Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tre libra për fëmijë nga Nehat Jahiu

| E diele, 17.02.2013, 11:02 AM |


NJOFTIM!

Të nderuar lexues ju njoftojmë se dolën nga shtypi tre libra me poezi për fëmijë nga autori Nehat Jahiu.

1.         “ Rreze në dritare”

2.         “ Në krahët e fluturës”

3.         “ Hëna u bë nuse”

Botues eshte  SH “ Furkan ISM”, Shkup

 

PASTHËNIE

Dinamizmi krijues si pjesë e interko­muni­kimit e të shtjellimit të formave paradoksale. Perceptimi, ndjeshmëria apo format e alterni­mit të detajizuar dhe imagjinuar në shtatëm­bëdhjetë veprat e tij, dosido konsiston se poeti Nehat Jahiu është peng i fjalës dhe i vargut i transponimit të narracionit sistematik. Ai re­flek­ton edhe aksidentalizëm poetik vërshues. E them këtë për arsye se poeti ka bërë një volum krijues episodik të larmishëm të vargut herë lirik, epik dhe satirik. Vibracionet drithëruse i gjen sa tek poezia për të rritur edhe tek ajo për fëmijë.

Ndonëse poeti edhe për njërën plejadë lexuesish edhe për tjetrën e ruan varësinë me­tri­ke të ndërlidhur me ritëm dhe rimë. Natyrisht nuk e funksionalizon shumë herme­ti­zmin poetik. Është konkret dhe i drejtpërdrejtë. Ndonjëherë satira e tij vjen në proporcion me teket e dhembjet, mllefin që ngritin tension atakues mes atyre dukurive që ngulfatet kjo shoqëri e jona. Kjo dallohet tek poezitë për të rritur. Poeti vrojton e shtjellon në formën e tij artistike krijuese gjithë atë që ka të bëjë me njeriun në radhë të parë me pengesa evidente për vetë atë.

Ambienti edukativ mbi të cilin krijohet edhe poezia.

Deri sa lexoja përmbledhjen poetike të poetit Nehat Jahiu, gjykova një të vërtetë të pamohuar, imponuese në vetvete, pikërëndesë në ndërgjegje. Ndonëse shihet se filozofia ko­mu­­nikuese mes poetit dhe lexuesit nuk garojnë për fuqinë e peshës poetike të letrari­zuar me terma hiperbolik, por gjëra që shihen nga ambienti real. Pa ndonjë sintezë të ndërlikuar tekstuale. Megjithatë poeti vjen me këtë tufë vargjesh poetike për më të vegjlit, cicërimat harpëruse të jetës, për t’i vënë në lëvizje kah e ardhmja, prosperusja, shpresa të fshehura në petalet e jetës të cilat sinjalizojnë orbitën e rrezatimi shoqëror.

Duke qenë edhe vetë autori me ditar në duar për vite të tëra, sikur të gjithë atë lojë fjalëformuese në vargje interpreton me gjuhën e tij poetike në një ambient të ngrohtë edukativo-arsimor e ndonjëherë edhe në atë familjar. Ky ambient për atë që e duan është shumë i dashur. Ndërsa poeti sikur se heton, se për disa dembel, ky ambient duket të jetë pak i mërzitshëm. Ndaj poeti dëshiron të zgjoj kureshtjen dhe dashurinë për diturinë. Shkolla e cila është fole e zgjimit dhe rizgjimit e gumëzhimit dhe e hesh­tjes, ziles dhe tretjes së zërit të saj kumbues.

Poezia e Nehat Jahiut është shtrirë në trekëndëshin didaktik mësues-nxënës-prindër. Dhe kjo poezi vjen herë në kuptim moralizues, dituror, afirmativ, shpresëdhënës. Poeti shihet se përdor një diskurs të thjeshtë e të kapshëm interpretues, sikur se shihet në vargjet e mëposhtme

“Pse vogëlosh zgjohesh vonë,

gjumash shokët ty të thonë.”

Poeti Nehat Jahiu, brenda vargjeve poetike të kësaj poezie, mëton që fëmijët të krijojnë një kujdes të krijimit të precizitetit dhe princi­pialitetit në jetë.

Poezia e Nehat Jahiut në këtë përmbledhje mund të interpretohet edhe si qortuese që fëmijët me ose pakujdesin e tyre krijojnë gabi­me të vogla në shikim të parë, por përsëritja e tyre në vazhdimësi, do të krijonte një deba­lan­cë edukativo-arsimore të pajustifikuar edhe për vetë institucionin ku ata edukohen. Këto këshi­llime, qortime, mund t’i lexojmë tek poezitë: “Ngucakeqi”, “Fishkëllima”, “Përtaci”, “Kush i vodhi” etj. Poeti nuk le në harresë as obligimet e fëmijëve që kanë ndaj shkollës, mësuesit, si mësimnxënia, sjellja, kujdesi ndaj mjeteve mësi­mo­re, qoftë personale, por edhe inventarit shko­llor. Poeti nuk lë në harresë, as dashurinë prindërore, ndaj mësueses, librit, shokëve dhe shoqeve.

Dhe në fund dua të theksoj se poeti Nehat Jahiu, sjell për lexuesit poezinë, sikur çdo lule që është në kopsht dhe secila në veten e saj ka aroma të ndryshme, por të këndshme. Them se edhe poezitë për fëmijë të Nehat Jahiut janë lule në kopshtin poetik dhe duhet lexues të nderuar t’ia ndien aromën e tyre, patjetër duke i lexuar ato.

Arsim Halili- poet

RECENSION
RREZE TË NGROHTA PËR FËMIJË

Poeti Nehat Jahiu, pas shumë veprave qe na i ka dhuruar ndër vite, vjen sot më me një libër me poezi për fëmijë, emëruar më një titull mjaft simpatik dhe simbolik “RREZE NË DRITARE”.

Poezitë që përfshin në këtë libër edhe pse u drejtohen më të vegjëlve, janë tërheqëse edhe për të rritur. Vargu në këto poezi rrjedh i lirë si ujë i gurrave tona, duke freskuar shpirtin e lexuesit. Ndërtimi i poezive bëhet natyrshëm, gjë që e bën të lezetshëm edhe leximin e tyre. Poeti edhe pse në shumicën e rasteve përdor rimën, herë pas here rima bie në mënyrë që vargu te mos bëhet doemos rob i saj.

Poeti Nehat Jahiu, në poezitë e tij shtjellon tema ndër më të ndryshmet, nga bota emo­cionale dhe reale e fëmijëve. Ai në këto poezi ve në spikamë gëzimet, shqetësimet, por edhe gabimet e fëmijëve, më qellim që ata nëpërmes këtyre gabimeve të mësojnë. Më këtë tematikë është edhe poezia

“PSE VOGËLUSH?...”:

“Pse vogëlosh zgjohesh vonë,

gjumash shokët ty të thonë.

Ora parë të iku me nxitim,

po ku ishe kështu, o Trim?”

 

Poeti ka dëshirë qe fëmijët të fitojnë shprehinë e punës dhe të luftojnë përtacinë. Ai ka dëshirë që ata (fëmijët) të bëhen gjithmonë e më kërkues ndaj vetës për të arritur suksese sa më të mëdha në jetë. Me këtë tematikë është edhe poezia “NUK MJAFTON”, nga e cila po shkëpusim këta rreshta;

 

“Nuk mjafton të kënaqemi me një ditë,

për një punë që kemi arrit.

Mjafton puna dhe leximi,

kur rrjedhin si uji burimi.”

 

Poeti me përkushtim i shkruan edhe shkollës,vatrës ku fëmijët shkojnë për të fituar dituri. Ai më së miri këtë e pasqyron edhe në mënyrën figurative dhe poetike në poezinë e tij

 

“ATJE DIKU...”:

“Shkolla jonë për çdo ditë,

lëshon rreze-lëshon dritë.

Shkollarët të duken si kalliri,

si lule t’bukura-lule prilli.”

Poeti Nehat Jahiu, që ndër vite me ditar në dorë përhap dituri, i këndon me zemër edhe mësueses.

Duke dashur që tek fëmijët të sjellë dashurinë për mësuesin (mësuesen), prindin e dytë, ai sjellë vargjet e ngrohta të poezisë

 

DY MAMI I KAM”:

“Mami kam në shtëpi,

mami kam në shkollë.

Dritë dhe edukatë,

më falin çdo ditë.

Ato më japin jetë,

ato më japin shpirt.”

 

Vargun poetik për më të vegjlit të poetit Nehat Jahiu herë pas herë e karakterizon edhe një satirë e lehtë, karakteristikë kjo e tij, pasi që poeti e kultivon për mrekulli edhe këtë gjini letrare.

Në mënyrë qe ju lexues të dashur të lexoni dhe të kënaqeni vetë me vargjet e bukur të këtij libri, nuk po u marrim kohën më shumë duke ju lënë në shoqëri me të.

Ajo që mund të themi në fund është se poeti Nehat Jahiu nëpërmes poezive te këtij libri, mëton t’ju sjell rreze poetike nga dritarja e tij krijuese. Dhe vërtetë ai ju ka sjellë rreze shumëngjyrëshe me vargjet e tij, që do t’ua ngrohin shpirtin dhe ndriçojnë rrugën në jetën që sapo e keni nisur. Me dëshirat që poeti edhe në të ardhmen të na dhurojë libra të tillë, juve lexues të vegjël ju urojmë lexim të këndshëm të librit që keni në duar “RREZE NË DRITARE”, duke u kënaqur më rrezet që lëshon për ju ky libër.

Agim Gashi- Drenica, poet