Kulturë
Ireshtansi: Tre shenjëtorët
E merkure, 13.02.2013, 07:20 PM
Tre shenjëtorët
Shkruan: Ireshtansi
Na ishin
njëherë…. Kështu fillon tregimi i ardhur nga kohët e largëta për tre vetë të
cilët brezat e mëvonshëm në tregimin e tyre i quajtën tre shenjëtorët.
Në tregimin
e ardhur nga larg ata të tre panë një ëndërr . Që të tre panë ëndërr sikur
drejt tyre po vinte një rreze dielli e brenda saj ishte një zë që u dha disa
udhëzime dhe iku prapë me rrezen e diellit. Ata u zgjuan dhe rendën të shihnin
jashtë ku panë rrezen e diellit si një fije ari që udhëtonte në qiellin e errët
e të pamatë derisa u zhduk.
Vetoni,
Arbeni dhe Bardhi, sipas udhëzimit u nisën drejt bjeshkëve të Sharrit ku për
disa ditë do të mendonin se ç’është e mirë e ç’është e keqe për popullin e
tyre. Të dallosh të mirën dhe të keqën, kjo është një sfidë e përhershme e
njerëzimit, i kishte thënë zëri.
Kështu
ata u nisën drejt cakut të tyre të cilin tashmë e njihnin edhepse s’kishin qenë
kurrë atje. Mbërritën në vendin e shenjuar , në rrafshnaltën e bjeshkëve të
Sharrit në të gdhirë, kur nata po tretej
e dielli që ende s’kishte ardhur kishte
shpërndarë ngjyrën e tij në qiell në një pamje mahnitëse. Ishte vetë hyjnesha e
bukurisë, Afërdita, që në një ceremoni të përditshme lajmëronte ardhjen e
diellit.
Të tre u
ulën pranë kroit dhe kundruan për disa minuta këtë pamje. Më vonë ata shkruan
që kush sheh këtë pamje do ta ketë ditën të bukur.
Ata e
dinin që do t’ishin tre, prandaj s’ishin habitur kur ishin takuar. Kishin bërë
bashkë një copë udhë e s’kishin folur. Vetëm tani të ulur pranë kroit treguan
diçka për veten e si kishin ardhur deri këtu. Pastaj shikuan për rreth dhe
gjetën gurin e madh, ku dy prej tyre që do ta shkonin ditën duke menduar, çdo
mbrëmje do të shënonin me pak fjalë atë që kishin gjetur në mendje. I treti do
të siguronte ushqimin të cilin do ta hanin njëherë në ditë kur dielli të kishte
dalë mbi kokat e tyre. Ai atë ditë nuk do të merrej me gjëra të tjera, e
sidomos nuk do të shënonte asgjë në gur.
Kështu i
kaluan ditët. Moti ishte i mirë dhe pemët sapo kishin filluar të piqeshin.
Në natën
e ditës së dymbëdhjetë, tek po rrinin së bashku pranë gurit që tashmë ishte
mbushur me fjalë, dhe pas një kuvendimi të gjatë, të tre u pajtuan, që çdo gjë
duhet të rishqyrtohet pas njëmijë vitesh, që të mirat dhe të këqijat të
peshohen çdo njëmijë vjet, dhe nëse ka nevojë diçka të largohet, diçka të
shtohet apo diçkaje t’i ndërrohet vendi në hierarki, sepse asnjë e mirë dhe
asnjë e keqe nuk mund të ketë të njëjtën vlerë përgjithmonë. Dhe e shënuan që
fjalët e shkruara në këtë gur të rishqyrtohen pas njëmijë vitesh. Kur mbaruan
së shkruari këtë fjali, në qiell u duk perseri rrezja e diellit. Ishte po ajo
rreze e ëndrrës. Ajo qëndroi mbi gurin e
shkruar, në fund të tij. Tani kthehuni dhe tregoni popullit tuaj, tha zëri që
ishte bashkë me rrezen dhe u larguan andej nga kishin ardhur. Të tre kundruan
shenjën e rrumbulakët ngjyrë ari që rrezja kishte lënë mbi gur dhe këtë e morën
si shenjë miratimi.
Ata u
kthyen dhe për shumë vite zbërthyen para popullit atë që kishin shkruar në gur.
Kur u plakën, ndërtuan një shtëpi te përbashkët ku njerëzit vinin të dëgjonin e
të bënin pyetje.
Shumë
vite pas vdekjes së tyre, disa njerëz vullnetmirë ndërtuan një shtëpi në
rrafshnaltën e bjeshkëve të Sharrit, rreth njëzet kilometra nga Prizreni, ku
ata të tre kishin qëndruar për dymbëdhjetë ditë dhe kishin mbushur gurin e madh
me fjalë. Sipas porosisë së tyre gurin e madh e kishin vënë në themel të
shtëpisë qe do t’ishte e të gjithëve.
Pastaj
kaluan vite e vite. U bënë shumë luftra dhe ushtritë fituese sollën rregulla të
reja të tokës por edhe të qiellit që do të mbështesnin këto të parat.
Erdhën të
krishterët. Ata sollën rregullat e tyre dhe ndërtuan shtëpitë e tyre. Edhe në
rrafshnaltën e Sharrit, mu pranë shtëpisë së tre shenjëtorëve, ndërtuan një
shtëpi fetare të vetën. Populli u kthye nga ta dhe dalngangadalë harroi mësimet
e vjetra. Edhe shtëpinë e tre shenjëtorëve e prishën. Gurin e madh s’dihet se
ku e lanë. Mbase dikush e mori në shtëpi të vet dhe e vendosi në themel.
Pastaj
erdhën muslimanët, me rregulla të reja dhe shtëpi të reja. Shtëpisë katolike të
ndërtuar në rrafshnaltën e Sharrit nga ku shihen fshatrat që nuk janë larg, iu
ndryshua pamja dhe u bë shtëpi muslimane. Tani kjo shtëpi i përket fesë
ortodokse dhe quhet kisha e tre shenjëtorve, por jo e shenjëtorve të vërtet të
këtij tregimi. Bëhet fjalë për tre shenjëtorë të mëvonshëm të shpikur nga kasta
e gënjeshtarëve të cilët deri në lindjen e patriotizmit ishin biznismentët më
të mëdhenjë të planetit.
Por në
gjithë këtë rrëmujë, populli e ka ruajtur kujtimin e tre shenjëtorve dhe
mësimin e tyre të vlefshëm, që çdo gjë të rishqyrtohet në njëmijë vjet, se
asgjë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë. Prandaj ky popull nuk është
lidhur me asnjë fe, se e di që mësimet e tyre janë me afat të skaduar, se u ka
kaluar koha qysh moti dhe tani u shërbejnë grupimeve, bandave e jo njerëzimit.
Ky popull
e di që njeriu ka nevojë për mësime të tjera, e gurin ku shkruan tre
shenjëtorët da ta vërë në themel të shtëpisë së re, siq ata porositën. U bëftë
vullneti i tyre.