E enjte, 25.04.2024, 05:55 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Jemi dele a shqiponja?

E premte, 15.02.2013, 09:05 PM


Lulia në Luginën e Preshevës

Jemi dele a shqiponja?

Kishte diçka nga fryma revolucionare, paksa frikësuese në mllefin e saj kundër qeveritarëve të paskrupuj e opozitarëve të mefshtë, sikurse u thotë ajo, por kishte kushtrim stërgjyshor për problemet e Kosovës lindore, apo Luginën e Preshevës.

Nga Gani MEHMETAJ

Nuk e kuptonte pështjellimin e krijuar në Kosovë e gjithandej territoreve shqiptare, nuk e  dinte as si të sillet ndaj zhvillimeve të reja, të cilat e shkelnin njëra tjetrën si reja- renë, ndërsa Lulia i ndjek e hutuar këto pështjellime, pa e kapur thelbin e problemit. “Jemi në ëndërr apo zgjuar? Tallen me ne apo e kanë më gjithë mend? Duhet t’i lëmë të flasin në emër tonë edhe më, apo duhet t’u dalim ndesh?”, shtron pyetje, por nuk jep përgjigje heroina e Kodrës së Trimave.

Simboli ynë kombëtar është shqiponja, ma kujton ajo më mburrje totemin tonë, por sillemi si delet, ma përplas në fytyrë mllefin e akumuluar. Armiqtë shekullor i bartëm mbi supe më shumë se kushdo tjetër, sepse arsyetuam, s’patëm aleatë, s’patëm fuqi t’u kundërvihemi, por qeverisjes së keqe, kush na pengon t’i dalim në rrugë? Pse i durojmë? Me hakërrohet e skuqur në fytyrë si të ishte para foltores së Kuvendit të Kosovës, ku për këto gjëra nuk flitet fare, më shumë debatohet me zjarrmi partiake: ma bëre me hile, ta pata me të pabesë, duke mos u përmendur fare se kombi i traumatizuar është molepsur nga qeverisja e keqe.

Kishte diçka nga fryma revolucionare, paksa frikësuese në mllefin e saj kundër qeveritarëve të paskrupuj e opozitarëve të mefshtë, sikurse u thotë ajo, por kishte kushtrim stërgjyshor për problemet e Kosovës lindore, apo Luginën e Preshevës sikurse i thonë me terminologjinë ushtarake, sepse territoret tona gjithë herë ishin territore strategjike, ma sqaronte ajo konceptin e politikës afatgjate. Më la të hutuar. Mendoja se ajo është paqësore dhe, do të këmbëngulte në dialogun demokratik edhe kur s’ka asnjë shenj në horizont për demokraci e mirëkuptim.

Për të mos me lënë gojëhapur si të shikoja fantazmën, ajo fillon ti numëroj të zezat që e kanë kapluar shtetin e saj të pavarur e demokratik, të gatshëm të hyjnë në mënyrë klandestine në NATO e BE, po i lejuan, megjithëse do ta bënin rrëmujë Evropën ashtu si e bënë Kosovën, është e sigurt ajo si një e një që bëjnë dy. Evropianët këmbëngulën në këta qeveritarë- ua pafshin “hajrin”- sepse ne vetëm sherrin po ua shohim, me thotë ajo me një lloj hakmarrje. Ne nuk i duam, por askush s’na pyeti. Dështimit i thonë sukses, lapërdharit, shenjtor, frikacakut, hero, hajdutit, qeveritar, të padijshmit, gjeni e kështu me radhë, skicon ajo të parët e institucioneve të shtetit të pavarur e demokratik. Fryma shkretane, sipas saj, i ka ngulfatur institucionet. S’ka zhvillim ekonomik, s’ka të ardhme për të rinjtë, mungon drejtësia, varfëria  kulturore është bërë buka jonë e përditshme, që o Zot, mos na e fal më të tillë çfarë është, mu bë se lutej ajo si para shenjtorëve.  Kur i shikon politikanët tonë, të qeshur e të lumtur, po të mos e dinte realitetin ajo, do të mashtrohej keqas, do t’i shkonte mendja se Kosova është kopsht më lule, ashtu sikurse deklaronte dikur diktatori shqiptar, frymëzues i këtyre qeveritarëve.

Dhe sikur nuk mjaftonte kjo gjendje për faqe të zezë, më tregon ajo me tone të zymta, këto ditë të bukura shkurti me diell, pjesë të atdheut të saj vuajnë nga këmba e okupatorit serb, kurse ajo s’ka fuqi t’i ndalë zullumqarët dhe as t’u dal në ndihmë bashkëkombësve në hall. Vuajnë bashkëkombësit e saj jashtë kufirit, vuajnë edhe bashkëkombësit për bukën e gojës brenda kufijve; sa s’plasi nga inati ajo, sepse klasa politike ka grumbulluar pasuri e thesare si diktatorët e shteteve islamike, prej nga e kanë frymëzimin. Të zënë me këtë pasuri atyre as që u bie ndër mend për preshevarët të cilët përpëliten nën hijen e tankeve të Serbisë,. Në vend t’i ndihmojnë, qeveritarët tanë, ku e ku i fyejnë për kinse burracakëri, i nënçmojnë për gjoja paaftësi, ndërsa vet qeveritarët e Lulisë rrinë këmbë e kryq me Daçiçin, të birin e Milosheviçit, duke ua bërë me dije preshevarëve se duhet të dorëzohen para dhunës serbe, ta pranojnë okupimin dhe, të rrinë urtë e butë si delet, në torishtë, mënyrë që të mos ua prishin miqësinë më vëllezërit serb.

Nga mllefi i akumuluar, Lulinë sikur e ka bjerrë frika nga ish-diasporistët që e morën pushtetin në atdheun e saj të pavarur e demokratik.

Heroina e Llapit druan mos po i ndodh Luginës së Preshevës sikurse Sanxhakut më Pazarin e Ri para disa vjetësh. Protestuan popullata e Sanxhakut kundër okupimit serb, paralajmëruan madje edhe kryengritje për t’u çliruar, por ne atëbotë ndenjëm duarkryq, i shpërfillem, megjithëse ishin gjaku ynë paksa i përzier apo i trazuar. Në mungesën tonë të pafalshme, ja ku doli diplomacia turke, duke i garantuar Serbisë se do t’i paqësoj. Se çka u tha, se çka u bëri të parëve të “kryengritjes” nuk u mor vesh, por atyre nuk iu dëgjua zëri më. Nuk pati asnjë përmirësim të gjendjes së tyre sociale, kombëtare apo ndonjë përmirësim të te drejtave të njeriut, përkundrazi terrori u bë më i egër se kurrë më parë, mirëpo u qetuan. Nuk merret kush më me hallet e “sanxhaklinjve”, nuk qanë kush për fatkeqësinë që i gllabëroi: mbetën nën Serbinë, ndërsa diplomatët e Anadollit thanë se i paqësuan për jetë e mot. Mbeten jetimë ashtu sikurse ishin jetimë.

Prandaj druan Lulia se nëse Prishtina e Tirana heqin dorë nga Lugina e Preshevës, atëherë do të shkombëtarizohet ashtu sikurse u shkombëtarizua apo është në proces shkombëtarizimi Sanxhaku. Dhe prapë do të mësyjnë t’i paqësojnë diplomatët turk, duke marr pastaj pikë më rëndësi nga Beogradi për biznese.

Është fatbardhësi me tha Lulia që ndjenja shqiptare në të tri komunat e Kosovës lindore është më e fuqishme se sa në Prishtinë dhe në Tiranë, është përparësi se pjesa më e madhe e politikanëve të atjeshëm janë të përgjegjshëm (jo si këta tanët), prandaj e mbanë  shpresa se ata nuk do të dorëzohen. Natyrisht ka hyrë hileja e përpjekjeve për shkombëtarizim si në Sanxhak me ca xhami e me ca hoxhallarë të shitur. Shkollat shqipe janë duke u bërë gjithnjë e më të ngushta nga shtimi i nxënësve, ndërsa xhamitë gjithnjë e më të shumta. Shpërngulja e tyre drejtë Kosovës, tek-tuk edhe drejt Turqisë është e dukshme, por Lulia është më optimiste në besimin se ata do të jenë më të ndërgjegjshëm se sa në Sanxhak apo në Maqedoni.

Isha, pash e bashkëjetova me hallet e tyre, me tha ajo e përmalluar me vetminë e bashkëkombësve të saj në Preshevë. E frymëzoi edhe mbështetja e demonstruesve në Prishtinë, por ajo mendon se preshevarët me dy komunat e tjera duhet të mbështeten jo vetëm kur ua rrënojnë ca përmendore, por gjatë gjithë kohës, sepse ata janë në siklet e në luftë ët vazhdueshëm me Serbinë, ndërsa nga qeveritarët e Kosovës s’presin asgjë, pos andralla.



(Vota: 13 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora