E marte, 16.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Një shkrim që fyen shqiptarët

E premte, 22.02.2013, 10:45 PM


NJË SHKRIM QË FYEN SHQIPTARËT

(Reagim në shkrimin e Qerim Pllanës: "Turqia, mike e shqiptarëve, do të dëshmohet në vepër" , bot. në gaz. "Kosova Sot", 29 janar 2013).

Nga Nuhi Ismajli

Edhe në kohën tonë po shkruhet e veprohet shumë kundër shqiptarëve. Po shkruhet shumë duke fyer thellë dinjitetin e tyre njerëzor e kombëtar dhe, për llogari të huaj, po propagandohet shumë për t'i joshur e futur në një robëri të re. Por, të gjitha këto veprime tejet të ulëta, absurde, antinjerëzore dhe antishqiptare, njëherazi, po paraqiten pa turp, kinse për të mirën e shqiptarëve.

Po veçojmë, në këtë rast, një shkrim të këtyre ditëve, një shkrim që fyen keq shqiptarët dhe bën një propagandë të marrë, e cila fton shqiptarët që të pranojnë të jenë sërish në botën e të nënshtruarve, në botën e robit. Është ky shkrimi i Q. Pllanës: "Turqia, mike e shqiptarëve, do të dëshmohet në vepër" , bot. në gaz. "Kosova Sot", 29 janar 2013.

Në atë shkrim, ndër të tjera, lexojmë pohimin, i cili mund të jetë vetëm "arsyetimi" i pushtuesit dhe kurrë zëri i arsyes, zëri i njerëzve liridashës, zëri i atyre që urrejnë pushtuesin e robërinë dhe zëri i atyre që ndiejnë, sadopak, vuajtjet dhe dhimbjen e të robëruarve.

"Popullin shqiptar me shekuj…me Turqinë, e lidhin shumë ngjarje historike pozitive…"!

Faktet e shumta e të pamohueshme historike, shqiptare e të huaja, dëshmojnë se popullin shqiptar nuk e kanë lidhur me Turqinë ngjarje pozitive, po ngjarje shumë të hidhura, të cilat, Turqia e sotme, edhe nëpërmjet propagandës tejet çnjerëzore të renegatëve të sotëm "shqiptarë", do t'i injorojë, t'i harrojë dhe t'i shlyejë nga kujtesa e shqiptarëve.

P. Osmane (Turqia e sotme, në shumë paraqitje diplomatike e vepra të shkruara të karakterit propagandues, po paraqitet si trashëgimtare e saj), në trojet shqiptare, si edhe në vende të tjera, erdhi si pushtuese e përmes luftërave pushtuese dhe synoi nënshtrimin e asimilimin e shqiptarëve.

Për realizimin e synimeve të saj, ajo zbatoi masat më të rrepta të sundimit. Kështu, ajo nuk vrau vetëm luftëtarët e lirisë në fushën e luftës, po rrëmbeu edhe fëmijët e vegjël, të cilët i bëri jeniçerë, për t'i dërguar në luftërat e saja pushtuese edhe kundër vetë Shqipërisë. Pasi vrau burrat, rrëmbeu gratë, për t'i bërë pjesë të haremit.

Tokat shqiptare, sipas sistemit dhe qëllimit të saj sundues, i ndau në disa vilajete.

Plaçkiti e shkatërroi pasuritë materiale të Shqipërisë. Dëmtoi fushat pjellore, në raste betejash, dhe i dogji qëllimisht të mbjellat, që të mos kenë ç'të hanë shqiptarët. Rexhimi turk vendosi taksa të rënda për shqiptarët deri edhe taksa në gjak. Meshkujt shqiptarë i rekrutoi si ushtarë, për t'i pushtuar e mbajtur në robëri vendet e ndryshme, shumica prej të cilëve vriteshin për interesat e pushtuesit osman, kurse ata që ktheheshin, ktheheshin të paftë për jetën dhe në familjet e rrënuara totalisht. Ata që dëftonin shqiptarësinë e tyre e kërkonin lirinë, edhe në hunj i ngulte.

Shqiptari s'kishte ç'të hante, s'kishte ç'të pinte. S'kishte ç'të mbathte, s'kishte ç'të vishte. Mund të bindemi për këtë nga raportet e kohës, që i shkruajnë shqiptarët ose të huajt. Mund ta lexojmë veprën "Shqipëria…" , të Sami Frashërit, i cili e jetoi vetë atë jetë e nuk gënjen dhe është më i besueshëm se çka thonë sot turqit e vasalët e tyre!

Regjimi i ashpër i robërisë turke, hakmarrja kundër lakmuesve të lirisë dhe masat drastike turke për asimilimin e shqiptarëve, pra kufizimet e skajshme të jetës njerëzore e kombëtare, mijëra shqiptarë i detyruan në eksode të mëdha, duke shkaktuar kështu dëmtimet e mëdha të qenies kombëtare shqiptare.

Në kohën e robërisë turke, për shqiptarët s'kishte vetëm një robëri, sepse përveç turqve, në kohën e robërisë turke, në një mënyrë, në trojet shqiptare, sundues ishin edhe të tjerët, si serbët, grekët… Renegatët shqiptarë që për interesa personale, i shërbenin pushtuesit turk dhe jo vetëm atij, për interesa shqiptare nuk paraqisnin asnjë rëndësi. Jeta, veprimet dhe interesat e tyre nuk kishin asgjë të përbashkët me ato të kolektivitetit shqiptar dhe ishin plotësisht në kundërshtim me to.

Pushtuesi turk rrënoi vlerat e mëdha kulturore, shpirtërore e arsimore shqiptare (të krahasueshme me arritjet më të larta të vendeve evropiane) dhe orientimin evropian të botës shqiptare. Të kujtojmë këtu vetëm ekzistencën e universiteteve në Shqipëri, që në shek. XIII, dhe krijuesit e mëvonshëm shqiptarë, si jehonë e atij zhvillimi, siç qenë piktorët, kompozitorët, shkrimtarët, filozofët, matematikanët, astronomët etj., të njohur edhe në qendrat më të njohura të artit e të dijes.

Me shkollat e tij, si dhe me shkollat e të tjerëve, serbëve e grekëve, në trojet shqiptare, pushtuesi osman dëmtoi shumë vlerat e identitetit shqiptar dhe krijoi edhe tipin e shqiptarit të tjetërsuar, tipin e robit, i cili, për hir të zotërisë së tij, jo vetëm braktis pa turp, po edhe bëhet kundërshtari më i egër i etnisë së tij. Prandaj, një dukuri shumë e hidhur, si pasojë e robërisë tejet të egër turke, është tjetërsimi i shqiptarëve, përvetësimi i mentalitetit anadollak, krijimi i vasalit të devotshëm, i shpirtit të robit, i cili përkatësinë fetare e shquan mbi çdo vlerë të identitetit shqiptar dhe për shkak të së cilës, qoftë edhe pas një shekulli të përfundimit objektiv të robërisë turke, përpiqet ta ringjallë pushtetin e zotërisë së tij.

Pushtuesi turk nuk ka pranuar etninë shqiptare dhe gjatë tërë kohës, nëpërmjet shkollave turke dhe fesë, është luftuar për asimilimin e saj. Shkrimi dhe krijimi shqip ishte i ndaluar. Një nga sulltanët turq kishte kërcënuar se do ta digjte të gjallë atë që do t'i gjendej ndonjë libër shqip.

Pushtuesi turk ndalonte edhe arsimin kombëtar shqip. Një shkollë shqipe, mbi baza fetare, vetëm në emër të ortodoksëve shqiptarë, u lejua tek më 1887, për t'u mbyllur fill pas një kohe të shkurtër të veprimtarisë së saj. Të tjerët, në raport me shqiptarët, përkundrazi, favorizohen dhe respektohen të drejtat e tyre kombëtare. Serbëve p. sh. kah viti 1860, iu lejua edhe hapja e akademisë, në kohën kur shqiptarëve nuk u lejohej as shkollë fillore. Në territorin shqiptar pati shumë shkolla serbe, greke etj., por jo edhe shkolla legale të shqiptarëve.

Pushtuesi turk, derisa ishte në fuqi, pengoi krijimin e shtetit shqiptar, ndërsa pasojat e robërisë turke dhe te veprimeve të renegatëve shqiptarë s'u hoqën as sot kësaj dite.

Robëria osmane pasqyrohet bukur edhe në vijimësinë shekullore të qëndresës së armatosur të popullit shqiptar, si edhe në traditën e veprat e shkruara të krijuesve shqiptarë e në porositë e rëndësishme të tyre për brezat e ardhshëm. Ky fakt nuk duhet të harrohet.

Kështu, duke propaganduar për "lidhjet historike pozitive" të shqiptarëve me pushtuesit turq, pra, duke mohuar aq panjerëzishëm gjenocidin dhe tragjiken që populli shqiptar përjetoi nën robërinë turke, duke mos marrë parasysh luftën e shqiptarëve me armë e pendë kundër asaj robërie, as duke mos marrë parasysh dëshmitë e porositë e rëndësishme të tyre për brezat e ardhshëm, propaganduesit e sotëm "shqiptarë", për llogari të pushtuesve të dikurshëm e për llogari të lakmuesve të tashëm të ringjalljes së perandorive të dikurshme pushtuese, po i fyejnë shqiptarët në mënyrën më të panjerëzishme, më të ulët dhe më të rëndë. Robërisë osmane mbi popullin shqiptar ata po i japin kuptimin e lirisë, një veprim ky tejet antinjerëzor dhe antishqiptar, përmes të cilit ngrihet në kult pushtuesi dhe robëria, kurse poshtërohet aq keq liria dhe dinjiteti njerëzor e kombëtar.

A është njerëzore t'i harrojë shqiptari vuajtjet e të parëve të vet nën robërinë osmane dhe luftën e tyre për liri njerëzore e kombëtare?!

A është mençuri që shqiptari të harrojë të kaluarën e tij dhe të mos mësojë asgjë nga historia, si përvojë për të ardhmen, si vepron gjithë bota, po të veprojë sipas propagandës së pushtuesve të djeshëm e të sotëm?!

Karakterin e një propagande absurde dhe fyese për shqiptarët, shkrimi "Turqia, mike e shqiptarëve, do të dëshmohet në vepër", e merr edhe duke himnizuar Turqinë e sotme, në raport me shqiptarët, duke lavdëruar atë si shtet modern e demokratik, duke shpallur si mike të shqiptarëve dhe duke bërë thirrje tejet antinjerëzore dhe antishqiptare, që ta konsiderojnë e pranojnë atë si zonjë të tyre.

Kështu, në shkrimin e përmendur propagandues antishqiptar, thuhet edhe: "Popullin shqiptarë…në veçanti sot me Turqinë, e lidhin shumë ngjarje (historike) pozitive…". Turqia quhet shtet modern, që ndihmon shqiptarët në arsim, që po përkrah shqiptarët e Kosovës në çështjen kombëtare, që do të luftojë për ta, që do t'ua kthejë pronarëve tokat e mbetura nën Serbi (në shek. XIX), që do të bashkojë tokat shqiptare në një shtet të vetëm, që ka synime të njëjta me ato shqiptare etj., etj., të cilat nuk janë tjetër veçse propagandë e madhe mashtruese për shqiptarët.

Në fakt, marrëdhëniet që ka sot shqiptari me Turqinë janë marrëdhënie të ngjashme me marrëdhëniet që shqiptari i ka sot edhe me shtetet e tjera.

Turqia e sotme, si asnjë shtet tjetër, nuk është normale, pra as e pranueshme të pranohet si sunduese prej akëcilit popull në botë. Dhe, pra, është absurde edhe për shqiptarët që, në vend të lirisë, të kërkojnë robëri e sundimtar.

Shqiptarët nuk është e arsyeshme ta urrejnë Turqinë e sotme për shkak të bëmave të P.Osmane (me të cilën ajo vetë identifikohet), por edhe nuk mund ta konsiderojnë atë shtet modern dhe mike të shqiptarëve, sepse, në raport me shqiptarët, ajo ende nuk e ka dëshmuar një gjë të tillë.

Nëse Turqia e sotme zyrtare identifikohet me P. Osmane dhe paraqitet si trashëgimtare e saj, si mund të quhet moderne dhe mike e shqiptarëve, kur kihen parasysh dëmet që robëria e rëndë pesëshekullore iu solli atyre?! Identifikimi i Turqisë së sotme me P. Osmane, pushtuese kjo e shqiptarëve dhe e shumë popujve të tjerë, e bën atë jopërparimtare, po shumë primitive. Identifikimi i Turqisë së sotme me P. Osmane, pushtuese e shqiptarëve, nuk e bën atë mike të tyre. Përkundrazi. Anmiku plak s't bahet kurrë mik, e në t'u baftë, s'bahet i drejtë - thotë një proverb i F. Bardhit.

Turqia e sotme zyrtare, e cila identifikohet me P. Osmane ose e paraqet veten si trashëgimtare të saj, ende nuk ka gjykuar, as nuk është distancuar nga krimet që ajo i ka bërë ndaj shqiptarëve dhe ndaj popujve të tjerë.

Turqia e sotme, "moderne" dhe "mike e shqiptarëve", si po quhet në shkrimin fyes për shqiptarët, në vend se t'u kërkojë falje shqiptarëve, për të këqijat e mëdha të robërisë osmane, me të cilën po vetidentifikohet, pa turp, kërkon që shqiptarët ta trajtojnë historinë siç u thotë ajo.

Turqia e sotme zyrtare, nëpërmjet veprimtarisë së saj diplomatike, si edhe nëpërmjet veprave të botuara të ideologëve të sotëm turq, ndonjë prej të cilave është përkthyer edhe në shqip, ka shpalosur haptazi synimet e saja për ringjalljen politikës së dikurshme pushtuese osmane.

Turqia e sotme asnjëherë nuk ka marrë iniciativën për të mbrojtur shqiptarët e nëpërkëmbur kombëtarisht. Dhe, as të mos shpresohet se Turqia do të mbrojë interesin kombëtar të shqiptarëve. (Nëse Turqia është ajo që mbron interesin kombëtar të shqiptarëve, çka po pret?! Pse pikërisht tani nuk po vepron kur rrethanat e kërkojnë një gjë të tillë?!). Në ngjarjet e vitit 1999, askush nuk e mohon, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës, mori pjesë edhe Turqia. Por, në atë vepër të rëndësishme, Turqia ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj që iniciuan, organizuan dhe realizuan të tjerët. Pse tani mohohet roli i atyre që ishin kryesorët për çlirimin e Kosovës, më 1999, ndërsa roli kryesor i përshkruhet Turqisë?! Interesi njerëzor dhe kombëtar i shqiptarëve është mbrojtur dhe mbrohet nga Perëndimi. Kjo gjë është thënë që moti në veprat e të urtëve shqiptarë.

Turqia e sotme, "moderne" dhe "mike e shqiptarëve", si po quhet në shkrimin propagandues e fyes për shqiptarët, atyre mijëra apo miliona shqiptarëve që janë në Turqi, nuk u ka dhënë kurrfarë të drejtash kombëtare dhe asnjë mundësi për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.

Një shtet modern dhe mik i të tjerëve, nuk do të identifikohej me të keqen, do të distancohej nga të këqijat e paraardhësve, nuk do të ngjallte synime të vjetra, as nuk do të bënte synime të reja pushtuese, kurse qytetarëve të vet do t'ua siguronte plotësisht të drejtat njerëzore e kombëtare.

Shkrimi i Q. Pllanës dëshmon se identifikimi fetar, nxjerrja e fesë mbi çështjen e identitetit kombëtar, propagandat për një botë renegatësh të rinj është verbëri dhe marrëzi e pafund njerëzore.

Shqiptarët nuk kanë nevojë që ende pa e arritur lirinë e dëshiruar dhe të ligjshme, të futen në një robëri, çfarë e propagandon Turqia e sotme dhe renegatët e sotëm të saj.

Është marrëzi e papërshkruar dhe tejet çnjerëzore të mendohet se çështja kombëtare mund të zgjidhet në kuadër të projekteve pushtuese të të tjerëve. Ndihma e vërtetë dhe e denjë njerëzore, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, mund të kërkohet e të pritet vetëm në kuadër të ndihmave të ligjshme të botës së përparuar e demokratike njerëzore.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora