E premte, 19.04.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: Dita ime

E premte, 22.02.2013, 10:11 PM


DRITA LUSHI

 

 

DITA IME

 

Tungjatjeta dita ime!

Zgjuar  prita,

të përshëndesja,

minutin tënd të bardhë,

orën tënde të parë,

akrepat e tu,

që dyshues lëvizin përballë meje,

e si  shtojzovalle përrallash, më shohin bebëza-zmadhuar,

kur unë lehtas u  them:

Ndalni!

Ku shkoni ju maratonomakë të vegjël?

Zbritni nga kuajt e kohës,

e ndaloni orët!

 

Tungjatjeta Dita ime.

Ndali pra akrepat e tu!

Pusho pak,

por dashuri me mua, bëj pa pushuar.

Më fal bardhësinë tënde,

te të fal erëdashurinë time.

Largoje çarçafin e natës  tutje,

e mos i fshih hiret e tua, nga retë ziliqare.

 

Tungjatjeta dita ime!

Ne prehrin tënd, shoh më mirë,

dëgjoj e gëzoj më bukur,

shoh dhe dashuroj më shumë.

Thuamë  pra dita ime,

që më do, sa të dua ,

që të jap, ç’ka më jep

që s’do të ndahesh nga unë!

 

Tungjatjeta dita ime!

Ti, mund  të jetosh,

edhe pa natën,që të ndjek pa t’u ndarë

tash’ e milona vjet, qysh kur Eva e Adami,

kafshuan  mollën e ndaluar.

Falmi orët e tua,

e mund ti shndërroj në  ëndërra,

edhe pa qenë mbrëmje.

Ti, dita ime e bardhë,

antonim i errësirës që vërtitet si çikllop,

me heshtën  zjarrskuqur në syrin e tij të vetëm,

e né,

orët na gllabëron me gjumin-vdekës,

falmu mua o ditë!

Gjithshka mund të  bëj, orëve-tua të ndritëshme!

 

Tungjatjeta dita ime!

U rritsh, pa u plakur kurrë!

Tu ngjatë JETA, pra!

 

22 shkurt 2013

 

 

KUR THYHET HESHTJA

 

Ti më thua : "Grise heshtjen",

e unë me perqafime

vërshoj mbi ty, furishëm si një lumë,

me puthje të zhurmëshme

mbuloj kurmin tënd lehtas

e kokën mbështes në sheshin

e gjoksit tend qetesisht.

 

E atëherë, me drithërima përshpërimash,

të përsheris lehtë në vesh:

Kështu, i dashur, kështu

di ta gris heshtjen unë

duke më dashur ti pa fjalë ,

e unë me përqafime akoma më shumë.

 

Tetor 2012

 

 

PER MIKUN TIM

 

Je paqja, e ditëve

të mia kryengritëse

qetësia e orëve

të zhurmëshme,

besimi im,

kur në lisharse dyshimesh

përkundem pa dashje

Je gëzimi qe dua,

në ditët,

kur trishtimi m’kaplon,

me ty, gjej veten, kur “uni”

më degdis

labirintheve pa krye,

Simbiozë për njëri-tjetrin

Të lidhur pazgjidhshmërisht

me fije eterike shpirtrash.

 

Vere 2012

 

 

NDONJËHERË

 

Ndonjëherë,

më pëlqen,

të luaj me Ty,

  humb,

a të fshihem

ngjyrës,

tëndit  sy.

Në frymën tënde,

strukem,

kur më kërkon,

djers’ e jotja bëhem,

sa herë që,

meraku  t’mundon.

 

Pasi  lodhur  të jesh

nga dëshpërimi

e mbi shpresën e mekur,

ulur të rrije trishtimi,

unë, si një lule do çel,

nga ngjyr’e syrit  tënd

nga bulëzdjersa jote

gjelbërisht do rritem

e Ty, të  bëj vend.

 

Para teje,

krejt ëngjell bëhem,

ëngjëll -e pafaj,

“loja përfundoi”,

-te përshpëris,

e dorën,

të zgjas Ty paqësisht

 

E Ti, “i nxehur”nga mundimi,

hakmerresh ndaj meje, ” egërsisht”,

i qeshur, m’ përqafon fort,

fort,-lumturisht.

 

Më pëlqen,

  luaj  ndonjëherë

të humb,

e pastaj ,

papritur

të të shfaqem pas,

e ti zë-dridhur

  më thuash:

Ah ti,

ti - e “prapë!”

 

Fundjanar 2013



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora