E marte, 16.04.2024, 02:13 PM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Shqetësime diplomatike

E shtune, 16.02.2013, 10:14 AM


SHQETËSIME DIPLOMATIKE DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE

NGA DORIAN KOÇI

Ditët e fundit ka një shqetësim të diplomacisë ndërkombëtare të akredituar në Tiranë për sa i përket rritjes së retorikës nacionaliste, si i kanë vlerësuar një sërë deklaratash të udhëheqësve shqiptarë në rajon me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë. Ky reagim nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash që mbulojnë vetëm muajin dhjetor, por ka pasur një kurbë në ngritje, gjë që dëshmon se për komunitetin ndërkombëtar stabiliteti i Ballkanit përbën thembrën e Akilit të politikës ekuilibruese në rajon. Dëshira e të gjithë atyre që presin që demokracia të funksionojë më mirë në Ballkanin Perëndimor, në fakt ka qenë që këtë zell të madh që po tregon diplomacia botërore për të frenuar pasionet nacionaliste ta kishte dhe për monitorimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve të pavarura duke u bërë në këtë lloj mënyre garante të një ndryshimi të qëndrueshëm demokratik të shoqërive të vjetra e tradicionale të Ballkanit Perëndimor që vuajnë pothuajse të gjitha nga sëmundjet e përbashkëta të autoritarizmit e nepotizmit. Mirëpo pavarësisht se kjo gjë nuk po ndodh dhe kur është puna se diplomacia ndërkombëtare duhet të kishte një zë më të fortë për shumë çështje në Shqipëri, sërish shqetësimet e tyre janë të mirëkuptuara dhe të mirëpritura, por dëshirojnë që të kenë një sqarim më të detajuar për të shmangur çdo keqkuptim. Diku në prapaskenë ka interesa të dyshimta dhe faktorë politikë që fërkojnë duart nga kënaqësia në këtë të ashtuquajtur përplasje midis Shqipërisë zyrtare dhe Perëndimit, kënaqësi që besoj se nuk do të zgjasë shumë, pasi Shqipëria dhe klasa e saj politike është aq në gjendje sa të mos humbasë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar që në të shumtën e rasteve ka qenë bujar me të.

Kjo ndjesi bazohet në faktin e njohur se Shqipëria njeh dhe respekton faktin se çlirimi i Kosovës, krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe mbarëvajtja e tij është një investim ndërkombëtar. Po ashtu si është në dijeni të faktit që stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për SHBA-në dhe BE-në, ndaj dhe shqiptarët kanë më se 10 vjet që durojnë me një përmbajtje të madhe mosrespektimin dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje për të cilën është garant komuniteti ndërkombëtar. E njëjta gjë ndodhi pak ditë më parë dhe në Luginën e Preshevës, ku forcat serbe të sigurisë ndërhynë për të hequr memorialin e luftëtarëve të UCKPBM, dhe shqiptarët u ftuan sërish për të qenë të duruar dhe të vetëpërmbajtur, ndërsa komuniteti ndërkombëtar lau duart në formë alla Ponc Pilatiane nga përgjegjësia vetë duke deklaruar se heqja apo mbajtja e tij është një çështje e brendshme e Serbisë. Si shihet, situatat janë absurde, pasi ata që duhet të jenë garantë për marrëveshjet e nënshkruara midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe shqiptarëve dhe serbëve në luginën e Preshevës nuk ndihen dhe nuk bëjnë zë, e për më keq ua këshillojnë këtë gjë dhe shqiptarëve. Mirëpo, në gjithë këtë politikë vetëpërmbajtje që i këshillohet Shqipërisë dhe klasës së saj politike, harrohet t’u bëhet një analizë e thjeshtë që t’i japë përgjigje pyetjes se deri ku mund të limitizohen të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe ç’rol u është caktuar atyre në rajon. “Nuk ka miq në politikë, por interesa të përjetshme”, ka thënë De Goli një nga mjeshtrit e politikës të shekullit të kaluar, e përderisa interesat e shqiptarëve hyjnë dhe në interesat e përjetshme të aleatëve tanë, ata duhet të kenë tagrin që të shijojnë lirinë politike të tyre të vetëvendosjes.

E vërteta është se në këtë shekull të ri është e papranueshme që të ketë qytetarë të dorës së dytë në Ballkanin Perëndimor, vend që tradicionalisht u është rezervuar shqiptarëve në krahasim me fqinjët e vet, prandaj çdo qeveri shqiptare në vazhdimësi do të kërkojë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të shqiptarëve në rajon. Një përqasje e kujdesshme, por këmbëngulëse e shqiptarëve drejt realizimit të aspiratave të tyre do t’i bëjë miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojnë që procese që kanë nisur nuk mund të rikthehen mbrapsht. Në të kundërt, nëse vullneti i qytetarëve shqiptarë nga të gjithë trojet etnike shqiptare që u mblodhën në Vlorë, në këtë 28 nëntor do të tradhtohet dhe do të trajtohet vetëm për interesa elektorale, atëherë do të jetë katastrofa më e madhe, pasi jo vetëm që do të bëhemi gazi i botës, por dhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të na marrin më seriozisht. Pas njëqind vjetëve shtet, Shqipëria ka hyrë në periudhën e maturisë si shtet dhe shqiptarët duhet të dinë t‘ua dëshmojnë miqve të tyre këtë gjë, për të fituar me siguri dhe mbështetjen e tyre për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora