Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Nebih Bunjaku - ''Testamenti i Lotit''

| E diele, 17.02.2013, 10:36 PM |


TESTAMENTIN E LOTIT NUK E TRESIN SHEKUJT

Mendime pas leximit të vëllimit poetik “Testamenti i Lotit “ i poetit Nebih Bunjaku

NGA PËLLUMB GORICA

Testamenti i lotit është i përjetshëm. Testamenti që buron nga loti është shumë i rëndë ,sepse mbart me vete peshën e dhëmbjes dhe gëzimit.  Njeriu nxjerr lot sepse është njeri dhe këto lot burojnë nga ndjesi shpirtërore të lindura, nga gëzimet e mëdha, nga dhembjet e mëdha. Njeriu, prandaj është në këtë botë që t’i përjetojë me dinjitet e me shpresë perëndie të dyja, edhe fitoret, edhe humbjet. Vëllimi poetik “Testamenti i Lotit “ i poetit Nebih Bunjaku, është i ngjizur me pika loti, sythe gëzimi të lumtur, gjemb hidhërimi i ngjarjeve dhe dhembjeve tragjike, fryt i zemrës dhe i mendjes, si bazë rrënjë plot pulsim i një të ardhmjeje plot hapësira.

Poeti, duke dashur të depërtojë në çdo qelizë të jetës dhe të rrokë esencën e gjëravë me të domosdoshme, e ndan vëllimin e tij “Testamenti i Lotit” në katër kapitujt me tituj metaforikë që të mbeten në mendje e nuk shkulen lehtë, si Testament i i Lotit, Vula e shpirtit, Në ishullin e mallit dhe Stina e harrimit. Motiv kryesor, është qëndresa e një populli të lidhur ngushtë me tokën dhe historinë, me diellin dhe shiun, djersën dhe gjakun, përmes një dashurie të sinqertë e përherë të ndezur që përtërin brezat. Dhe,sipas poetit, testament i lotit përshkruan breznitë, duke vulosur gjithçka me një shpirt që herë përvëlon me zjarrin e dëshirave, herë pikon nostalgji në ishullin e mallit dhe pastaj ngjizet me ndjenjësi njerzore që të përjetohet pa e njohur kurrë stinën e harrimit. “Në ritualin e Pritjes/Testament i lotit/Lëbyrur nga dielli/Lagur nga shiu”.(Poezia “Testamnti i lotit”) shkruan me një sintezë të fuqishme poeti dhe ashtu thjeshtë e natyrshëm ke kuptuar se simboli diell dhe shiu përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta, botën e gëzimit dhe botën e vuajtjeve.

Ekzistenca e kombit dhe psikologjia e tij është e lidhur me gjuhën dhe traditën, me legjendën dhe luftën, me tërësinë tokësore, duke përfshirë edhe Kosovën edhe Çamërinë, gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë të cilët i bashkon një ideal, u rrjedh i njëjti gjak në damarë dhe u kumbon ndjenja e fuqishme e lirisë. Ndaj poeti shkruan: “Lot i shpirtit Çamëri/Lumë i dëbuar nga shtrati/Kush t’i ngatërroi ëndrrat/Djalli a lugati”. (Poezia “Lot i shpirtit Çamëri”)

Qëndresa e shqiptarit për poetin është edhe rezistenca ndaj rrebesheve të kohës, por edhe ruajtje e shpirtit dhe kulturës, gjuhës dhe zakoneve, dhe këto ai i portretizon nëpërmjet ngjarjeve historike që mbajnë themelet e kombit tonë, nëpërmjet përkushtimit qytetar të heronjve, idealistëve, poetëve e artistëve. Këtë qëndresë poeti e simbolizon me “lisat që puthin hapsirat dhe shtrijnë rrënjët gjer në det”. Ndaj ai shkruan me vargje që burojnë nga zemra e rrezatojnë jo vetëm dhëmbje, por edhe respekt e kulturë si për heronjtë e Lidhjes së Prizrenit, Bekim Fehmiun, Ali Podrimjen, etj. “Ura e shenjtë u përkul për Ty/S’rrodhi ujë por Lot Ali”.(Poezia “Rrugës pa kthim”, Ali Podrimjes).

Më bukur se poeti nuk e thotë askush tjetër botën e vrarë të emigrantit, që kanë fatin e keq të zvarriten udhëve të huaja. Në poezinë “Emigrant” me katër vargje plot sintezë e metaforë, poeti përshkruan takimin e dy botëve në një zemër të përvëluar për liri, një mendjë të etur për ëndrra që të tjertët i ndrydhën pa mëshirë: “Valixhja e vjetër me ëndrra plot/Dhëmbja e botës emigrant/Në zemër gjak në sy lot/Varrin bosh shpirtin vakant”. (Poezia“Emigrant”).

Për poetin Nebih Bunjaku, që njeriu të sfidojë udhët e vështira të jetës e dallgët e viteve, nuk mjafton vetëm trupi e mendja, por duhet edhe një botë e pasur shpirtërore, një zemër e madhe që të lindë vetëm dashuri e mirëkuptim, duhet deti i ndjenjave që të lindë këngën e durojë dhëmbjen me dinjitet. Dhe duke nënkuptuar se baza e të gjitha përtëritjeve dhe e qëndresës është dashuria, poeti një cikël të bukur ia kushton kësaj ndjenje të thellë njerëzore.Duke e konsideruar dashurinë si ndjenjë fisnike që buron forcë e shpërthen romantikë, dhe si domosdoshmëri për ripërtëritjen e jetës, poeti shkruan: “Ç’të bëj unë pa ty/Si toka pa qiell/Si qielli pa yje/Si dita pa diell”. (Poezia  “Ç’të bëj unë pa ty”. Dashurinë poeti e ngre deri në lartësi qiellore dhe e konsideron nënën e çdo mësimi: “Nëna e çdo mësimi/Është veç dashuria/Akademia e jetës/Dhe vetë Perëndia”. (Poezia “Akademia e jetës”). Jeta i ka dhe i pranon të gjitha, por edhe për njeriun që ka marrë misionin ta ndërtojë dhe ta dojë jetën, duhet t'i pranojë ashtu siç janë të gjitha, edhe të qeshurën, edhe vajin, edhe dashurinë, edhe hidhërimin, edhe lumturinë, edhe dhëmbjen... Dhe, në ndërthurjen e tyre merr kuptim ajo: “U martova me dhëmbjen/Më të trishtën në botë/Lulen e rinisë/Ma kalbi me lot”.(Poezia “Martesë me dhimbjen”)

Në fund të librit “Testamenti i Lotit “ i poetit Nebih Bunjaku, të duket vetja sikur ke dalë nga një udhëtim i bukur, dhe pastaj je ulur të pushosh nën hijen e një lisi të moçëm, që nuk plaket kurrë dhe aty nis e mediton për peripecitë e jetës, bën seleksionim të atyre që të duhen dhe s’të duhen dhe bilanci të del gjithmonë pozitiv. Kjo jetë ia vlen të jetohet, sepse, siç shkruan poeti: “Ne nuk jemi të humbur /Jemi në themelet e Lirisë”.