E enjte, 28.03.2024, 06:10 PM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Politika, nepotizëm e baronizëm

E shtune, 16.02.2013, 12:03 PM


POLITIKA DHE DIPLOMACIA SHQIPTARE BARAZ ME NEPOTIZËM E BARONIZËM - RASTI CEKA DHE JO VETËM AQ

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

„Nepotizmi“ është favoritizmi që zyrtarët e lartë u bëjnë të afërmve të tyre. „Nepos“ – „nip“. Me të njëjtin sens përdoret edhe termi „baronizëm“, veç rritet doza e negativitetit.

Baronizmi, klientelizmi partiak, klanet politike dhe hijet me të shkuarën diktatoriale - janë morbuset e administratës të lartë publike shqiptare, pasojat e të cilave i vuan direkt shoqëria shqiptare këta 22 vjet tranzicion.

Në vetvete, klanet, nepotizmi e klientelizmi janë armiqtë e betuar të meritokracisë. Që do të thotë se lufta kundër njerëzve me merita, me integritet, pa hije nga e shkuara e të ndershëm nuk është ndaluar asnjë çast, përfshi edhe dy mandatet e kryeministrit Berisha dhe po ashtu edhe periudhën e gjatë të këtyre 22 viteve tranzicion.

Politika shqiptare ka patur alergji nga figurat me integritet të spikatur, të cilat duhet të jenë shtylla kurrizore e një sistemi demokratik, pavarësisht rotacionit partiak. Duke patur frikë nga konkurenca e pastër, politika shqiptare ka bërë spastrime përmes mënyrave aspak qytetare dhe aspak fair.

Nga kjo sëmundje vuan e djathta shqiptare, që këtë emër e mban pa asnjë meritë, nëse e vendosim në korrelacion me pronarët dhe të përndjekurit politikë. Prej kësaj gjendje përfiton edhe e majta, reformimi i të cilës ka mbetur peng i një të djathte pa standarde. Dhe pasojat i ka vendi dhe shteti i së drejtës, i cili vihet në rrezik.

Lideri i maxhorancës, ndërsa është futur në fushatë për mandatin e tij të tretë, nuk e njeh fare katharsisin, ndërsa shoqëria shqiptare është në mëshirën e pamëshirëshme të baronëve dhe klientëve të partisë dhe aliazheve të saj, klaneve dhe shërbimeve klienteliste si dhe njerëzve me lidhje me të shkuarën, të cilët përbëjnë rrezik për sistemin. Nëse je në orbitën e klanit, fitove. Nëse nuk je, merre arratinë, sepse përjashtimi është verdikti i klanit, verdikt i cili është vetëm goditje për shëndetin dhe higjenën e demokracisë.

I kthehemi skandalit më të fundit të nepotizmit. Neritan Ceka, ish-armik i egër i Sali Berishës prej 1992, sidomos më 1997 deri në zgjedhjet e 2005 është në pushtet dhe koalicion me të majtën qeverisëse dhe kur e majta në maxhorancë ka humbur çdo kredibilitet, e gërryer nga korrupsioni dhe keqqeverisja, afrohet me Berishën bashkë me Arben Imamin dhe partinë e tyre mikroskopike dhe kështu hynë direkt në efektet e orbitës të merkatos politike, pa asnjë moral, veç për pushtet.

Ky imoralitet politik, kur politikanët e Shqipërisë shiten e blihen herë majtas e herë djathtas, në mënyrën më të pacipë të mundshme, bëhet sepse në Shqipëri edhe shtypi është në marrëdhënie klienteliste me politikën. Jo më kot, ngjarjet e 1997 asnjëherë nuk kanë kaluar në fokus për t’u analizuar. As nga historianët, as nga mediat. Përdoren zhargonë mallkues për efekte propagande, por vetëm kaq. Kush kujtohet për të analizuar 1997 shpallet armik dhe lufta e klaneve në Shqipëri është shumë më mizore se lufta e klasave.

Si personalitet, Neritan Ceka vjen nga arkeologjia, është me background akademik, por kjo nuk i jep të drejtën e xhonglerit, sepse besueshmëria e një politikani varet nga votat që ai fiton dhe nëse partia që ka drejtuar Neritan Ceka nuk ka arritur as pragun minimal që të ketë të paktën një karrike në Parlament, kjo do të thotë se kaq vlen Neritan Ceka si politikan.

Por klasa politike në Shqipëri këta 22 vjet tranzicion ka qenë gjithnjë e lidhur me fijet e së shkuarës dhe skeletëve që ka patur në dollapë, duke përfituar se jemi i vetmi vend nga ish-ssitemet diktatoriale të Europës Lindore që nuk hap Dosjet dhe nuk voton ligjin e Lustracionit. Kjo do të thotë se në politikën shqiptare vlen ai që e ka hipotekën më të pasur. Pra konkurrojnë hipotekat, pisllëqet dhe jo figurat me integritet, ato që i duhen shtetit të së drejtës.

Të kthehemi tek skandali më i fundit i nepotizmit në diplomacinë shqiptare, ku diplomatët emërohen me një VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave). Sot, po të diskutosh me zyrtarë të Ministrisë të Jashtme, ata që vinë nga partia e Ilir Metës të ngrenë supet. Ata që vinë prej 2005, të tregojnë dhëmbët. Jo drejtpërdrejt. Kërcënojnë në mënyrë diplomatike. Edhe kur kanë një vend të rëndësishëm të thonë në konfidencë se nuk mund të bëjnë asnjë presje pa leje dhe pa urdhër, dhe larg qoftë të bëjnë ndonjë prononcim. Dhe kur shohin se në celularin e tyre del një numër që pyet, ata të nxjerrin menjëherë centralin telefonik, që të thotë se për momentin poseduesi i numrit nuk është i disponueshëm.

Në mandatin e dytë të PD-së, Neritan Ceka është këshilltar i Sali Berishës, ndërsa Arben Imami nga shefi i kabinetit në mandatin e parë, kalon ministër i Mbrojtjes. Lind pyetja, po si është e mundur nisur nga fakti se partia e tyre PAD s’kishte fituar asgjë në zgjedhjet e 2009. Mos pyet pastaj për të shkuarën e afërt, vitin 1997, midis Berishës nga njëra anë dhe Cekës e Imamit në anë tjetër. Politika shqiptare një ligj i vërtetë xhungle.

Pra më 2009, pasi Neritan Ceka emërohet këshilltar i kryeministrit, pikërisht më 2009, duke iu referuar të dhënave që boton sot Shqiptarja, përmes një VKM-je, vendim që i vjen i gatshme Ministrisë të Jashtme për t’u zbatuar, i biri i Neritan Cekës, emërohet diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në  Austri. Djali i zotit Ceka ka studjuar në Vjenë, njohës i gjermanishtes, por kjo nuk mjafton për të përmbushur etikën e standartit të zyrtarit të lartë të shtetit të së drejtës, ku përjashtohet keqpërdorimi i pushtetit.

Lajmi tjetër i konfirmuar është se zoti Neritan Ceka, 72 vjeçar tashmë, për të evituar fushatën lodhëse të 23 qershorit, e sheh të udhës që t’i kushtohet diplomacisë. Dhe Sali Berisha pranon e, përmes një emërimi politik, e ka këtë të drejtë, e emëron ambasador të Shqipërisë në Romë, ndërsa i biri i Cekës vazhdon të jetë diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë dhe sipas informacioneve jo të konfirmuara, por duke iu referuar shtypit të Tiranës, ai është emëruar ambasador i OSBE-së me seli po në kryeqytetin austriak!!!!

Po, edhe sikur të mos jetë e vërtetë. Mjafton fakti, që i biri prej 2009-2013 te ketë qënë diplomat, dhe prej 2013 në diplomaci të fillojë karrierën i jati! Këto veprime mbajnë erë abuzivizëm. Sikur pushteti politik i klanit është i trashëguar! Sepse mjafton të jesh i biri apo e bija, apo nusja apo dhëndri i klanit të pushtetit dhe pastaj mund të fitosh gjithçka, privilegje dhe shanse, mund të gdhihesh diplomat dhe përfaqësues i Shqipërisë, kur nuk ke dhënë asnjë lloj kontributi për vendin tënd. Kjo është demokracia? Jo, demokracia nuk është kjo. Këto mënyra janë përçudnimi i demokracisë dhe i diplomacisë shqiptare në rastin konkret! Sepse klientelizmi, klanizmi dhe baronizmi janë shprehje e qartë e degradimit të pushtetit partiak prej nga rrezikohet edhe sistemi. Ju kujtohet slogani i partisë të punës, « partia mbi gjithçka » ! Ku na humnerisi!

Për gjysmë shekulli kishim diktaturën komuniste. Prej 22 vitesh tranzicion kemi mbytjen e shoqërisë nga tentakulat e klaneve dhe shërbimet klienteliste duke e kthyer shtetin e së drejtës në tutor të tyre. Por të jesh tutor i klaneve nuk mund të jesh më shtet i së drejtës. Aty ku veprojnë klanet shteti i të drejtës ka marrë fund. Dhe prandaj pranojmë të gjithë se në Shqipëri nuk ekziston drejtësia.

Dhe konkluzioni i këtij shkrimi, është se për shqiptarët nuk do të ketë drejtësi sociale dhe as shtet të së drejtës, përderisa zyrtari publik do të jetë i varur nga lidhjet e gjakut apo lidhjet klienteliste që ka me partinë apo klanin politik ku bën pjesë. Meritokracia do të kthehet kësisoj në një nocion abstrakt dhe shënjestër e djajve të politikës e të pushtetit. Dhe ka vetëm një rrugë për të shpëtuar sistemi demokratik dhe vendi jonë nga ky kalvar tribal dhe antidemokratik, që të mos dorëzohemi e të mos pranojmë kurrsesi shtetin monstrum mbështetur në pushtetin e klaneve politike e partiake, klientelës dhe baronëve politikë së të gjitha ngjyrave.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora