E marte, 23.04.2024, 01:43 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Fëmijët dhe interneti

E shtune, 16.02.2013, 06:31 PM


Fëmijët rrezikojnë të krijojnë varësi nga interneti, aq më tepër tani që bisedat mund t’i bëjnë edhe përmes celularit

Nga Anida Lera - gazeta Dita

Ditë më parë u fol lidhur me rrezikun që interneti mund të krijojë tek moshat e reja, aq më tepër kur ata nuk kontrollohen nga prindërit. Sociologia Entela Binjaku, e pyetur lidhur me ndikimin e internetit në jetën e fëmijëve, thotë se informacioni falas, koha e gjatë e harxhuar përpara kompjuterit janë vetëm disa nga problemet që mund të ketë një fëmijë. Nga ana tjetër, gjetja e gjithçkaje me një “klik” të vetëm ndikon në dembelizmin e moshave të reja, por më tepër se aq ndikon përdorimi i internetit në mënyrë të paarsyeshme.

1. Si ndikon në jetën e fëmijëve përdorimi i tepruar i internetit?

Gjatë viteve të fundit, në vendin tonë është vënë re një lloj “ekspansioni” i internetit te fëmijët, ku një vend të rëndësishëm zënë rrjetet sociale e lojrat virtuale. Këto mbartin një  rrezik të  mundshëm që lidhet me varësinë e shfaqur e  shpesh të pakontrolluar.  Interneti është shndërruar në infrastrukturën bazë të shoqërisë moderne, duke pasur për funksion kryesor atë të komunikimit. Informacioni që qarkullon në internet, në pjesën më të madhe të rasteve, është falas. Përdorimi i tij mund të kënaqë disa nevoja psikologjike dhe sociale siç janë: nevoja për informim, për komunikim, për argëtim etj. Por, ky mjet komunikimi mund të çojë edhe në ndryshime të perceptimit të fëmijëve për mjedisin shoqëror, shoqëruar edhe me rrezikun e ndryshimeve në sjelljen shoqërore. Fëmijët falë lundrimit në internet, edhe në rastet kur orientohen nga të rriturit, sërish rrezikojnë të bien pre e keqinformimit, plagjiaturës, por edhe dembelizmit, ku puna kërkimore reduktohet vetëm në një “klik”.

2. Sa të vetëdijshëm janë prindërit shqiptarë per rrezikun që iu kanoset fëmijëve të tyre prej internetit?

Në radhët e prindërve shqiptarë ka ndër ata që u gjendën tërësisht të papërgatitur për këtë “ekspansion” të internetit në përditshmërinë e fëmijëve të tyre, ashtu siç ka edhe nga ata që shqetësoheshin me të drejtë për përdorimin abuziv. Për këtë të fundit mjafton të vështrojmë kohën që i kushtohet internetit nga ana e fëmijëve. Lundrimi në faqet me materiale pornografie përbën një rrezik real në terma të formimit të shëndetshëm psikologjik të fëmijës, për të cilin jo të gjithë prindërit kanë qenë të përgatitur, por shkalla e informimit nga ana tyre, mbi këtë rrezik, ka ardhur në rritje.  Ajo që vlen të theksohet, është se nuk është interneti që përbën rrezik, por koha e kushtuar dhe mospërdorimi në mënyrë të arsyeshme.

3. Ç’sjellje shfaqin në shoqëri fëmijët që përdorin në mënyrë të vazhdueshme internetin?  Cilat janë ndikimet negative në jetën e tyre?

Përdorimi i internetit lidhet kryesisht me përdorimin e rrjeteve sociale. Veçanërisht me shfaqjen e tyre edhe vetë komunikimi ndërpersonal pësoi modifikime. Nëse koha që i kushtohet përdorimit të një rrjeti social rritet në mënyrë sasiore, rreziku rritet, dhe fëmijët e kanë të vështirë të shkëputen pa problem nga këto rrjete, duke u përballur me një rrezik të ri, atë të varësisë.

Të mësuarit apo varësia ndaj miqve virtualë mund të zëvendësojë nevojën për të komunikuar me të tjerët.  Raportet ndërpersonale po zëvendësohen nga ato miqësore në internet, ndërkohë që fëmijët po bëhen përherë e më të rezervuar në komunikimin verbal. Prindërit që raportojnë shqetësime që lidhen me reduktimin e komunikimit verbal, falë përdorimit abuziv të internetit janë jo të paktë dhe kërkojnë ndihmë për të dalë nga kjo situatë.

Studimi, fëmijët ftohen në vende të panjohura

Ditë më parë, studimi “Siguria e fëmijëve në internet” raportoi të dhëna shqetësuese. Në të fëmijët pohuan se ishin ftuar prej të panjohurve t’i takonin në vende të fshehta. Ndërsa një vajzë nga Korça kishte treguar për një të panjohur që i kishte vjedhur të dhënat dhe e kërcënonte për t’u takuar. Kur ajo nuk pranoi, ai postonte në këtë faqe materiale me përmbajtje jo të përshtatshme.

“Ky njeri ngeli mister dhe nuk është zbuluar”, tha Rein Deker, drejtori i organizatës ndërkombëtare “World Vision Albania”. Gjatë  konferencës, ai theksoi se ata kishin pyetur fëmijë në Bregun e Lumit në Tiranë, gjithashtu në studim janë përfshirë edhe fëmijë nga qytete të tjera si Shkodra, Korça dhe Lezha, të cilët kishin treguar se ishin shumë aktiv në përdorimin e internetit. Në Shqipëri, një në dy njerëz qëndrojnë në internet. Ndërsa në një sondazh të bërë në shkollat shqiptare në 100 fëmijë, 97 prej tyre kanë një faqe në rrjetet sociale.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora