E shtune, 20.04.2024, 03:41 AM (GMT+1)

Mendime

Dukagjin Hata: Poezia e poetit Ferik Ferra

E premte, 22.02.2013, 08:22 PM


Rreth poezisë së poetit Ferik Ferra

Trekohësia si zbulesë tronditëse poetike

Nga Dukagjin HATA

Mëtimi për t’iu qasur e aq më tëpër për të depërtuar në shtresimet estetike të një poezie elitare, për të selektuar në shumësinë e elementëve poetikë ato më përfaqësuesit, në thelb, i ngjet përpjekjes së ankthshme për të deshifruar një ëndërr. Ky “kufizim” të rrethon me hijen e tij të trishtë kur merr në dorë veprën poetike të Ferik Ferrës, një nga individualitetet më të përveçme të poezisë sonë aktuale, një bard i sharmit të përndezur të majave të etnopsikqikës iliriane. Në vargjet e tij të ndjerë e plot temporitëm lirik, rroposet në honet e tingujve të gjuhës poetike një botë transhendente, plot kumte bukurie virgjine e dritë-hije të magjishme. Që nga vëllimi i parë poetik “Duke kapërcyer shekullin” e deri tek i fundit me titull “Katër shekuj para Krishtit”, që sapo ka dalë në qarkullim, Ferra ndërton një minibotë të tij, në të cilën mpleksen fort rrënjë historike dhe mitike të botës shqiptare, fakte, impresione, gjurmë kujtese, zhvendosje në kohë dhe hapësirë të imazheve dhe gjendjeve, për të nxjerrë më në pah kohën e tij dhe hapësirën e etnisë kombëtare. Ferra është një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me modernitetin poetik. Ai i ndërton imazhet në formë mozaiku, duke na dehur me secilin gur të tij, por duke na dehur ende më shumë me të tërën e cila, duke qenë e plotë dhe e begatë në pasurinë e tekstit dhe nëntekstit, na josh të përjetojmë të njëjtën aventurë shpirtërore, si dhe poeti, para se t’i hidhte gjendjet dhe impresionet e tij në letër.

Në tetë librat e tij me poezi, Ferra vizaton me dorë të lirë peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, nga libri në libër, me një pasuri tronditëse trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse. Nëse në librin e parë “Duke kapërcyer shekullin” poeti rreket të integrojë preokupimet e tij dhe të brezit që përfaqëson në raport me kombëtaren dhe globalen, tek “Dielli i vështirë” ka më shumë përvoja vetjake që përthyhen e ridimensionohen në fiksacionin poetik. “Nata e vdekjes së dytë” e thërret poetin në një udhëtim vertikal në kohë-hapësirën e ëndrrës së kulluar”, ndërkohë që tek “Ëndrra e bregut tjetër”, “peisazhi i fshehur”, me të cilin operon poeti bëhet më i tejdukshëm dhe figuracioni më kompleks.  Në dy vëllimet e mëvonshme  “Nata pa agim” dhe “Flautet e dimrit”, rrathët e gjakimit poetik shkojnë drejt shtrirjeve të reja, kadencat dhe ritmet poetike bëhen me kumbues, mesazhet më të fortë, dhe të gjitha këto elementë tentojnë ta çojnë kumtin poetik drejt përmasave universale.

Tek “Pellgje dielli”, “uni” i gërshetuar me moderentetin në struktura poetike postmoderniste, përcjell imazhe të qashtëra, ku përthyhen konturet vezulluese të kredos së poetit.   Këto “pellgje dielli” ku zhytet fiksacioni i tij poetik ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, krojet e fëmijërisë që “kullojnë gjak e hi”, “zambakët e perëndmit”, “qiellin e fluturave” në “litarin e shekujve”, “duart e fshehura të qiellit” në “sidinë e heshtjes”, “shigjetën e vijës së bardhë” që “zhduket nga sytë e dritës”.        Në gjezdisjet e tij tutje –tëhu nëpër botë, Ferra vështron tek metropolet gjigande të Perëndimit, si bie fjala në Milano, jo strukturat arkitektonike dhe vizatimet në kohë të qytetërimit, me metrotë, bankat, kafenetë luksoze dhe madhështëinë e institucioneve, por hiret e femrave të bukura që vetëflirtojnë nëpërmjet xhamave të reklamave të dyqaneve me veshje femërore, teksa “… zemrat ndiejnë ofshe  e prekje/ syve të ndezura të shtratit/zbrazin çmimet/xhepin e fshehur të dashurisë…”. (Vëllimi poetik “Pellgje dielli”, Poezia “Metropol” fq 22).

Aktin e shenjtë të krijimit, që kur njeriu nis të shkruajë për herë të parë dhe gjithë atë proces të gjatë e të vështirë dhimbjeje e drite të lindjes, teksa e shoqëron poetin në rrugën e tij, Ferra i paraqet me aq finesë dhe elegancë në triptikun poetik “Vajza e Parnasit”, “Zana” dhe “Muza”, ku “germat e ndara t’qerpikëve/ yjet e syve çojnë/degë më degë të qiellit/n’kopështin e mendjes së Hyut”. (Poezia “Muza” fq. 25).

Tek poezia “Çamiko” (kështu e quajnë grekët vallen e njohur çame të Osman Takës), autori me një lirizëm rrënqethës, ku përzihen nota epike dhe dramatike, na jep fuqinë shndërruese të artit të vërtetë, atë triumf shpirtëror që i buronte trimit çam jo vetëm nga fuqia e idealit kombëtar, por dhe nga eleganca dhe virtuoziteti i të hedhurit valle. Magjia e valltarit, që bën kërcimin e fundit të jetës së tij, e shtang të bijën e “komandantit të mordit”, siç e quan poeti ekzekutorin, duke e detyruar t’i lutet të atit, që t’i falë jetën të dënuarit me varje.

Ferra është poet i kërkimit të magjijimeve, me të cilat ka hasur në shtigjet e kohës dhe përvojës, në endjet e tij vetmitare si lëvizje fizike, si percetim, si kujtesë, si fiksim, si arkeologji e trajtave arkitipale të etnisë së tij. Ai është një bard i jehonave të mitit shqiptar, të cilin e integron në epokën globale, duke i zhvendosur protagonistët e eopsit ilirian, Mujin, Halilin, Tridhetë Agët, protagonistët e Jutbinës, me orët e malit, zanat dhe ornamentet e një bote të qashtër, në kohën tonë, në etnitetin ballkanik, evropian, në metroplet ku poeti lyp muzën e tij. Në hullinjtë e Eposit të Kreshnikëve dhe sivëllezërve të tij, Ferra gjen përkime transhendetale me psikologjinë e sjelljes dhe veprimit bashkëkohor, një transhendencë polivalente, që i jep dorë për të sendërtuar projeksionet e tij poetike: ”Lëshuar krahët zhurma/deri në thellësi të shekujve/trokamën e Jutbinës bjen/gërryen në trokun/ e Mujit e të Tridhet Agëve/ shtrirë si gumenë/ për të rrëmbyer Evrenenë e bukur/miken e Halilit/deri këtu në kufijt e Tartarisë/ku vajzat si drita/mbushin sheshet e trotuaret/me yjet e qiellit t’Dakisë”.  (Poezia “Yjet e Dakisë”, fq.10).

Kulmin e këtij kërkimi marramendës, duket se Ferra e arrin në vëllimin e tij më të fundit ”Katër shekuj para Krishtit””, ku në lirizmin e hollë reflketiv mpleksen elementët më të mirë të traditës dhe modernitetit, thellësitë e kërkimeve dhe zbulesave tronditëse, që na joshin të bëhemi pjesë e mesazheve dhe nënteksteve të tij. Në poezitë e kësaj përmbledhje vihet re ritheksimi i prirjes së kahershme të poetit, thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, që vijnë nga “kohë premordiale”, siç mund të thoshte Jung-u. Poeti e rizbulon botën që e rethon nëpërmjet ëndrrës së kulluar dhe mitologjisë, duke u vendosur me vetëdije pranë rrjedhës më të mirë të poezisë moderniste e postmoderniste shqipe.

Nëse do të kërkonim një fjalë kyçe për të përshkruar diskursin e Ferik Ferrës, veçanërisht në përmbledhjen e tij të fundit me poezi, “Katër shekuj para Krishtit”, ku duket se ka një tendencë të përshkallëzimit të ngjyrimeve dhe situatave poetike, ndoshta, fjala më e gjetur do të ishte fjala “thellësi”, si një cilësi e tekstit dhe nënteksit, e asaj bote të vizatuar me aq sharm, që duket sikur buron –nëse përdorim një shprehje të Jungut- nga pavedtëija kolektive e shekujve. Ajo që konstaton Borges-i për thellësinë, si një cilësi e errët dhe njëherësh e ndritshme e gjërave, do t’i shkonte ndoshta aq për shtat Ferik Ferrës, endjeve të tij drejt të pamundurës, në mirazhet në dukje më të çatrafilluara poetike. Themi në dukje, pasi në të vërtetë, kjo endje është më se e vetëdijshme, është një kërkim në formë mozaiku i poetit në vetë shpirtin e mitit dhe të historisë së kombit të tij.

Ferra e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të panjohur, duke sjellë hieroglife dhe shenja të tjera të lashta të botës shqiptare, si mundësi potenciale të shtegtimit vijues të imazhit premordial. Ky imazh, herë si figurë poetike, herë si vizatim i një gjendjeje preludi, që gjithmonë ka një fillim të nënkuptuar, aty ku mbaron ëndrra, rrok në hapësirën e vet një botë idilike, pagane, parakristiane, kristiane, moderne dhe globale, në pikëkalimet e kohëve dhe të mesazheve që vijnë prej tyre, drejt një shtegëtimi që shkon kah pafundësia.

Udhëtimi i poetit në kohë nis në trevat malësore të Veriut, në këto vise ku thagma etnike ka lënë gjurmë të dallueshme, duke tipizuar me elementë mbijetese gjithë pjesën tjetër të botës së lashtë dhe të re shqiptare. Si shprehje sublime e një realiteti përndritës dhe rrëzëllyes, poezia e Ferrës e sjell këtë pamje të thyer në kohë-hapësirën etnike, me një thjeshtësi dhe natyrshmëri tronditëse, pa klithma retorike, si një dimension të brendshëm të vetë këngës së tij.

“Hënën mbështetur në ballë/ deri poshtë thonjëve pashi i flokut/futur në gështenjën e malit ngjyra/ku derdh qumështin e lëkurës/Bukuroshja e Durrësit/mëndafshin e përgëdheljeve të jerëmta”, thotë poeti në poezinë që pagëzon librin “Katër shekuj para Krishtit”, duke evokuar preludin e bukurisë së amëshuar, që nis qysh nga kohë paramitologjike dhe udhëton pafundësisht drejt kohësh të panjohura.

Poezia e Ferrës është një endje në tezgjahun e ndjesive të epërme, metafizike, një kërkim arkitipal në kujtesën e gjërave, në atë “Kuti Pandore”, që ai e hap pak e nga pak, pas çdo poezie, për të na pëcjellë figura, trajta strukturore dhe imazhe befasuese. Freskia dhe sponaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla dhe fine, ambivalenca e figurës dhe imazhit, kontrapunti etj., janë vetëm disa nga pamje të ajzbergut poetik të Ferrës.

Trekohësia si element strukturor, konceptual dhe funksional i ndërtimit të ligjerimit poetik, i jep dorë poetit për të zbuluar, siç mund të thoshte Borges, “kujtesën e fjetur të botës”. Është kjo kujtesë, qoftë si përvojë jetësore, qoftë si imazh, si kronikë apo si histori, shpesh herë e mbetur si rudiment në pavetëdijen poetike, që e motivon poetin në udhëtimin e tij trandenshent, duke ia përmbushur kënaqësinë e “flirtit” me vetveten dhe gjërat që e rrethojnë. Përveç të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes që gjallojnë në të njëjtën pikë në kurbën e trajektores së tij poetike, ai vë në lëvizje dhe një kohë të katërt, kohën e ëndrrës së kulluar, me anë të projeksioneve të fiksacionit poetik.

Ky vizion konturon një dimension real të botës shqiptare, atë shtrirje hapësinore të pamatë, atë udhëtim historiografik që as rrjedha e kohës, as kumtet e epokës së globalitetit, nuk e kanë zhbërë dot nga ndjesia e epërme e percetimit të Ferrës, i cili shikon në këtë vektor të harruar të vetëdijes së kombit të tij, iluzionet që marrin krahë dhe bëhen flamuj dëshirimi në qiellin e paskaj të ëndërrimit.

Leximi i parë i Ferik Ferrës është një lexim “gjeografik”, nëse mund ta quajmë kështu, ku poeti shpalos bredhjet e tij fizkike dhe mentale. Por, siç e thamë më sipër, peizazhet e tij janë latente, ndaj duhen dekodifikuar. Dhe autori na fton ta gjejmë “pasuordin”, mjafton të jemi të vëmendshëm dhe t’i shkojmë pas në gjezdisjen e tij poetike.

Leximi i dytë është leximi  nëntekstual, duke parë prapa gjendjeve poetike, imazheve dhe figurave mbi të cilat ata ndërtohen nga poeti, për të zbuluar atë shije të epërme shijimi, që na ofron një poezi kontemporane, me rrënjë të forta në truallin e shqipeve.

Leximi i tretë është leximi reflektiv, i cili është leximi i kritikut dhe studiuesit, për të depërtuar në skutat më të fshehta të pavetdijes poetike të poetit, duke nxjerrë në dritë shtysat dhe rrjedhojat e artit poetik elitar të  Ferrës.

Lirika “imazhiniste” e Ferrës është një lirikë e bukurisë së virgjër, e madhështisë së natyrës shqiptare, e përkimeve magjike të kulturës shpirtërore ballkanike, një blatim që një shpirt i ndjeshëm, kumbues si një harpë hyjnore, i bën tokës së tij. Ajo është një lirikë e ndjerë dhe fine, e ndërtuar me një gjuhë të pasur, me figura befasuese, me një përkushtim të epërm ndaj ritmeve, rimave të brendshme e kadencave poetike, lirikë e një muzikaliteti tronditës.

 

Bronxi i kurbave të diellta

Poezi nga Ferik Ferra

 

 

Syri këputi mollën

 

Syri këputi mollën

në degën e parajsës.

Nën qerpikët e syve të Helenës

dhjetë vjet gjak e helm

mejdanëve të Trojës,

dredhi e shkrum deri në kthim.

Shtjellën e ernave të Ferrit

Paolo e Françeska përqafuar

përjetësisht përdredhin.

Qielli shtyn duart

për të rrëmbyer shpirtin e Ofelisë,

ishullin e vogël të luleve,

sipër valëve të lumit.

Një nënë në tokë,

gazi i buzëve të fëmijës, syni,

në gjirin e saj të fryrë qumështi,

ku pupilat e shekujve

ndritin rrjedhën.

Tiranë, 5 prill 2008

 

 

Gjuhë flakësh

 

Gjuhë flakësh

flakë në fundin e thesit të natës,

lëpijnë gjuhët siluetën bionde,

çantën mbi kompasin e fildishtë të kofshëve,

minifundi, abazhuri, varuar në bel,

ku fshihet flaka e dytë e natës,

trëndafilin në petalet e thonjve

e plagën e shegës së buzëve

që presin

mbi rrafshin anë rrugës.

Pranë

murana e një kohe të shkuar

fsheh një të dytën e hijes së tutorit,

mbi kokrrat e syve mbërthyer

kosën e rrezeve të hënës,

duke përgjuar padurimin e nisjes

të makinës së dytë,

për të lënë tek e fshehura në muranë

kartmonedhat e buta të dashurisë

në duart e nxira të natës.

Tiranë, 18 maj 2008

 

 

 

Nudo

 

Në punishten hyjnore

mjeshtri i jep dorën e fundit nudos,

butë, rrezet mbi sedefin e lëkurës,

qiell, pupilat në mozaikët e syve,

qershi, tuli i perlave që fshihen,

mëndafsh, valëzim floriri deri poshtë belit,

ku lodrojnë format e fryra të kurmit

e lidhin pulpat peshën e dashurisë.

Duke shtyrë lehtë brrylat e hapsirës

engjëjt

hapin dyert e studios hyjnore,

për të hyrë

daltat e penelat e shekujve të poezisë.

Tiranë, 10 qershor 2008

 

 

Petkun e Evës

 

Petkun e Evës

ngjeshin kurmet

e nimfave të plazhit,

bronxi i kurbave të diellta

gufmon dashuri.

Sy që hyjnë nën çadra

për t’u gdhirë në shezlone nimfash,

ëndrrat për “atë”

ngatërrojnë njëra tjetrën.

Çerdhe thurur me degët e erosit

ku çvishen ngjyrat e ylberit,

ngushtojnë duart

shtatin e Venerës,

ngatrrojë radhën

për ta nisur

edhe një herë nga e para.

Dhërmi, 8 shtator 2008

 

 

Këmbët e orëve të vogla

 

Këmbët e orëve të vogla

rëndojnë pushin e rrezeve të hënës

thërmuar në hapat e asfaltit.

Pafta yjesh

ngulur në këpucët e natës

ecin mbi kokën time,

hapësirave qiellore

e mbushin me prekje zbraztësinë.

Anëve të rrugës

me dryj e shula

dyer e qepena mbyllur,

ëndrrat e gjumit të tretë

në këputje meteorësh.

Hapur

vetëm dyqani i funeralit

“Parajsa” shpk,

ku vezullojnë zgavra arkivolesh

veshur me sfungjer e mëndafsh,

për ta ndierë më të butë vdekjen.

Kurora letre të ngrira trëndafilash

rreth tavolinës së nëpunësit të turnit,

me qafën e këputur

mbi pëllëmbën e gjumit,

që pret të përcjell

klientin e fundit.

Tiranë, 25 nëntor 2008

 

 

 

Ave Maria

 

Qielli humbi pjergullat e bardha

brymë rrezesh

mureve,

degëve,

rrugëve.

Sytë thyejnë kurbën e djelltë,

fragmentin e rrugës së përjetshme.

Fluturime të tejdukshme engjujsh

midis zërave të Ave Marisë.

Në krahun tjetër të qiellit

ka dy mijë vjet

që ka lindur Krishti.

Milano, 25 dhjetor 2008

 

 

Sograta

 

Plumbi i orëve të ditës

kullon kurbave ovale të Sogratës,

brumin e kafes

gërryer deri në mahnitje,

jetën e legjendës së përjetshme

të çdo shpirti.

Rrugëve përmes gurit e qiellit,

harqet e tokave të nxehta

e ylberë ngjyrash

të mozaikëve të thyer,

karvanit që nuk i prin vdekja

në hapësirat e gjeniut.

Barcelonë, 28 dhjetor 2008

 

Nina nana

 

Nina nana djepin t’përkund hana

rrezja e dritës mbi pallate e tbana,

jepi, o mal, hua petkun e borës,

jepi, o gji, ngadalë prekjen e dorës,

jepi, o diell, buzëqeshjen tande n’maja,

jepi, o lule, ngjyrë e erë ndër vllaja,

jepi, o zanë, çurkimin e bylbylit,

jepi, o qiell, në sy bishtin e yllit,

jepi, o pyll, të plotë shtatin e lisit,

jepi mendjen t’kthjellët si ujë burimi,

jepi nusen t’veshun n’petka florini,

jepi zemrën t’bardhë si shkuma e valës.

Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës,

Tiranë, 28 shkurt 2009



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora