E enjte, 21.11.2019, 02:16 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Luigj Gurakuqi dhe “të harruarit” e tjerë!

E merkure, 20.02.2013, 06:00 PM


Luigj Gurakuqi dhe “të harruarit” e tjerë!

Nga Elvi Sidheri

E di të nderuar miq lexues, që do thoni ndoshta...:”Po ça i ra menia ktij me shkrujt prapë për 100 vjetorin”?...-por nuk më vjen t’i ndahem kësaj teme, sepse edhe argumentet që ende më lidhin me të janë të shumta dhe kërkojnë shpjegim!

100 vjetori i pavarësisë së vendit tonë shqiptar, ishte një super-rast, në të cilin duhej nderuar e respektuar tradita, ekzistenca e mbi të gjitha ato qënie vigane, që nëpër shekuj e kanë shoqëruar e transportuar në rrjedhën e gjakut të tyre, jetën e rracës tonë shqiptare.

Por veç muajit të fundit të vitit kremtues, pra ngushtësisht në fazën tetor-nëntor të vjetshëm, 11 muajt e tjerë të cilët mund dhe duhej të qenë mbushur plot e përplot me dekorime, përkujtimore, monumente, shfaqje e analiza shkencore, në të vërtetë ato u lanë për turp të Zotit, totalisht të zbrazur nga çdo lloj evenimenti.

150 vjetori i bashkimit të Italisë, që qëlloi në 2011-ën, zgjati më shumë se një vit kalendarik për nga volumi i evenimeteve që shteti italian i kushtoi kësaj ngjarjeje gjerësisht.

Dhe kujtoj këtu që italianët as i ka pushtuar turku e as u ka rënë në qafë historia dhe fqinjët e pushtuesit më barbarë të mundshëm siç na ka ndodhur neve shqiptarëve për më shumë se 2000 vite me rradhë.

Italianët janë pasues të romakëve, por të përzierë mirë me gjithëçfarëlloj pushtuesi apo populli shtegtues që ka kaluar përmbi gadishullin apenin.

Kjo ka bërë që ai vend të jetë ende dhe të ishte më parë, dukshëm i fragmentarizuar në rajone e shtetuce të vogla në luftë mes tyre e të shitshëm tek çdo fuqi e huaj, francezë, spanjollë e austriakë në fund.

Pra me këtë kërcim jashtë teme desha të them, që italianët, të cilët unë dhe ne nga Shqipëria, për arsye të forta i njohim mirë, nuk kanë hequr picirrën nga pushtuesit, por sërish ata 150 vjetorin e bashkimit të shtetit të tyre (jo çlirimit, pasi Piemonte, Sardenja e ca shtetthe të tjera italiane ishin të pavarura dhe u bashkuan me Napolin, Siçilinë, Lombardinë etj)...e festuan me gjithë pompozitetin e imagjinueshëm!

Ç’ndodhi tek ne, e dimë të gjithë shumë mirë, sepse o ishim vetë aty, o në televizion e kemi parë të gjithë ç’u bë e ç’u tha në ato ditë festimesh.

Unë kam fatin që kohën moniste, t’a kem jetuar në skaje, pra t’i kem bërë bisht natyralisht epokës më të errët të shtetit modern shqiptar.

Kjo ngaqë kam lindur vonë, jo për shkaqe të tjera.

Por ky fakt kalendarik, nuk më bën të injoroj një mori kafshërish që solli apo rrënjosi në trutë dhe në mendësinë prapanike të shumë shqiptarëve ai regjim barbar.

Një nga to ishte pikërisht etiketimi si “armiq të popullit” dhe figura 100% negative, i atyre personave që kishin qenë antagonistë të vijës politike, apo që thjeshtë nuk i pëlqenin atij regjimi.

Bardh e Zi, në një mënyrë thellësisht shqiptare, i shihte gjërat ai regjim...(asgjë kundër tifozëve Juventinë nuk kam, të më falin).

Ajo që më lë të habitur, me gojë hapur fare, është që akoma sot, 23 vite pasi ai regjim i urryer na la shëndenë dhe kaloi në imazhet më të errëta të historisë shqiptare, sërish m’u desh që festimet e pavarësisë së vendit tim, t’i shikoja nëpërmjet syve “bardheziues” të atyre që i kishin organizuar.

Po ç’bëhet kështu o aman?

Akoma tek armiqtë e popullit e të partisë kemi mbetur?

Partizanë e ballistë do ngelemi gjithmonë neve shqiptarët?

Sepse vizioni 100 vjetoras i mijëvjeçarit të ri, që na u paraqit gjatë ditës së shenjtë të 28 nëntorit e në udhën drejt saj, ishte pikërisht ky i shtrembëruari që po përmend.

Kjo është diçka që ka lidhje të thellë me karakterin tonë si shqiptarë, këtë unë normal që e kuptoj lehtë, por ky karakter i shqiptarit, ka dëshmuar në të tjera raste, që di edhe të evoluojë e t’i përshtatet konditave të reja e kohës që ka ecur.

Ndryshe nuk do kishim nja 2 milionë e ca shqiptarë emigrantë (Shqipërie+Kosove+Maqedonie etj)...të cilët në shumicë i janë përshtatur më së miri jo vetëm jetesës në Perëndim, por edhe mënyrës së të menduarit dhe rregullave e DEMOKRACISË që funksionon në pjesën e qytetëruar të botës.

Keni dëgjuar ju o popull që Abraham Lincoln-in, presidentin e vullnetshëm e të paepur të SHBA-së, t’a kontestojë kush politkisht e aq më pak historikisht, për shkak të qënies së tij djathtas në politikë, apo të përkatësisë së tij republikane??????

Dhe për më tepër që një gomarllëk i tillë me brirë, të quhej më i rëndësishëm se lufta e madhe dhe e papreçedenttë që ai drejtoi kundër prapambetjes feudale, agrare dhe skllaviste në jugun tradicionalist të vendit të tij!

Luftë dhe forcë karakteri e largpamësi politike që atë e goditën në zemër dhe ia ndërprenë jetën parakohe, por që figurën e tij ia dhuruan përfundimisht historisë amerikane dhe asaj botërore.

E njëjta gjë do të kishte qenë po qe se dikush në Amerikë do “guxonte” t’i dilte sadopak kundër edhe figurës së ndritur të presidentit legjendar Franklin D.Roosevelt, atij që fitoi mbi krizën e madhe ekonomike të viteve 30-të të shekullit të kaluar dhe që më pas gjatë plot katër mandateve presidenciale, besimin e palëkundur të popullit të tij e përdori për t’ia kërcitur turinjve Hitlerit dhe Gjermanisë naziste e Japonisë perandorake.

Askush nuk ka shkitur ndonjëherë aq shumë nga mendja sa t’a luftojë këtë supernjeri, për shkak të qënies së tij si përfaqësues i së majtës amerikane, pra i demokratëve.

Kaq se është e qartë që çdo shembull tjetër do ishte tejet i tepërt për t’a ilustruar këtë ide timen.

Stalini është përgjegjës për vrasjen e miliona shtetasve sovjetikë, por edhe sot, qoftë dhe rusi më i djathtë e nacionalist, e respekton figurën e tij, për ndeshjen titanike dhe vetmohuese me nazistët dhe Hitlerin, të cilët kur i pa t’i afroheshin Moskës me avancimin e shpejtë të “Blitz Krieg” të tyre...citohet të ketë thënë se:”Do të ketë festë në rrugët tona”...dhe siç dihet ashtu edhe ndodhi kur rusët ngadhënjyen mbi murtajën naziste që po përvëlonte Europën dhe hynë më pas fitues në Berlin e Rajshtagun nazist.

Unë si njeri me prirje të djathta, kam mendimin tim aspak të mirë për Stalinin apo Leninin dhe gjëmën komuniste që ata shpërndanë anembanë botës, veçanërisht në Shqipërinë tonë, por kjo s’më bën të idiotësohem në atë pikë, sa të mos ia njoh meritat gjeorgjianit në krye të ish-BRSS-së për rezistencën dhe fitoren e tij mbi të çmendurin-kriminel të Rajhut të Tretë nazist.

Por ky arsyetim, na çon sërish paevitueshmërisht tek burimi e këtij shkrimi.

Pra tek të harruarit e shumtë “ekselentë” të 28 nëntorit 100 vjetoras.

Sa të shumtë janë ata o Zot!

Është një listë e pafundme të harruarish, pa ose ME QËLLIM, aq e madhe sa do më zinte gjithë këtë shkrim po të nisja t’i përmendja një për një.

Por edhe pse unë nuk po e bëj këtë, sërish edhe përkundër dëshirës dhe “trendit” të sotëm armiqësor ndaj tyre, emri dhe vepra e tyre është dhe do të mbetet aq mbikohore sa ata vendin në panteonin e historisë shqiptare e kanë të siguruar...duan apo s’duan ata që qëllimisht i harruan.

Unë sot e kam gjetur më të udhës të fokusohem vetëm tek njëra prej këtyre figurave, e cila më ka bërë përshtypje prej kohësh.

E ky njeri është Luigj Gurakuqi!

Emri i tij, besoj unë, në nën-ndërgjegjen e secilit shqiptar të mirfilltë, ndez shkëndija të forta atdhetarizmi, patriotizmi dhe këtë njeri e ndërlidh përfytyrimi ynë pazgjidhshmërisht me të qënit shqiptar, me pavarësinë dhe bërjen e Shqipërisë, me Kongresin e Manastirit, me Normalen e Elbasanit e me vrasjen e tij me tradhëti në Bari të Italisë, aty ku Shqipëria e tij e shtrenjtë ndihet afër e ku ai dha jetën në mënyrën tipike shqiptare të eliminimit të figurave tona më të mëdhaja nacionale.

Them nacionale sepse “komb” e paça gabim, por thonë që Branko Merxhani dora vetë, ka thënë njëherë se kjo fjalë, mund të vijë nga arabishtja “kavm”...më tepër s’kam ç’të flas, sepse ata rilindas që flakën si lecka të qelbura, ”izmat” (turqizma të shumta, arabizma, sllavizma e pse jo dhe shumë neo-latinizma të panevojshme)...jashtë gjuhës shqipe, një arsye dhe qëllim e kishin e unë s’bëj gjë tjetër veçse ndjek shembullin e tyre të ndritur.

Pra njerëz, unë leksione për jetën dhe veprën e Luigjit nuk kam përse të jap, sepse kush nuk e njeh e nuk e di çfarë ka bërë e dhënë për shqiptarët e Shqipërinë ky njeri, atëherë i bie që ky dikush nuk njeh as edhe pak vetë historinë e vendit dhe popullit të vet!

Besoj se prej filmit të mrekullueshëm “Nëntori i Dytë”, të gjithë e kemi parasysh të interpretuar mjeshtërisht figurën e tij madhore, aty krah plakut të Vlorës, Ismailit të cilit me të drejtë thoshin se “prapa i vinte historia”, një histori shqiptare ku hynte me plot meritë dhe të cilën e kishte bërë me punën dhe mundin e vet edhe Luigj Gurakuqi.

Ajo që pas rënies së tij me tradhëti në tokë të huaj, shkroi hyjnisht Noli për të, del e tepron për të ilustruar sot e kurdoherë këtë figurë të mrekullueshme të shqiptarizmës, këtë rilindas të vonë....:

Nënë moj mbaj zi për vllanë,

Me tre plumba na i ranë,

Na e vran’ e na e shanë,

Na i thanë trathëtor.

 

Se të deshte kur s’të deshnin,

Se të qeshte kur s’të qeshnin,

Se të veshte kur të çveshnin,

Nëno moj të ra dëshmor.

 

Nëno moj, vajto, merr malin,

Larot t’a përmbysnë djalin

Që me Ismail Qemalin

Ngriti flamur trimëror.

 

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë

Ku të dha liri, kurorë,

Shpirt i bardhë si dëborë;

Ti s’i dhe as varr për hor.

 

Nëno moj, ç’është përpjekur,

Gojë mjalt’ e zëmër hekur,

Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,

Ky Vigan Liberator.

 

.....Tani kërkoj përunjësisht të falur që pas këtyre vargjeve të shkruara dhjetëravjeçarë më parë nga Noli pas rënies së Luigjit, të vazhdoj të flas unë, por do t’a bëj, sepse siç e tregon koha dhe faktet, ne shqiptarët memorie historike s’kemi kurrë e prandaj biem pafundësisht në të njëtjat gabime përherë.

Sepse përndryshe unë sot s’do rrija këtu të shtrydhja trutë e të flisja sërish për një injorim publik që këtij njeriu dhe atyre që si ai e bënë Shqipërinë jo vetëm shtet nga asgjëja, por u përpoqën me mish e me shpirt që asaj t’i jepnin edhe një sistem vlerash e një pamje e mendësi EUROPIANE, por të cilët si dhe Luigji u luftuan e për fat të keq luftohen akoma pashpirtësisht, pikërisht nga reminishencat obskurantiste, anti-europiane e mendjengushta plot parime moniste, që ende qarkullojnë në vendin tonë.

Të them unë që Luigji ishte erudit i pashoq, njeri i pashëm, me shije, tejet i kulturuar, me mentalitet e sjellje prej fisniku të vërtetë, këtë edhe mund t’a dini.

Trim e i arsyeshëm sipas miqve e bashkëkohësve të tij, por edhe njeri që dinte kur t’a thoshte fjalën e vet kur qe nevoja.

“Trimi i mirë me shokë shumë”- thonë dhe Luigji, ky njeri i ditur e filo-perëndimor i lindur, miqtë dimë t’i ketë patur të shumtë.

“VEÇ NJË QËLLIM I NALTË, TË BAN ME DURU E ZEMRËN T’A FORCON, NDËR KUNDËRSHTINA S’VYN KURR M’U LIGSHTU, MJERI AI QË NUK DURON”...e ky ishte edhe lajtmotivi i jetës së tij!

Lajtmotiv që çoi përpara zjarrin e zemrave shqiptare, djalërine e flaktë të asaj kohe, që çau rrethimin turko-sllavo-helen, që dërrmoi HaxhiQamilët e shumtë shqiptarë dhe që e bëri Shqipërinë shtet e i dha asaj institucione e eksperiencën e parë të vërtetë demokratike të historisë së saj.

Por ky kapacitet i pakufijshëm intelekti e ky shpirt shqiptar, u vra pabesisht atëherë në vitin e largët 1925-ë.

Ai iku nga kjo botë shpesh e pabesë me këta njerëz të rrallë, ashtu siç ndodhi dhe me viganë të tjerë si Avni Rustemi e Bajram Curri.

Nuk jam këtu fare për të gjykuar Ahmet Zogun, mbretin që e bëri kohën e vet, përgjithësisht mirë në këndvështrimin tim modest.

E vrau Luigjin i afërmi i tij Stambolla (parenti-serpenti, thonë italianët, pra të afërm gjarpërinj), apo Ceno Kryeziu që vret edhe Bajram Currin, apo ishte ajo dora e gjatë e mbretit?

S’ka ç’më duhet!

Historia gjykon më mirë se unë që në të kundërt të modës së fundit shumë të përhapur në mediat shqiptare, nuk rri të pështyj sentenca apo pretenca dënuese!

Zogu me çfarë di unë edhe po të ketë qenë përgjegjës për këto eliminime makabre të rivalëve të tij për pushtet, sidoqoftë përveçse ndërtoi aparaturën shtetërore të parë shqiptare, bankën, monedhën, pasaportat, politikën e jashtme, na drejtoi qartësisht drejt perëndimit, na largoi nga lidhjet dhe detyrimet ndaj fqinjëve dhe na lidhi me europianët më të afërt për ne, pra italianët, laicizoi fenë, dha shuma marramendëse e mbështetje shtetërore (të mësojnë qeveritarët e sotshëm që këtë komunitet religjioz shqiptar e shohin si armik a së paku si të njerkës)...për krijimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për vendosjen në Tiranë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve etj, por ai edhe siç dimë mbështeti Faik Konicën dhe ndihmoi në ditë të vështira edhe vetë Fan Stilian Nolin në Amerikë.

Zogu pra, pa qenë unë fare monarkist, është një figurë gjithë dritë-hije, por aspak Bardhë e Zi!

E të tillë janë gjithë liderët, trimat e rilindasit shqiptarë, me shumë pak përjashtime, si Enver Hoxha e shpura e tij vrasëse.

Por Luigji ishte vetëm BARDHË sidoqoftë, siç e kishte shpirtin dhe siç e donte të ardhmen e vendit e popullit të vet.

Noli mund të ketë gabuar në marrjen me dhunë të pushtetit legjitim të Zogut, ashtu edhe Bajram Curri që i shkoi pas e drejtoi trupat në terren.

Por kjo gjë nuk i bën ata kurrësesi armiq.

Sepse Noli mbetet një nga njerëzit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar.

Njeri që siç thonë burimet zyrtare helene, ishte një nga humbjet e tyre më të mëdha në histori!

Njeri që iu përkushtua e jetoi për çështjen shqiptare, që përktheu Shakespear-in mjeshtërisht në Shqip, që ishte prift, peshkop e politikan njëkohësisht, por që gjithçka e bënte si shqiptar mbi të gjitha.

E aq më pak të ketë qenë armik Bajram Curri, një i harruar tjetër paturpësisht në këtë 100 vjetor!

Po kur s’e duan fare plakun e maleve, të rënin me tradhëti në Dragobi, njeriun që luftoi me turq, serbë e këdo për vendin e njerëzit e tij...

...Bashkëpuntorin e Azem Galicës e Nolit, njeriun e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, përhapësin e shkollave shqipe në Kosovë, mikun e bashkëluftëtarin e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e Idriz Seferit!

Qëkur na u shpall armik edhe ky njeri, se akoma s’kam arritur t’a kuptoj dot?

Se kështu po i përjashtojnë, si me stil këta njerëz nga historia jonë shqiptare, të cilën me jetët e veprat e tyre ata vetë e kanë bërë!

Kur s’e duan fare, të guxojnë t’ia heqin emrin e tij qytetit që ashtu ka nderin të quhet!

Apo është pak si shumë ajo gjë edhe për këta që me zell e kanë nisur këtë zhbërje të historisë tonë, gjithmonë nën devizën “bardhë e zi”, ky 100% i mirë e ky tjetri 100% i keq se s’i ka pasur punët mirë me këtë të sipërpërmendurin.

E çfarë ka ndryshuar nga koha e Partisë atëherë?

Edhe aty, historia moderne niste me partizanët trima dhe tërë të tjerët ishin vetëm pulangrënës që kishin bashkëpunuar me okupatorin.

Tani unë që i kam pasur gjyshërit të dy partizanë, s’kam sesi të kem gjë kundër partizanëve, që shumica në mal dolën sepse vendi u pushtua!

Italianët me ne shqiptarët janë shumë të afërt, kemi lidhje të vjetra, që nga Mesapët ilirë të Puljas, tek shekujt e sundimit romak në Iliri e tek prezenca e gjatë e venedikasve në bregdetin shqiptar.

Ua njohim shumë mirë gjuhën e ngjajmë në tradita, por në 1939-ën ata në Shqipëri nuk erdhën si miq, por si pushtues.

Prandaj populli në shumicë si të tillë i pa dhe i luftoi.

Por edhe pala nacionaliste, legalistë e ballistë, kishin arsyet e tyre të drejta, që të shihnin vëngër drejtimin që Partia Komuniste e themeluar me direktivë të Titos nga Popoviçi e Mugosha, po merrte mbi luftën.

Secila palë kishte të drejtën e saj pra.

Puna u qelb kur komunistët fituan luftën ndaj okupatorit dhe nisën vëllavrasjen me shqiptarët.

Në këtë periudhë për shëmbull, spikati edhe një figurë tjetër, mik familje me Luigj Gurakuqin, i quajtur Riza Dani.

Njeri poliedrik, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Shkodër në vitin e trazuar nga sulmi malazez 1913-ë.

Shok i Hil Mosit e Hasan Prishtinës, Mati Logorecit, Hoxhë Kadrisë e Ndoc Çobës, i cili punoi palodhur në mbështetje të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe që më pas ishte ndër deputetët shkodranë në parlamentin e parë shqiptar së bashku me Gjergj Fishtën etj.

Figurë e një madhështie të rrallë që kreu dhe funksionin e Prefektit të Durrësit gjatë qeverisë së Nolit po ashtu.

Me kthimin e Zogut, detyrohet të largohet nga Shqipëria, por më parë në shtëpinë e tij kishte ardhur lajmi i kobshëm e vrasjes së Bajram Currit e më pas në duart e tij vdes Vigani Liberator e miku i tij Luigj Gurakuqi në dalje të bar Cavour në Bari.

Rivjen në mëmëdhe pas pushtimit italian dhe vihet në krye të Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës për shkak të staturës tepër të lartë dhe të respektuar të tij në qytetin e vet dhe pas lufte zgjidhet deputet në Asamblenë Kushtetuese të dominuar nga komunistët.

Aty ka burrërinë që t’u përvishet me argumenta e të kundërshtojë drejtpërdrejtë në sallë vetë Enver Hoxhën e Koçi Xoxen dhe mban ballëlartë një fjalim të gjatë pasionant ku bën dallimin e qartë mes luftës nacional çlirimatare dhe karakterit të sforcuar ideologjik që asaj po përpiqeshin që me detyrim t’i jepnin drejtuesit komunistë pas përfundimit të saj.

Menjëherë vihet në rreth si armik, shpejt atij dhe deputetëve të tjerë që sfiduan pa frikën më të vogël dhe me forcën e idealit të tyre demokratik shqiptar regjimin kriminal që po instalohej në vend, u hiqet dhe mandati i deputetit.

Në maj të vitit 1947, me vendim të firmosur ndër të tjera nga vetë diktatori i mëpasshëm Hoxha e bashkëpuntorët e tij në krim, ai dhe shumë deputetë intelektualë të tjerë dënohen me vdekje!

Mjafton që të shkoni në Muzeun Kombëtar në Tiranë, tek seksioni i Gjenocidit Komunist dhe do të gjeni të dhënat për këta deputetë që ngritën krye brenda në parlamentin e parë të pasluftës kundër regjimit, duke përbërë kështu opozitën e parë politike parlamentare të asaj epoke.

Bashkë me Riza Danin, e pësuan dhe koka të inteligjencës shqiptare si Riza Alizoti, Selaudin Toto, Shefqet Beja etj.

I pushkatuan si shumë të tjerë më pas, tek Mali me Gropa në rrethinat e Tiranës.

Por ai gjest e ai akt i pashembullt sfide në zemrën e regjimit që ata bënë, mbeti përjetë në histori si grushti i parë ndaj atij sistemi, si çjerrja e parë që atij iu shkaktua nga ata burra të vërtetë.

Historia e Shqipërisë dhe trojeve tona, përbëhet nga njerëz të thjeshtë e burra e gra shteti, njerëz shpesh me kapacitete intelektuale më shumë se të admirueshme, të cilët edhe kur ndoshta kanë gabuar, sidoqoftë atyre u kujtohet e mira dhe sakrifica që kanë bërë për këtë tokë!

Ata nuk lihen në harresë e mbi ta nuk hidhet qëllimisht baltë, pikërisht në raste unike siç ishte 100 vjetori i shtetit modern shqiptar, kur më shumë se kurrë nevojitej të kujtohej figura dhe vepra e këtyre njerëzve që Shqipërisë i dhanë gjithçka, jetën, gjakun, pasurinë, inteligjencën, diturinë, gabimet e triumfet e tyre!

Gjithçka këta njerëz si Luigji, Bajrami, Rizai, Faiku, Noli etj, e bënë vetëm dhe vetëm për Shqipërinë!

Është pak të thuash turp, që kjo Shqipëri ata nuk i nderon, njëherë në 100 vite të paktën!

Por ngrenë me zgjedhje vetëm një prej tyre (mbretin Zog pra, për të cilin siç thashë, e përsëris sërish respektin për shumëçka lidhet me rolin e tij në historinë e vendit tim, duke futur këtu edhe shkëmbimin e Shën Naumit me rajonin shqiptar të Vermoshit dhe nja 7 km të fituara nga Shqipëria pranë rrugës Pogradec-Korçë)...dhe këtë e bëjnë jo se për mbretin u plas fort, por sepse me anë të figurës së tij, godasin e fshikullojnë kë të duan, duke i bërë të gjithë armiq.

23 vite pas monizmit, do më kishte pëlqyer të kishin kaluar këto gjëra, po neve shqiptarët duam kohë t’i harrojmë ca tradita të këqija...e ajo e mosmirënjohjes ndaj figurave tona historike, është padyshim njëra prej tyre.

E vërteta është që si për Luigjin apo Bajram Currin e Nolin, s’u fol as njëherë të vetme edhe për Faik Konicën, Kristo Dakon (njeriu të cilit i njihet merita e madhe që Korça bën ende pjesë në Shqipëri), motrat Qirjazi, Çerçiz e Bajo Topullin e shumë të tjerë.

Mic Sokoli, Selam Musai e Vojo Kushi, janë të tre burra që i kanë dalë para topit të armikut dy të parët e tankut të pushtuesit italian tjetri.

Po përse edhe ata t’i ndajmë?

Ishin gjë armiq Selam Labi e Vojo Kushi?

A nuk i doli Selam Musai topit italian përpara në Luftën e Vlorës njëlloj si Mic Sokoli dikur?

A nuk e vuri ai si mijëra vullnetarë nga tërë Shqipëria e si lebërit  e tjerë, gunën mbi telat e pushtuesit për t’i hedhur në det më pas italianët përfundimisht?

Po Vojo Kushi, nuk i kërceu sipër tankut fashist për t’a shpërthyer e për t’u vetëflijuar më këtë gjest heroik?

Atëherë, pse Selamin dhe Vojon s’e çau kush t’i përmendte?

Pse ushqehen këto ndasi, tani s’na mjafton populli, por edhe heronjtë do na i përçajnë?

Ndoshta fola shumë, ndoshta thashë shumë pak, por për mua të gjithë janë shembuj e heronj, këta që përmenda e shumë të tjerë, ndaj i artë qoftë kujtimi i tyre e përjetë u prehshin të gjithë në altarin e shqiptarizmës, sepse atje këto “përça e sundo” të botës sonë, nuk do t’i arrijnë dot kurrë!



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT