund të jetë gjë tjetër veçse shpërfillje ndaj besimeve fetare. Kjo është arsyeja e vetme e “harmonisë”. Dhe për sa kohë që shqiptarët në sjellje dhe në praktikë janë ateistë, atëherë është e kotë të mbahet lart e më lart flamuri i tolerancës. Ja tek u pa se nuk është aspak kështu, thjesht duke marrë për bazë një trill artistik. Sigurisht Blushi ka ecur mbi gjurmët e ortodoksisë në të cilën është rritur, por as ai, as reagimi i çuditshëm i pseudo-myslimanëve të Tiranës nuk mund të pretendojnë dot të tregojnë se guri i qoshes në origjinën fetare shqiptare është ortodoksia greke apo islamizmi turk (e arab me modernizimet e sotme të tru-shpëlarjes në “qytetërimet islame”).
Po cilës fe i përkasin shqiptarët?! Fesë së pasurisë, të nënshtrimit, të dëshirës për të zotëruar gjithçka dhe shpejt, brenda natës; fesë së mosreagimit publik, të mosdijes për të jetuar në komunitet, të përtacisë së përbashkët; fesë së përzierjes së sjelljes orientale me atë të dëshirës për t’u dukur oksidenatal; fesë së individit, të të fortit; fesë së lojërave të fatit, pazareve në kurriz të dinjitetit; fesë së përdhunimit të lirisë, të shpërdorimit të besimit qytetar, të indokrinimit mbi njerëzit e papërgatitur të kundërshtojnë ndryshimet e pavullnetshme; fesë së manipulimit, të ndikimit dhe papërgjegjshmërisë.

Sigurisht që Ben Blushi nuk do t’i njihte si bashkë-fetarë njerëzit që vinin nga një komunitet i tillë. As myslimanët e thekur për të na treguar se Tirana lindi nga hoxhallarët, nuk do të pranonin se “virtytet” e mësipërme janë identifikuese për fenë e tyre. Epo, shoqëria shqiptare karakterizohet nga të gjitha ato veti, që më shumë se të lindura, i ka të injektuara nga trysnia e feve apo politikave të ndryshme, që janë ushtruar mbi të për vite e shekuj me radhë.

Ben Blushi ka qenë një gazetar e drejtues i suksesshëm dhe fin në profesionin e tij. U bë një politikan me popullaritet shumë pozitiv, me peshë në partinë që zgjodhi dhe i këndshëm për t’u dëgjuar në Parlamentin shqiptar. Dha leksione të papërsëritshme dinjiteti dhe profesionalizmi mbi termin “dorëheqje” kur ushtria e tij parlamentare nuk iu bind ditën e zgjedhjes së Presidentit; vazhdon të jetë ndër të vetmit njerëz të atij Kuvendi që bën mirë t’i kushtosh vëmendje kur flet; shkroi edhe një libër që ashtu siç pritej dhe siç u përgatit, do të shkaktonte patjetër zhurmë dhe reagim. Hodhi poshtë maskën islame që mbulonte viset e ishullit të tij; por zgjidhjen e lumturisë dhe fatin e romanit ia faturoi një ishulli grek.
…Ku, si dhe sa të madhe do ta ndërtonte Noli kishën e tij ortodokse? Mbase do të më kishte ngjallur kuriozitetin për të mësuar më shumë për këmbënguljen e tij të paepur që të shkëputej nga ortodoksia greke. Do të më kishte bindur patjetër me përfundimet e tij edhe mbi dilemat e mbiemrit tim të krishterë gërshetuar me zjarrin për ta parë pikësëpari veten shqiptare, pastaj si qenie të katërzuar midis mbiemrit katolik, perceptimit ortodoks, konvertimit mysliman, ateizmit kaotik dhe dëshirës kokëfortë për të mos u identifikuar në asnjë mënyrë as si greke, as si arabe.

Ku e lamë, e ku na mbeti…” Na la të shkëputur Noli, e nuk do ta gjente më fare linjën e ndarjes mes ortodoksisë greke dhe përkujdesjes së madhe për tretësinë e saj mes shqiptarëve.
Po zgjedh Blushin politikan, mediatik dhe anti-islam! S’paska më vend për ç’mbeti tjetër si perceptim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora