E premte, 29.03.2024, 01:15 AM (GMT)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Prekja e atdheut

E hene, 18.02.2013, 06:48 PM


PREKJA E ATDHEUT ME  SHPIRT MËRGIMTARI

Sokol Demaku: “NA ISHTE NJË KOHË”, udhëpërshkrime, ngjarje dhe tradita,botoi Revista “Dituria”, Boras- Suedi, 2012

NGA XHELADIN MJEKU

Kur takon vetë mërgimtarin ndien një kënaqësi në këmbim bisedash; çmallje  për sa kohë të rastis të qëndrosh në shoqërim me të dhe kthen ndonjë kujtim edhe për periudhat e kaluara deri edhe në fëmijërinë e ikur, me lojërat, gëzimet, shqetësimet, etj. që mund të kujtohen në ato çaste. Të takosh një vepër  dëshmish, vlerash dhe synimesh për  ardhmërinë nga jeta në mërgim, atëherë krijohet një ndjenjë krejt tjetër nga ajo e takimit fizik me autorin dhe mikun. Këtë vlerësim e them që në fillim të leximit të librit “Na ishte një kohë” të Sokol Demakut, për faktin se aty takojmë një botë në origjinalin e saj të përjetuar nga vetë autori dhe personazhet e tjerë që parakalojnë nga tema në tjetrën apo nga ngjarje e situata të paraqitura këtu.

Informacioni si dëshmi e pakontestueshme e vlerave

Në librin “Na ishte një kohë”, Sokol Demaku sjell në formën e shkrimeve kronologjike të ngjarjeve kulturore, arsimore, bashkëveprimtarive mes institucioneve arsimore, etj. duke lënë gjurmë në kohë me dëshmitë që sjell nga vendi i ngjarjes, që herë vijnë si reportazhe nga terreni, herë si informacione aktuale që në libër mbesin dëshmi e fortë për lexuesin aktual dhe për brezat që do ta takojnë këtë materje të përqëndruar brenda kopertinave të kësaj përmbledhje  artikujsh e shkrimesh të ndryshme që jetojnë në kohë. Këtu takojmë shkrime që për nga natyra e shtjellimit i përafrohen edhe tregimeve artistike me personazhe dhe elemente të realiteteve të përjetuara.

Derisa në shkrimet për vizitat e ndërsjella në shkolla e lokalitete historike, kulturore e arsimore, të shkruara në formë reportazhesh dhe informacionesh të bollshme për ndodhitë, në disa prej shkrimeve si: “Statuja e Skenderbeut qëndron krenare, në Boras të Suedisë”, “Fëmijët shqiptarë, nga Borasi, në botën e Astrid Lindgren-Vimmerby”, “Babadimri kosovar”, në Boras të Suedisë”, “Babadimri, prej Kosove” e ndonjë tjetër, që me një freski artistike u rrijnë krah tregimeve që përjetohen dhe kujtohen gjatë nga lexuesi, sidomos ai i moshave të reja, që në bankat shkollore kanë pasur obligim të takojnë libra me tematikë nga ngjarje të këtilla, e sidomos përshkrimi i bukur i vendlindjes së shkrimtares Astrid Lindgren, e cila jo vetëm për fëmijët e Suedisë, por për gjithë fëmijët e botës solli në jetën letrare “Pipi Çorapgjatën” e dashur dhe të paharruar, pastaj “Emilin”, “Karsoni në kulm” e shumë tjerë, që janë më pak të njohura për lexuesin, por që përbëjnë një opus të gjërë të krijimtarisë së saj. “Arbëresha e vogël, e cila shkon në klasën e dytë, thotë se është e lumtur që iu dha mundësia ta vizitojë shtëpinë e “Pipit”. Ajo shprehet: “Unë kam dëgjuar, kam lexuar, kam kënduar për “Pipin”. Por sot e takova atë vetë, në Vimmerby”, (fq. 44).

Edhe shumë aktivitete tjera që zhvillohen atje, e që kanë për qëllim njohjen me vlerat kombëtare në frymën e kulturës, muzikës, të etnografisë, të përurimit të veprave të ndryshme, e shumë tjera, autori i paraqet ashtu si u janë prezantuar bashkëkombasëve në aktivitete të organizara veçantë për këto qëllime. Veçojmë disa nga këto shkrime, si: “Flamuri i Ardit, një histori e jetës”, “Paraqitja e bukurisë shqiptare, përmes veshjeve kombëtare”, “Etnokultura dhe  zakonet e veshjeve kombëtare”, “Pritje vëllazërore, në Boras të Suedisë për “Bubulinon” dhe krijuesin e tij”,Kosova sprovë e ndërgjegjës mjekësore”, etj. Nga aktivitetet e etnitetit shqiptar atje takojmë edhe shkrime për sukseset e njerëzve, të institucioneve, të shoqatave kulturore, e të ngjashme, ku shkrimet e kësaj natyre na bëjnë të kuptojmë se atje vërtetë punohet e krijohet me përkushtim në çdo pore të jetës e kulturës sonë. Të këtilla janë shkrimet: “Në qytetin Boras të Suedisë, u festua 3- vjetori i formimit të Qendrës kulturore shqiptare “Migjeni”, “Na ishte një kohë...”, “Edhe shqiptari mund dhe di të bëjë punë të mëdha”, “Femra shqiptare di dhe mund të bëjë mrekullira në jetë”, e të tjera shkrime, që mbeten të vlerësohen nga vetë lexuesi.

Itinerari i pelegrinazhit nëpër atdhe

Që në fillim të kësaj përmbledhje shkrimesh nga jeta dhe veprimtaria e nduarnduarshme e të emigraurve nga trojet shqiptare takohemi me një shkrim shumë të këndshëm dhe mbresëlënës nga pena e shquar e Prof. Dr. Murat Gecajt, publicist e studiues shumëvjeçar, që titullohet “Me sy dhe zemër në vendlindje...” A nuk flet mjaft ky titull kaq simbolik dhe gjithëpërfshirës për këto veprimtari të bashkëvendësve tanë, për dashurinë dhe mallin e pashuar për njerëzit e tyre dhe atdheun e dashur, që e mbajnë të lidhur fort shpirtërisht çdokund që jetojnë e veprojnë? Edhe shkrimtari Viron Kona nuk kursen fjalë e shprehje miradie nga mbresat e leximit të këtij libri, për të falënderuar pafundësisht edhe për mikpritjen dhe respektin që i është bërë atij dhe veprës së tij letrare “Bubulinos”. Nga kjo kuptojmë sheshazi se edhepse larg vendlindjes, atje ruhet dhe kultivohet me xhelozi vlera kombëtare kulturore dhe tradicionale, e integruar në jetën bashkëkohore, si në lëmin e arsimit, të kulturës, të traditave, etj.

Të rëndësisë së veçantë janë shkrimet që për tematikë kanë vizitat e shumta në vende të shumta në trojet shqiptare, si në: Shqipëri, Kosovë, në institucione të arsimit e kulturës, në vende historike, etj. Një itinerar i këtij pelegrinazhi nëpër vise të ndryshme të atdheut, ku çmallja dhe takimet e shumta me njerëz të afërt e dashamirës të shumë, me të cilët këmbejnë biseda përmes formave të ndryshme kontaktuese, si përmes rrugëve elektronike, përmes vizitave e këmbimeve të informacioneve të rëndësishme për qështje që e preokupojnë komunitetin shqiptar në mërgim, për miqësitë e shumta që sa vijnë e shtohen me kontakte të shumta vizitash, etj. “Kthimi në vendlindje, një moment i veçantë në jetën e çdo kurbetçari”, “Perla e Adriatikut dhe Jonit, janë thesarë të çmueshëm të shtetit shqiptar”,  “Radio që foli shqip për herë të parë , më 28 nëntor të vitit 1938”, “Udha e shkronjave” –për në Durrës të Shqipërisë, nga Borasi i Suedisë”,  etj. janë disa nga shkrimet e kësaj tematike, që pasqyrojnë vlerat dhe aktivitetet e nduarnduarta në relacionet e ndërsjella të miqësive dhe bashkëpunimeve që nga fillimet e veprimtarive të klubeve e shoqatave në Suedi.

Dy fjalë përmbyllëse

Në mbyllje të këtyre pak fjalëve nga leximi i këtij libri konsideroj se edhe përkundër largësive të mëdha nga atdheu, lidhja shpirtërore është fuqi magnetike që absorbon nektarin e pafund të virtyteve dhe vlerave të dëshmuara shekullore nga trevat shqiptare, duke e gërshetuar me jetën që zhvillojnë në mërgim dhe e gjithë kjo sjell një ngritje vlerash për t’ua trasuar rrugën brezave, duke u mundësuar që të mbajnë lidhjet shpirtërore me trungun familjar, me atdheun dhe gjithëçka tjetër që është në interesin dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar.

Sokol Demaku me imagjinatën prej krijuesi të kujdesshëm i jep vlerën librit duke sjellur me pedantëri shkrime të shumta, ku spikat tema e atdhedashurisë, e prekur me mallin e mërgimtarit, ku pasqyron dashurinë e pafund për atdheun e tij të largët, ku evokon kujtime nga Suedia – vendqëndrimi i tij i përkohshëm, prej nga vazhdon të jeton dhe zhvillon aktivitete të shumta arsimore, kulturore dhe letrare.

Vetë titulli “Na ishte një kohë” si simbolikë sjell kujtesën nga e kaluara dhe evokon ngjarje e situata nga vende e aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe vizitat e ndërsjella të personaliteteve shoqërore dhe kulturore nga  Suedia dhe shtetet  shqiptare, bashkëveprimtaritë e ndërsjella të shkollave dhe këmbimi i përvojave të arsimit, njohja e vlerave  kulturore dhe tradita e popujve.

Asgjë më shumë, se ju lumtë për punën, guximin, dashurinë dhe përkushtimin që bëni për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave dhe mirëqenjes kombëtare. Suksese!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora