Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Festohet 5 vjetori i Pavarësisë

| E premte, 22.02.2013, 09:27 PM |


Gazeta e mirënjohur "Illyria" dhe Diaspora festuan me madhështi 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Nga Keze Kozeta Zylo

Në kryeqytetin e botës në Manhattan qindra shqiptarë, përfaqësues organizatash dhe të ftuar amerikanë me të drejtën legjitime u mblodhën të gëzuar për të festuar 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Ishte një e dielë e bukur, një ditë pushimi ku njerëzit grupe grupe përqafoheshin dhe takoheshin duke i uruar njeri tjetrit: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës!

Në hyrje të sallës iu uronin mirëseardhjen pjesëmarrësve z.Vehbi Bajrami i cili është botues i gazetës "Illyria" djali i tij Roni dhe bashkëshortja e tij fisnike Gena e cila ka qenë ndër organizatoret e aksionit vullnetar për të ndihmuar familjet e masakruara në Recak, Abri dhe Tërnicë.

Mbrëmjen e ka moderuar plot kulturë z.Sulejman Gashi.  Ai tha se ndihej i privilegjuar që të prezatonte këtë mbrëmje kushtuar pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ne sot do të nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën, të gjithë ata që janë midis nesh.  Ne duhet të kujtojmë se Liria erdhi me gjak, guxim dhe krenari...

Kur unë shkova në Kosovë pas dy muajsh që ishte çliruar, duke parë shtëpinë e prindërve që ishte djegur, eca në rrugën Prishtinë-Pejë në Qershor 1999, ndalova në fshatin Llapushnik dhe numërova 17 çati shtëpish që po rindërtoheshin dhe mbi to valëvitej flamuri kuq e zi.  Duke i parë thashë me vete: kjo është Liri.  Shumë herë ne jemi mbledhur në Nju Jork, Bronx, Nju Xhersi, Conektikat, Miçigan, Dallas, Boston dhe shumë herë në Washington DC të protestonim kundër diskriminimit dhe persekutimit të dy milionë shqiptarëve në Kosovë.

Z.Gashi vazhdoi se sot do të kujtoj dhe letrën që Presidenti Obama ka përshëndetur pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dërguar udhëheqësve të Kosovës nga shefi i diplomacisë amerikane z.John Kerry.  Shteti amerikan do të vazhdojë të suportojë pavarësinë e Kosovës dhe ne do të mbetemi partner dhe miq.

Z.Gashi ftoi të gjithë pjesëmarrësit të çoheshin në këmbë pasi do të interpretoheshin tre hymnet: amerikan, i Kosovës dhe  i Shqipërisë.

Hymni amerikan u interpretua mjeshtërisht nga sopranoja e shquar znj.Lindita Mezini Lole.  Ndersa Hymni shqiptar u interpretua me profesionalizëm nga këngëtari i mirënjohur z. John Krasniqi.

Mbrëmjen e ka bekuar Dom Pjeter Popaj famullitar i Kishës "Zonja e Shkodrës".

Moderatori i mbrëmjes ka prezantuar z.Vehbi Bajrami botuesin e gazetës

shqiptaro amerikane "Illyria" një nga anëtarët më të vjetër të stafit të gazetës krijuar qysh në vitin 1991.  Z.Bajrami ka qenë drejtor i shërbimit shqiptar në Zërin e Amerikës dhe nje anëtar aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe autor i librit shumë voluminoz: "Shqiptarët e Amerikës".

Z.Bajrami iu uroi gjithë pjesëmarrësve Gëzuar Pavarësinë dhe vleresoi punën e madhe të Diasporës dhe të Amerikës si dhe gjithë personaliteteve të shquara që kishin ardhur në këtë mbremje dhe kanë dhënë kontribut për Lirinë e Kosovës.

Pas përshëndetjes nga botuesi i gazetës "Illyria" u shfaq një dokumentar i shkurtër ku nderoheshin nje sërë personalitetesh të cilët nuk ndodheshin midis nesh, por ata sakrifikuan dhe kanë dhënë një kontribut të vyer për çështjen e Kosovës.

U dhanë momente të ndryshme nga lufta për çlirimin e Kosovës, të UÇK-së, të presidentit Rugova, kontributi i presidentëve të Amerikës, senatorëve, kongresistëve etj... Dokumentari është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me gazetën "Illyria" me regjisor  z.Andamion Murataj i cili ka fituar Ariun e argjendtë për filmin "Falja e Gjakut" në festivalin internacional në Berlin.  Teksti i dokumentarit është shkruar nga z.Ruben Avxhiu njëherazi dhe editor i gazetës "Illyria" dhe lexuar nga aktori i shquar James Biberi.  Gjatë shfaqjes filmi u mirëprit disa herë nga duartrokitjet e fuqishme të publikut.

Pas dokumentarit kanë përshëndetur Pavaresinë e Kosovës Ambasadori i Republikës së Kosoves z.Akan Ismaili, Kongresisti z.Eliot Engel i cili ka qenë vazhdimisht avokati i shqiptarëve dhe po vazhdon të luftojë për të drejtat e tyre në Shtepinë e Bardhë.  Kanë përshëndetur gjithashtu përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Shqiperise në Kombet e Bashkuara z.Ferit Hoxha i cili ka sjellë zërin e shqiptarëve në mbrojtje të të drejtave të tyre në Kombet e Bashkuara.

Në këtë mbrëmje nderuan me përshëndetjet e tyre z.Mark Gjonaj, shqiptari i parë që fitoi vendin në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut dhe që do të luftojë vazhdimisht dhe për çështjen shqiptare.  Ai tha se sot Kosova është e pavarur ngase u bënë sakrifica të jashtëzakonshme, si dhe të gjithe ju që jeni mbledhur sot meritoni duartrokitje se jam i sigurtë që keni ndihmuar në kauzën e Kosovës.

Në këtë mbrëmje u nderua edhe ish ambasadori William Walker i cili kryesoi misionin ndërkombëtar verifikues për armëpushim dhe njëkohësisht sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për masakrat e policisë serbe.

Kanë përshëndetur dhe z.Ken Biberaj, i cili është kandidat për në Këshillin e Nju Jorkut.  Z.Biberaj vjen nga një familje patriotësh ndaj e përçon atë me dashuri tek bashkatdhetarët. Ai ndërmjet të tjerash tha se vetëm Amerika si shteti më demokratik në botë të bën të realizosh ëndrrat.

Në këtë mbrëmje ishte i ftuar një mik special z.Kreshnik Spahiu i cili kishte udhëtuar nga Shqipëria për të festuar 5 vjetorin e Pavarësisë.  Z.Spahiu është kryetari i Partisë "Aleanca kuq e zi".  Ai tha se duhet t'ju jemi mirënjohës Gandit të shqiptarëve Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së.  Ai përshëndeti gjithë të pranishmit dhe tha se lindja e Kosovës nuk fillon 5 vjet më parë, as para 100 vjetësh kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por fillon qysh me Skënderbeun.  Shqipëria nuk ka ngjyrë rozë, as blu por ka ngjyrën e flamurit kuq e zi.   Me respekt dhe nderim të thellë foli znj. Yehudit Barskyme me origjinë hebre e cila tha se tani jemi më të lidhur me Shqipërinë, me njeri tjetrin dhe historinë e saj.  Ju jemi mirënjohës për çfarë keni bërë për hebrenjtë që u masakruan nga Hitleri, ndërsa ju i strehuat dhe i mbajtët në shtëpitë tuaja...

Me shumë emocion u mirëprit dhe fjala e prof.David Philips, studjues dhe ish diplomat.  Prof.Phillips ka kohë që merret me çështjen shqiptare dhe ka ndihmuar mjaft për shumë probleme.  Ai kishte sjellë me vehte dhe vajzën e tij Maja, i cili e kishte edukuar me dashurinë për Kosovën, dhe njëkohësisht përçonte mesazhin tek ajo se çdo të thotë për fëmijët amerikanë që jetojnë dhe edukohen në Amerikë, ndërsa shumë fëmijë në botë dhunohen nga mungesa e Lirisë...

 

Gjakun e tre djemve të mi ja kam bërë hallall popullit shqiptar!

 

E veçanta e kësaj mbrëmje ishte se nderoi mjaft personalitete të shquara që nuk jetojnë më, trima te UÇK-së që morën armët në dorë për të luftuar bishën serbe etj... Kështu në podium drejtuesi i mbrëmjes z.Gashi ka thirrur z.Bytyqi babain e tre djemve, Agron, Mehmet, Ylli Bytyqi të cilët dhanë jetën për Çlirimin e Kosovës.  Fjala e tij u prit me ovacione të fuqishme kur ai përmendi se gjakun e tre djemve të mi ja kam falur popullit shqiptar.  Mes lotëve dhe duartrokitjeve ai vazhdoi se tre djem më ranë për Liri, tre të tjerë më mbetën dhe tre lindën më vonë...

Ai përshëndeti të gjithë luftetarët e Kosovës që derdhën gjakun për Lirinë e saj dhe nuk iu  trembën hordhive serbe.  Nga shpirti i tij dilnin fjalët plot mirënjohje për gazetën "Illyria" e cila u bë një zë i fuqishëm për Kosovën dhe një përçuese e denjë e vlerave të Kombit shqiptar.

Në emër të familjes Egriu ka përshëndetur z.Emin Egriu kryetar i organizatës PUSh.  Vëllai i tij Naxhi Egriu është një martir i Lirisë së Kosovës.  Z.Egriu foli me emocion dhe në kokën e tij vendosi kapelen e babait duke përcjellë mesazhin e të atit të tij nga njeri brez në tjetrin për ta dashur Shqipërinë, për të luftuar për të kurdoherë kur të lypet nevoja...Pas kapeles së babait vuri kapelen e UÇK-së së vellait të tij Naxhit i cili luftoi deri në fund të jetës dhe i ruante ato si gjërat më të shtrenjta të jetës së tij.  Ata vinë nga një familje dibrane plot tradita dhe kulturë.

Më vonë në podium u ngjit shkrimtari i shquar z.Naum Prifti i cili përshëndeti në emër të familjes për vëllain e tij prof. Peter Prifti i cili u përkujtua me nderime në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës.  Pasi ka falënderuar me mirënjohje të pakufishme gazetën e dashur të shqiptarëve "Illyria" Z.Naum tha se vëllai i tij kishte shkruajtur për Kosovën që nga viti 1968 dhe deri me 1999 për 30 vjet rresht.  Të gjitha materialet i mblodhi në anglisht dhe u botuan në Columbia "University" ku sensibilizoi mjaft akademikë dhe rrethe shkencore.  Ai kujtoi me nderim dhe prof. Safete Jukën, prof.Sami Repishtin, prof.Arshi Pipën per të cilët kishte nderim të veçantë për kontributin e tyre aq të vyer në çështjen e Kosovës.

Ne skenë kanë përshëndetur z.Rexh Xhakli për Pavaresinë e Kosovës i cili së bashku me bashkëshorten e tij Dr.Shpresa Xhakli kanë kontribut për Kosovën.

Moderatori i mbrëmjes ka falënderuar aktivisten e mirënjohur të Komunitetit znj.Dardanesha Andoni të bijën e eruditit prof. Ahmet Gashit i cili si rrallëkush punoi dhe iu mësoi fëmijëve gjuhën e ëmbël shqipe.  Me shumë respekt foli për Martin Camaj vëllai i Pashko Camës që kanë qenë aktivist për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Mbrëmja u bë dhe më e bukur nga artistët e mirënjohur znj.Lindita Mezini Lole, z.Arben Krasniqi dhe z.John Krasniqi, zonjusha Hadërgjonaj që shoqëroheshin nën tingujt e muzikës nga orkestra "Alba" që drejtohet plot kulturë nga z.Edmond Xhani.

TV Alba Life së shpejti do të transmetojë në kanalet televizive mbrëmjen madhështore që u organizua nga gazeta "Illyria" për 5 vjetorin e Pavarësisë, si dhe intervistat me kongresistin Eliot Engel, ambasadorin Rajerson, Dom Pjeter Popaj, z.Ferit Hoxha, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Kreshnik Spahiu, prof.David Phillips, Andamion Murataj, Mulosmanaj, Lindita Mezini Lole, dr.Gjon Bucaj, Harry Bajraktari, Ekrem Bardha etj...

17 shkurt, 2013 - Manhattan, New York